Identifikohu



Regjistrohu

Intelligence grise 3

nga Emigrant
10 Prill 2008

Shumë gjëra do besonim, mor edhe atë pëshpërimën për lejimin së afërmi të fesë, marrjen e kredive nga jashtë, që nënë Tereza paskësh bekuar mbesat e E. Hoxhës me dëshirën e Nexhit, apo që F. Allaj kishte fituar një bast ngaqë ngriti një automatik zbori me një gjë që s’thuhet, por që do ngelte Pashku për vjeshtë, kjo kapërcente çdo imagjinatë. Se Pashkut i thoshin Peshkop. Fjala “geek” nuk dihej atëbotë, se nuk ishin hapur ende kufinjtë. Kur thoshim “gay” nënkuptonim gëzim, ndërsa “cool” lidhej vetëm me temperaturën. Sa të thjeshta kanë qenë ca gjëra! Kjo punë e Pashkut… me rregull treshi i binte që të ngelnim të gjithë. Por nuk vonoi shumë dhe u mor vesh. Profesori AX, as që e kish pyetur fare peshkopin. Ky mbushur nja dhjetë fletë para e mbrapa me shkrim të imët e me formula kimie organike, nga ato që i dukeshin si qylafe labi Enverit si student në Frëncë, edhe gati të ligjëronte, kur AX e kish ndërprerë. Nuk të pyes për këto. Do më thuash sa herë ke qenë në Opera. Hiç Pashku. Po në Theatrin Popullor? Gjëkundi. Sa stadiume ka Tirana? Nada. Mire, hajde në vjeshtë, të njëjtat pyetje ke prapë!

Ilariteti në godinat konviktore qe i plotë. As kur studentja Z u hodh në rrotat e trenit, në të cilin udhëtonte ish i dashuri që sapo “e kishte lënë”, nuk kish patur të tillë gërr-mërr. Ca shkonin deri atje sa thoshin sikur AX kish pyetur “a ke vajtur ndonjëherë nga Liqeni”, madje fare fare, sikur pyetja paskësh qenë shqeto “a ke qenë nga gjiri i kurvave”, por kjo e fundit nuk hahej fare. Dukej që ishte gënjeshtër nga ato që sajohen nën presionin osmotik të latave të mencës dhe mungesës së ujit në pisuaret e konvikteve. Apo nën udhëzimin e departamentit të dezinformimit në ministrinë e brendshme. Sidoqoftë, edhe fakti mbetej fakt, pra një derro katër kokëfortë anash emrit të Pashkut, i cili s’po dilte fare nga dhoma e vet, edhe fantazia po merrte krahë, siç e ka soji fluturak i fantazive në metamorfozën shekullore të transformimit nga faza pupë e pëshpërimave tek fluturakët e psikozave kolektive. Vërtet, si do bënte Pashku, për dhjetën aq të merituar, në vjeshtë? Si do vërtetonte që kish kaluar nga ai gjiri i përfolur? Solidariteti konviktor-krahinor ishte ngritur si një obelisk gëlqeror. Ne ja gjejmë njanën Pashkut në vend? Pse, zor i madh asht’? pash nderin! Pashkut ti luten, sa për atë punë. Se ja u bën me shkencë. Me formulë. Në vend: tak! Çakmak, mër, çakmak… Hihihiii… Se ç’ka një libër thonë, se indian, se pakistanez, që ti tregon këto punë me themel e me pozicion. Shih, shih… Kur mos kem njeri! Çudi si s’paska shkruar ndonjë vepër Dulla për këtë punë, po na paska lënë në mëshirë të Brahma-Putrave… Shshtttt, ke për ta hongër ti ndonjë ditë…

Thuhej që edhe profesorin AX e kishin thirrur atje lart për sqarim. Dhe ky ishte mbrojtur duke kundërsulmuar. Studentët vijnë në Tiranë jo vetëm të mësojnë, por edhe të qytetërohen. Nota është për të gjitha. Trekëndëshi edukatë-kulturë-qytetërim… studentët tanë nuk kanë këtë të fundit… kanë dy të parat, mundet, po… Aaaa ju lutem, shoku AX, trekëndëshin e kemi ndryshe ne: mësim-punë prodhuese-kalitje fizike ushtarake… dhe pastaj fraza thagmë e AX që kish pasuar: nuk po flasim për Bermudën, shoku sekretar; trekëndëshi im është barabrinjës…

Ndërkaq në konvikt ishin krijuar grupimet e para: katunarìa e egërsuar dhe qytetarët si më të zbutur. Dikush i parodizonte si partitë e “xhokës” dhe të “setrës” në parlamentin e parë shqiptar. Polemikat ishin të zjarrta, pasionante, mateshin jo vetëm me decibel, por edhe me indekse më agresive, si psh goditjet me mjete rrethanore, për të cilat gjendej një emër krahinor; Rrethimi goditi Hajdarin me “kabashe” (kjo ishte kane uji), ndërsa Gjovalini i ra me “zhëmbël” Hysniut… Të gjithë kokat e mëdha të kombit kanë ardhur nga fshati! Ju katunarët na mësut’ me gatu nëpër hale…. na sollët gjithë hilet, spiunlliqet, letrat anonime… na çatë taravelen me aksione… me mbledhje rinie… Navash, navash, ju bythpambukët e qytetit, shihni mos kërreni ndonjë fije floku gabim kur kriheni ju, atë bëni… Katunar, o lëkurë parrur, sikur të ndërrosh dhe shtatë lëkur’, qytetar nuk bahesh kurr’…. E ç’ja fut qorres, a i vrarë, po shoku Enver që është qytetar den baba den… hmmm, këtu s’kam ç’them… më kape… poooor, çdo rregull ka përjashtim…. përjashtimet vërtetojnë rregullin…

Deri edhe grafitì – fenomen i padëgjuar ky, apo më saktë dukuri tipike borgjezo-revizioniste, që shprehte dufin e klasave të shfrytëzuara dhe aspiratën për një botë më të mirë – pra deri grafiti gjeneroi debati i ndezur mu në mes të sezonit të provimeve. Fillimisht u shkrua “Pashk, mos e rruj”, të cilën një dorë e fshiu dhe shkroi “AX, mos vdeksh kurrë”, që u zëvendësua, një Zot e di pse, nga “Pashk, ti si billa moja pjerva ljuba”… që natyrisht s’mund ta kish jetën e gjatë, pasi “Dio ti perdona, ma AX, NO!”… etj etj….

Ndërkaq thashemnaja, e cila ka ca ligjësi shumë të papërcaktuara, vazhdonte të frynte abrazive nëpër konvikte si stuhi e rërës nëpër shkretëtirë. Qesënditë ishin elementi i hidhët dhe gërryes. Si erozion rëre. Hidhni valle, këndoni çika, agronome na u kthye Mrika! Mirë ja ka bërë AX, për së mbari. AX t’ja rruajë Pashkut, se Pashkun për pesë vjet e ke ministër dhe pastaj ta shohi të s’ëmës AX. Katunaria e ka bërë këtë vend gjithnjë. Ndaj e ka ndritur, nuk e sheh! Bythë e plasur se nuk dikemi opera. Apo thjatro. Ti vithet i tund mirë në plazh, por nuk di të bësh silazh! AX ka gabuar politikisht dhe një ditë do mbajë përgjegjësi. Thonë që Pashku me kët’ rast ka zënë tre dashnore. Është celebrity; vdesin femnat, si të mi duash, qytetare, apo katunare. Ruju k**it dhe morrit të katunarit! Na mytën katunarët me pi ejç di, mër jahu! Katunaria i jep atdheut jetë e gjallëri, partisë gjakun e ri! Po, po, nari, nari, te pazari…

U fol se AX do e çonin për riedukim. Krahu katunar u gëzua me triumf. S’doli gjë ajo punë. Duket AX i kish krahët e ngrohtë. U tha sikur i kishin dhënë vërejtje. Me paralajmërim. Ç’ka u përgënjeshtrua nga një burim i sigurtë. Ndoshta edhe kjo ishte vepër e departamentit të dezinformimit. Këto lajmet u bënë si byrekët e Shanos, a i qivja udhët! Ç’byrekë? Ç’Shano? Eh, kemi një plakë në pshat që ka nja 5 vjet që thotë më bëni një byrek para se të vdes. Dua një byrek me kungull, tha një ditë, se e ndjej që po vdes. Me vrap, me ato bija mënt, u gjendën pecat, mielli, niseshteja e ku di unë, u tëhollën petët, edhe gati lakrori. Bërë me devocion të math, ngrënur me gjongùl! Mbas nja dy muajsh, prapë Shanoja: “para se të vdes, se e ndjej që erdhi kosorja, të kisha provuar një byrek me djathë”… qeni qepën të hajë… e kështu me rradhë, s’mbeti byrek në dur-njà pa e provuar Shanoja, që i paça fanë. Këta shembujt gjithnjë pa lidhje, ti Selim. Sikur s’shkon. E, sa të shkojë, a i vrarë, kalli qimen, ç’bëhesh i marrë dhe ti.
Sa ke për vjeshtë, këtë më thuaj… se xhòre mbete gjithë jetën… mo i qa hallin Pashkut ti, se Pashkut i thonë “bjeri mullënjës” të ta japim provimin, që i paça fanë unë atij… hihihihiii… e qan këtë ornitologjinë dhe ti… profesor je…

Një ditë fundgushti, në klasën e heshtur mbushur me “vjeshtukë”, AX për të njëqindtën herë pyeti veten që pse këtyre provimeve u thoshin “të vjeshtës”, kur në fakt ata jepeshin gjithnjë në verë. Në murin përballë ishin vënë në rradhë fotot e anëtarëve të Byrosë Politike. Ju duk se pjesa më e madhe e tyre e shihnin me qortim. Sa prej tyre do ngelte në klasë? U hodhi një shikim të shpejtë. Natyrisht, shumicën. Kur Pashku u afrua, donte ti buzëqeshte. Nuk mundi. Fytyra e tjetrit nuk lejonte. Në moment ju duk se e kapi atë linjën e përbashkët, lajtmotivin e asaj dukurie pa përkufizim dhe aq jo në rregull politikisht, që quhej katunarì. Ata nuk qeshnin. Nuk bënin humor. As nuk pranonin. Kishin lexuar librat e dynjasë, por aq gjë nuk e kapnin dot. Se humori të pengon të imponohesh me atë forcën e verbër, forcën e errët.. jo, si dreqin përkthehej “brute force” në shqip, gjithsesi… Nuk priti që Pashku tu përgjigjej pyetjeve, vuri një 10 mbi cepin e fletës së parë të mbushur me shkrim të imët, dhe nuk ndjeu asnjë lehtësim nga kjo. Tjetri nuk kishte për ta kuptuar kurrë.

(shih dhe Intelligence Grise 2)

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente »

  1. Perparim Hysi thotë:

    10 Prill 2008 @ 10:08 pm

    Ka qene nje realitet qe te cudite?!Cudite,sidomos,ata qe jane larg nga ky realitet.Ne qe e kemi jetuar,padyshim,qe gjejme copera me jete nga jona.Mjeshteria qendron se pena jote e ringjalle kete realitet dhe na e bie te fresket me gjithe larushine e tij .

  2. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    11 Prill 2008 @ 1:54 am

    4
    të vish në vjeshtë!

  3. Peshku Fluturues thotë:

    11 Prill 2008 @ 2:25 am

    Emigrant. Tregim i bukur vecse me kujton pak IK, nga menyra e te shkruarit.
    Sa per “katnaret” une i kam njoft mire, por mire fare ama, ne ushtri. Vetem qe aty gjerat ishin me te thjeshta. Edukimi i “katnareve” permblidhej kryesisht ne nje metode te vetme: mbulimi me batanije dhe goditja me kepuce ushtrie. Nje realitet shume “politically incorrect” apo jo? :)
    Dhe Shvejkun pastaj e gjen tek seksioni i Fiction!!!

    P.S. Se harrova. Sinjali per batanijen ishte muzika e Pink Panther qe Tur “Shqarthi” e bonte me fishkellime

  4. lulian kodra thotë:

    11 Prill 2008 @ 4:02 am

    Peshk, kujdes me krahasimet me IK, se po i rriten veshet Emigrantit me duket. Ne fakt ne fakt, me duket sikur e ke shkruar me nje fryme, vuuu, tip perroi psiqik, cte te vije ne mendje, por pa iu larguar fabules. Me thuj po rrejta!

  5. Peshku Fluturues thotë:

    11 Prill 2008 @ 4:54 am

    Bah! Nuk ja thashe per lavderim, ja thashe per kritike Luliano.

  6. Zana Shkruaji mesazh privat thotë:

    11 Prill 2008 @ 10:03 pm

    Mire mbrema Miq!Me keni munguar!Ke nje kujtese emotive fantastike Emigrant!Kushedi se Pashku vertet do ta kete kuptuar AX.Mendoj qe po…Pashku lexonte….Kjo do ta kete shpetuar….Mendoj se ne nje fare sensi njeriut nuk i pelqen te jete i krahasuar me asken tjeter.Dhunon indolen naturale te tij si krijese e patjetersueshme dhe e pangjashme me askend.Emigranti eshte Ai qe eshte …Ndikohet veç nga mjeshter.

  7. toko thotë:

    12 Prill 2008 @ 3:33 pm

    Emigrant nga stili edhe mua me kujtoj IK
    Por shume e bukur.
    Eshte interesante sic duket te gjithe kemi patur nga nje Pashk ne klase
    Ai qe kam patur une me vone u bo politikan dhe bile shkoj ne ambasade, bile u interesua qe AX ta hiqnin nga puna se kishte “krahet e ngorhta” gjate viteve kur Pashku ngeli per vjeshte. Me vone Pashku im kerkoj azil politik ne nje nje nga shtetet ku sherbente si punonjes ambasade. Nuk e di cfare behet tani por jam i bindur qe akoma nuk do te kete shkuar per te pare ndonje opera apo theater ne ate kryeqyteitn e madh Evropian te njohur per Operat dhe Theatrot.
    Eh mer Emigrant faleminderit shume bukur

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.