INSTAT: Në gjashtë muaj “lënë” vendin 1.2 mld euro

Genc Kondi
Gazeta shqiptare

Sipas INSTAT-it, në muajin qershor të vitit 2008 u eksportuan në drejtim të vendeve të huaja 11.5 miliardë lekë mallra, me rritje 12.7 për qind në krahasim me muajin maj të 2008-ës dhe rritje me 23.6 për qind në krahasim me muajin qershor 2007. Por, ndërkohë, ky bilanc pozitiv i eksportimit nuk ka mundur të mbulojë rritjen e pandalshme të importeve. E cila është më e lartë se trendi eksportues për gjashtë muajt, duke thelluar bilancin negativ të deficitit tregtar të vendit. Kështu, gjithnjë sipas INSTAT-it, u importuan 36.4 miliardë lekë mallra gjatë të njëjtës periudhë të këtij viti (qershorit,) me rritje 18.2 për qind në krahasim me muajin qershor të 2007 dhe ulje 0.7 për qind në krahasim me muajin maj 2008. Deficiti tregtar i këtij muaji është 24,9 miliardë lekë të reja, duke shënuar një rritje prej 15.9 përqindësh krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007.
Gjashtëmujori
Deficiti tregtar i vendit gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2008 është 146.108.000.000 lekë të reja. Kjo do të thotë që nga Shqipëria kanë dalë 1.2 miliardë euro më shumë se sa kanë hyrë prej eksportimeve të ndryshme. Kjo shifër është 20 miliardë lekë të reja më shumë se një vit më parë në të njëjtën periudhë. Nga janari deri në fund të qershorit 2007, INSTAT ka regjistruar një deficit prej 127.379.000.000 lekësh.
Në vitin 2000, diferenca midis importit e eksportit ishte 157 miliardë lekë, për të gjithë periudhën e 12 muajve. Kështu, vetëm në gjashtë muaj qeveria ‘Berisha’ ka larguar nga vendi një sasi parash, gati me atë që ikte për një vit tetë vjet më parë. Dhe kjo, në një kohë kur prurjet nga emigracioni, për herë të parë në këto 18 vjetët e fundit, kanë shënuar një ritëm në rënie.
Partnerët
Tregtia me vendet e Bashkimit Europian zuri 63.3 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë, eksporti është 57.2 për qind dhe importi 25.9 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 8 për qind dhe importi 14.1 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin, Britani e Madhe, Itali, Kroaci, Spanjë Turqi, etj dhe për importin: Austri, Gjermani, Greqi, Kroaci, Zvicër, etj. Në muajin qershor 2008, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 4.6 miliardë lekë. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës (66.9 për qind).

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. xhibi thotë:

    4 August 2008 @ 3:30 am

    Si gjithmone statistika dhe raportime gjysmake nga mediat tona. I fut nje shifer aty me biliona ne titull per ta bere lajmin sensacional dhe mjafton.

    Po treguesit e viteve te meparshme ku jane qe te behet krahasimi? INSTAT i ka keto te dhena tek faqja e vet, pse nuk i kane permendur keta?

    Pale qe mungon komplet treguesi i perqindjes se mbulimit, qe eshte raporti i eksporteve mbi raportin e importeve, i shprehur ne perqindje. Ky tregues eshte shume i rendesishem per keto te dhena pasi tregon ne cfare raporti qendron eksporti me importin. Pa ate tregues ca kuptim kane keto te dhena per dike qe don te krahasoje keta dy tregues? Eshte njesoj si te paraqitesh rritjen e rrogave pa paraqitur rritjen e cmimeve. Te dhenat jane relevante ne krahasim, jo me vete.

    Dhe keto te dhena i ka INSTAT po gazeta prap neglizhon ti permende. Mbase ngaqe treguesi i perqindjes se mbulimit i gjashte muajve te pare te 2008 eshte 28.2% dhe eshte treguesi me i larti i te gjitha viteve qe nga viti 200?

    Natyrisht keto te dhena nuk i interesojne GSH, pasi keto nuk e bejne lajmin shume negativ dhe sensacional, dhe per rrjedhoje keqinformon publikun.

  2. berberi thotë:

    4 August 2008 @ 11:30 am

    Mua me duket se informacioni i dhene me siper eshte i plote per qellimin qe ka pasur autori. Gjithmone sipas mendimit tim, autori ka dashur te theksoje se deficiti tregtar (diferenca midis eksportit dhe importit te mallrave dhe sherbimeve) eshte rritur nga njeri vit ne tjetrin me ritme te larta dhe duke u bazuar ne te dhenat e 6 mujorit te pare te ketij viti, parashikohet qe deficiti tregtar per vitin 2008 te jete rreth 2 here me i larte se ai ne vitin 2000, pra me nje rritje mesatare vjetore prej rreth 12.5%.
    Une nuk shikoj ndonje tendence per keqinformim persa kohe i referohet instatit, megjithse per mua INSTAT eshte kthyer ne institucionin me keqinformues zyrtar, qe mundohet te mbroje me shifra te reme Renat e bujshme te Ministrit te Pare.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com