Politikanët shqiptarë vuajnë nga sindromi i këngëtarëve komercialë: sa më pak dinë të këndojnë, aq më shumë zhvishen. E shprehur në terma politikë: sa më pak ide programore kanë, aq më tepër merren me njëri-tjetrin, me shifrat dhe me spektakël. Z.Rama e ilustroi shumë mirë këtë parim në mbyllje të një prej mitingjeve të tij të fundit, kur shpjegoi se “Politika e re është angazhim dhe festë”, përpara se t’ia merrte këngës.
Tek këngëtarët, zhveshja mbizotëron kur mungon talenti dhe kur qëllimi është shitja e diskut dhe jo krijimi në vetvete. Prandaj këngëtarja standard e turbo-folkut shqiptar është gjysmë e zhveshur, me tekst porno dhe muzikë “që ecën”. Tek politikanët, spektakli dhe sulmi personal si pjesë thelbësore e tij, mbizotëron kur mungon debati për idetë dhe kur politikani duhet “shitur”. Është folur shumë, por jo aq sa duhet, për mungesën e ideve dhe programeve politike koherente. Them koherente, sepse idetë arrijnë të nxjerrin kokën andej-këndej sipas rastit, mirëpo ato nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe në shumicën e rasteve pjesa më e madhe prej nesh janë të vetëdijshëm që janë të parealizueshme. P.sh., ideja për të përjashtuar nga taksat bizneset e reja apo bizneset e krijuara nga femrat. Një ide të ngjashme e pati, për nja një muaj, edhe kryeministri aktual gjatë fushatës së shkuar, kur shpalli se do të përjashtonte nga taksat bizneset e hapura nga emigrantët shqiptarë të kthyer në vend, por natyrisht hoqi dorë shumë shpejt, pasi e kuptoi se të gjithë bizneset e Shqipërisë do të regjistroheshin në emër të emigrantëve për t’u shpëtuar taksave. Po marr edhe një shembull tjetër: idenë “gjeniale” për të rritur buxhetin për arsimin në 5% të GDP-së. Kjo ide niset nga presupozimi se problemi madhor i arsimit është mungesa e fondeve. Në fakt kjo vjen nga një keqkuptim ose një mosnjohje e arsimit. Sepse çdo vit digjen qindra mijëra euro të destinuara për arsimin dhe shkencën (vetëm për atë publik natyrisht, meqë ndarjen nga komunizmi e bëjmë ngadalë se na pushon zemra). Dhe në thelb problemet e arsimit nuk vijnë nga mungesa e parave, por nga sistemi i gabuar dhe i padrejtë i financimit të arsimit.
Këto pseudo-programe vuajnë edhe nga një problem tjetër: idetë dhe premtimet e shpallura shpesh bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. P.sh., nga njëra anë premtohet mosrritja e taksave dhe nga ana tjetër premtohet gjithashtu një qeverisje thelbësisht subvencionuese. Po ku do t’i gjejë paratë për subvencionim qeveria nëse nuk rrit taksat? Pa folur për faktin se në çdo miting partitë shpallin NJE “prioritet madhor dhe absolut”, që është gjithmonë i ndryshëm nga ai i mitingut të djeshëm dhe i atij të nesërm. Shumë votues kanë të drejtë të mendojnë se ata që kanë gjithçka prioritet në fakt nuk kanë asnjë.
Ndoshta është e rëndësishme të kërkohen arsyet e këtij boshllëku.
Opsionet më të mundshme janë tre:
1. Partitë shqiptare janë të paafta të formulojnë një program koherent, domethënë një tërësi idesh të realizueshme, që nuk bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Kjo hipotezë më duket e vështirë për t’u mbrojtur, pavarësisht nivelit të ulët intelektual të shumicës së politikanëve. Të paktën kryetarët e partive dhe këshilltarët e tyre janë në gjendje të mendojnë një program të thjeshtë me disa pika.
2. Partitë janë në gjendje të krijojnë një program koherent, por nuk e bëjnë këtë, sepse qytetarët e thjeshtë nuk do të kuptonin asgjë dhe prandaj kufizohen në ide të shkëputura. As kjo hipotezë nuk më duket e qëndrueshme. Nëse ekziston sot një lloj veljeje e qytetarëve ndaj politikës partiake, ekziston kryesisht prej shkëputjes së aftësisë përfaqësuese të partive nga nevojat e qytetarëve për përfaqësim. Niveli i debateve televizive dhe i pjesëmarrësve të tyre shkon paralelisht me rënien e besueshmërisë së qytetarëve tek partitë. Aq sa nganjëherë pothuajse të vjen keq për këta politikanë që bëhen palaço për vota në sytë e gjithë publikut.
3. Partitë janë në gjendje të bëjnë programe koherente, por nuk i bëjnë sepse synojnë të kapin me rrjetën e fushatës së tyre sa më shumë votues që të mundin. Përcaktimi i qartë i një programi konkret do ta bënte natyrisht më përfaqësues programin e një partie, por njëkohësisht do t’i hiqte asaj mundësinë e përfaqësimit të “të gjithë shoqërisë shqiptare”, “të gjithë Shqipërisë”, “të shqiptarëve të përçarë prej politikës së vjetër”, e shumë thasë të tjerë gjithpërfshirës. Përfaqësimi i të gjithë shoqërisë është një ëndërr e premtuar e demagogëve populistë dhe një projekt i suksesshëm i regjimeve autoritare. Ky pretendim është akoma më i rrezikshëm kur shpaloset nga politikanë që i mbajnë premtimet, pikërisht sepse premtimet për përmbushjen e nevojave të së gjithëve në një sipërfaqe të rrëshqitshme prioritetesh në lëvizje, janë një garanci e plotë e përmbushjes sipërfaqësore të tyre. Zakonisht këto premtime përmbushen “me gjuhën e shifrave”, ose me “gjuhën e fakteve”.
Pra, ndoshta mund të mos i akuzojmë partitë për injorancë, por thjesht për mashtrim publik. Fatkeqësisht mediat nuk po luajnë ndonjë rol të lavdërueshëm. Me përjashtim të pak rasteve të veçuara, shumica e mediave shqiptare i janë dorëzuar tundimit të spektaklit. Kjo vjen kryesisht prej faktit se talenti kryesor i shumë njerëzve të medias në Shqipëri, të markës BMV (të bom vetë), është kapja, përtypja dhe ripërtypja e bisedave të politikanëve në kafe. Kjo bën që debatet e fushatës nuk ndryshojnë shumë në thelb nga një reality show. Kafja që pihet me politikanët përpara dhe pas emisionit duket sikur transportohet edhe brenda tij, natyrisht e veshur me elementët e nevojshëm të spektaklit. Në vend që të orientojnë bisedën dhe debatin drejt programit dhe ideve, shumica e gazetarëve dhe e analistëve merren mjeshtërisht me strategjitë elektorale dhe personale të individëve. Ky sistem i mbyllur mediatik duket sikur funksionon në mënyrë të pavarur nga nevojat e qytetarëve. Ai prodhon në mënyrë të pavarur ofertën, por përpiqet të prodhojë edhe kërkesën. Qytetarit i tregohet sesi x parti po ndjek një strategji të caktuar për të hequr qafe një kundërshtar y, sesi sistemi i ri zgjedhor mund të sjellë një rezultat dhe një tjetër, ose sesi filan kryetar po e organizon partinë në mënyrë të tillë që të arrijë një rezultat të caktuar. Moda e fundit e sondazheve i vë kapakun spektaklit. Pasi i tregohet gjithçka për strategjinë e politikanit, në përmbyllje, votuesve u tregohet përmes sondazheve edhe për kë do të votojnë më 28 qershor, në rast se nuk e dinë. Ky supozohet të jetë informacioni që i duhet qytetarit për të përzgjedhur për kë duhet të votojë dhe si duhet të funksionojnë në demokracinë shqiptare. Brenda këtij sistemi, kriteri i konkurrencës mbetet spektakli dhe jo programet. Jo sepse nuk mund të bëhen programe, por... akoma më keq, sepse është vendosur që nuk duhet të ketë programe. Ndoshta votuesit e hanë edhe kësaj radhe konceptin e “përtej së majtës e së djathtës” ose atë të “liberalizmit social”.
6 KomenteTrego/Fshih të gjitha përgjigjet ndaj komenteve
Ca nga pikat e mesiperme mund te kundershtohen lehte (sidomos ajo mos-dashuria ndaj shifrave) por ne teresi shkrimi e percjell mire idene e vet dhe eshte lehtesisht i lexueshem. Si shume shkrime te tjera te ketilla ama vuan nga vet-vendosja ne poziten e atij qe vetem tregon te keqen me gisht por nuk jep zgjidhje
Llukan, nuk jep dot zgjidhje Hasimja se zgjidhja e vetme do te ishte kufizimi deri ne maksimum i te drejtes te votes vetem per ata shkrujn te Peshku se tjeret qenkan bageti
(ose e thone popullorce 'gjo e trashe')
Goce te gjithe ata qe nuk i hypen ose komeve, ose anijes ose avionit dhe tani pretendojne te sundojne jane te dyshimte pasi jane thjesht bijt/bijat e atyne qe 'kapen' PPSH-ne ne dekaden e viteve 80-te dhe kan msu ca marifete te pshtina qe atyre ju duken shume normale.
G99 do kete fatin e OTPOR-it Serb
"...Brenda këtij sistemi, kriteri i konkurrencës mbetet spektakli dhe jo programet. Jo sepse nuk mund të bëhen programe, por... akoma më keq, sepse është vendosur që nuk duhet të ketë programe..."
Biles une do te propozoja qe S.B. te behet spiker radioje, ndersa E.R. te behet kengetar.
Qafir Arnaut; "....G99 do kete fatin e OTPOR-it Serb..."
ç'a eshte kjo OTPOR, Arnaut.