Identifikohu



Regjistrohu

LSI gati për të mbledhur 500,000 firma për referendum

Ilir Meta, lider i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në lidhje me ndryshimet në Kushtetutë:

Meqenëse këta deputetë e kanë humbur lirinë dhe personalitetin e tyre, dhe sikurse të gjithë e dinë, kanë nisur të gjykojnë dhe arsyetojnë vetëm ekonomikisht dhe jo politikisht e shqiptarisht, ne [LSI] do t’i drejtohemi popullit shqiptar për të mbrojtur lirinë e tij, për të mbrojtur sovranitetin e tij, për të mbrojtur republikën parlamentare që ai ka vendosur me Referendum pikërisht 10 vjet më parë.

Burimi: LSI.al

Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dua t’ju bëj të ditur se, meqenëse për shkak të presionit të jashtëzakonshëm dhe kapjes nga ana e kryeministrit Sali Berisha, në radhë të parë, por edhe e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të PS, në radhë të dytë dhe sigurisht në bashkëpunim të ngushtë me njëri tjetrin, duke qenë se shumica e deputetëve të parlamentit e kanë humbur lirinë e tyre dhe duke patur në konsideratë që ka mbetur shumë pak kohë që kërkesa e 28 deputetëve të jetë e vlefshme drejtuar Gjykatës Kushtetuese për referendum, dua t’ju konfirmoj vendosmërinë tonë për realizimin e referendumit.

Dhe meqenëse këta deputetë e kanë humbur lirinë dhe personalitetin e tyre, dhe sikurse të gjithë e dinë, që kanë nisur të gjykojnë dhe arsyetojnë vetëm ekonomikisht dhe jo politikisht e shqiptarisht, ne do ti drejtohemi popullit shqiptar për të mbrojtur lirinë e tij, për të mbrojtur sovranitetin e tij, për të mbrojtur republikën parlamentare që ai ka vendosur me Referendum pikërisht 10 vjet më parë. Për këtë arsye, bazuar në nenin 150 të Kushtetutës, ne do të mbledhim jo 50 mijë firma të shtetasve shqiptarë që kanë të drejtë vote, por do të mbledhim minimumi 500 mijë deklarata noteriale të qytetarëve shqiptarë, që kanë të drejtë vote për të kërkuar referendumin, i cili do të mbrojë lirinë e popullit shqiptar, do të mbrojë sovranitetin e tij nga nëpërkëmbja që i është bërë në natën e errët të 21 Prillit. Dhe, mbledhja e këtyre deklaratave noteriale do të zhvillohet në të gjithë qytetetet e në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, por do të zhvillohet edhe në Greqi, Itali, në Shtetet e Bashkuara, në Britaninë e Madhe, në Belgjikë, në Kanada, në të gjithë botën ku jetojnë qytetarët shqiptarë, të cilët kanë sakrifikuar kaq shumë për lirinë e tyre, për lirinë e vendit të tyre dhe për lirinë e dinjitetin e fëmijëve që duan t’i rrisin në një vend të lirë dhe demokratik.

Mbledhja e këtyre firmave do të nisë pikërisht javën e ardhshme, në 10 Maj, në Sheshin Skënderbej. Për të vazhduar më pas në të gjithë Shqipërinë në një fushatë të pandërprerë dhe për këtë çështje do të krijohet edhe një Komitet Kombëtar në mbrojtje të lirisë dhe sovranitetit të popullit shqiptar, i cili do të përbëhet nga të gjitha forcat politike, nga të gjithë aktorët e rëndësishëm politikë dhe nga të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për momentin tepër kritik ku ndodhet demokracia shqiptare, përballë këtij puçi të patolerueshëm kushtetues që ka ndodhur në natën e 21 Prillit kundër lirisë dhe sovranitetit të popullit shqiptar.

Zoti Meta, nga ky moment si e shihni bashkëpunimin me Partinë Socialiste në raport me zgjedhjet e ardhshme të 2009-ës?

Për ne çështja më e rëndësishme është liria dhe sovraniteti i popullit shqiptar, i të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kjo është themeltare dhe sikurse ju e dini, ne kemi kohë që kemi ftuar lidershipin aktual të Partisë Socialiste për të reflektuar, për të mos tradhëtuar vetë historinë e asaj partie, në mbrojtje të demokracisë dhe vetë veprën më të rëndësishme të asaj partie, që është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e bërë në vitin 1998. Por ju e dini se ata kanë refuzuar në mënyrë të vendosur që të reflektojnë, duke vërtetuar për fat të keq se janë të lidhur dhe të kapur pazgjidhshmërisht me kryeministrin puçist Sali Berisha. Por, unë dua të përshëndes të gjithë socialistët e tjerë, që nga Petro Koçi, e shumë deputetë dhe shumë personalitete të tjera, dhe të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste, të cilët jam i bindur do të japin deklaratat e tyre noteriale për referendumin, për të mbrojtur atë Kushtetutë të cilët shqiptarët e kanë votuar, jo vetëm me bindje, por edhe me shumë sakrificë.

A do të ketë deklaratë noteriale edhe nga zoti Nano?

Nuk e di. Kushdo do të jetë i mirëpritur. Mund t’ju them se, deri nesër, në rast se ka pesë deri në gjashtë deputetë, të cilët mund të reflektojnë, të cilët mund ta kuptojnë se po bëjnë një lojë të madhe me popullin shqiptar, ne do të mund të evitonim një proces të tillë, sikurse është mbledhja e firmave, pasi gjithçka do të ishte më e thjeshtë, edhe në kohë, por njëkohësisht edhe nga ana etike do të ishte në dinjitetin e deputetëve, edhe të atyre që mund të kenë votuar me bindje për ato ndryshime, që të kërkonin që populli shqiptar të shprehej nëse i miraton apo jo.

z. Meta, a keni një koment në lidhje me deklaratën e kryetari të grupit socialist në Parlamentin Europian Martin Shultz, dhe a jeni në dijeni që ai mund të vij në Shqipëri për të mbështetur iniciativën e këtij grupi deputetësh që kërkojnë referendum?

Unë nuk mund të flas në emër të socialistëve europianë dhe eurodeputetëve socialistë, sepse nuk e kam këtë atribut. Ata janë shprehur vetë dhe besoj se do të shprehen edhe në të ardhmen vetë, për arsye se socialistët europianë nuk mund të blihen si disa të ashtuquajtur socialistë shqiptarë, që dalin kundër vetes së tyre. Se socialistët europianë, kanë qenë mbrojtës kryesorë të demokracisë në Shqipëri, gjatë sundimit autoritarist nga ana e ish- Presidentit Berisha. Socialistët europianë kanë qenë të vendosur për të përkrahur popullin shqiptar, në momentet më të vështira, ku është vënë në pikëpyetje liria dhe demokracia e popullit tonë. Kështu që, nuk mund të ndodhë ndryshe, që socialistët eurupianë për interesa të vogla të shesin principet e tyre, sikurse kanë bërë disa të ashtuquajtur socialistë shqiptarë. Por, unë nuk mund të flas në emër dhe tyre dhe meqenëse ka interes mund t’ju them se neni 150 e shpreh shumë qartë se populli përmes 50 mijë shtetasve me të drejtë vote ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për një çështje të një rëndësie të veçantë. Dhe, çështje më të rëndësishme për popullin e Shqipërisë se liria dhe sovraniteti i tij nuk mund ketë, sepse këta e ka vendosur përmes referendumit në vitin 1998.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

56 Komente »

  1. Koth thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:40 am

    PS i pergjigjet keshtu kesaj nisme :

    …Në fund, të paktën mua, më del se edhe duke e parë punën nga krahasimet me 1000 vjet histori, por edhe duke e parë me ç‘kemi hequr vetë në qeveri, është më mirë që partitë e vogla të hapin udhë se, siç janë sot, i bëjnë punë vetëm kryetarëve të tyre, grave të kryetarëve , shoferëve të kryetarëve dhe miqve të shoferëve…

    Aratan Lame
    Gazeta Shqip
    http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=41635

    Ja keshtu eshte kjo pune o Mete, ja keshtu. Ndaj mos u habit fare.
    As per pune kepucesh as per pune thashethemesh ne media.

    Keto jane pune “profesionishtesh”.

  2. rual thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:48 am

    kush e do me bast se nuk i mbledh dot 500.000 firma :D

  3. Koth thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:56 am

    rual,

    shif cer di Meta :
    Di qe vete merr mbi 130 000 vota ne gjithe Shqiperine
    di qe percarja e vertete e PS do ndodhe kur te hartohen listat e kandidateve per deputete qe ne fakt jane lista mazhoritare per fituesit e mundshem ne rajon dhe per ata qe nuk fitojne jane KOT.
    Di qe xhaketat e vjetra do ndeshen fort per te qene ne krye te listave sepse jane mesu me pushtet or daje.

    Dhe bastin ti e humb pa nji pa dy. :)

    PS rrezikohet te dale parti e trete.

  4. rual thotë:

    5 Maj 2008 @ 12:04 pm

    Qe qesh e njesh Berisha po ia fut Rames kjo dihet,e PS mund te ndahet rindahet ririndahet apo edhe te shkihet s’me intereson, po Meta si mbledh qe si mbledh dot ato firma,ja ketu do jemi, dmth atje ;)

  5. Koth thotë:

    5 Maj 2008 @ 12:12 pm

    Po une them qe ti humb per force zakoni se deri tani nuk ke fitu as nje birre te vetme ne baste. ;)

  6. rual thotë:

    5 Maj 2008 @ 12:16 pm

    sidokjofte ai 500.000 firma si merr kurr, e ti kujtoju mire se dicka edhe e kam fitu po kujtoju mire ee ;)

  7. Paulo Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 1:11 pm

    Mire se do i mbledh firmat, po mendoni se do ti perballoje dot shpenzimet e takses noteriale?!
    I forte paska qene ky Meta …..!
    Nuk iu mbarokan financat ndonjehere ….!

  8. Moza thotë:

    5 Maj 2008 @ 1:30 pm

    Paulo, ka punu fort djali, jo shaka.
    Ka bo pare dhe miq plot :-)

  9. Koth thotë:

    5 Maj 2008 @ 1:35 pm

    Paolo !

    Erion Brace e quan Meta Bank !

    Kur po hapet ndonje BSHA Bank ? Apo eshte hap ndonje ne Kosove.

    Po leri tani keto shashka !

    Moze !

    He mi nuse s`te rri bitha rehat ty ?! :)

  10. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 3:04 pm

    Nuk ka gjo per te diskutu per temen fare.

    500.000 vota mblidhen lehte majtas se nga ato ane e kane merak te drejten e votes sipas qefit te vet.

    Pastaj, fakti qe meta do te ndertoje ekuacionin “firma=vote per LSI” eshte gjeja me normale ne bote. Ky eshte thelbi i demokracise.

    Kush gabon paguan.

    p.s. ajo puna e pareve te noterizimit me beri kureshtar edhe mua.

  11. Idris thotë:

    5 Maj 2008 @ 3:11 pm

    Gene!
    Une do ti shtoja qe ky problem KA SHUME RENDESI ne se arrihet.
    Duhet me C’DO KUSHT politika jone te mesohet te respektoje POPULLIN ose VOTUESIN.Dhe kjo eshte nje nga protestat me paqsore dhe me REZULTATIVE….qe edhe manipulimin e lufton HAP pas HAPI.
    Ne se do te realizoheshin disa REFERENDUME rresht ,kjo ka vetem nje te mire te MADHE.
    VOTUS po te resopektohet VOTA kunder ARROGANCES mazhoritare dhe marveshjeve te Paprincipta politke…..

  12. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 3:17 pm

    Persa i perket socialisteve europiane, ky modeli qe miratuan e quajten “model spanjoll” me duket dhe, nese nuk gaboj, ne spanje qeverisin socialistet. Edhe modeli gjerman nuk besoj te mos parashikoje kufij minimal e ne pergjithesi kam pershtypjen se shume parti socialiste (aneteare te PSE) ne europe po shtyjne drejt bipolarizimit te jetes politike. Dua te them qe me habit nderhyrja (nese egziston vertet)

    Pervec proporcionalit te paster, asnje sistem tjeter nuk eshte plotesisht demokratik. Nga momenti qe ti pranon te sakrifikohen disa vota (qofte edhe nje e vetme), per hir te te ashtuquajturit STABILITET te qeverisjes (apo me mire-peshku i madh e ha te voglin), nuk ke me te drejte (morale-politike) te ankohesh kur pragu fillon rritet gjithmone e me teper e te demton. Aq me pak ke te drejte te shesesh veten si mbrojtes i parimeve kur keto ke pranuar ti shkelesh.

  13. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 3:22 pm

    Gjithsesi, une firmen time do e jap.

    Nese ka ndonje force politike, apo sociale ne pergjithesi, qe te kete mbrojtur gjithmone proporcionalin e paster do te firmos ne listat e tyre (qe gjithsesi mund ti bashkojne me meten)

  14. dukati thotë:

    5 Maj 2008 @ 3:41 pm

    Histori ka provuar se referendumi eshte shkalla me e larte demokracise. Meta nuk ben asgje ne kete rast vetem se i ben nje sherbim te madh demokracise, dhe natyrshem i rrit autoritetin vehtes dhe partise qe drejton. lumte metes me kete iniciative.

  15. Koth thotë:

    5 Maj 2008 @ 3:42 pm

    Admino !

    Na hapni mer nje teme ku te shajme grun e Metes dhe Meten mer se e morem vesh tani si funksionon.

    DHe nje keshille ja keshtu miqesore se helbete cuna te rinj jeni : kur robte shkrujne nga e njeta IP dhe me nicke te ndryshem na e beni te ditur mer sidhe ne disa raste se edhe ndricohemi.

    Nuk na e vute ate intervisten qe dha ai lideri i G99 ke VOA se e permban dhe tema me te share.

  16. dukati thotë:

    5 Maj 2008 @ 3:48 pm

    Po pse e personalizon zonen?! C’te ben te mendosh se Dukati ndan te njejtin mendim me huazuesin e pseudonimit per lumesine e Ilir Metes, autoritetin e tij apo me sherbimin e tij te madh per demokracine?!!!

  17. eni thotë:

    5 Maj 2008 @ 3:57 pm

    Mua nisma e referendumit me duket pozitive pavaresisht se jam qe sistemi politik shqiptar te behet dypartiak apo se shumti trepartiak. Duhet patur parasysh qe ne ndryshimet kushtetuese te 21 prillit nuk jane permendur ne asnje vend mbi 1 milion emigrantet jashte. Do te kisha shume deshire qe te behen ato 50 mije firma dhe ti jepet nje mesim i mire PD-se e PS-se qe ndryshime te rendesishme ne kushtetute ti bejne vetem pas nje diskutimi publik te hapur dhe jo ashtu ne menyre krejt jotransparente sic u bene.

  18. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 4:05 pm

    dukati, jashte teme: e pashe ate linkun qe fliste per bujqesine organike (biologjike). shume interesant dhe falemnderit!

  19. Leon thotë:

    5 Maj 2008 @ 4:36 pm

    Idris,
    Arsyeja bizare e referendumit eshte” do ti drejtohemi popullit shqiptar për të mbrojtur lirinë e tij, për të mbrojtur sovranitetin e tij, për të mbrojtur republikën parlamentare që ai ka vendosur me Referendum pikërisht 10 vjet më parë. “
    po nuk shpjegon asgje se konkretsiht si cenohet sovraniteti i nje vendi nga parlamentaret e tij???
    nuk shpjegon asgje se si cenohet liria e nje populli dhe c’fare do te afroje ky ndryshe???
    Per c’fare do vendose populli?? pro kujt dhe kunder kujt???
    Idris si nje nga anetaret e peshkut qe te vleresoj idete dhe mendimet qe komenton a mund te japesh mendimin tend personal per keto pyetje..
    Ku qendron diferenca midis bashkimit te forcave politike per interesat jetike te vendit dhe arrogances maxhoritare????
    edhe a duhet te futet ne fjalorin primitiv politik shqiptare fjala “bashkepunim” dhe “mirekuptim” edhe sepse kjo do te thote qe une nuk jam dakord??
    A duhet te mesojne shqiptaret ndac politikane dhe ndac gazetare se pervecse nje kohe per debate,nje kohe per polemika,nje kohe per sharrje,nje kohe per inate duhet edhe nje kohe qe te gjitha keto qe permenda te marrin fund dhe vendi te eci???

  20. castelino thotë:

    5 Maj 2008 @ 4:40 pm

    Koth.,…te pergezoj serish….Ke mendime shume te sakta….

  21. castelino thotë:

    5 Maj 2008 @ 4:42 pm

    Paolo, po nuk i gjeti dot leket Meta per deklaratat noteriale…ndoshta ndoshta, mund ti kerkoje ndonje leke borxh MJAFTIT, se boll leke ka fituar nga projektet nderkombetare

  22. lulian kodra thotë:

    5 Maj 2008 @ 6:40 pm

    Nuk i mbledh dot nje te pesten ne parlament ky?

  23. Koth thotë:

    5 Maj 2008 @ 6:45 pm

    Jo lulian nuk i mbledh dot sepse duhet te shikoje nje seance parlamentare qe u zhvillu sot dhe si tallte byth.en Jozefina Topalli me deputet socialiste kur ata kerkonin se pse nuk ishte mbyll akoma fatura e Gerdecit ( financiare ).

    Ne tre vjet nuk e kam pare kurre Jozin aq ne forme duke drejtu seancen.

  24. J. thotë:

    5 Maj 2008 @ 6:47 pm

    Edhe une do e jepja firmen per referendum. Madje nga kushdo qe do e kerkonte nje gje te tille.

    Kjo eshte nje forme pergjigjeje te tema tjeter qe shtron Blendi. politike- jo politike.

  25. Lulian Kodra Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 7:15 pm

    O Koth, po gjithe kjo MetaBank, nuk e ka nje organ shtypi ku perdite e perdite ne faqe te pare te nxjerre pjesen e 18 te Kushtetutes, sidomos piken 4, ore pa koment fare, le t’a gjykoje vete lexuesi? Po perdite ama, ne faqe te pare, me shkronja te medha.

  26. Penar Musaraj Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 7:21 pm

    Cila eshte kjo pike Lulian? Cili nen?

  27. Koth thotë:

    5 Maj 2008 @ 7:22 pm

    Jane te zena mer faqet e gazetave :

    Ja shikoji vete sot :
    Gazeta Shqip Artan Lame qe ka hallin e gruas se kryetarve te partive te vogla
    Gazeta Shqiptare Ylli Manjani

    Keta cdo dite jane ne faqet e mediave print ne menyre te alternuar bashke ate te fondacionit Qemal Stafa, qe me gjithese se sot Qemali ka diten e vrasjes nuk bene asnje aktivitet per nder te emrit qe i kane marre borxh.

  28. Lulian Kodra Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 7:23 pm

    Penar, sapo e dergova krejt per t’u publikuar tek peshku. Mua me del se shkrimi eshte ne draft. Nuk e di a te ka ardhur akoma apo jo. Eshte krejt Neni 177.

  29. Penar Musaraj Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 7:32 pm

    Lulian, e publikova tek “Mos Humbisni”. Flm.

  30. Vemendje thotë:

    5 Maj 2008 @ 7:49 pm

    Llogaria e Metes eshte si e Nanos ne kazino. Ata realizuan me kuvendin zgjedhjen e presidentit dhe kryeprokutores, tani mbaron privilegji i vjeter personal i kryetareve te partive te vogla. Zhvleftesimi i votes se popullit me referendum eshte bixhozi i radhes per korruptim.

    Meta & co, ju, kerkohet te dilni jashte loje, dhe jo liria , pamvaresia e vullnetit te popullit ne kushtetute!

  31. Lulian Kodra Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 8:09 pm

    Vemendje, Referendumi nuk eshte zhvleresim i votes se popullit. Mungesa e referendumit eshte zhvleresim. Nuk e e kuptova a doje te thoshe kete, apo jo? Me gjithe respektin qe kam per gjuhen tende te mbrapshte e te cuditshme, dhe ti e di qe kam respekt, them se kjo eshte ceshtje kur vleresimi i referendumit duhet thirrur ne emer, pavaresisht se kush eshte gruaja e atij qe e kerkon, si thote Koth, perndryshe cfaredolloj qendrimi sa do pak qesharak, ironik apo cinik ndaj vleres se votes do te shkonte drejt zhvleresimit te saj. Edhe ne qofte se kjo qe po ben Meta eshte bixhoz politik, kartat me te cilat po luan, “liria , pamvaresia e vullnetit te popullit ne kushtetute” nuk jane bllof. Keshtu qe kujdes.

  32. Vemendje thotë:

    5 Maj 2008 @ 8:35 pm

    Kuvendi, me ate perqindje te ligjshme vendosi, ate qe cenon interesat e vogla, ne morine e interesave me te medha perfaqesuar ne Kushtetute.
    Meta&co nuk shohin asgje te jete ne rregull ne Kushtetute, deri sa ata te jene me nji privilegj helmues per aplikim te Kushtetutes.

    Nen emrin e Metes populli fillon ti ngjaj individit partiak me 1.2%

  33. friend thotë:

    5 Maj 2008 @ 10:24 pm

    Sic e dini te gjithe nga kushtetuta burojne ligjet, keshtu per rastin ne fjale eshte kodi zgjedhor, i cili i ndan referendumet ne referendume kushtetuese (sipas nenit 177) dhe per ceshtje te rendesise se vecante (ndryshime ligjesh fjala vjen) me 50.000 firma etj etj etj. Keshtuqe Meta o mbledh votat ne parlament per ndryshimet, ose ja zhyt si kau peles me ate punen e firmave

  34. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 10:38 pm

    Vemendje thotë:
    5 Maj 2008 @ 8:35 pm
    Kuvendi, me ate perqindje te ligjshme vendosi, ate qe cenon interesat e vogla

    Kjo, “teknikisht”, quhet BOLSHEVIZEM

  35. Vemendje thotë:

    5 Maj 2008 @ 10:47 pm

    @gene,

    Kjo, “teknikisht”, s’quhet BOLSHEVIZEM

  36. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:04 pm

    Ketu kemi te bejme me shkelje te parimeve themelore te kushtetutes (te pandryshuesme) nga nje shumice ne dem te nje pakice.

    Parimi qe shkelet (dhe qe ishte i shkelur edhe deri me sot ne fakt) eshte ai i te drejtes per te votuar dhe per t’u votuar bashke me ate qe e konsideron shqiperine nje dhe te pandashme.

  37. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:10 pm

    TË DREJTAT DHE LIRITË THEMELORE TË NJERIU

    Neni 15

    1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.

    Neni 45

    1. Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.

    4. Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.

    ————————

    PARIME THEMELORE

    Neni 1

    1. Shqipëria është republikë parlamentare.

    2. Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm.

    3. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike.

    Neni 2

    1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.

    2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti.

  38. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:11 pm

    vote
    e barabarte
    ne zgjedhje te barabarta
    ne nje shtet te pandashem

  39. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:13 pm

    pse vota ime bashke me ate te 1/140 se shqipetareve (ne kushte te barabarta jane te mjaftueshme per te zgjedhur nje perfaqesues te ketij shteti unitar e te pandashem) anullohet???????????!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

  40. friend thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:14 pm

    Neni 2 pika 2 i sjelle ketu ne menyre kuptimplote nga gene eshte baza e argumentit kushtetues per kushtetueshmerine e ndryshimeve te miratuara tashme.

  41. Vemendje thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:16 pm

    “…te drejtes per te votuar dhe per t’u votuar bashke me ate qe e konsideron shqiperine nje dhe te pandashme.”

    gene,
    Mos fillove te besosh hamendesine si te vertete (si meta)?

    Jo, po ku do shkoj superprodhimi i helmit… jane mbyllur portat.

  42. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:23 pm

    Une besoj si te vertete vullnetin per te mbrojtur te drejten time per nje vote TE BARABARTE.

    Friend, eshte e mese e vertete por mos harro se duhet te plotesohen disa kushte qe emrat e ulur ne kolltuqet e kuvendit te mund te quhet PERFAQESUES nepermjet te cileve une ushtroj sovranitetin.

    Kushti themelor eshte VOTA E BARABARTE NE ZGJEDHJE TE BARABARTA.
    Nese nuk plotesohet ku kusht atehere nuk jane me perfaqesues por pushtues (sipas kuptimit te kushtetutes themi)

  43. bobi thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:32 pm

    Vetem tek nje gje jam I paqarte.Sistemi I ri zgjedhor esht bazuar ne sistemin spanjoll (aspi karalloj).A nuk eshte Spanja mbreteri? Cduam ne Republik Parlamentare me sistem zgjedhjesh te nje Mbreterie?Eshte nje pik ne draftin e miratar qe thot:
    Kryeministri ka te drejt te shperbej parlamentin.Ne Spanje Mreti e shperben parlamentin.Ndoshta jam vetem un por kjo me duket skandaloze.A ka mundesi me na e shpjegu njeri car po bo vaki?

  44. friend thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:35 pm

    Gene, se ngelem duke ndjek njeri tjetrin sa te nje teme te tjetra :D
    Parimisht ke plotesisht te drejte. Per mendimin tim s’kishte nevoje fare te ndryshohej kushtetuta, mjafton te ndryshohej formula e proporcionalit ne ligjin e zgjedhjeve dhe ishte ok. Pjesa per zgjedhjen e presidentit ishte sipas mendimit tim pjesa absolutisht me e mire e kushtetutes. Kjo nga ana parimore.
    Meta ka qene ne pushtet kur eshte bere kushtetuta, syte ne balle i kishte, le te thoshte qe populli me 50.000 ose X vota ka te drejte te kerkoje referndum per ndryshimet kushtetuese. Po atehere si vinte fort mbas qejfit se ishte ne shumice. Tani qe po i perplaset kokes vepra ku ka qene vete pjese e “grupit inxhinierik” nuk i pelqeka. Kush eshte morali ketu? Sipas meje moralin e jep qarte Bibla “Bej sic do te doje qe te tjeret te benin me ty”. Mesa duket Meta nuk e ka pas lexu Biblen kur ishte ne pushtet. Me siguri qe as Berisha me Ramen se kane lexuar, po do vertetohet pas ca kohesh.

  45. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:38 pm

    friend thotë:
    5 Maj 2008 @ 11:35 pm
    …“Bej sic do te doje qe te tjeret te benin me ty”.

    :))

    Nje kushtetute e vogel e njeriut te qyteteruar

  46. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:41 pm

    Eshe mua me pelqente menyra e zgjedhjes e presidentit. Praktikisht, ne kushte “normale” (pa deputetet e “nanos” pra), detyronte shumicen te hiqte dore nga “bolshevizmat” ndaj pakices dhe moderonte gjithe jeten politike.

  47. friend thotë:

    5 Maj 2008 @ 11:51 pm

    O Bob, pjesa per zgjedhjet s’ka te beje me kush e shperndan parlamentin. Eshte sipas modelit spanjoll qe dmth proporcional rajonal me lista te mbyllura, qe dmth 12 qarqe dhe lista e panadryshueshme. Dhe eshte kjo puna e listes se pandryshueshme qe ja ka ngrit qimet perpjete Metes, se nuk bo dot dallavere sic ka bo qe te fusi ne parlament Legisin dhe Brahon me nga 350 vota dhe te lere jashte te tjeret me nga 2000 vota, se nuk shkon njeri me mbledh vota per kacurrelat e Legisit.

  48. bobi thotë:

    6 Maj 2008 @ 12:39 am

    Rrofsh shoku.T’kom borxh nji birr.

  49. Sami Kucana thotë:

    6 Maj 2008 @ 1:22 am

    Ideja eshte shume e mire, por ajo keqesohet kur vjen ng Ilir Meta. Edhe mua me ngacmon kurioziteti i parave te noterizimeve. Gjysmagjel paska qene edhe ky Meta.

  50. olti thotë:

    6 Maj 2008 @ 8:58 am

    Ketu ne Austri partite si kjo e Metes (paralelizohen vetem nga madhesia dhe pesha e jo nga natyra e forma) po bejne namin qe te organizojne referendum per te pyetur popullin nese e duan “Kushtetuten Europiane” apo jo. Tani PD-PS e ketushme e kane miratuar dhe vulosur e sado te bertasin keta te tretet asgje nuk ndodh. Edhe firmat per referendum i mblodhen keta, por perseri asgje nuk ndodh.
    Keshtu pra zoterinj, dhe ti Mete, ka disa forca “madhore” qe percaktojne gjerat e eshte gati e kote qe te harxhosh energji per t’i ndryshuar ato.

  51. Koth thotë:

    6 Maj 2008 @ 11:52 am

    Gjithsesi une vete do e firmos me qef te madh , me emer dhe mbiemer kete referendumin.

    Eshte me mire te veme ne prove si keta qe do organizojne referendumin ashtu edhe ata qe mendohet se humbasin nga ky referendum.

    LSI duhet te mbledhje 50 000 1 vota si minimum ligjor per te vene ne levizje procesin pastaj le te vazhdoje me tej deri sa do mberije.

    Dhe qe te jete me i qarte ky 50 000 -sh te behet ne raport 60 % ne qytet dhe 40 % ne fshat.

    30 000 e qytetit ta marre vetem ne kryeqendrat e prefekturave dhe nga keto 15 000 ti mbledhe ne Tirane.

  52. castelino thotë:

    6 Maj 2008 @ 2:59 pm

    Koth…Respekt gjithnje e me shume….Per objektivizmin, ndergjegjesimin dhe shqetesimin tend qytetar….Te pergezoj….
    Vemendje….Sa kohe qe ne Shqiperi do te kete militante, ushtare dhe idhuj te kultit te individit neper parti, do te mbijetoje Nano…Rama dhe Berisha ne kete vend..Dhe ti je nje prej atyre, qe ja u krijon kete mundesi…Urime…ne rrugen tende

  53. castelino thotë:

    6 Maj 2008 @ 3:02 pm

    Sami Kucana….Pse i fryni kosit, kur digjeni nga qulli more???
    problemi eshte ndryshimi i Kushtetutes dhe rreziku i demokracise ne Shqiperi, dhe jo se si dopagohen deklaratat noteriale…Ate hall ke ti mo shoku?? ja tani po ta them une zgjidhjen, LSI i ka aq juriste dhe notere qe do angazhohen per kete gje, plus qe do kete edhe aq notere te ndergjgegjshem dhe me shqetsim qytetar, qe nuk do kursehen te noterizojne disa deklarata…
    Une mendoj se Meta, por edhe Gjinushi (i njohur shume dikur si bashkepunetor i Rames), si dhe Ceka, Milo por edhe te gjithe personalitetet, duhet te pergezohen per kete angazhim te tyre ne drejtim te ruajtjes se parimeve demokratike ne vend.

  54. besi thotë:

    7 Maj 2008 @ 4:56 am

    Ky Ilir Meta babababababbababaa cfare njeriu negativ ne te gjitha anet-si person publik se si person privat sme intereson.Skam cte them tjeter

  55. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    7 Maj 2008 @ 1:23 pm

    Me sa duket, edhe ky referendumi nuk mund te behet se nuk e lejon kushtetuta.

    Une prape do firmos megjithese jam disi dakort me besin (eshte thjesht perceptim)

  56. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    7 Maj 2008 @ 3:49 pm

    LSI: Të gjithë në protestën “Demokracia në rrezik”

    Lëvizja Socialiste për Integrim ka ftuar të gjithë shqiptarët që të jenë pjesë e protestës popullore që do të organizohet në datën 10 maj në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se “ky miting madhështor do t’i thotë jo njëherë e përgjithmonë Gërdec-Kushtetutës të miratuar natën e 21 prillit nga 115 deputetë, tradhtarë e të papërgjegjshëm, të cilët instaluan me votën e tyre republikën e kryeministrit të Gërdecit dhe shkelën e nëpërkëmbën dinjitetin e qytetarëve shqiptare, demokracinë në Shqipëri”. Vasili tha se apeli kryesor i kësaj proteste do të jetë “Demokracia në rrezik”.
    “Është rrezikuar çdo shqiptar, është rrezikuar çdo i ri shqiptar dhe çdo e re shqiptare, çdokush në Shqipëri ndodhet pra, përballë një shteti, i cili urren qytetarin, e përdhos qytetarin dhe nuk e lë më atë të vendosë. Çdo shqiptar ka vendin e tij në sheshin ‘Skënderbej’, do të ketë zërin e tij në sheshin ‘Skënderbej’, atë zë që Gërdec-Kushtetuta kërkon t’ia heqë duke mos e lejuar më të zgjedhë as deputetë, të mos zgjedhë as presidentin e vendit, të mos zgjedhë më asgjë. I thërrasim qytetarët, pra, në sheshin ‘Skënderbej’, të gjithë së bashku, për të rivënë në vend demokracinë dhe për të mos i bërë më shërbim variantit stalinist Rama-Berisha, që qytetarët të votojnë dhe votat t’i numërojnë këta e t’i kthejnë në pushtete diktatoriale”, - u shpreh Vasili.

    7 Maj 2008

    ——————————–

    Me kete “GERDEC-KUSHTETUTA” e ka dhjere fare vasili.

    O iditot! Jepu fjaleve vendin qe meritojne.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.