Huazimet dhe Barbarizmat

pena.gif …Ajo që duhet të bëjmë në këto ditë të vështira për gjuhën shqipe është t’i rikthehemi traditës sonë gjuhësore; t’i lëmë pak mënjanë tendencat dhe rrymat, të paktën në gjuhë. Duhet të rikthehemi në gjurmët e gjuhëtarëve tanë kompetentë në këtë fushë.

Gjatë orëve të lëndëve të përkthimit, në klasën time ndodh shpesh një fenomen që demonstron varfëri. Dalin disa studentë dhe kundërshtojnë përkthimin e disa të tjerëve me argumentin se në të janë përdorur “fjalë të huazuara”. Fjala bie, nuk duhet të përdoret fjala “eksperiencë” sepse ajo është një fjalë e huazuar dhe se duhet të përdoret fjala “përvojë” në vend të saj; një shembull i rëndomtë. Kjo tregon se ekziston një boshllëk në ndërgjegjen gjuhësore të studentëve; një ngërç që pengon. Ngatërrohet fjala huazim me fjalën barbarizëm. Çfarë mbetet të ndodhe pastaj për rregullat e huazimit, kur çdo fjalë e huaj refuzohet me përbuzje? Le pastaj që kjo ndodh vetëm në klasë, në orën e përkthimit.
Për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë një kuptim së prapthi të fjalës “huazim” dhe që nuk kanë farë ndonjë kuptim të fjalës barbarizëm do të themi ca fjalë, shkurt:

Së pari, teza “nuk duhet ta përdorim sepse është fjalë e huazuar” nuk qëndron sepse, “huazim” është “fjalë a njësi tjetër gjuhësore, që është marrë prej një gjuhë tjetër dhe përdoret në gjuhën amtare”.(1) Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë se një fjalë e huazuar mund dhe duhet të përdoret pa teklif në gjuhën amtare, në rastin tonë, në shqip. Studentë të tillë, të rënë në pozita puriste dhe që propagandojnë injorancë gjuhësore duhet ta hapin ndonjëherë fjalorin e gjuhës sonë. Çfarë ndodh? Ndodh që studentet nuk e dine se ajo që ata shënjojnë me fjalën “huazim” shënjohet me fjalën “barbarizëm” ndërkohë që Fjalorit i Gjuhës së Sotme Shqipe thotë se fjala “barbarizëm” është ajo “fjalë ose shprehje e huazuar pa nevoje nga një gjuhe tjetër”.(2) Ndërsa Prof Aleksandër Xhuvani i përkufizon barbarizmat si: “të folme të marra nga gjuhë të huaja dhe të përdoruara nga një gjuhë pa ndonjë nevojë të madhe.”(3) Kjo nënkupton se një fjalë e konsideruar barbarizëm nga rregullat e huazimit në shqip, e bazuar kjo në argumente të referueshme gjuhësore e jo në mendime të varfra studenteske, nuk duhet të përdoret në gjuhën shqipe e jo huazimet të cilat janë tashme pjesë të gjuhës sonë.

Kjo i jep fund njëherë e përgjithmonë pretendimit se huazimet nuk duhet t’i përdorim. Ajo që duhet të bëjmë ne sot është të mos barbarojmë, të mos përdorim fjalë a shprehje të huazuara pa nevojë në gjuhën tonë (barbarizma). E them ketë sepse, është nga gjërat më të vërteta mes të shënjuarave si të tilla sot se, shqipja po bastardohet nga pseudo-përkthyesit, apo siç i quan shpesh Edmond Tupja, “përckyesit”. Sot po ndodh ajo që Qemal Murati e përshkruan me këto fjalë:

“Në këto shtjella të mëdha gjuhësh e civilizimesh, me mbisundim të elementit anglo-amerikan, gjuha shqipe e përdorur mish-mash, me frymë (model) e me fjalor të huaj, rrezikohet të bëhet edhe kjo si kanadishtja, gjuhë me gramatikë angleze e me fjalor amerikan, apo si anglishtja e përkthyer në gjuhën shqipe.”(4)

Ky është realiteti shqip-folës dhe kjo është e rrezikshme, por po aq i rrezikshëm është edhe pretendimi se nuk duhet të përdorim huazime. Sot po shohim një fenomen të sa të çuditshëm aq edhe çoroditës; ca thonë se nuk duhet të marrim asgjë nga gjuhët e tjera sepse na mjafton gjuha jonë, të tjerët përdorin vetëm fjalë dhe struktura gjuhësore të huaja dhe thonë se flasin e shkruajnë shqip.

Pas këtyre që thamë lind nevoja të sqarohen ca rregulla të huazimit dhe përdorimit të tyre kur një student/ përkthyes has një fjalë që nuk ka të barasvlershëm në shqip apo ai/ajo nuk di që të ekzistojë një e tillë.

Personalisht jam kundër shpjegimit me shumë fjalë të një fjale të vetme që duhet përkthyer. Prandaj më habit edhe fakti që disa nga shokët dhe shoqet e mija të klasës thonë që versioni i përkthyer u del gjithmonë më i gjatë se origjinali. Me mua nuk ndodh shpesh. Prandaj sugjeroj që kur të hasni një fjalë të huaj që nuk e kemi apo nuk e gjejmë në shqip të ndiqni pikat e mëposhtme.

1. Shfletoni sa më shumë fjalorë “Gjuhë e Huaj-Shqip” që të mundeni për të gjetur fjalën e duhur në shqip; mos jini diskriminues në këtë fazë. Duhet të jeni të sigurt që ju nuk mund të dini çdo fjalë në shqip. Harrojini fjalorët shpjegues në gjuhën origjinale, që sugjerojnë me pasion pedagoget, në këtë fazë; ata hyjnë në punë kur nuk je i sigurt për konotacionin e fjalës, ata të ndihmojnë të bësh zgjedhjen e drejte në shqip, por ata nuk flasin shqip.

2. Përpiquni ta shpikni një fjalë të re (neologjizëm) në shqip sipas rregullave të fjalëformimit shqip për të njëjtën fjalë.

3. Mos kini frikë nga huazimet; kur jeni të siguritë se i keni ezauruar dy pikat e para atëherë huazoni, por mos harroni ta shkruani fjalën me shkronja të pjerrëta dhe, nëse është nevoja, t’i bëni një shpjegim në fund të faqes. Kjo duhet bërë për sa kohë kjo fjalë nuk është pranuar gjerësisht në shqip.

Për dy pikat e fundit Prof. Aleksandër Xhuvani na udhëzon kështu:

Për punë të formimit të neologjizmave është mirë të kemi parasysh këto rregulla themelore:

1. Duke marrë parasysh rregullat e të prejardhurit e të prejardhurit, mund të bëjmë neologjizma nga fjalë që i ka gjuha me prapashtime e parashtime analogjish pas fjalëve që përdoren rëndomshëm. P.sh. botë – botoj; i mjerë – mjerisht; gënjeshtër – përgënjeshtroj; mish – mishtar; tjetër – tjetrazi; pronë – pronar; rishlindje – rishdalje; i mirë – përmirësoj etj.

2. Mund të bëhen neologjizma pas rregullit të të përngjizurit, duke u bashkuar dy fjalë, të cilat mund të jenë gjithë prej asaj ose prej një pjese tjetër të ligjëratës. P.sh. udhëheqës, kryengritës, marrëveshje, gojdhanë, gojëmbël, kokëtrashë, ndërkombëtar, lejëkaim etj.

3. Mund të bëhen neologjizma: a) duke u ndryshuar kuptimi i vecantë i fjalës ne kuptim të figurshëm, si vendos 1. (kupt. i veç.) = vë në vend 2. (kupt. i fig.) = bëj mend, e ndaj mendjen; mbresë 1. (kupt. i veç.) = fr. Cikatrice; 2. (kupt. i fig.) = fr. Impressione; b) duke shkuar analogjish pas frazave të tjera të gjuhës, p.sh. e marr me vështrim (jo e marr në vështrim pas: e marr me mend.

4. Skajet shkencore e teknike do të formohen, si thamë prej rrenjëve greke dhe latine (si fotograf, mikroskop, gjeologji, automobil etj.) ose do të jenë fjalë të asaj gjuhe, populli a industria e së cilës e kanë shpiku (si tram, sport, hinterland etj, ose do të marrin emrin e atij që e ka zbuluar gjënë e re (si galvinizëm, markoni, daltonizëm etj.).

5. Fjalët e frazat e gjuhës politike e administrore duhet të dalin më fortë nga gjuha e kombit, por duke marrë një domethënie të ndryshme nga ajo e para. P.sh. urdhër i ditës, dëftesë, kërkesë, njoftoj etj)(5)

Ajo që duhet të bëjmë në këto ditë të vështira për gjuhën shqipe është t’i rikthehemi traditës sonë gjuhësore; t’i lëmë pak mënjanë tendencat dhe rrymat, të paktën në gjuhë. Duhet të rikthehemi në gjurmët e gjuhëtarëve tanë kompetentë në këtë fushë. Të njohim se çfarë janë huazime dhe çfarë janë barbarizmat. Të dallojnë se çfarë i duhet dhe çfarë nuk i duhet shqipes. Çfarë pasuria na ofron ajo dhe ku çalon. Këto janë këshilla të përgjithshme për të gjithë përkthyesit të rinj në mënyrë që të mos bëjnë gafa të pafalshme dhe qesharake që nuk u shkojnë për shtat.

Banago Zemërshqiptari
28 Gusht 2006
Materialet e përdorura për këtë shkrim.

1 Fjalori i Gjuhës se Sotme Shqipe, Tiranë, 1980, f. 659.
2 Fjalori i Gjuhës se Sotme Shqipe, Tiranë, 1980, f. 100.
3 Prof. Aleksandër Xhuvani, “Mbi Thjeshtësinë e Gjuhës”, Norma Letrare Kombëtare dhe Kultura e Gjuhës, Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, (Tirannë, 1973), I, f. 44.
4 Qemal Murati, Sfidë, “Gjuha e Sotme Shqipe – Prirjet e Reja “Evropianizuese” “ Dimër 2004 – Pranverë 2005, IV, f. …
5 Prof Aleksander Xhuvani, vep.cit. f. 48-49.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente

  1. edrus thotë:

    28 August 2006 @ 8:33 pm

    Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
    qi këtë gjuhë të Perëndis’,
    trashigim, që na la i Pari,
    trashigim s’ia len ai fmis;
    edhe atij iu thaftë, po, goja,
    që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
    qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
    flet e t’veten e lèn mbas dore.

  2. Penar Musaraj thotë:

    28 August 2006 @ 10:49 pm

    Banago,
    Shkrim i mire, flm. Dhe jam krejtesisht dakord per huazimet: jane pjese natyrale e gjyhes shqipe e cila e ka shume te lehte te marre borxh nje fjale te huaje dhe ta pervetesoje. Njihet gjeresisht se shqipja e ka per karakteristike te veten t’i shqiptarizoje fjalet e huaja.

  3. Dori thotë:

    28 August 2006 @ 11:39 pm

    Banago, shkrim i mirë dhe artikull i detyrueshëm për tërë politikanët, gazetarët, shkrimtarët e folësit e shqipës që po na shkatërrojnë gjuhën.

    Unë jam marrë disi me përkthimi softueri nga anglishtja në shqip dhe ka disa fjalë që nuk ekzistojnë në shqip por mund të përkthehen fare mirë drejtpërdrejt në shqip. P.sh. të marrim fjalën “cookie” me kuptimin e informatës që vendoset nga faqe të ndryshme kur i vizitoni tek kompjuteri juaj. Kjo mund të përkthehet fare mirë biskotë, por s’e ka idenë njeri se ç’do të thotë. Unë them që duhet përkthyer se kuptimin mund t’ia gjesh më vonë pasi edhe në anglisht fjala cookie edhe sot për shumicën e popullatës anglisht-folëse do të thotë vetëm një lloj ëmbëlsire.

    Një problemi tjetër del nga përplasja e përkthimeve të fjalëve të huazuara nga grupe apo njerëz të ndryshëm. P.sh. ke disa që fjalën “browser” (browsing web pages) e përkthejnë shfletues (shfletim i faqeve web, unë këtë përdor) dhe disa që e përkthejnë lundrues. Akademia Shkencave dhe Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë nuk po bëjnë aq sa duhet për të ndihmuar në përkthimin fjalëve të reja të teknologjisë. Na duhet një grup, me ndikim dhe autoritet, për marrjen dhe publikimin e vendimeve të përkthimit i cili për fat të keq s’është realizuar akoma (me sa di unë).

  4. edrus thotë:

    29 August 2006 @ 7:15 pm

    Dori.ne presim nga ti tek wiki,dhe ti pritke grup studimi ne shqiperi??,bej shaka dori,por desha te perfitoja dhe nje here per punen qe beni tek wikipedia ne gjuhen shqipe

  5. BLERINA thotë:

    29 August 2006 @ 7:22 pm

    Dori me pelqeu komenti yt.

  6. Laura thotë:

    30 August 2006 @ 2:14 am

    Me pelqeu artikulli. A eshte botuar ne ndonje vend tjeter? Ja vlen shume!

    Me erdhi per te qeshur se dhe profesore perkthyes nuk e kane akoma idene prandaj s’kane faj studentet ndonjehere… :)

    Laura

  7. banago thotë:

    30 August 2006 @ 9:33 am

    Faleminderit per flalet e mira.

    Artikulli eshte botuar per here te pare tek Peshu dhe nuk eshte botuar tjeterkund deri tani; te shohim.

    Per punen e grupit te punes qe permed Dori, kjo qe eshte e domosdoshme sot qe pune e perktyresit e bejne edhe ata qe kane mesuar anglisht ne kurse private 1-vjeçare. Pastaj edhe perkthyesit kane nevoj qe te kene njefare udhedrrefyesi ne punen e tyre. Eshte me se evertet qe Akademia e Shkencave dhe Shoqet e saj nuk po e vene shume ujin ne zjarr. Shpresoj qe te mos bieni edhe ne ne pozitat e tyre. Ne duhet te bejme diçka.

    Ajo qe sygjeroj une eshte qe, se pari, tek Peshku te kete nje kategori te veçante per gjuhen shqipe; nuk mund te imagjinohet nje perkthyes pa ditur gjuhen ku perkthen, la ta di ne maje te gishateve gjuhen nga e cila perkthen.

    Nje hap i dyte do te ishte nje bashkepunim online i atyre Peshaktareve qe merren me perkthim, duke u perpjekur te hartojne nje si rregullore perkthimi, dhe kjo duke u mbeshtetur ne udhezimet dhe keshillat e perkthyesve me pervoje dhe gjuhetareve shqiptare, te cilet nuk kane shkruar pak ne kete fushe.

    Kjo ishte.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com