Hoxha: Duhen evituar aventurat makroekonomike
Nga Fitim Zekthi
Gazeta Tema
15.05.2008
Flet drejtori i Institutit për Studime Bashkëkohore, Artan Hoxha
Gjatë muajit që kaloi, inflacioni arriti në 4,6%, duke qenë më i larti ndër këto vite. Ç’ lloj politikash ekonomike mund ta mpakin efektin e këtij inflacioni?
Inflacioni i këtyre muajve është i importuar nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Ekonomia shqiptare, e cila importon në një masë të madhe, s’ka sesi t’i shpëtojë këtij efekti. Gjykoj se mjetet e brendshme janë të pafuqishme. Janë të pafuqishme, se do të ishte njësoj sikur të pretendonim që një grimcë rëre t’i rezistonte forcës gravitacionale të një planeti. Ndërkaq, inflacioni prej 4,6%, që është më i ulët se në shumë vende të krahasueshme me Shqipërinë, reflekton shkallën ende të mesme të hapjes ekonomike të Shqipërisë dhe prurjet e larta në valutë, si dy faktorë që kanë zbutur efektet e inflacionit global në tregun shqiptar. Masat e marra nga Banka e Shqipërisë nëpërmjet politikës monetare vetem sa kanë evituar që faktorëve të jashtëm inflacionistë t’iu shtohet edhe ndonjë faktor i brendshëm. Ndaj arrij në përfundimin se ajo që duhet të bëjmë është të evitojmë marrjen e masave aventurore, të cilat i shoh të qarkullojnë në media. Kjo valë inflacioniste pritet të shuhet në afat të shkurtër (rreth 1 vit), ndaj dhe institucionet e specializuara sugjerojnë evitimin e aventurave makroekonomike (kontroll i çmimeve, indeksim i pagave apo ulje taksash etj.), të motivuara nga ky inflacion. Ndërsa kontroll të çmimeve s’duhet të ketë, rritja e pagave apo ulja e taksave duhet të vazhdojë sipas projekteve tashmë të konsoliduara me objektiva afatmesme/afatgjata dhe jo bazuar në fenomenet afatshkurtra, siç është edhe rasti i këtij inflacioni. Nëse këto politika japin edhe efekt anti-inflacionist aq më mirë. Ndërkaq, ato politika që do të jepnin një efekt inflacionist të brendshëm duhen parë me kujdes që zbatimi i tyre për qëllime të tjera të jepte në të njëjtën kohë efektet më minimale të mundshme inflacioniste.
A i shohim ne në vendimmarrjen tonë politika të tilla?
Po, shoh se institucionet publike, në veçanti Banka e Shqipërisë, që ka për mision të parë stabilitetin e çmimeve, po veprojnë drejt dhe brenda mundësive të tyre. Pra, të paktën po evitojnë faktorët e brendshëm inflacionistë.
A mundet qeveria, në një situatë kur çmimet pritet të rriten ende dhe shtresat e varfëra, sipas BB, do ta zgjerojnë varfërinë, por edhe numrin e tyre, të ndërhyjë? A ka ajo mundësi dhe mjete. Cilat janë?
Qeveria duhet të tarojë më mirë instrumentet e saj të mbështetjes së familjeve të varfëra, në mënyrë që fondet të shkojnë te të varfërit dhe jo të shpërndahen sa andej-këndej. Por kjo është një detyrë e pavarur nga inflacioni prezent. Ajo duhet bërë gjithsesi. Në lidhje me këtë inflacion, duhet që masa monetare e mbështetjes për të varfërit të rritet të paktën me të njëjtën masë të rritjes së kostos së shportës së mallrave dhe shërbimeve që konsiderohen në vlerësimin e varfërisë. Sidoqoftë, këto janë ndërhyrje afatshkurtra. Vëmendja duhet mbajtur te zbatimi i politikave afatgjata të reduktimit të varfërisë që lidhen me rritjen ekonomike dhe punësimin.
Gjatë tre muajve të parë kishim mbledhje të të ardhurave në nivele të mira, ndërkohë shpenzimet ishin 60%. Kjo është një sëmundje e vjetër, por tashmë BSH tha se kjo gjë ndikon edhe në rritjen e çmimeve. Ju si mendoni, është pazotësi e administratës për të realizuar shpenzimet apo ka edhe arsye të tjera?
Është budallallëk i administratës që planifikon një grafik shpenzimesh (kryesisht të investimeve), në mënyrë jorealiste përgjatë muajve të vitit. Investimet publike janë kryesisht ndërtimore dhe në planifikimin mujor të shpenzimeve duhen marrë parasysh më mirë natyra e punëve, procedurat administrative të prokurimeve, nevoja dhe rezistencat për shpronësime tokash etj.
Gjithsesi, mendoj se shifra 60% për këtë vit nuk është e saktë. Ajo pretendohet të jetë mjaft më e lartë. Sipas informacionit tim, janë bërë gabim raportimet. Të shohim, nëse Ministria e Financave do të dalë me një korrigjim të kësaj shifre. Nëse është kështu, del se ky do të ishte viti i parë, ku planifikimi i grafikut mujor të shpenzimeve të jetë bërë më pranë realitetit.
Në pranverën e 2006, qeveria ndryshoi ligjin për prokurimet, pasi ai, sipas saj, kishte shumë burokraci dhe nuk lejonte realizimin në kohë të investimeve. Vitin e shkuar, kur përsëri investimet ishin mbi 170 milionë USD pa u realizuar, Ministria e Financave tha se ligji i ri prokurimeve, duke qenë se u hartua në mënyrë që mos lejonte shtigje për abuzime, ka penguar realizmin e tyre në kohë. Si mendoni ju, duke parë edhe ecurinë në përgjithësi me shpenzimet dhe investimet, cilat janë arsyet?
Ligji i vjetër është kritikuar më shumë për disa dobësi lidhur me transparencën dhe konkurrencën e lirë. Ndërkaq, nuk mendoj se problemet janë në ligjin e ri, por në mënyrën e zbatimit të tij.
Së pari, administrata ende nuk ka përvetësuar në një masë të duhur konceptet e reja të këtij ligji.
Së dyti, ka një frymë të përgjithshme sjelljeje konservatore në administratë në lidhje me prokurimet. Nëpunësit tentojnë të jenë sa më në rregull, kjo edhe se inspektimet e mëvonshme, përgjithësisht joprofesionale, akuzojnë për abuzim dhe korrupsion. Një atmosferë e tillë ushtron presion mbi administratën. Me këtë s’dua të them se inspektimet administrative duhen dobësuar, thjesht ato duhet të bëhen më profesionale dhe më të afta të ndajnë “kashtën nga kokrra”.
Së treti, siç e përmenda më parë, procesi nuk është i mirërrjedhshëm në të gjitha fazat e tij: i) planifikim financiar; ii) projektim investimi (prokurim/kontraktim) iii) ekzekutim investimi (prokurim/kontraktim); iv) supervizim (prokurim/kontraktim); v) kryerje pagesash; vi) raportim buxhetor i shpenzimeve
Në këto tri aspekte ka shumë për të bërë, në mënyrë që zbatimi të arrijë në nivelin e vetë ligjit të prokurimeve. Ndërkaq, duhet vënë në pah se kemi edhe gjëra të reja në zbatimin e prokurimeve publike si p.sh., buletini elektronik i prokurimeve, prokurimet elektronike, fuqizimi i kapaciteteve dhe autoritete të Agjencisë së Prokurimeve, fillimi i punës së institucionit të ri të Avokatit të Prokurimeve, që duket se po japin gradualisht efekte pozitive në një konkurrencë më të gjerë dhe me më shumë transparencë.
Normat e interesit për depozitat janë mesatarisht 6%, ndërkohë që ato të kredive janë mbi 14% (për lekët, jo valutë). A është nomrale kjo gjë? A duhet BSH të ndërhyjë?
Diferenca mes interesave të kredive dhe depozitave në lekë është e lartë. Por kësaj s’ka se çfarë t’i bëjë Banka e Shqipërisë. Tregu bankar po ecën drejt një konkurrence më të madhe dhe, nga ana tjetër, nëse edhe ekonomia ecën mirë, pra risku do të ulet më tej, edhe diferenca e normave të interesit do të vijë duke u ulur gradualisht.
Edhe me komisionet bankare vihet re një gjë e tillë. Vlera e një komisioni shkon nga 2,5-3% dhe duke qenë se bizneset të gjitha paratë duhet t’i kalojnë nëpërmjet bankave, atëherë nga ky 3% duket se del një vlerë e jashtëzakonshme. A mund të na thoni, pse ndodh dhe çfarë mund të bëjë BSH? A mos ndoshta duhet një ligj më i qartë?
S’më duket se komisionet bankare janë kaq të larta në lidhje me shërbimet e pagesave. Sipas informacionit tim, ato janë shumë më të ulëta. P.sh., për shërbimin e shpërndarjes së pagave për punonjësit e institutit ku unë punoj, banka që na shërben, mban për çdo llogari vetëm 150 lekë të reja në muaj që përbën një kosto dhe përqindje shumë të papërfillshme edhe në vlerë absolute, edhe krahasimisht. Me sa di unë, të gjitha bankat nuk aplikojnë tarifë për transfertat mes klientëve të së njëjtës bankë, ndërsa në transfertat ndërbankare këto tarifa janë gjithsesi të vogla (natyrisht që varen edhe nga madhësia e transfertës, sa më e vogël transferta, aq më shumë rritet pesha në % e tarifës së këtij shërbimi).
Gjithsesi, mendoj se ka vend për ulje të mëtejshme të tarifave të shërbimit të pagesave dhe transfertave, por kjo është një çështje që do vetërregullohet nga tregu dhe nuk jam i mendimit se ka vend për ndërhyrje rregulluese të natyrës administrative.
Futja e kulturës bankare në shoqërinë dhe ekonominë tonë është një akt jo vetëm ekonomik, por po aq edhe një akt emancipues dhe modernizues. Duke konsideruar rezistencat kulturore dhe interesat e lidhura me informalitetin, mendoj se shtyrja me njëfarë “detyrimi” i përdorimit të shërbimit bankar ishte i domosdoshëm. Kur diskutohej kjo çështje rreth një vit më parë, kishte disa që pretendonin se do të ndodhte hataja. Ja ku u bë dhe s’ndodhi ndonjë katrahurë. Përkundrazi, po ecën mjaft më mirë se ç’mund të parashikohej dhe mendoj se po jep shumë shpejt frytet e saj.
Bizneset vetëm pak ditë më parë kundërshtuan ligjin e ri të procedurave tatimore. Ky ligj në fakt duket se iu jep shumë pushtet nëpunësve të administratës, pasi ata mund të shkojnë deri në bllokim të llogarive. Biznesi e ka quajtur këtë ligj të papranueshëm. A mund të thoni se cili është mendimi juaj në lidhje me këtë ligj, por edhe me të tjera ligje që prekin jetën e biznesit?
Mendoj se çështja nuk shihet vetëm nga këndvështrimi i së drejtës private, por edhe nga ai i të drejtës publike. Këto të drejta duhen balancuar. Respektimi i së parës në kurriz të së dytës dhe anasjelltas nuk është rruga e duhur. Ndaj dhe ka nevojë për rregulla të arsyeshme që të çojnë drejt një trajtimi të ndershëm të të dy të drejtave, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat afatshkurtra dhe afatmesme, risqet, efektet kontroverse etj.
Në raport me risqet dhe manaxhimin e tyre, vërehet një shkallë e lartë mosbesimi reciprok mes biznesit dhe administratës që përcakton edhe strategjinë e secilës palë.
Bizneset janë të prirura të besojnë se administrata do të abuzojë, ndaj dhe kërkojnë që vendimet administrative të mos ekzekutohen menjëherë nga administrata, por vetëm pas një vendimi gjyqësor. Ngadalësia dhe performanca e dobët e gjyqësorit do të thotë shtyrje e vendimeve, pra edhe të detyrimeve në kohë. Për rrjedhojë, kjo është në favor të debitorëve, në rastin tonë të bizneseve. Strategjia e biznesit është racionale.
Administrata nga ana tjetër është e prirur të besojë se bizneset do të abuzojnë dhe se pritja deri në dhënien e vendimeve nga gjykatat e ngadalta dhe vulnerabël ndaj presioneve private do të dëmtonte sigurinë e fluksit të të ardhurave përgjatë muajve/viteve, ndaj dhe kërkon që administrata të ketë mundësinë e ekzekutimit shpejt dhe nga vetë ajo të vendimeve administrative. Edhe kjo është një strategji racionale.
Nëse njëra strategji prevalon dukshëm mbi tjetrën, pavarësisht cila prej tyre, do të sillte pasoja mbi interesin publik dhe atë privat në masë të pajustifikueshme. Çështja shtrohet se ku është pika e ekuilibrit dhe cila është zgjidhja e duhur. Unë besoj se, sot për sot, prirja e biznesit (në mesatare) për të shmangur pagesën e plotë të taksave është më e fortë se prirja e administratës (në mesatare) për të abuzuar me ligjin. Gjithashtu, duke konsideruar sistemin e sotëm të informacionit dhe informatizimit, mjetet në favor të evadorit janë më të fuqishme se në favor të administratës. Ndaj dhe jam i mendimit se për një periudhë disavjeçare administrata e ka të nevojshme të ketë mundësi të drejtpërdrejta ekzekutimi të vendimeve apo mundësinë e përdorimit të kritereve “të ashtuquajtura arbitrare” si çmime reference, paga reference, kosto reference etj., natyrisht pa kaluar kufijtë e kushtetutshmërisë.
Por e theksoj se kjo duhet të jetë e përkohshme. Ne duhet të ecim drejt një ekuilibri të ri të marrëdhënieve administratë- biznes. Reduktimi i taksave, modernizimi dhe informatizimi i transaksioneve, i regjistrave të pronësive apo të regjistrave të tjerë si dhe i bazës së të dhënave mbi tregun, mirorganizimi i administratës dhe aftësimi profesional, ngritja dhe mirëfunksionimi i gjykatave administrative përbëjnë qasjen e duhur. Këto gjëra janë pjesërisht të bëra e pjesërisht në proces apo të planifikuara për t’u bërë së afërmi. Sa më shpejt të ecim, aq më mirë. Ndaj dhe ligji i ri i procedurave tatimore, në tërësi, është ai i duhuri. Në fakt, gjërat do varen më shumë nga mënyra sesi ai do të zbatohet.
A mendoni se beteja për formalizimin e ekonomisë është në drejtimin e duhur? A shihni ju në të keqpërdorime?
Mendoj se në tërësinë e saj përpjekja formalizuese është e plotë dhe e balancuar mes masave të natyrës nxitëse dhe atyre shtrënguese. Ndër masat qeveritare të natyrës nxitëse më të rëndësishme janë ato të uljes/reduktimit të taksave, thjeshtëzimit të procedurave të regjistrimit/licencimit, informatizimi i shërbimeve etj. Masat ndëshkuese janë gjobat, sekuestrimet etj., apo në mënyrë indirekte edhe ato që i quajta më lart me natyrë arbitrare. Por do të sugjeroja se faktori më i fortë për reduktimin e informalitetit është vetë tregu. Sa më shumë hapen tregjet, rritet konkurrenca, shtohet kërkesa për kredi, rriten kërkesat e konsumatorit për mallra dhe shërbime me cilësi të garantuar etj., aq më shumë rritet interesi për të operuar në mënyrë formale. Reduktimi i informalitetit do të ecë me të njëjtin hap me rritjen ekonomike, sofistikimin e tregjeve dhe modernizimin në përgjithësi të vendit.
A ka keqpërdorime? Natyrisht që ka dhe do të ketë. Çdo vendim gjyqësor përfundimtar dhe i formës së prerë në favor të biznesit dhe kundër administratës është tregues i këtij abuzimi (edhe pse mund të ketë dyshime mbi drejtësinë e këtyre vendimeve, ato janë të padiskutueshme). Por statistikisht do të duhet të krahasojmë numrin e këtyre rasteve me numrin e përgjithshëm të vendimeve administrative që lidhen me sferën e reduktimit të informalitetit apo evazionit. Numri i ankimeve administrative në gjykatë në vitin 2007 ishte në total afërsisht 2100 raste dhe nga këto rreth 1/3 në sferën e tatimeve/doganave. Duke konsideruar numrin e madh të subjekteve private, transaksioneve dhe vendimeve administrative, rastet e një vërtetimi përfundimtar të keqpërdorimit mbeten një % mjaft e vogël. A flet kjo për një përmirësim të drejtësisë së vendimmarrjes administrative apo për një zgjidhje me mjete alternative të mosmarrëveshjeve me administratën apo për një kulturë të dobët ankimore dhe/ose një mosbesim te gjykatat? Nuk kam një përgjigje për këto hipoteza.
A mendoni se reformat në ekonomi, por edhe në biznes kanë ndikuar që të mpaket varfëria? Ka qenë një premtim zgjedhor i shumicës që qeveris sot dhe njerëzit këtë gjë e kanë votuar. Si mendoni ju, cila është gjendja reale?
Sipas studimeve serioze, rezulton se për çdo 1% rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) numri i të varfërve ulet me minimalisht 1,3%. Kjo lidhje është vërtetuar tashmë për periudhën trevjeçare 2003-2005. Mbetet të shihet si do të jetë kjo lidhje për periudhën tjetër trevjeçare 2006-2008. Nëse koeficientet e mësipërm mbeten të njëjtë dhe rritja në 2008 do të jetë përsëri 6%, kjo do të thotë se numri i të varfërve ka mundësi që të jetë afërsisht 20% më shumë se në 2005. Në këtë llogaritje nuk është marrë parasysh efekti i kundërt i shkaktuar nga rritja e ndjeshme e çmimeve të disa produkteve bazë ushqimore. Ka mundësi që, për shkak të këtij efekti (kushte të tjera të barabarta), reduktimi i varfërisë të jetë më pak se 20% . Gjithsesi, jam i prirur të besoj se varfëria do të ketë një ulje të ndjeshme. Mos të harrojmë se në shumë vende, në të njëjtat rrethana varfëria rezulton me rritje të ndjeshme. Megjithatë, përgjigjen më të saktë do të na e japë në fund të këtij viti studimi i standardit të jetesës.
Në lidhje me ligjin e pronave, a e cilësoni ju atë një problem për ekonominë? A është ligji në fuqi, ai që mund ta zgjidhë këtë çështje? A mund të zgjidhet kjo çështje? Si?
Në lidhje me kthimin e pronave mendoj se ka vetëm një qëndrim të drejtë dhe një mënyrë të duhur. Qëndrimi i drejtë është njohja pa kufizim e të drejtës së mohuar të pronësisë. Mënyra e duhur është kthimi fizik, kur prona ekziston, si dhe kompensimi monetar për periudha të gjata kohe (ndoshta disa dekada) nëpërmjet instrumenteve të përshtatshme financiare. Në lidhje me kompensimin fizik mendoj se ai më shumë sjell konfuzion se dobi dhe, sikur të mos përdorej fare, s’do të ishte keq.
Në lidhje me klimën e biznesit është thënë se Shqipëria do të bëhet vendi më tërheqës në rajon, në fakt investimet e huaja janë në ritmet e shumë viteve më parë me vetëm një rritje të lehtë. Jemi sigurisht veç Kosovës dhe Bosnjës të fundit në rajon. Fjalë dhe përpjekje ka shumë, por konkretisht vepra ka pak. Ju si e gjykoni klimën për investime?
Investimet e Huaja Direkte, sipas Bankës së Shqipërisë për vitet 2004, 2005, 2006, 2007 janë respektivisht 269, 221, 250, 452 milionë Euro. Investimet e huaja në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vendet e rajonit të Ballkanit (përfshirë edhe Bullgarinë dhe Rumaninë) për periudhën 2003-2007 janë në nivelin e 6,6%. Për vitin 2007 Shqipëria e ka kapërcyer mesataren e vendeve të rajonit. Të shohim, nëse ky impuls rritës do të shndërrohet në një trend të qëndrueshëm. Unë besoj se po.
Mendoj se nuk duhet neglizhuar edhe një tregues tjetër, ai i “investimeve të tjera” (neto d.m.th., hyrëse minus dalëse) si pjesë e bilancit të pagesave. Sipas Bankës së Shqipërisë, për të njejtën periudhë 4vjeçare këto investime kanë qenë respektivisht 35, 120, 131, 278 milionë Euro.
Në lidhje me klimën për investime (shqiptare apo të huaja), disa faktorë kanë kontribuar në përmirësimin e saj, disa kanë veprim kontrovers, ndonjë tjetër në përkeqësimin e saj. P.sh., ulja e taksave, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, zgjerimi i kredisë apo ftesa për anëtarësim në NATO përfaqësojnë përkatësisht faktorët fiskalë, administrativë, bankarë apo të sigurisë kombëtare në favor të një klime pozitive për investime. Në secilin nga këto lloj faktorësh ka shembuj të tjerë pozitive që po kontribuojnë pozitivisht në këtë klimë. Kriza botërore e energjisë dhe e çmimeve ka një veprim kontrovers. Ndërkaq, kriza energjitike e 2007 apo performanca e dobët në segmente të caktuara të administratës ka patur një efekt negativ. Ngjarje si ajo e Gërdecit natyrisht që kanë efekt psikologjik negativ mbi investitorët e huaj.
Në tërësi mendoj se klima për investime është përmirësuar dhe politikat e adoptuara apo në zbatim e sipër, kombinuar me investime publike dhe një përmirësim të imazhit të vendit, do ta përmirësojnë me shpejtësi natyrën proinvestuese në ekonominë shqiptare.
Në përfundim, sipas gjykimit tim, ka një probabilitet të lartë që viti 2008 të jetë një vit i mbarë ekonomik dhe rritja ekonomike e këtij viti ta tejkalojë nivelin e 6%.


15 May 2008 @ 10:32 pm
ckina Lefto? TotPulico?
16 May 2008 @ 10:02 am
Lajthitje? Kritike Preventive ? Tjeter…?
Cdo rritje 1% GDP => Ulje (minimalisht dmth te pakten) 1,3% varferise
Mesatarisht 6% GDP/vit => Ulje 7,8% varferise/vit
Per 2006 - 2008 => - 23,4% varferise bruto (dmth pa llogaritur rritjen e inflacionit)
Neto inflacioni => me pak se -20% varferi.
Te gjitha te diskutueshme, dakort. E padiskuteshme keqinterpretimi i frazes “numri i të varfërve ka mundësi që të jetë afërsisht 20% më shumë se në 2005″
Pershendetje.
16 May 2008 @ 10:58 am
Tan, ti svlen 2 lek si ekspert (se kshu je bukurosh me nam), por ce do qe instituti jot eshte dore qe trazon corba ne shqiperi prej vitesh. Prandaj po te jap te drejte per disa pike
Sh. Dakort, por hajde veji fre Bode katunarit, Mimes boshtperdredhurit, Sale kaqolit dhe atij trashtetires Fullanit. Ka ik perfundimish dhe FMN nga Shqiperia dhe tani ska asnje pengese qe ti thote “MOS” cmendurive shqiptare ne polikat makro. Zoti na rujt !
Shume e drejte tan. Duhet ngrit patjeter. Premtim i pambajtur me qellim nga Sala. Eshte minimalja per te krijuar nje klime normale biznesi, dhe e drejte themelore e biznesit ne shqiperi. Pa gjykate administrative, asnjehere sdo ta gjejne dot te drejten bizneset shqiptare, por dhe administrata sdo te fitoje kurre respektin e merituar here here per punen dhe respektimin e ligjit.
Ketu e ke dhi. Ke marre nai lek ke nai projekt gangrene me ndihme nga jashte dhe rrasje sa krahu legjislacionit shqiptar ?
16 May 2008 @ 5:07 pm
ckina hunero:)
17 May 2008 @ 12:11 pm
hic, mire
. Ti?