Histori shkronjash

Pishak Zhgaba
Peisazhe të fjalës
18 Prill 2008

Pak ditë më parë, më tërhoqi vëmendjen fushata që një e përditshme e njohur argjentinase filloi për futjen e shkronjës “ñ” në lëmenjtë (domain) e internetit. Slogani i fushatës ishte: “No es lo mismo un panal que un pañal”. Siç mund të parashikohej lehtë, mua më vajti mendja tek “ë”-ja shqiptare. E jo pa të drejtë.

Në një histori të mundshme të shkronjave, në të vërtetë krejtësisht e pagjasë, me siguri do të thuhej se në vitet e para të postotalitarizmit shqiptar, shkronja “ë” pësoi një trysni të madhe nga mediat e shkruara. Në fakt, ajo kohë mund të quhet si ”periudha e zezë“ për “ë”-në shqiptare, meqë pothuajse u eliminua tërësisht nga shtypi i përditshëm.

Arsyet mund të jenë të shumta, por dy mund të citohen menjëherë. E para ka lidhje me humbjen e statusit (prestigjit) nga ana e shqipes tek përdoruesit e saj. Kjo temë mund të trajtohet gjerësisht nga sociolinguistika, e cila nuk do ta ketë të vështirë të konstatojë se në vitet Nëntëdhjetë u verifikua edhe një rritje e jashtëzakonshme e prestigjit të gjuhëve të huaja në Shqipëri. Dy dukuritë nuk janë krejtësisht pa lidhje.

Nga ana tjetër, në atë periudhë, por edhe në fillim të viteve Dymijë me përhapjen e internetit, vërshuan në vendin tonë mjetet e reja elektronike. Meqë këto nuk e parashikonin në tastierat e tyre shkronjën “ë”, si produkte importi që ishin, shumë gazeta parapëlqenin ta zëvendësonin “ë”-në me tullacen “e” (e kam me shaka, nuk dua ta fyej poaqdinjitozen “e”).

Përhapja e komunikimit me postë elektronike, dhe si rrjedhim përdorimi i gjerë i “e”-së në vend të “ë” nga shkruesit, u krijoi kushtet ideale barishteve pseudogjuhësore, që të mbinin aty këtu, herë me praktikë, herë me teori. Pati nga ata që propozuan heqjen e “ë”-së dhe zëvendësimin e saj me dy “e”, ose propozime të tjera të fandaksura, në kufijtë e marrëzisë gjuhësore. Vijuan polemika të gjata, shpeshherë midis ekspertëve dhe amatorëve, ashtu siç ndodh rëndom në hapësirën publike shqiptare.

Sot “ë”-ja paraqitet me një çehre tjetër në publik, meqë ka filluar të gjallohet mirë nëpër faqet e gazetave shqiptare. Me disa rreziqe më shumë paraqitet lundrimi i saj nëpër arkipelagët e internetit, por edhe aty sikur po e ndihmon busulla e disa vullnetmirëve.

Aktualisht shkronja “ë” e ka të siguruar mbijetesën në gjuhën shqipe, pavarësisht se tastierat e Windows-it nuk e parashikojnë si shkronjë të veçantë. Vetë fakti që mbijetoi deri më sot, tregon se kjo shkronjë përbënte një element strukturor në gjuhën shqipe. U vërtetua, gjithashtu, se zëvendësimi i saj ishte përpjekje alkimistësh diletantë.

Gjithsesi, emri i mirë i “ë”-së ende nuk është vënë në vend. P.sh. përse mos të rezultojë në lëmenjtë e internetit si shkronjat e tjera? Ç’ka ajo më pak se shkronja “ñ” spanjolle? Unë shpresoj që edhe në Shqipëri të nisë një fushatë në favor të “ë”-së, madje uroj: “Ashtu qoftë!”, jo “Ashtu qofte!”.

Ja edhe slogani doli vetë në dritë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

9 Komente

  1. Dori thotë:

    20 April 2008 @ 2:57 am

    Është shumë e lehtë për ta rifutur në përdorim ‘ë’-në. Unë për vete zëvendësova Alt-in e djathtë me ‘ë’, dhe Ctrl-in e djathtë me ‘ç’ dhe tani i përdor gjithmonë. Për më tepër, sa herë shtyp në ndonjë kompjutër tjetër gjithmonë më shkojnë gishtat tek Alt-i dhe Ctrl-i. Do t’i këshilloja të gjithë të gjenin një mënyrë për ta bërë këtë punë. Do ta shikojnë se sa lehtë ka për t’iu rimësuar truri.

    Unë po bëj timen ndonëse s’ka shumë përdorues të Linux-it, ja si bëhet:
    1. Krijo një skedë me emrin ~/.Xmodmap
    2. Vendos këto rreshta në skedë:
    keysym Alt_R = ediaeresis Ediaeresis
    keysym Control_R = ccedilla Ccedilla
    3. Rifillo X-in.

    Kush e di si bëhet në sistemet e tjera (Windows, OS X, …) let t’i vendosi udhëzimet.

  2. edrus thotë:

    20 April 2008 @ 4:30 am

    Unë s’e di se sa “shkencore” dhe e saktë është kjo që po them, por unë e kam zgjidhur kështu (wind): tek “servizi di testo e lingue di input” kam shtuar përveç “tastierës italiane IT” që ishte “kryesorja” dhe “tastierën Shqip SQ”.
    Kjo më duket e tepërt, sepse dhe në “tastierën italiane” mund të shtosh gjuhën SHqip.
    Për të kaluar nga përdorimi i një gjuhe në një tjetër është një kombinim tastesh që mund ta zgjedhësh sipas dëshirës, por unë tek impostazionet e kam selezionuar tek “Preferenze” që “la barra della lingua” të dali në desktop dhe që të dalë icona “nella barra delle aplicazioni” ku më mjafton të klikoj mbi ikonën e gjuhës dhe më pas të klikoj mbi gjuhën që dëshiroj të shkruaj.

    Kalimi nga një tastireë tek tjetra, ashtu siç thoshte dhe Dori, kërkon një “sakrificë” të vockël nga ana jonë… sepse disa taste ndërrojnë vënd (Z dhe Y) disa të tjerë humbasin fare por dhe të tjerë që shtohen.
    Kur mësohet dora të përdorësh Ë dhe Ç është shumë më e kollajtë se sa kujtonim :)

  3. Peshku Fluturues thotë:

    20 April 2008 @ 4:38 am

    Dori
    Te lutem si behet nderrimi ne tastire i alt dhe ctrl qe ke bere ti?

  4. Dori thotë:

    20 April 2008 @ 4:41 am

    Edrus, problemi me atë punë është se ndryshojnë dhe shkronjat e tjera, dhe pastaj është e bezdisur të kalosh nga njëra gjuhë në tjetrën në varësi të çfarë po shtyp. Duke e bërë kështu unë përdor të njëjtin konfigurim dhe s’e kam bezdi.

    Peshku, e di vetëm në Linux siç e përshkrova më sipër, për të tjerë sisteme s’e kam idenë.

  5. edrus thotë:

    20 April 2008 @ 4:50 am

    Dori E DI që do të ishte më mirë ashtu siç thua ti, por nga e keqja thashë më mirë me ktë se pa hiç :) .
    Sepse pata arritur një herë që të shkoja deri diku (mos më pyet se si dhe se ku) ku mund të zëvëndësoje tastet e ndryshme me gërmat që doje por mu desh të bëja ripristim të kompiuterit sespe as vetë nuk e di se ç’kisha ngatërruar atje :) .

    P.s: Nganjëherë tastiera Shqip është edhe më e thjeshtë se ajo italiane, shembulli i @ që e kam në një tast të vetëm dhe nuk kam nevojë që të shtyp kombinimin e tasteve :P

  6. sofia d’epiro thotë:

    20 April 2008 @ 11:03 am

    Unë përdor këtë përshtatjen: http://vargmal.org/shqip, kto dy muajt e fundit. U ambientova ditën e parë, po ka të mirë se është QWERTY kështu që anglishten e shkruan pa problem fare sepse e ruan w. Ciao.

  7. Aiglon thotë:

    20 April 2008 @ 1:44 pm

    Une personalisht ne word (PC) perdor ctrl e per e dhe alt c per c (kam ndryshuar shortcut key ne symbol) problemi eshte qe keto shortcute nuk punojne ne explorer

  8. e paditur thotë:

    20 April 2008 @ 3:41 pm

    Edrus ka treguar si bëhet për një Windows në italisht, unë po tregoj sesi bëhet nëse e keni Windows-in në anglisht (sidomos nëse default language e kompjuterit është English):

    Hap “Control Panel”
    Hap “Regional and language options”
    Kliko tek tab-i “Languages”
    Kliko tek butoni “Details”
    Shtyp butonin “Add” dhe nga lista që del zgjidh “Albanian” (input language)
    (tani “Albanian” është shtuar në “Installed Services”
    Shtyp butonin “Language Bar” që të zgjedhësh mundësinë e kalimit mes dy gjuhëve përmes një butoni në taskbar.

    Shtypni butonat OK derisa të mbyllen të gjitha dritaret.

    Tani do të keni në taskbar nje etiketë me dy gërma (EN për Anglisht) dhe kur të klikoni aty (me butonin e majtë), do të keni mundësinë të zgjidhni SQ (për Albanian). Pra kalimi nga njëra gjuhë në tjetrën është i lehtë.

    Problemi i vetëm është që nëse e keni memorizuar në kokë tastierën QUERTY sipas anglishtes, kalimi në gjuhën shqipe, i shkakton asaj disa ndryshime (ndryshimet janë në simbolet dhe në gërmën y). Shikojini si duken tani katër rreshtat e tastierës (dhe krahasojeni me tastierën e kompjuterit):

    \1234567890-=
    |!”#$%^&*()_

    qwertzuiopç@]
    QWERTZUIOPÇ’}

    asdfghjklë[
    ASDFGHJKLË{

    yxcvbnm,./
    YXCVBNM;:?

  9. edrus » Si mund të shkruash me “ë” dhe me “ç” thotë:

    20 April 2008 @ 7:21 pm

    […] Duke patur parasysh se ç’kam hequr deri sa të gjeja mënyrën për të shkruajtur me ë dhe ç, besoj se për shumë nga ata që do të dëshironin (ata që s’duan janë të shamë , se tani nuk mund të thonë se nuk e dija ), mund të provojnë zgjidhjet e ofruara dhe tek Peshku pa ujë nga e panjohura  […]

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com