Hidropolitika
(Shkrim ku behet fjale per mesymjen e eger serbe ndaj Kosoves loce permes armes hidropolitike; perparimi i luftes: siperia e rubinetave te ujit ndaj bajonetave e tankseve; marrja e burimeve me te medha ujore te Kosoves nga Serbia; falja e ujit komunave serbe nga komprosmisaxhinjte e Prishtines; apokalipsi i afrohet Prishtines, AntiKrishti zbret ne Gracanice, politikanet budallenj rrine ne Prishtine)
Shfrytëzimi i resurseve ujore si shantazh politikë!
HIDROPOLITIKA
Shkruan: Salih MEHMETI
Prishtinë, 2008
Disa muaj përpara se të shpallej Plani i Ahtisaarit me 17 shkurt 2008, për të na dhënë një përshtypje se megjithatë mëvetësimi po na troket te dera na trembnin me mungesa mallrash e krizash urie, se demek Serbia do të na bënte një embargo produktesh ushqimore. Por sa të gjasshme ishin dhe janë paralajmërime të atilla?
Poqëse Serbia do të vinte në zbatim një embargo produktesh, ajo patjetër se pos krizës në Kosovë do të përfytej edhe me një krizë brenda vetës së saj meqë do të përjashtonte një vend eksporti. Vetëm gjatë një viti Serbia arkëton mbi një miliard e gjysmë euro nga mallrat e saj që ushtrojnë njëfarë monopoli në Kosovë, duke ia zënë frymën prodhimit vendor në Kosovë. Pasoja më afatgjatë për të do të ishte se shqiptarët do të orientoheshin kryekëput drejt mallrave vendore duke i hapur rrugë njësimit të një tregu mbarëshqiptar. Pra, pa fjalë kjo do të ishte një penallti për ne. Ndaj, edhe nuk e zbatojnë një masë të tillë që do të ishte në interesin tonë. Por, Serbia ka një kartë të hatashme në duar që mund të përmbysë në dakik situatën.
A është e mundur që Serbia po gatitet të bëjë një embargo ujore?
Kjo kartë e rrezikshme nga zyrtarë të qeverisë serbe është publikuar me kursim nëpër deklarimet zyrtare, meqë duke e ruajtur të fshehtë si të tillë rreken që ta zbatojnë me sa më përpikmëri. Ç’prej vitit 2000 Rusia ka arritur një sipëri të hatashme politike si manifestim i rritjes së shpejtuar ekonomike. Përmes kartës ekonomike Rusia ka fuqizuar rolin e saj karshi Europës. Duke i gërshetuar resurset e saj të pamatshme të gazit dhe vajit natyror me nepsin e saj hegjemonik Rusia ka arritur që të ringjallë ekspansionin e saj drejt Europës. Madje, në nëntor të vitit të kaluar Rusia përmes përbindëshit makroekonomik ‘Gazprom’ kërcënonte Ukrainën, duke shestuar dhe ndihmuar klikën proruse në atë vend. Në fillim të marsit të këtij viti një gjë e tillë veçse u përsëdyt njëmend. Rusia zvogëloi importin e gazit drejt Ukrainës për 35%.
Kësodore, Serbia tash e tutje mund të fillojë shantazhet dhe kanosjet në drejtim të vendit tonë jo me naftë e gaz, por me ndërprerjen e resursit më të domosdoshëm për jetë – ujin. Resurset ujore duke qenë ekzistenciale për mbijetesën kolektive njerëzore përbëjnë pasurinë më të domosdoshme për qëndrueshmërinë e një vendi. Resurset ujore shpeshëherë janë bërë objekte zënkash e luftërash midis shteteve që kërkojnë për hesap të vet hisen nëpër vendburime uji. Përshembull, në Azinë jugpërëndimore kanë trandur botën dhjetëra përfytje shtetesh për rrjedha ujore. Ta përmendim këtu pellgun e lumit jetik të Jordanit, për të cilin ngulmojnë në mënyrë instrasigjente Izraeli, Palestina, Libani dhe Jordania. Një gjendje e njësojtë thuajse paraqitet edhe me Turqinë dhe shtetet në jug të saj që kanë shkaktuar jo pak tendosje politike. Pasja e burimeve ujore nga njëri shtet e gjen vendin tjetër në pikë të hallit në kohën kur ka mungesa vjetore të ujërave. Marrja e burimeve ujore është një vazhdim ndryshe i luftës. Logjika është e qartë: shkatërroji armikut qasjen në ujë dhe do ti kesh bjerrur fuqitë e tij për luftë.
‘Mungesa e ujit zvogëlon produktet ushqimore, rëndon varfërinë dhe sëmundjet, nxit migrimet e mëdha dhe pengon autoritetet shtetërore dhe mundësitë për të qeverisur’ shkruan Thomas Homer – Dixon nga Universiteti i Torontos.
Duket se Serbia e ka nuhatur me saktësi këtë thembër të Akilit ndaj Kosovës. Me shpalljen e pavarësisë formale i është hedhur shqelm juridiksionit të kësaj pavarësie, çka domethënë se në Kosovë është krijuar një boshllëk juridik në të cilin vetëm shteti i bazuar në të drejtën ndërkombëtare (Serbia) ka të drejtë shfrytëzimi të pasurive të brendshme të Kosovës. Aq më keq kur dihet se në deklaratën e pergamentë të 17 shkurtit askund nuk përmendet shkëputja nga Serbia. Vetë fakti i ‘mirëpritjes’ së pranisë së huaj mbisovrane dëfton se nuk ka kurrfarë shtetëzimi juridik të Kosovës, ashtu çfarë e ka përmbledhur me mendjembrehtësi Kastriot Myftaraj: ‘shpallje e pavarësisë dhe moratorium (pezullim) juridik i saj’. Meqë nuk ekziston kurrfarë përkufizimi juridik i Kosovës së brendshmi, atëherë i lihet Serbisë pacenueshëm e drejta për disponimin e pasurisve minerare dhe ujore të Kosovës. Jo rastësisht Serbia gjatë negociatave të Prishtinës dhënëse (term me të cilin krenohej Fatmir Limaj) pati piketuar një strategji të trefishtë: përmes decentralizimit i ka zgjeruar territoret e komunave panserbe, zgjerim i cili ka përfshirë pika të përveçme strategjike
- malore (vargmalet Rodope, Karadaku jugor, Mali Mokna),
- vendburime minerare (Kishnicë, Artanë) dhe
- resurse të tëra ujore (Liqeni i Ujmanit në veripërëndim të Kosovës, rrjedhën e lumit Graçanka që furnizon liqenin e Badocit).
Rrafshi i Kosovës në tërësi përfshin një sipërfaqe prej 6580 km2 ose 60% e territorit të Kosovës, ku sipas regjistrimeve të moçme të 1981’ës kishte mbi 950.000 banorë me një dendësi të thekshme prej 144 banorë në km2. Sa i përket hartës hidrografike, Rrafshi i Kosovës ka një rrjet të varfër ujërash. Lumi kryesor është Sitnica, degë e Ibrit, e gjatë 90 km, me një prurje të ligshtë ujërash. Vetëm gjatë muajve të nxehtë të verës, niveli i ujit në Sitnicë zbret në 2.5m3/s që përfaqëson gati një tharje të saj. Uji i këtij lumi është i papërdorshëm si rrjedhojë e deponimit të pafre të mbeturinave dhe ujërave të zeza.
Në vitet e fundit si pasojë e mbizotërimit të temperaturave të larta është vërejtur një mungesë marramendëse e ujit kudo nëpër Ballkan. Kështu përshembull liqeni i Ohrit i dyti në Ballkan për nga madhësia është mpkaur si asnjëherë më parë.
Kurse në Rrafshin e Kosovës ku është përqëndruar dendësisht pjesa më e madhe e popullsisë së Kosovës, niveli i ujërave në liqenet artificiale të Batllavës dhe Badocit ka minusuar për disa metra. Për më tepër Serbia ka vënë në dyshim edhe liqenin më të rëndësishëm artificial në Kosovë, atë të Ujmanit në komunën e Zubin Potokut. Liqeni artificial i Ujmanit (85% e të cilit është në Kosovë) grumbullon 390 – 410 milionë m3 ujë, sasi e cila është pakrahasimisht më sipërore se të gjitha liqenet e tjera artificiale në Kosovë (liqeni i Batllavës njehëson rreth 40 milion m3 ujë, Radoniqi 113 milion m3 ujë).
Uji i liqenit të Ujmanit pos që shfrytëzohet për pije, shfrytëzohet edhe për ujitjen e 20.000 ha tokë bujqësore dhe veçmas për komplekset elektroenergjetike në Kastriot (rreth 130 milionë m3 ujë). Në rast të ndërprerjes së ujit i cili shërben për sistemet e ftohjes dhe avullimit në termocentralet A dhe B vendi do të përballej me një katastrofë të paparë.
Krejt kjo varësi nga liqeni i Ujmanit, ka bërë që Serbia me kohë ta futë në kontrollin e saj këtë liqen, ndonëse nuk e ka deklaruar zyrtarisht. Në këtë avaz apokaliptik për gjendjen hidrografike, Serbisë i mundësohet një pozicion i sertë politik i cili shqiptarët do ti sprapste pa përdorur bajonetat.
Zëdhënësi i KFOR – it i pat deklaruar agjensisë ‘Reuters’ se ‘KFOR – i do t’i sigurojë të gjitha pikat strategjike’ duke përfshirë edhe Ujmanin për të cilin deklaroi se ‘jemi duke e monitoruar’. Po pra janë duke e monitoruar. Vetëm kaq! Monitoronin edhe atëherë kur falangat e Millosheviqit zbuan me përdhunë dhjetëra mijëra shqiptarë nga veriu i Mitrovicës. Kanë monitoruar edhe djegiet e pikave doganore në Bajë dhe Jerinjë. Kanë monitoruar edhe ‘kufijtë më të sigurtë në Ballkan’ në Mutivodë ku rezervistët serb plagosen 19 pjesëtarë të SHPK – së. E ç’punë tjetër kryen KFOR – i përveç sehireve!?
Duke mos pasur një gjithshtrirje të juridiksionit të ‘pavarësisë’, përveç atij të BE – së, Serbia do të luajë cicmic më rubinetin e ujit. Kjo veçse fortifikon komunat serbe të cilat do të kishin furnizim të rregullt me ujë të pijshëm, kurse komunat shqiptare një furnizim i cili seç herë po vihet para sprovave dhe pikëpyetjeve të mëdha. Vetëm vërejeni se çfarë epërsie gëzon komuna e Graçanicës ndaj asaj të Prishtinës; nëpër territorin e Graçanicës kalon lumi Graçanka, damari kryesor i cili e furnizon liqenin e Badocit. Çka do të ndodhte sikur komuna e Graçanicës e pushtetizuar me autoritet të hekurt të bllokonte lumin e Graçankës? Një krizë e vërtetë uji.
‘… Gjatë gjenocidit ruandian (gjenocidi në Ruanda 1994, shën. Imi S.M) korpuset ushtarake ndotën lumenjtë dhe burimet e ujit, çka rriti pasojat e përhapjes së sëmundjeve infektuese. Lumi i Danubit poashtu ka qenë i ndotur gjatë luftërave në ish Jugosllavi, njësoj siç ka ndodhur në Bosnjë dhe veçmas në luftën e Kosovës’ – shpërfaq njërin nga aspektet e rrezikimit të popullatës nga infektimi i planifikuar i ujërave, Bezen B. Coskun hulumtues për marëdhënie ndërkombëtare dhe studime europiane pranë Universitetit të Loughborugh – it në Britani të Madhe.
Dikur Serbia pushtonte përmes armatës, akademisë dhe kishës ortodokse pansllaviste, ndërsa tani ka vënë në përdorim artilerinë e quajtur hidropolitikë aq e pavërejtur nga të palodhshmit monitorues ndërkombëtarë të cilët duatrokasin se Serbia po e ‘demokratizon’ vetën. Vetëm në javët pasuese të 17 shkurtit, në Beograd u dogjën disa ambasada shtetesh perëndimore, për të cilat u reagua në mënyrë tragjikomike nga Perëndimi. Pastaj BE – ja seç ndante pleqësinë: ‘Eja e nënshkruaj MSA – në’. Ndërkaq, këtë rast të arrirë për t’i dhënë një shqelm politik Serbisë, deputetët e parlamentit të Kosovës e ‘shfrytëzonin’ duke miratuar brenda një ore nga dhjetë ligje të tëra nga Pakoja e Ahtisaarit, për një orë dhjetë herë rehabilitohej Serbia. Këta politikanë asnjëherë të vetme nuk fiqiruan se shumë më e vlefshme do të ishte ngritja e zërit për mbrojtjen me çdo kusht të resurseve ujore të Kosovës. Si duket ata do të hapin sytë kur populli do të shpërthejë nëpër protesta me shishe e kova në duar: ‘Duam ujë’! Siç ka thënë Bajroni në një rast: ‘Derisa tallet me vuajtjen, njeriu kurrë nuk do t’ia dijë vlerën ujit’.

3 July 2008 @ 7:09 pm
artikulli ishte shum interesant dhe me domethenie te madhe.