Identifikohu



Regjistrohu

Harrova pleqtë

Një shtambë e thyer

Një shtambë e thyer bën proverb,
Por jo ngjarje,
Se shtambat kanë urtësi,
Por jo bujë,
Kurrë s’i dëgjuam me mburrje
A sharje,
Pa zë sjellin kroin tek buzëtharët
Për ujë.

Si njeriu biblik dhe ajo lindi
Nga balta,
Por nuk kërkon për këtë
Nder’ e favore,
Se shtambat s’janë hiç nepotike
Të ngratat,
Se shtambat janë dedè,
Të urta, punëtore.

Janë pleba e sojit të vjetër
Të poçeve,
Ku vazot kristale sundojnë
Si patricë,
Mësuar jashtë vëmendjes së fisit
E shoqeve
Që farfurijnë nderuar
Në ballë të shtëpisë.

Nazike kristalet reflektojnë
Mëngjeset,
Amvisa i fshin me përdëllim
Në fytyrë,
Dhe shtamba në heshtje
Zhvillon komplekse,
Ushtar pa medalje
Gjithnjë në detyrë.

Vazot kristale me xhibla,
Llastica,
Kapriçioze, me finte, burlesk,
Rokoko,
Duke ndenjur plagosen, në brinjë
Marrin krisa,
Kristale-sherrosur, pa shkak
Domosdo.

Ndërsa ajo e pazë
Nisur drejt shkëmbinjve
Të gjasave terse
Q’e presin si hije,
Tu sjellë kroin kristal
Të paqëm fëmijëve,
Është gati të vdesë
Në proverbë urtësie.

7zani e pa3tshme

Unë ty tashmë të kam
Diku mbi lukth, moj gocë,
Xhungë të patretur
Në mungesë fermenti,
Dhe komb në grykë të kam,
Si lungë e si kockë,
Në mungesë jodi,
A Zot s’di ç’elementi.
Ti më mundon si fetus,
Placentat mi dhemb
Dhe mitrën e trurit
Me shqelma godet,
Më bën krenar, me turp,
“Ndjerë gjallë” ti më tremb,
Mëkat i ndaluar
Dhe herezi e fshehtë.
Ngela “ashtu” me ty,
Moj gocë, edhe s’dua,
Vesh të ma marrrin
Këtë shtatëzani,
Fsheh shenjat tradhëtuese
Për ty dhe për mua,
Të vjell në mëngjese
Pa më parë njeri.
Veç malli për ty
Më mbërthen për flokësh
Prej skalpi, moj “goçe”,
Dhe më poshtëron,
Më tërheq “xarra”,
Rrotull, faqe shokësh,
Me kuaj të egër
Si në Ilion.
Mungesë enzimash,
Zeher, sëkëlldi,
Hidhërim i tëmthit,
Sëmbim ulçre, urthi,
Betimthyer murgu,
Inçest, llaftari,
Në flagrancë kapur,
Pa rroba, gurthi-murthi…
Dhe zgjim i djersitur
Nga ëndrra sikter,
Shyqyr, s’ishte gjë,
Veç një sikter-ëndër,
Ja tani do flë,
Por gjumi nuk merr,
Se mbi lukth vërtet
S’u tretka një gjë-ndër…..

Harrova pleqtë

Harrova pleqtë e Shqipërisë
Xha Jonuzër, Sabrinj e Mete,
Me nikotinë mbi mustaqe,
Me thërrime duhan vendi në zhaqetë,
Dhe kasketat mbetur nga imitimi i byrosë politike,
Ku dilte moda e fundit,
Xhastin Timberleiku dhe Bred Piti i tyre,
Shokët me rroba doku.

Uji me pleq firon në rrjetat e kujtesës sonë,
Dhe në fund,
Si peshq që përpëliten, mbeten vetëm egot tona
Mizantrope.

Pleqtë mbetën në Xhurasikun
E mallit tonë shumëepokësh,
Dinosaurë që u zhdukën
Nga lloj lloj meteorësh
Dhe hipotezash shfajësimi.

Fosile mbetën,
Pjesë skeletesh, kujtime të gurëzuar.
I mbledhim bashkë
Krijojmë pleqtë e vjetër
Me paleontologji,
Me pleqollogji,
Dhe mahnitemi si pas një pazëlli njëmijë copësh
Nga ato mollëza prej mohagoni,
Llullat me lëng të zi përfund,
Me duhan të hidhët,
Grirë me çakije,
Ndezur me masàt dhe strrall,
Copa nofullash kënddrejta
Ngulur si spiranca në rërë frenologjie,
Copa urtësie zhytur në lëng naiviteti
Në paçen antologjike
Pellazge.

I harruam pleqtë
Se këtej s’ka pleq,
Pleqtë janë “xic!”,
Këtej s’të le Kristi Brinkli të plakesh,
Me PMS internuar në gym,
Me terror estetik,
Me paranojë gjuhësore,
Nuk ka pleq këtej,
Ka më të moshuar,
Siç nuk ka dhe fëmijë,
Që të jemi fair,
Por mosha merkantile,
Konsumatore
‘Mbëdhjetë!

Harrova pleqtë e Shqipërisë,
Se s’kanë ku të pleqësojnë,
Se rrapet janë prerë,
E fshatrat boshatisur,
Se s’kanë ku të pleqërojnë,
Se stolat u thyen,
Kafetë u bënë shtrenjtë,
Ashensorët u kanë ngecur
Më keq nga këllqet,
Se në varreza u mbaroi vendi,
Dhe u plakën në kohën gabim.

Në kohë të ashpra evlatësh harramë!

Fiksim

Mes dy aeroportesh
Në 37 mijë këmbë lartësi
Unë gjithnjë kam një ëndër të çmendur,
Sikur avioni të ketë avari
Të bëjë ulje
Të sforcuar,
Të dhembur,
Në sheshin e qytetit tënd
Pa ngjarje, skandale,
Steril, udhëshkretë,
Ku unë ndryshe dot s’vij
Ngaqë ti nuk më pret.

E mrekullueshme avaria,
Të hutojë policët,
Të bllokojë trafikun,
Ulja e sforcuar,
Si lindja e parakohshme
Që do më pjellë mua,
Të paduruarin,
Shtatanikun….

Përshesh

Kafshatë që s’kapërdihem,
Jallane,
E thatë si eshkë,
Si strall,
“Xarritur” në fyt
Si nallane
Rripkëputur mbi kalldrëmin
Me shkallë,

Më zhysni në lëng mishi
Përvëlak,
Në qumësht të parrahur,
“Të leshtë”,
Që vlon si xhehnemi
Mbi flakë,
Në tërhànë bejtexhie,
Përshesh.

Kulaç i plotë qeshë
Dhe më thyen,
Copë e çikë pa mëshirë,
Simpati,
Nga brinjët më këputën
Më shqyen,
Kasaphanë e shtrirë
Në tepsi.

Unë isha si shpirt
E si jetë,
I ngrohtë e i butë
Si njeri,
Jezu Krishti i madh
Dora vetë,
Tha për mua që jam
Trup’ i tij.

Porsi kaun që shërbeu
Sa u plak,
E therin e të mirën s’ia dinë,
Edhe për mua s’u vjen keq
Aspak,
Dhe s’e fshehin pelin
Qesëndinë.

Me zullum-katrahurën
Bukëshkalë,
Në një rradhë më venë
“Kur gjejn’ shesh”,
Epitet më bëjnë,
Kryefjalë,
Dhe turinjt e gjakosur
“Përshesh”.

Mua që copë u bëra
Vërtet,
Tu ngop barkun, tu shuaj
Urinë,
Tek i varfri koren gur
E qamet,
Veç sajë meje shtatë gojë
Kapërdijnë.

Unë nuk jam veç mërzi
E kuzhinës,
Sahan i lëpirë
Mes dhomës,
Sa prej jush mërzirat e stinës
Me lëng vaniteti
I njomët?

Dhe bëtë përshesh
Jetën tuaj,
Shumë ditë kafshuar
“Për lesh”,
Ku ishit, çfarë bëtë,
Ç’influencuat?
“Ne s’dimë gjë, ne po hanim
Përshesh”.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

4 Komente »

  1. Perparim Hysi thotë:

    15 Mars 2008 @ 2:32 pm

    Nje poet qe te cudite!Di te kendoj bukur dhe jo vetem kaq:po ka muzikalitet ne vargje,ka ritem dhe,per cdo teme qe “tjerre”,cdo punim e ben sakt dhe bukur.Luan me fjalen dhe me figurat dha sa i dashur eshte ne proze,aq i bukur eshte ne poezi.

  2. avocados Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Mars 2008 @ 4:17 am

    Ke poezi vertet te pjekur. nese u rikthehesh edhe njehere per nje ngjeshje e ndonje krasitje, shqiperim te ndonje turqizme aty ketu, behen perfect.

    kenaqesi te lexosh sidomos

    Mes dy aeroportesh
    Në 37 mijë këmbë lartësi
    Unë gjithnjë kam një ëndër të çmendur,
    Sikur avioni të ketë avari
    Të bëjë ulje
    Të sforcuar,
    Të dhembur,
    Në sheshin e qytetit tënd
    Pa ngjarje, skandale,
    Steril, udhëshkretë,
    Ku unë ndryshe dot s’vij
    Ngaqë ti nuk më pret.

  3. Pjer Thomas thotë:

    16 Mars 2008 @ 6:07 pm

    Bukur dhe me art. Ashtu siç e tha dhe Papi, Emigranti luan bukur me fjalet dhe figurat. Mjeshter dhe xhongler i fjales. Urime Emigrant, na hoqe stresin e ketyre dy diteve.

  4. da vinci thotë:

    22 Mars 2008 @ 2:32 pm

    Kjo tufe poezish i rri shume bukur peshkut. Shkruan bukur edhe pse duket ashiqare se nuk tregon pike kujdesi e pike perkushtimi. Vetem derdhesh. Kjo do te thote se je i talentuar 90% cfare mbetet eshte dembelizem. U ndodh pothuaj te gjithe te talentuarve kjo. Poezia pleqte eshte edhe me e bukura, sikur emrat qe radhit aty te mos ishin te gjithe emra turk.
    Do te kisha dashur ti shikoja mbas nje “redaktimi” qe do t’u besh… sado vone…. !
    Burrash , URIME!

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.