Login



Register

Ground Zero

Gërdeci është rrafshuar. Është kallur. E kanë përvëluar. Pas një nate shpërthimesh dhe breshëri predhash e baroti që ka mbjellë arat e grurit deri në Vorë, askush nuk ka mbetur në këmbë veç tij. Agim Alla, tregon se e ka gdhirë ndërsa predhat i binin majtas e djathtas. “Përcolla fëmijët dhe kur u nisa të dal ndodhi shpërthimi i madh që më preu këmbët dhe më rrëzoi në tokë. Kur u ngrita nuk kisha më ku të shkoja, prandaj u ula aty dhe qëndrova”, thotë ai duke treguar me dorën që i dridhet oborrin para shtëpisë së tij të rrënuar.

Vladimir Karaj
Gazeta Standard

Zoti ka qenë me Agimin ose diçka tjetër e mbinatyrshme e kanë ruajtur atë nga vdekja, vetëm në 100 metra rreth e rrotull vendit ku ai ka ndenjur, ushtarët kanë mbledhur mbi 20 predha të shpërthyera e të pashpërthyera. Por Agimi thotë se do të donte të kishte vdekur ose të paktën të merrte vesh një fjalë prej djalit të tij 22 vjeç që punonte në fabrikë dhe që ka humbur. Agimi ndez një cigare të dredhur, bashkë me të një tjetër të moshuar i cili përlotet sa herë flet për nipin 6 vjeç, për të cilin nuk di asgjë. Gjyshi i Renato Gërdecit (Ai nuk ishte i informuar për fatin e fëmijës), i ka shpëtuar një trastë me rroba nga shtëpia e tij që ndodhej përballë depove. “Kaq më ka mbetur”, thotë ai duke treguar trastën të lidhur me një shkop dhe kujton sërish nipin.

Për rreth tyre peisazhi është mortorë, me kafshë të gjymtuara e të ngordhura, i nxirë nga hiri i barotit, me copa predhash dhe me një tym që nuk do të davaritet dhe me krisma që dëgjohen në të rrallë…

Altinin e ka kthyer policia greke si emigrant ilegal. Ka vetëm tre ditë në shtëpinë e tij e cila është gjysmuar. Mban mend copëra të ngjarjes. Copëra shpërthimesh. Turravrapin, në fillim drejt depos me idenë për të ndihmuar ata që ndodheshin atje dhe më pas kthimin e vrullshëm pas nga paniku. Mban mend njerëzit që binin si të kositeshin nga presioni i ajrit dhe ngriheshin më pas në këmbë të gjakosur. Këto Altini i ka parë me sy. Kaq di dhe kaq i thotë ndërsa ecim me kujdes mes ullishtave të shkulura, çative të rrënuara. Nga stacioni i trenit deri në atë që po e quajmë “Ground Zero”, ndërsa ecim në krah në flasim pak, fërshëllejmë të shokuar, shajmë, pështymë, ruhemi të mos shkelim mbi mbetje predhash apo numërojmë vetvetiu ato që kanë rreshtuar në krah ushtarët. “Kemi mbledhur rreth 400-450 predha”, na thotë diku pranë vendit të shpërthimit të madh Kolonel Maksim Malaj, që udhëheq Brigadën e Reagimit të Shpejtë e cila prej mëngjesit qëron arat e grurit e ullishtat nga predhat e mbetura pa shpërthyer.

Dikur aty nga ora 16.00 në vendin shkatërruar, pranë kraterit mbërrin Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa. “Nesër (sot) do të fillojmë me vlerësimin e dëmeve”, thotë ai, ndërsa aty ndodhet në tokë të huaj. “Këtu është si në Hiroshima”, shkëmben fjalë me njerëzit që e shoqërojnë, ndërsa na shpjegon se do të ngriheshin çadra për ata që nuk donin të linin rrënojat e shtëpive vetë.

Agimi është një prej tyre. Ai vazhdon të pijë cigare. “Kam gdhirë këtu”, tregon ai me duar tokën që nuk është tokë e nxirë prej barutit që ktheu përmbys gjithçka në jetën e tij. “Ajo aty është shtëpia”, tregon ai, por përtej janë vetëm gërmadhat, lopa e ngordhur ajo me këmbë të thyer, kali i vrarë dhe copëra pa fund predhash.

Ndërsa tregon Agimit i lexon në sy ankthin për birin e humbur. “Nuk e di ku është nuk më kanë kthyer përgjigje”, thotë ai, përlotet dhe tymos duke ndenjur në atë që dikur ishte porta e shtëpisë ku jetonte bashkë me familje.

Pranë na kalojnë herë-herë grupe të vogla “refugjatësh”, që kanë mbledhur në çanta atë hiçmosgjë që ka shpëtuar nga shtëpitë e tyre. Një pjesë ikin, të tjerët kthehen pas, kurse Agimi që i njeh u flet nëpër-dhëmbë. “Hë Agim more vesh gjë për djalin”, thonë një grup prej tre burrash. “Jo”, përgjigjet Agimi dhe frymëmarrja i rëndohet përnjëherë, sytë i zbuten, cigarja i dridhet…

Këtu ka gjithçka. Ka gra që ngarkuar me djepe, rrecka të mbledhura shuk në çarçafë, burra që kalojnë të vrenjtur me duar të zëna nga çanta e me çikërrimat e shpëtuara prej shpërthimit. Ata pëshpëritin fjalë kuraje, ngrenë sytë nga qielli i mbuluar me re dhe i ulin sërish në tokën e nxirë nga baruti. Përballë një buldozer ka filluar të rrëmojë në rrënojat ku dëshmitarët thonë se ka ende trupa viktimash. Ndërsa një grup xhenierësh ndodhen tamam në buzë të kraterit të zi, prej nga vijnë herë-herë shpërthime plumbash mitralozi që duken se nuk duan t’i lënë të qetë banorët. Por tani sidoqoftë gjithçka ka marrë fund. Oficerët thonë se predhat janë mbledhur në pjesën më të madhe dhe zona është krehur thuajse e gjitha dhe janë të sigurt se nuk do të ketë më shpërthime të tjera.

Kjo mund të jetë një ngushëllim, për aq sa mund të vlejë një ngushëllim i tillë. Më larg aty ku nisëm për të udhëtuar mes ferrit Gërdec, njerëzit kanë filluar të rimëkëmbin çka mbetur. Mbi çati burrat ndreqin tjegullat e thyera, zënë me mushama dritaret e hapura dhe kush mundet duket se do të kthehet në shtëpinë e tij, në atë që ka mbetur prej saj.

Sidoqoftë Gërdeci është i zymtë. Ai do të mbetet i zymtë. Ai do të jetë i tillë deri sa pluhuri i barutit të fshihet prej tij, e në u fshiftë baruti do jetë i tillë derisa njerëzit që çuan drejt vdekjes fshatin të vihen para përgjegjësisë, e në u bëftë kjo, ai do të mbetet “i zi” sepse askush nuk ua kthen 20-vjeçarët baballarëve e nënave të tjera të Gërdecit që në pak ditë panë ferrin me sy dhe që ende nuk e dinë ku i kanë fëmijët. Gërdeci është mbjellë me barut dhe dhimbje. Dhimbje që shtohet nga mos kuptimi, që shtyhet nga mungesa e përgjigjeve. “Si?… Pse?… Kush i lejoi fëmijët të kapnin predha?… Kush futi në depo gra të paspecializuara?… Kush i mblodhi kapicë pa pikë kujdesi ( ashtu siç tregonin videot e siguruara nga televizioni ora) mijëra ton predha që përmbytën fshatin dhe varrosën nën gërmadha bijtë e tij?…

Kur ikim, largohemi bashkë me ushtarët. Djem nga 20 vjeç që rrëmihën për gjithë ditën tokën për të nxjerrë prej aty predhat e pashpërthyera. Nuk ka këtu fytyra të qeshura, nuk ka njerëz që vënë buzën në gaz, ka njerëz që me sy tregojnë pamundësinë e lodhjen prej pamundësisë. Këta djem janë përgatitur për të shpëtuar, ndërhynë këtu për të shpëtuar, por ajo që u mbeti të bënin ishte çminimi mes rrënojave që ndjellin zi… Në Gërdecin e mbjellë me vdekje dhe barut.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

15 Komente

  1. shefi kuadrit thotë:

    18 March 2008 @ 6:50 am

    Sme pelqejne fare artikuj te tille te veshur me zi, fatalizem dhe mbidoza mortore. Shume syresh kane qejf ta zhysin veten akoma me shume ne fatalizmin qe na ka kaplluar a thua se duan ta kthejne ne gjendje permanente.

  2. hero tastiere thotë:

    18 March 2008 @ 7:38 am

    ground zero lol

    Gazetarët duhet të japin dorëheqjen.

  3. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 March 2008 @ 12:58 pm

    Turravrapin, në fillim drejt depos me idenë për të ndihmuar ata që ndodheshin atje

  4. Darien thotë:

    18 March 2008 @ 1:00 pm

    Ndoshta nuk ju pelqen realiteti. Mos ngaterroni Situaten me menyren se si paraqitet situata nga Vladimiri ne kete rast.

    Seshte gazetari qe ben nje artikull te tille te veshur me zi, fatalizem dhe mbidoza mortore. Eshte fshati qe eshte realisht keshtu.

  5. Kapiten Kapiteni im Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 March 2008 @ 1:01 pm

    O Lad vertete shume rrenqethes artikulli yt!!!Por realist!prandaj mos e vrit shume pse nuk pelqehet.

    nuk e di kush eshte me fatale o njerez,percjellja e nje tragjedie,apo pellitjet per te veshturar perpare kur njerezit akoma nuk kane varrosur te vdekurit e tyre!!!

    Epo doemos,perderisa nuk na ka prekur jemi optimiste!!!Shohim perpara!!!

  6. Grizhda Zabar thotë:

    18 March 2008 @ 1:06 pm

    Zoti shef, t’iu kalojme ndonje roman policesk?!!…

    @ Hero tastiere
    sa e lumtur eshte ajo tastiera qe ka nje hero kaq prane…

  7. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 March 2008 @ 3:33 pm

    shife shife dreqi!

    gazetaret u dashkan marre me cminimin!!!!!!!!!!!!!!!!!

    Po me pergjegjesite kush te merret?!

  8. hero tastiere thotë:

    18 March 2008 @ 5:26 pm

    Në çfarë ore do japë dorëheqjen gazetari që shpifi për “vjedhjet” gjatë kohës së shpërthimit, se kam përgatit dhe kokoshkat.

  9. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 March 2008 @ 5:55 pm

    Si te te drejtohem?! Po i ve link kesaj prurjes tende tek bunkeret e Panorames. Dy ndjesi totalisht te ndryshme per te njejten teme.
    Na cove ne Gerdec dhe na le aty, pa bunkere, Lad, se s’kane c’te mbrojne!

  10. Idris thotë:

    18 March 2008 @ 6:32 pm

    “”"”"Sidoqoftë Gërdeci është i zymtë. Ai do të mbetet i zymtë. Ai do të jetë i tillë deri sa pluhuri i barutit të fshihet prej tij, e në u fshiftë baruti do jetë i tillë derisa njerëzit që çuan drejt vdekjes fshatin të vihen para përgjegjësisë, e në u bëftë kjo, ai do të mbetet “i zi” sepse askush nuk ua kthen 20-vjeçarët baballarëve e nënave të tjera të Gërdecit që në pak ditë panë ferrin me sy dhe që ende nuk e dinë ku i kanë fëmijët. Gërdeci është mbjellë me barut dhe dhimbje. Dhimbje që shtohet nga mos kuptimi, që shtyhet nga mungesa e përgjigjeve. “Si?… Pse?… Kush i lejoi fëmijët të kapnin predha?… Kush futi në depo gra të paspecializuara?… Kush i mblodhi kapicë pa pikë kujdesi ( ashtu siç tregonin videot e siguruara nga televizioni ora) mijëra ton predha që përmbytën fshatin dhe varrosën nën gërmadha bijtë e tij?…”"”"”
    Kush ka sy e tru KETE lexon …dhe KETU mediton…..
    Te tjerat jane per “kokosharet” sepse edhe gjynah jane dhe duhet qe te mesojne te lexojne jo vetem te trokasin mbi tastiere.
    Artikull qe me gjithe mend ZBULON ne RRENJE MORALIN e TRAGJEDISE.

  11. Pjer Thomas thotë:

    18 March 2008 @ 8:54 pm

    Shkrime te tilla, parvarsisht pezmatuese, na informojne neve qe i marrim vesh ngjarjet vetem nepermjet internetit. Jo te gjithe kane saçe/parabola.

  12. Julius Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 March 2008 @ 5:38 am

    Kapuni pas qimes se ythes kapuni…
    Te gjitha shtetet kane arme.
    Tani hajde tua hedhim fajin paraparaardhesve se pse ndertuan predha…..
    Ju keni shkit….

  13. emm thotë:

    19 March 2008 @ 11:56 am

    E tmerrshme! Sapo akuzoi disa gazetare qe kane perfituar nga dhimbja e banoreve, me thirrjet “rrofte vdekja, poshte qeveria”. I beri te DEHUR te intervistuarit neper studiot televizive! E ndersa fliste, vinte buzen ne gaz, duke ju drejtuar gazetareve ne salle qe “une i dua mediat! edhe sikur lakuriq te dalin, une i respektoj mediat!”.

    MORTJE IKKKK!!!!

  14. Amazona Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 March 2008 @ 12:17 pm

    Kryeministri deklaroi së kompania amerikane ishte teper e kualifikuar dhe trajnonte rregullisht punetoret…

  15. avocados Shkruaji mesazh privat thotë:

    24 March 2008 @ 11:31 pm

    Skandal! Tani duhet te paguajne 10 % nga rroga buxhetoret per tragjedine e gerdecit. duhet te paguajne pastruesit e mesuesit e doktoret e infermieret per pislliqet e Berishes.

    Wow! Wow! Nuk ka pike rebelimi qytetar. Mos u lodhni kot neper keto diskutime. Atje e keqja eshte shume me thelle se nje Gerdec. Eshte ne mentalitetin individualist te njerezve. Skandal!!!!

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.