Gjyshe Shqipëria!(tregim)
Tregim i jetuar - Ia kushtoj moshës së tretë
“… se si u deshën përmbi dhe,
ashtu duhen nën dhe?!”
Gavril Dara i Ri
Tregojnë se Nastradini, ky personazh legjendar humori, dikur ra nga fiku dhe, nga që kish provuar dhe rënie nga pemë të tjera, këtë radhë ndjeu se i dhëmbi shumë.Si asnjë herë tjetër. Si burrë i zgjuar që qe, i thotë të shoqes: - Dëgjo, kujtdo që do vijë për t’më parë, do ta pyesësh në ka rënë nga fiku. Po qe se ka rënë, lejoje që të futet. Ndryshe, ktheje nga rruga. Mos e lër të futet.Se, po nuk pati rënë nga fiku, do t’më tallë dhe do më marrë për qaraman. E tha Nastradini dhe zuri shtratin.E shoqja kështu bëri.Kujtdo që interesohej se mund ta shihte të shoqin, ajo tak dhe pyetjen: - Ke rënë zotrote nga fiku? Po të kish rënë, lejohej.Ndryshe, kthehej prapa.E bëra gjithë këtë digresion se do t’ju flas për një gjyshe, të cilën e kam njohur dhe në gjithë këtë histori që do t’ju tregoj, nuk është e vërtetë vetëm emri i saj që unë, qëllimisht, ia ndërrova në Shqipëria.Në kam bërë mirë apo keq, këtë lipset ta thoni, mbasi ta njihni historinë e saj.
Kur u fola për Nastradinin dhe”për rënien e tij nga fiku”, kam parasysh se vet tani jam disa herë gjysh, pra, kam”rënë nga fiku” dhe e kuptoj më mirë se kushdo(si e gjithë mosha e tretë)bëmën e kësaj gjysheje që i kam ndërruar emrin në Shqipëria. Ju lutem, të bëni pak durim edhe për dy digresione të shkurtëra që, siç mendoj unë, e bëjnë edhe më të plotë dhe, njëkohësisht më të bukur, portretin e kësaj gjysheje të mirë që pata fatin ta njoh aty nga mesvitet ‘60 te shekullit që kaloi.
Isha i ri, pa ma vrarë zgjedha qafën, kur jeta merret e lehtë: si një këngë apo ca më tepër si një vërshëllimë.Kur, pak ashumë, siç thotë populli: m’i ke punët në terezi/gjysma e mijës nuk është pesëqind? !Çdo mëngjes tek shkoja në punë, përballesha me një plak, mbi 70 vjeçar që kulloste me nge ato pak dele të tij.Qe kthyer në rit të përditshëm ky përballim(se aty do kaloja patjetër)dhe, pas njohjes, filluam dhe të miqësohemi.Më pyet një ditë ky, plaku: -More, mësues, kë do më tepër ti? Dhe unë, tak-fap, si çakmak”Radhëford”, shkrepa: -Nënën!AI: -More, mos më di vogëlush si ata buzëqumështit e shkollës që t’më gavnjesh(gënjesh)kaq kollaj.JO, -ngulmova, -jo.Nënën dua.Ai: -Pa ulu pak këtu me xhixhanë ti që të tregoj, nashti(tani) se si shkon dashuria në kohë.Dhe u ula.Xhixhai filloi: “….kur je i vogël, nënën do.Kur rritesh pak, sa njeh veten, po pate ndonjë vëlla me moshë afër e gjatë sa veten, do vëllan.Se me të loz dhe kalon kohën më shumë.Kur të djersitë mustaqja, kështu si kjo mustaçka jote(e shkërbeu enkas fjalën duke qeshur)zë dhe do atë(aluzioni për ndonjë çupë).Pastaj kur “kaparosesh”, do gruan.Mandej, do fëmijtë: djem apo çupa.Si të t’i japë Zoti.Dhe, kur arrin këtë moshën time(moshën e qenit)-e kish për moshën etij-do fëmijtë e fëmijëve.E ke dëgjuar se si thotë populli: “Evlati i evlatit/mjalti i mjaltit? “.Dhe qeshi.Ta kesh nasijet nga unë, mësues, -tha plaku.E bëra këtë, që t’ju them: tani që jam dhe vetë në”moshën e qenit”, që”kam rënë nga fiku si Nastradini”, dhe i jap shumë të drejtë atij plakut: dashuria shkon fill e për pe siç ma ka përshkruar ai plaku që ruante diku delet e tij në një fshat të Myzeqesë, dhe më vjen keq vetëm për një gjë: që sot nuk është më gjallë, që të vija t’i puthja duarët dhe t’i thosha: pardon!.Jam shpejtuar në përgjigjen time.
Dhe tjetra.Dy veteranë çapitnin lirshëm para meje duke biseduar.Ore, -i tha njëri tjetrit, -si më njeh mua për fëmijtë ti? AI, tjetri: -Ti siç ishe në luftë!A nuk të thërrisnim gjerman? Se aq i egër qe!Edhe më fëmijtë e tu, po kështu ke qenë? Mirë, o mirë, -tha “gjermani”, - po e di ti seç më ka gjetur? Kam një nip unë, djalin e djalit, e di se sa e dua? !.Jam kail që ta fut në barkut se mos ma gjen gjë? !Dhe ç’është më e keqja, -vazhdoi”gjermani”, -e di ti se sa i shëmtuar që është? Ka ca veshë llapushë si parafango makinash.Po mua ja që më duket si më i bukuri i botës!Nuk ka si evalti i evlatit…
Unë nuk e mbaja dot të qeshurin nga kjo bisedë, sa e lirshme, aq dhe kuptimplote, dhe, sado që kanë kaluar vite, po e sjell në këtë trtegimin tim për gjyshe Shqipërinë.
* * *
Gjyshe SHqipëria banonte në Vlorë.Me origjinë qe nga fshatrat e Përmetit.I shoqi i kish vdekur dhe, kur e njoha unë(djalë rreth 20-vjeç) ajo qe tek 50-vjeçët.Kish martuar djalin e saj të vetëm, Hektorin, me një çupë nga fshati im.Me çupën qemë dyer për dyer dhe mund të them, pa e tepruar, se Afërditë e quanin çupën dhe Afërditë me halle qe!Për kokën e çupës dhe të gjithë thanë me një gojë: -Pati fat ai djali që mori këtë çupë.Se djalin nuk e njihnim.Në sytë ky, djali, ish si i bërë me dorë.Po dhe gjyshe SHqipëria, e ëma, ta kish qejf që ta dëgjoje kur fliste.Fjalë sa e ëmbël aq dhe me kandar.Siç duket, jeta e kish ngarkuar që t’i bënte të dyja detyrat: si të gruas, ashtu dhe të burrit.
U martuan dhe, pas një viti, u lindi një djalë.Gëzim i madh.Familja e shëndetshme.Dhe gjyshe Shqipëria shkëlqente nga gëzimi.Pas dy vjetësh, u shtuan dhe me çupë.Kur ra shtatzënë me fëmijën e tretë, gjatë lindjes, Afërdita vdiq.Gjëmë e madhe.Në familjen e gjyshe Shqipërisë po se po.Po në të gjithë fshatin tonë: për Afërditën!Se i kish të rralla shoqet!
U helmuam sa nuk ka më.E pashë pas gjëmës, gjyshe Shqipërinë: kish hyrë si doku në ujë.Nuk njihej.tek kish ardhur për ngushëllim, mbi prehër mbante të nipin 4-vjeçar.S’e lëshonte nga dora.Dhe të mbesën po kështu.Hektori po kështu, i goditur rëndë nga kjo ikje e papritur.Qe bashkëshort që rrallë i gjen të tillët.Dhe ne e donim, se donim Afërditën.Po kur thonë andej nga anët tona: vjen e keqja dhe të zë derën!Nipi i gjyshe Shqipërisë, kur qe 5-vjeç, sëmuret nga një sëmundje e pashërueshme.Me gjithë përpjekjet e mjekëve, deri në Tiranë, mjerisht vdiq.Gjëma në shtëpinë e Gjyshe Shqipërisë mend ish kthyer në një det të vërtetë ligjërimi: me kuje e me ligje!Si në jug? !Qe mbasdite, kur dha shpirt ai njomëzak aq i bukur dhe aq i pafajshëm!E ka thirrur e ëma, -tha një vajtojcë, -se nuk e tret varri pa e parë të birin.Gjëmë që u dhimbej dhe drurëve dhe gurëve dhe jo më njerëzve.-Çdo gëzimi tek jetimi? !-përshëprisnin njerëzit tek ndanin dhimbjen me Gjyshe Shqipërinë dhe me të jatin;Hektorin.Erdhi dhe nata.Aty njerëzit.Tek dhoma e grave dhe kufoma e atij, bjondi me sy të kaltëra si qielli.Mesnatë.Edhe pak dhe do të gëdhijë.-Shkoni tek dhoma tjetër dhe qetësohuni, - e mori fjalën Gjyshe Shqipëria.Dua që këto dy orët e fundit të rri vetëm me nipin tim.Dhe u ngritën.Do t’ju thërres vetë, pas cazë, -u tha.Kështu bënë.Kur mbeti vetëm, e mori nipin në grykë.E puthi mbarë e prapë, duke qarë nën zë(kush më mirë se ajo që kish parë aq e aq gjëma? !)dhe, sakaq, nxori nga futa e zezë një qelq të vogël të mbushur, e ktheu vetëtimthi lëngun që kish brenda, riputhi dhe njëherë kufomën e njomë, të të nipit, futi krahun e saj nën kryet e tij, dhe dha shpirt.Si një mishërim i një dashurie të madhe e sublime që ngrihet mbi gjithë dashuritë në botë.Ajo e gjyshërve kudo në botë.
Dikush, kur u gdhi, hapi me kujdes derën dhe, kur e pa ashtu të shtrirë pranë kufomës, mendoi se mos e kish zënë gjumi.U mundua që ta “zgjonte”, por befas e kuptoi seç kish ndodhur dhe dha alarmin.Të ndodhurit në gjëmë, u lebetitën.Lajmi kaloi gojë më gojë dhe mori gjithë qytetin.Mbrriti, s’do mend, edhe në fshatin tonë.Kjo gjyshe e dhëmbshur, kjo gjyshe aq e dashur me aktin e saj sublim meritonte një shkrim dhe unë e bëra.Për çudi, shkrimi nuk u botua sepse qe” e pakuptimtë” që të jepje jetën në atë kohë aq”të bukur”.Megjithatë, unë iu riktheva kësaj ngjarjeje e cila, (t’jua them haptas, më përloti!)meriton që mu aty mbi qivur(janë futur bashkë) t’ju shkruaje ato vargjet që Gavril Dara i Ri i shkroi për Marën e NIk Petën: “…se si u deshën përmbi dhe/ashtu duhen, o nën dhe!”Pres që ta thoni fjalën tuaj.
Përparim Hysi, Mbrostar-Ura mes viteve’60
Dërguar për”peshkupaujë”më 5 shtattor 2007

8 September 2007 @ 2:56 pm
Shume e dhimbshme dhe te ben te lotosh……
8 September 2007 @ 3:03 pm
Nuk me vjen turp ta them: me iken lote kur e mbarova.
Perparim, mos sill tjeter si kjo per nja nje muaj.
Ty te rrojne gjithe c’ke per zemer, mik i dashur!
8 September 2007 @ 3:42 pm
edhe unë qava.
8 September 2007 @ 3:53 pm
edhe ne.
http://bfleur.blogspot.com/2007/09/scream-pablo-picasso.html
8 September 2007 @ 4:33 pm
Shume prekese Z. Hysi!
Jeni shume njerezor, dhe paçi jete te gjate me gjithe te dashurit tuaj.
8 September 2007 @ 4:58 pm
Urime z. Hysi. Tregim i bukur dhe historia shume e dhimbshme. I kam ndjekur me vemendje sjelljet e tua tek peshku, dhe me thene te drejten me duken te arrira. Shume bukur mund te dalin dy libra te kendshem prej tyre. Nje permbledhje me poezi, e tjetri permbledhje tregimesh. Ato meritojne nje audience me te gjere se e peshkut.
Tregimet sidomos jane te gjithe histori qe lene mbresa. Shume te kendshme jane edhe poezite. Suksese!
Tung
8 September 2007 @ 5:15 pm
Na gerbule Hysi….Ke me nga ato poezite ashtushçe??Gati teper e dhimbshme per te qene e vertete…..
9 September 2007 @ 5:50 pm
Historia qe pershkruar bukur, dhe ngjante si nje film me metrazh te shkurter.
10 September 2007 @ 9:28 am
Shume shkrim i bukur, aq sa me lotoi, urime Zotit Hysi!
10 September 2007 @ 8:04 pm
Shume bukur e shkruar Perparim. Ama na u futën te dridhurat ne trup. Ishalla te jene vetem tregime dhe jo ngjarje te vërteta se jane shume te dhimbshme