“Gjobat”, ligji që i shpall luftë të ashpër biznesit
“Gjobat”, ligji që i shpall luftë të ashpër biznesit dhe ligjëron abuzimet e tatimorëve
Gazeta Shqip
Drafti ndëshkues ndaj të gjithë sipërmarrësve në vend, duke mos lënë hapësira ligjore për mbrojtje
Me ligjin e “gjobave”, qeveria i ka hapur luftë biznesit, duke i detyruar ata të parapaguajnë detyrimet tatimore, së bashku me gjobat dhe interesat që i shoqërojnë ato, përpara se të ankimojnë vendimet e tatimorëve në rrugë gjyqësore. Kontestimet e ashpra nga shoqatat e biznesit dhe nga deputetët e opozitës, nuk kanë mundur të frenojnë Kryeministrin Berisha dhe mazhorancën të miratojë ndryshimet që rrezikojnë të çojnë drejt falimentimit një numër shumë të madh ndërmarrjesh në vend. Kjo për shkak se sipërmarrja do të jetë nga këtej e tutje e pambrojtur ndaj vendimeve arbitrare të taksidarëve, të cilët kanë kompetencat për të vendosur gjoba marramendëse, të detyrueshme për t‘u paguar nga bizneset me para në dorë brenda një kohe shumë të shkurtër. “Unë kam parë gjoba deri në një miliardë lekë, të vendosura nga tatimorët. Në rast se një gjobë e tillë do të paguhet pa ankimuar më parë vendimin e organeve tatimore, atëherë sado i fuqishëm të jetë biznesi, ai është i destinuar të shkojë drejt falimentimit”, thotë Sotiraq Dhamo, një ndër ekspertët më të njohur të tatimeve në vend. Por, marifeti i qeverisë nuk mjafton me kaq. Përveç detyrimit të pagimit së gjobës para ankesës në Gjykatë, tashmë sipërmarrjeve u hiqet edhe e drejta për të përdorur garancitë bankare, deri në momentin e përfundimit të procesit të ankimimit. “Kjo që na keni sjellë këtu nuk është paketë fiskale, por një paketë gjobale”, iu drejtua ministrit të Financave, Bode, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nikollaq Neranxi. Sipas tij, ligji i ri do të përdoret për të goditur bizneset e drejtuara nga kundërshtarët politikë të qeverisë së sotme dhe do të sjellë krijimin e monopoleve të reja në ekonominë shqiptare. Kundër projektligjit është rreshtuar edhe deputeti demokrat, Spartak Ngjela. “Në rast se do të ndiqej kjo praktikë edhe në hartimin e ligjeve të tjera, atëherë të pandehurit e dënuar me vdekje do të ekzekutoheshin që në Gjykatën e Shkallës së Parë”, tha Ngjela.
Rruga e dështuar drejt drejtësisë
Megjithatë, biznesit të gjobitur i garantohet e drejta ta ankimojë gjobën e paguar, sakaq pranë organeve të larta tatimore, si dhe ta çojë çështjen në Gjykatë. Por, gjyqe të tilla zgjasin me vite, çka do të thotë se duhet të kalojë një kohë shumë e gjatë, para se sipërmarrësit t‘i marrin mbrapsht paratë e tyre, në rastet kur gjoba e tatimorëve vërtetohet se është e padrejtë. Problemi i dytë madhor lidhet me faktin, se edhe kur Gjykata vendos kthimin e parave mbrapsht subjektit të gjobitur padrejtësisht, ky i fundit ka shanse minimale për ta përftuar shumën përkatëse brenda një kohe të shkurtër. Është provuar tashmë, si në rastin e rimbursimit të TVSH-së për eksportuesit, se kthimi mbrapsht i parave nga buxheti i shtetit është shumë i vështirë dhe shoqërohet me një mori procedurash të ndërlikuara. Kjo e vonon jashtëzakonisht kthimin e parave mbrapsht, nga buxheti te subjekti, të cilit i takojnë me ligj. Për këtë, arsye parapagimi i gjobave, në rastet kur ato rezultojnë abuzive, do t‘i vinte bizneset e shënjestruara përballë vështirësive arbitrare financiare.
Ekspertët: Ndërhyrje në dëm të biznesit
Ekspertët e pavarur të ekonomisë, u pozicuan njëri pas tjetërit, në kundërshtim të ligjit që parashikon parapagimin e gjobave, i miratuar në parim nga Kuvendi i Shqipërisë. Selim Belortaja vëren se ndryshimi ligjor e vë biznesin në një pozitë të pambrojtur, duke rrezikuar financat e tij, si dhe e konsideron këtë venprim arbitrar dhe të palogjikshëm. “Në rastin konkret vërej se alalmi është i vonuar. Them i vonuar sepse edhe unë që nuk kam biznes jam shprehur një muaj më parë mbi këtë temë, kur projektligji ishte ende në diskutim në Komisionin e Ekonomisë dhe unë çuditem se si organizatat e biznesit kanë qëndruar në heshtje”, thotë Belortaja. Ai vëren se kjo treegon se diçka nuk fuksionon mirë në organizimin e biznesit shqiptar. “Për ligjin në fjalë, shqetësimi është i dukshëm, për vetë faktin që u miratua me një pakicë deputetësh, një numër prej vetëm 57 deputetësh, siç dëgjova. Përmbajtja e asaj që po ndodh nuk është shpjeguar mirë për publikun. Bëhet fjalë për një ndërhyrje përkeqësuese, në disfavor të biznesit për pjesën e apelimit”, vëren eksperti, njëherësh, drejtor i Qendrës Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT). Ai shton se parapagimi i gjobave është akti që godet më fort biznesin. Belortaja shpjegon se në ligjin e mëparshëm ka qenë vetëm parapagimi i detyrimit tatimor, të cilit aktualisht i shtohet edhe parapagimi i gjobës dhe interesit. “Ky është një nonsens. Është një goditje shumë e rëndë për biznesin dhe diçka që bie ndesh me Kushtetutën”, thotë Belortaja. Ai shton se përveç prezumimit të fajësisë, ligji në fjalë nxjerr edhe problemin e kthimit të shgumave të marra padrejtësisht nga bizneset. “Edhe nëse subjekti fiton të drejtën, ne e dimë tani që procedura e rimbursimit të biznesit është një procedurë tmerrësisht e ngadaltë. Shembull për këtë është rimbursimi i TVSH-së për eksportuesit, skemë dëshmon për vonesa të shumta”, thotë Belortaja. “Merret me mend që edhe kur një biznes fiton të drejtën, si zor të marrë mbrapsht paratë e tij, lëre pastaj t‘i marrë në kohë: tatimin e paguar padrejtësisht e pastaj edhe gjobat e interesat”, vijon ai. Gjithashtu, Belortaja e konsideroi të papranueshëm dhe abuziv, kamuflimin e këtij ndryshimi ligjor me justifikimin e përshtatjes së standardeve evropiane. “Ky është një problem tërësisht shqiptar në të gjithë dinamikën e tij”, përfundoi, kreu i ACIT.


19 June 2007 @ 7:54 pm
Nuk ka vend ketu shprehja :
“Une dua drejtesi , por nuk di kush eshte e drejta”.
Tani flet ligji.
Komentet e tjera jane, njelloj si “Poshte Qeveria”
19 June 2007 @ 8:45 pm
Si eshte kjo puna e “gjobes” …ja di njeri fillimin ksaj?
20 June 2007 @ 12:54 pm
Gjergjo,
Berisha ne fushate i premtoi me shume mireqenie dhe pune biznesit.
Me ligjet e reja ska sy per qabe per ta bere kete. Biznesi ndihet keq dhe ka pesuar renie te ndjeshme.
E di ate barcaleten e vitit ‘44 kur ne tirane hyri qeveria komuniste ?
“NE nje katund shkon hasani e i thote Beut : Bej efendi, ka thene gramafoni (radioja me demek) qi ne tirane ka ardhe nje qeveri qe do na beje neve si ty.
I thote beu - ou , po kush e ka nigju? Vetem ti ?
-Jo - i thote hasani - e ka nigju ene Asisi (ky demek ishte si ma i mencem)
-Ou- thote beu, -thirre Asisin.
Vjen asisi ene thote : Po bej enfendi ka thene gramafoni qi do vije nji qiviri qi do beje neve si ty.
-Aha- tha beu - e mora vesh. Do vika nji qiviri qi do me beje mua si ju, se juve per ska per tju be ”
Kshu eshte dhe puna e berishes. I beri te gjithe fukarenj. Edhe ato qe kishin, tani skane. Se ata qe skishin, po skane e skane