Gërdeci, donacionet kalojnë si taksë në buxhet
Shekulli Blog
Me anë të një vendimi që ka marrë gjatë ditës së djeshme, qeveria ka vendosur që të gjitha donacionet për Gërdecin të kalojnë në arkën e buxhetit të shtetit. Pra, dhurimet e biznesit dhe qytetarëve, tashmë janë një zë taksash për të mbushur buxhetin e shtetit. Vendimi i marrë nga qeveria, që përcakton edhe burimet, bën të ditur se “dhurimet e derdhura në llogaritë bankare, të hapura për këtë qëllim, do të jenë në masën 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekë dhe nëse dhurimet rezultojnë mbi vlerën e mësipërme ato do të rimbursojnë Fondin e Kontigjencës. Pra, që nga dita e djeshme, Arka e Buxhetit të Shtetit ka filluar që të marrë disa miliona pasi, sipas llogarisë së bërë publike nga ana e Ministrisë së Financave për dhurimet, gjendja ka qenë 1,555,615 lek, 2 666 euro, 20 030 dollarë dhe 100 paund. Pra, që nga ky publikim duket se qeveria ka filluar të përdorë fondet e dhuruara, për të mbushur arkën e buxhetit të shtetit.
***
Pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec, një pjesë e madhe e mediave dhe opinionit publik mbështeten dhurimet e fondeve në favor të kësaj tragjedie, por vendimi i djeshëm i qeverisë bën që destinacioni i këtyre fondeve të ndryshojë tërësisht. Kështu, të gjithë ata që do kontribuojnë, që tani e tutje, thjesht do paguajnë kontribut për buxhetin e shtetit dhe jo për viktimat e Gërdecit. Filozofia e kësaj situate është e thjeshtë: Nga njëra anë qytetarët e solidarizuar që po dhurojnë nga paratë e tyre për banorët e Gërdecit (edhe pse njëkohësisht paguajnë edhe taksat për të mbushur buxhetin e qeverisë), dhe nga ana tjetër, qeveria “Berisha” që ka bërë ndërmend të kompensojë buxhetin e saj, me paratë e dhuruara nga qytetarët.
Gjendja e llogarisë së dhurimit
LEK 8003890900 1,555,615
EUR 8000890900 2,666
USD 8002890900 20,030
GBP 8001890900 100
Box
Vendimi
MIRATIMIN E BURIMEVE DHE TË PROCEDURAVE TË FINANCIMIT TË DËMEVE PASURORE TË SHKAKTUARA NGA AKSIDENTI TEKNOLOGJIK I GËRDECIT
Në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës dhe të Ligjit Nr.9836, datë 26.11.2007, “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave:
V E N D O S I:
1. Financimi i dëmeve pasurore, të shkaktuara nga aksidenti teknologjik i Gërdecit, bëhet në përputhje me listën dhe vlerën përkatëse, të miratuara në Vendimin Nr.336, datë 24.03.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e vlerës së dëmeve, të shkaktuara në objektet, pronë private, si rrjedhojë e aksidentit të ndodhur në Gërdec”.
2. Burimet e financimit të dëmeve pasurore, sipas vendimit të sipërpërmendur, në vlerën 1 572 milionë lekë, janë, si më poshtë vijon:
a) Dhurimet e derdhura në llogaritë bankare, të hapura për këtë qëllim, në masën 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekë;
b) Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave, në masën 800 000 000 (tetëqind milionë) lekë;
c) Fondi i Kontigjencës, në masën 622 000 000 (gjashtëqind e njëzet e dy milionë) lekë.
Dhurimet, nëse rezultojnë mbi vlerën e mësipërme, të rimbursojnë Fondin e Kontigjencës.
3. Financimi i dëmeve të përfituesve bëhet vetëm në llogaritë bankare, të hapura në emër të tyre, duke zbatuar procedurat e mëposhtme:
a) Njësitë e qeverisjes vendore, në mbështetje të listave të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, hartojnë listë-pagesat përkatëse.
b) Listë-pagesat përmbajnë: emrin, atësinë dhe mbiemrin e përfituesit, vlerën e dëmshpërblimit dhe referencat e llogarisë bankare.
c) Njësitë e qeverisjes vendore depozitojnë në Ministrinë e Financave listë-pagesat, zyrtarisht dhe në formë elektronike.
ç) Ministria e Financave, në mbështetje të listë-pagesave, të përmendura në shkronjën “b”, të pikës 3, të këtij vendimi, urdhëron kryerjen e pagesës nga llogaria e hapur për këtë qëllim në Bankën e Shqipërisë, drejtpërdrejt në llogarinë bankare të përfituesve.
4. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA


1 Prill 2008 @ 10:15 am
un isha ne nje qender dhurimi, ku njerezit vinin dhe jepnin lek, euro, dollar, pound, e kush nuk kishte na keto sillte rroba, batanije e jorgan…sepse shqiptaret ne dite te veshtira dine te jene mbeshtetje per njeri tjetrin..sic ishim per hebrenjte gjate LDB, me camet kur i perzuri greku, e me kosovaret kur u turren serbet. me beri pershtypje nje burre qe erdhi qe na porcelani e me bertiste “pse duhet ti jap un lek qeveris per krimet e sali berishes”, “pse ti paguaj un faturat e tij, ti nxjerr ai leket qe ka vjedhur” u mundova te arsyetoja me te, por ishte e pamundur, dhe i vura etiketen “i marre”. tani e kuptoj se ai kishte te drejt..se e marra isha un e shume te tjere si une qe kujtuam se per nje cast ky trapi qe kemi vene ne krye do te mendonte per popullin..harrova qe ai nuk mendoi per popullin ne 97, ose kur theu embargon e naftes me serbin…ndersa gerdecat kishin nevoj per keto fonde ne me shume se kurr kemi nevoj qe per nje cast keta burracak e tradhetar qe jane duke e q.re shqipen e shkrete te ikin…ua bejm hallal cdo gje vec kuptoje qe ka ardh koha te ikesh..a nuk u ngope valle?
1 Prill 2008 @ 10:54 am
“Saliu thote:”
2. Burimet e financimit të dëmeve pasurore, sipas vendimit të sipërpërmendur, në vlerën 1 572 milionë lekë, janë, si më poshtë vijon:
a) Dhurimet e derdhura në llogaritë bankare, të hapura për këtë qëllim, në masën 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekë;
b) Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave, në masën 800 000 000 (tetëqind milionë) lekë;
c) Fondi i Kontigjencës, në masën 622 000 000 (gjashtëqind e njëzet e dy milionë) lekë.
Sali plehera shto ketu edhe leket e mbajtura nga rrogat e gjithe nenpunesve te shtetit.