Fjala e Presidentit Topi në një pritje për përfaqësues të mass-medias me rastin e Vitit të ri
Burimi: Zyra e shtypit e Presidentit te Republikes
27 dhjetor 2007
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha sot në mbrëmje një pritje në “Pallatin e Brigadave” për përfaqësues të medias elektronike dhe asaj të shkruar me rastin e Vitit të Ri 2008.
Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, Kryetari i Shtetit u shpreh:
“Të nderuar gazetarë, përfaqësues të medias së shkruar dhe asaj elektronike,
Të nderuar miq,
Është një kënaqësi e veçantë për mua që takohemi sonte këtu në vigjilje të Vitit Ri 2008. Tashmë është bërë traditë që njerëzit takohen në fund të vitit jo vetëm për të uruar për vitin e ri, por edhe për të lënë pas ndoshta momentet e hidhura të vitit që kaloi dhe për të vlerësuar momentet më të bukura që kemi kaluar së bashku. Ndoshta është një auditor me të cilin unë e kam më të vështirë se në çdo vend tjetër sepse jeni pjesa më e kualifikuar e shoqërisë përsa i përket komunikimit publik dhe sigurisht që duhet të jem më i kujdesshëm me ju, por duke parë anën tjetër të medaljes,pra që pjesën më të madhe të kontigjentit të gazetarëve, të opinionistëve unë i kam miq të vjetër ende pa u përfshirë madje në politikë dhe me një pjesë më ka lidhur karriera politike, por ju siguroj që nuk kam të njohur të rinj gjatë periudhës që jam në pozicionin e Presidentit, kjo më bën që të ndjehem më i lirshëm në komunikimin me ju.
Ka qenë vazhdimisht në bindjet e mia, madje gjatë karrierës njeriu nuk ndjehet gjithnjë konfort, por ka edhe situata të vështira edhe besoj që mbështetja reale dhe psikologjike ka qenë gjithmonë tek kontigjenti i medias së lirë, të cilët realisht kanë qenë realistë, madje më realistë se zëra të spikatur të politikës. Politika, qoftë kjo politika parlamentare, qoftë politika e ditës ka nevojë për zërin tuaj. Ju jeni njerëzit që realizoni atë komunikim vital midis institucioneve, politikës dhe publikut dhe për mua personalisht dhe jo vetëm për mua, por për pjesën më të madhe të shoqërisë jeni pjesa më e vlerësuar. Pa dashur të zgjatem në këtë komunikim me ju dëshiroj sinqerisht t’ju falenderoj që keni ardhur këtu sonte, dëshiroj t’ju siguroj që do të jem gjithmonë i hapur për mediat, i komunikueshëm me të gjithë personazhet e nderuar të botës së medias dhe së bashku të punojmë për të krijuar një terren të vërtetë, i cili do të shërbejë që publiku të komunikojë më mirë nëpërmjet jush, zëri i qytetarit të shkojë nëpërmjet jush edhe aty ku nuk dëgjohet, por nga ana tjetër të punojmë së bashku që edhe mjaft probleme që janë midis jush, sepse media është bërë gjithnjë e më kompetitive dhe sigurisht ka nevojë për një përmirësim edhe të legjislacionit, por edhe të imazhit, do të më keni natyrisht mbështetje për të punuar së bashku jo thjesht në funksion reciprok të të dy anëve, por në funksion të informimit realist të qytetarit, i cili ka shumë nevojë për një komunikim të drejtëpërdrejtë. Unë edhe një herë ju falenderoj, ju falenderoj për të gjithë misionin tuaj, për gjithçka që ju keni bërë dhe jam i bindur që viti që vjen do të njohë suksese të reja për juve dhe të gjithë së bashku ne do të kemi mundësi që të përjetojmë evenimente që do të jenë madhore për historinë e kombit tonë, duke filluar me pavarësinë e Kosovës dhe me përballimin me sukses të sfidës së parë që ka Shqipëria me integrimin në NATO. Edhe një herë ju falenderoj, ju uroj një vit të mbarë së pari shëndet dhe lumturi në familjet tuaja!
Faleminderit!”
Në vijim, në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, Presidenti Topi është takuar e përshëndetur nga afër me të gjithë të pranishmit në këtë pritje ku nuk kanë munguar as fotot-kujtim.

Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.