Identifikohu



Regjistrohu

Fitore në disfatë

Nga Besnik Gjongecaj
Gazeta Tema

Pas një beteje të gjatë midis dy varianteve alternative mbi projektligjin për arsimin e lartë, variantit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe atij të Asamblesë së Profesoratit, më në fund Parlamenti miratoi projektligjin e ministrisë, pa reflektuar pothuajse asgjë nga ato që Asambleja e Profesoratit Shqiptar kërkoi që të ishin pjesët më esenciale të një ligji demokratik dhe modern. Megjithëse shumë serioz në përpjekjet e tij, duke shkuar deri në pikën e përgatitjes edhe të një varianti të plotë të projektligjit, të ndritshëm në krahasim me variantin e ministrisë, profesorati nuk u dëgjua dhe ç’është më e keqja, gjatë gjithë kohës, pra në më shumë se një vit e gjysmë përpjekjesh, drejtuesit e ministrisë e anashkaluan këtë përpjekje, bënë gjasme sikur nuk e dinin, nuk e njihnin, pra e injoruan publikisht. Ishte një injorim që iu bëhej profesorëve që kishin shpenzuar krejt jetën e tyre në universitet. Një injorim i bërë nga çifti Pollo-Kumbaro (Gjonaj), pra nga dy drejtuesit më marzhinalë që ka pasur ndonjëherë Ministria e Arsimit në krejt historinë e shtetit shqiptar, përfshi edhe atë të totalitarizmit. Gjithsesi, injorimi ishte paksa i veçantë, pra nuk ishte thjesht një heshtje. Ishte një heshtje e zëvendësuar me intrigë. Në debatin që në fakt kishte vetëm dy palë, pra në debatin e vendosur totalisht midis ministrisë dhe profesoratit, u fabrikua një palë tjetër, konferenca e rektorëve, e cila kishte heshtur gjatë gjithë procesit të përgatitjes së projektligjit. Rektorët heshtën kur profesorët kërkonin të bashkëpunonin me ministrinë për përgatitjen e projektligjit. Ata heshtën kur profesorët shpjeguan publikisht parimet që duhet të sendërtoheshin në ligj, në nenet e tij, për të krijuar diferencën e thellë midis ligjit ekzistues dhe një projektligji që do të ndryshonte universitetet. Ata heshtën kur profesorët dolën publikisht me variantin e tyre të projektligjit, pasi panë që bashkëpunimi me ministrinë ishte i pamundur. Kishin heshtur, jo vetëm se nuk kishin ide në kokë për të shkruar një ligj të ndryshëm nga ligji ekzistues, por mbi të gjitha se ishin të paligjshëm që pas 14 marsit të 2006 dhe si të tillë, pra si shkelësit më të mëdhenj të ligjit, të paktën moralisht nuk mund të dilnin në publik edhe si formuluesit e tij. Pas kësaj heshtjeje të gjatë, çuditërisht, ata filluan të shfaqen ndryshe, kurajozë, shpërfillës, por edhe “të shqetësuar” dhe përfundimisht “u kujtuan” që kishin vërejtje për të bërë. Ata formuluan 21 vërejtje për Komisionin parlamentar të Arsimit, por ngado e sido që t’i rrotulloje ato vërejtje, gjithçka përfundonte vetëm në një pikë: rektorët veçanërisht, por edhe shumë autoritete të tjera universitare, shqetësoheshin vetëm për zgjatjen e mandatit të tyre dhe këtë e bënin në emër të autonomisë universitare. Të gjithë luftën e fokusuan te nenet 23, 64 dhe 95, pra te nenet që përshkruajnë kohëzgjatjen e mandatit të rektorëve dhe bordin si pjesë e strukturës përzgjedhëse të autoriteteve qeverisëse të universiteteve. Të krijohej një përshtypje e dyanshme, e cila nuk është shumë larg realitetit, përkundrazi. Të krijohej përshtypja që nenet e përmendura u shkruan qëllimisht në projektligj nga dyshja e ministrisë, pra nga Pollo-Kumbaro (Gjonaj), (më vonë, dyshja hoqi dorë lehtësisht nga neni 95 p.sh, gjë që tregon që përshtypja se ishte vënë qëllimisht është shumë realiste), me qëllimin e vetëm që rektorët, të cilët kanë demonstruar shumë herë që janë njerëz pa ide dhe të zgjedhur nga grupet e të paaftëve, të mund të gjenin në këtë projektligj diçka që vërtet i prekte interesat e tyre, pra të “ngacmoheshin” apo të “eksitoheshin”, si e vetmja mënyrë për t’i detyruar të nisnin një përpjekje që të mund të çonte në formimin e një qëndrimi “të ri”, rrjedhimisht edhe të një pale të re në debat. Sigurisht që, ata do të duhej të ishin të kujdesshëm në kuptimin që ky qëndrimi të ishte në “të mirë” të autonomisë universitare, që përpjekja të bëhej në emër të “përmirësimit” të projektligjit, të reformave. Dhe, pastaj nuk duhej të harrohej kryesorja: përpjekja duhet të ishte e tillë që të mund të tërhiqte vëmendjen e opinionit publik, si e vetmja mënyrë për të lënë në hije variantin e profesoratit, pra për të lënë në hije të vetmen përpjekje serioze, oponencën e vërtetë në fund të fundit, ndaj të cilës, dhe këtë dyshja e ministrisë e kishte kuptuar shumë mirë, nuk mund të fitonte kurrë, nëse beteja do të ishte e ndershme.

Gjithsesi, të gjithëve na dukej në atë kohë se, pothuajse ishte e pamundur që ajo çfarë rektorët propozonin dhe që thjesht kishte lidhje me zgjatjen e mandatit të tyre, pra që në fund të fundit ishte një manipulim i ligjit për hatër të interesave të tyre personale, të mund të errësonte qëndrimin e ndritshëm të profesoratit. Ky i fundit përcillte ide të mbështetura tërësisht mbi standardet e botës universitare të qytetëruar, mbi çështje themelore të tilla si misioni i ndryshëm në universitete të ndryshme, si promocioni akademik i mbështetur mbi misionin e një universiteti të veçantë dhe jo mbi sistemin universitar, raportet midis qeverisjes, autonomisë dhe formës përmes së cilës realizohet demokracia universitare, organizimit të kërkimit shkencor mbi baza thellësisht kompetitive e deri te çështje që lidhen me ato struktura që do të merrnin përgjegjësitë që nuk merreshin nga një universitet i veçantë, por që i takonin krejt sistemit të arsimit të lartë. Ishte vërtet e pamundur që vërejtjet e veçuara, rastësore dhe të bazuara mbi interesa strikt personale të rektorëve të mund të zëvendësonin variantin solid, të dallueshëm mirë, të paraqitur nga profesorati. E pamundur na dukej që memecëria dhe ajo varfëri intelektuale e rektorëve t’i shndërronte ata në palë një ditë. Aq më e pamundur na dukej që kjo palë të mund të zëvendësonte konceptin ligjor të profesoratit në debatin parlamentar dhe aq më shumë, në sytë e opinionit publik. Por, shumë shpejt u bë e qartë që beteja ishte e padrejtë, sepse ishte e pabarabartë, për të paktën tri arsye.

Së pari, varianti i projektligjit të përgatitur nga ministria u paraqit në universitetet e vendit me idenë e diskutimit të tij. Ministria përdori rektorët për të organizuar këtë diskutim, për të mbledhur vërejtjet e pedagogëve dhe për t’ia çuar ministrisë me idenë e reflektimit ndaj tyre. Kjo është ajo që duket, por po të mundohemi të shohim nën sipërfaqe do të marrim një pamje fare tjetër. Projektligji i çohej në mëngjes një departamenti të caktuar p.sh dhe kërkohej që të diskutohej dy orë më vonë, pra pa u parë dhe studiuar nga pedagogët dhe sikur të ishte diçka jo relevante, që nuk do të kishte lidhje kurrë me fatin e tyre, pra si të ishte diskutim për një tajfun që pritej të godiste brigjet juglindore të kontinentit aziatik. Ishte një proces fare formal, i panevojshëm dhe që në këtë pikëpamje i ngjante tërësisht tërheqjes së vijës së masave në kohën e “qoftëlargut”. Ky proces ishte edhe një alibi. Si i tillë, ai u përdor për të “lajmëruar” opinionin publik që është marrë mendimi i profesoratit, prandaj kot e kanë ca të tjerë që shqetësohen për gjëra thelbësore që nuk shkojnë dhe në emër të këtij profesorati. Ishte një përpjekje për të shuar oponencën e vërtetë të profesoratit, për të eliminuar atë si palë. Ishte e turpshme, gati-gati një akt gangsterizmi, sepse u manipulua i gjithë procesi dhe akoma më shumë, sepse ishte një poshtërim i rëndë që u bëhej universitarëve.

Së dyti, veçanërisht mediat e majta i dhanë në mënyrë të njëanshme akses për të komunikuar me publikun ministrisë, rektorëve dhe disa analistëve që vetëm me organizimin e universiteteve si institucione nuk kanë haber. U bë e pamundur që përfaqësues të profesoratit të ftoheshin në ekranet e tyre për të debatuar këtë projektligj. Në thelb, ky ishte një manipulim, sepse edhe sikur të linim mënjanë njohjen shumë sipërfaqësore të të përmendurve, çka objektivisht i largonte ata nga e vërteta, apo dëshirën që mezi e fshihnin për të ndërtuar një projektligj që do t’i krijonte hapësira, jo universiteteve, por etjes së tyre për pushtet dhe para, pasqyrimi disproporcional i qëndrimeve e thelloi akoma më shumë karakterin manipulues të medias. Rezultati ishte i qartë, i parashikueshëm: gjithmonë e më shumë ministri dhe rektorët, ashtu periferikë në të gjitha pikëpamjet, po ravijëzoheshin si palë në sytë e opinionit publik, ndërsa ata që duhet të dëgjoheshin, pra profesorati, gjithmonë e më shumë po tretej dhe mjegullohej në ndërgjegjen e publikut të gjerë.

Së treti, raportet e çuditshme të politikës ndaj këtij projektligji i krijuan një komoditet goxha të madh dyshes së ministrisë dhe rektorëve në realizimin e manipulimit të opinionit publik. E majta heshti ndaj projektligjit dhe ndaj të gjithë procesit të prodhimit të tij. Kishte arsye për ta bërë këtë. Para së gjithash, projektligji ishte ndërtuar mbi një konceptim apo mentalitet të majtë, thjesht dhe jo vetëm për faktin e centralizimit të pushtetit në duart e pak njerëzve dhe jashtë universiteteve. Projektligji u jepte mundësi ligjore përfaqësuesve të së majtës të vazhdojnë të ruajnë postet drejtuese, pra të vazhdojnë të ruajnë monopolin politik të së majtës në tregun universitar dhe pastaj, e majta kishte garanci që procesi i përgatitjes së këtij ligji ishte në favor të saj, pasi edhe njerëzit e thirrur për përgatitjen e tij, të zgjedhur njësoj si ata që zgjidhen për të ruajtur kutitë e votimit, ishin kryesisht të majtë dhe tërësisht ekstremistë si të tillë. Në këtë kontekst, e djathta duhej të ngrihej në këmbë, të revoltohej, të ulëriste, por nuk ndodhi fare kështu. E djathta heshti dhe e justifikoi heshtjen me atë që qeveria e saj di se ç’bën. Disa deputetë të së djathtës bënë edhe më shumë, dolën në mbështetje të këtij projektligji, të motivuar në shumicën e rasteve nga cektësia e gjykimit apo edhe nga shkaqe që mbeten, sidoqoftë, për t’u gjykuar më vonë.

Me siguri ka edhe arsye të tjera që luftën për projektligjin e arsimit të lartë e shndërruan në një luftë të pandershme, të manipuluar dhe prandaj edhe të pabarabartë. Në këtë luftë që bëhej për të ruajtur pushtetin e së majtës në tregun universitar, për t’i dhënë pushtet dyshes Pollo-Kumbaro (Gjonaj) dhe jo universiteteve dhe strukturave të tyre, ministria manipuloi opinionin publik, duke krijuar një palë satelit në debat, pra konferencën e rektorëve, duke shkëputur nga konteksti dhe zmadhuar çështje që mund të bëheshin irrituese si psh ajo e “bordeve” dhe në këtë mënyrë arriti të zhvendosë në një masë të madhe nga vëmendja e opinionit publik qëndrimin e profesoratit, si të vetmin qëndrim që çonte në bërjen e Shqipërisë me një ligj demokratik dhe modern; me një ligj që do të kishte një fuqi të mjaftueshme për të ndryshuar universitetet tona.

Në vend të mbylljes

Është një novelë të cilën nuk ngopem kurrë së e lexuari. Kjo është novela e famshme “Plaku dhe Deti”, për të cilën Heminguej mori edhe çmimin “Nobel”. Nuk më hiqet nga mendja fitorja e plakut, e cila bëhej akoma më e bukur, jo vetëm sepse kapja e peshkut vinte pas muajsh të tërë gjuetie të pafat, as sepse madhësia e peshkut të zënë ishte e rrallë prandaj edhe vetë peshku aq madhështor, por pikërisht për shkak të luftës për jetë a vdekje që bëri ky plak për të mos ua dhënë fitoren peshkaqenëve. Vjen një ditë dhe peshkaqenët ta marrin fitoren, megjithatë. Ishte një fitore e madhe, megjithëse në disfatë. Gjithsesi, plaku ishte krenar për të, më shumë se ç’mund të qe për një fitore të vogël, të dyshimtë, që me siguri do të harrohej shpejt.

Profesorati shqiptar është krenar që përgatiti për herë të parë në Shqipëri një projektligj (varianti i profesoratit), ku janë sendërtuar njëkohësisht standardet e sistemeve të përparuara dhe është realizuar edhe përputhshmëria me realitetin shqiptar. Konceptet demokratike dhe moderne të profesoratit mbi organizimin e universiteteve, megjithëse u refuzuan nga ministria dhe nuk u miratuan në Parlament, tashmë janë bërë pjesë e mentalitetit të universitarëve dhe me siguri, kjo gjë do të kthehet në një forcë të madhe ndryshuese në një të ardhme të afërt. Kjo ishte një fitore e madhe, megjithëse në disfatë, gjë që e bën më të bukur atë, fitoren; e bën të paharrueshme, gati për t’u rikthyer së shpejti.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.