Login



Register

Firma “Camuzzi” përgënjeshtron qeverinë pas 7 muajsh. Reagon opozita: “Premtimet e Berishës janë demagogji”

Habjon Hasani (Gazeta Albani)

Iku Prodi, iku dhe “Camuzzi”! Ky duket se është rezultati pas një deklarate të beftë të bërë dy ditë më parë nga selia e kësaj firme në Milano, e cila ka deklaruar se ”nuk parashikon dhe nuk ka aspak në plan, madje nuk ka pasur kurrë një projekt për ndërtimin e ndonjë centrali bërthamor me qeverinë shqiptare”. Në fakt kjo firmë u paraqit në mënyrë publike nga qeveria disa muaj më parë si një nga dy firmat që kishin shfaqur interes në ndërtimin e këtyre centraleve në Shqipëri. Njoftimi zyrtar për përfshirjen e kësaj firme në projektin e centralit bërthamor erdhi fill pas vizitës së ish-kryeministrit Romano Prodi në Tiranë. Përfshirja e kësaj firme u konfirmua edhe nga disa media italiane asokohe. Megjithatë, duket se “Camuzzi” “është zgjuar” pas shtatë muajsh duke e përgënjeshtruar në mënyrë paksa të ashpër këtë fakt. “Ne jemi një firmë që investojmë në gazsjellëse“, - deklaron “Camuzzi” duke nxjerrë blof qeverinë shqiptare sikur të kishte ngatërruar adresën, ose më saktë gazin me atomin. Por ky reagim i “Camuzzi”-t është paksa i vonë dhe ndoshta nuk do të ishte e tepërt të thuhej se është edhe pak inatçi në kushtet kur kjo firmë nuk e bëri përgënjeshtrimin për muaj me radhë, por vetëm atëherë kur në lojë hyri “Enel”, e cila shfaqi publikisht interesin ndaj ftesës së Berishës dy javë më parë.
Opozita
Ashpër e ka komentuar këtë deklaratë të “Camuzzi”-t Taulant Balla, deputet i PS-së. “Kryeministri Berisha, sa herë që dështon në një fushë të caktuar të ekonomisë, mundohet të gjejë zgjedhje në demagogjinë dhe blofet e veta. Demagogji dhe mashtrim duket se është edhe blofi i kryeministrit për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri”, - ka deklaruar Balla. Por ndonëse opozita e paraqet deklaratën e “Camuzzi”-t si një rezultat i mashtrimeve të qeverisë, i sigurt është fakti se nëse ka qenë mashtrim nuk ka qenë vetëm i qeverisë shqiptare, por edhe i mediave italiane. Megjithatë “Camuzzi” nuk pipëtiu asnjë fjalë për ditë të tëra, ndërsa mediat artikulonin planet e saj për ndërtimin e centraleve bërthamore në Shqipëri.
Deklarata
Strumbullari i gjithë kësaj historie është bërë njoftimi për shtyp i faqes zyrtare të Kryeministrisë pak kohë më parë. ”Pasi i kanë raportuar për ecurinë e investimit të tyre në ngritjen e një fabrike për prodhimin e pjesëve të këmbimit për industrinë bërthamore në Durrës, përfaqësuesit e ‘Camuzzi Holdin sps’ i kanë prezantuar kryeministrit Berisha interesin e kompanisë së tyre dhe të ”Westinghouse” (një kompani e mirënjohur kjo në Amerikë për prodhimin e reaktorëve bërthamorë), për të prodhuar edhe në Shqipëri energji bërthamore. Kryeministri Berisha, pasi ka prezantuar situatën energjetike në Shqipëri, me programin dhe reformat që ka ndërmarrë qeveria në këtë drejtim, u ka bërë me dije përfaqësuesve të këtyre dy kompanive se qeveria që ai drejton është e hapur për futjen e energjisë bërthamore në Shqipëri. Pasi të vlerësohet dhe të studiohet në mënyrë të gjithanshme problemi, në kuadrin e përfshirjes së të gjitha alternativave për të siguruar energjinë elektrike në vend, do të konsiderohet edhe ndërtimi i një centrali bërthamor në Shqipëri”, - përfundon deklarata, e cila është përgënjeshtruar nga “Camuzzi” dy ditë më parë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente

  1. gjipeja thotë:

    14 June 2008 @ 9:36 am

    Jane bere normale rreshqitjet e “berishes”. Mashtrimet, demagogjite po na duken si aksidente pune, e duke qene aq shume, po humbasin vleren e duke harruar faktin qe “asgje nuk ndodh rastesisht”, aq me teper kur flitet per nje industri te tille berthamore qe e mijta e atomit te ben gjemen. Nejse… ne e votuam, ne ti mbajme peshqesh politikat don Kishotiste te shefit qe po na duket is “perandor” nga dita ne dite, e qe s’e vret mendjen fare per skandale, lapsuse, vjedhje, mashtrime… justifikohet, nxjerr ca alibi pa lidhje me ceshtjen e maksimumi ja hedh fajin ndonje tjetri…
    “Viva L’Imperatore” para se ti vere zjarrin “Romes”

  2. Ll Shkruaji mesazh privat thotë:

    14 June 2008 @ 9:41 am

    “Pasi të vlerësohet dhe të studiohet në mënyrë të gjithanshme problemi, në kuadrin e përfshirjes së të gjitha alternativave për të siguruar energjinë elektrike në vend, do të konsiderohet edhe ndërtimi i një centrali bërthamor në Shqipëri”

    S’ka asgje te paarsyeshme ne pohimin e mesiperm e po te ishin treguar pak me te matur me premtimet fillestare askush s’do te kishte pasur mundesi qe ta quante mosvazhdimin e interesit si “pergenjeshtrim”.

    Gjithsesi do te isha kurioz te dija si po ecen projekti per ndertimin e fabrikes per pjese kembimi; tingellon pak ambicioz per nje vend si ky i yni pa ndonje baze ekzistuese pervoje ne kete fushe.

  3. artian thotë:

    14 June 2008 @ 10:26 am

    Kur te plas cipa..nuk te ben me` pershtypje, njerzeve qe ne 1997 u ka vajtur buza mbrapa, qe Berisha nuk vlen me as edhe nje lek ne politike,bile do te thoja as edhe aktivist ne lagje tone nuk do ta hedhja voten per te !
    Ai eshte nga ata njeres, qe per nje qep prish gjithe dasmen!Karte e djegur me kohe!Vlen vetem per histori te shkuar!Jo te ardhme me Berishen!

  4. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    14 June 2008 @ 10:38 am

    Camuzzi nuk u “zgjua” pas shtatë muajsh, por reagoi pas “gadishmërisë” së Berishës për ta dhënë si të sigurtë ndërtimin e çentralit bërthamor prej italjanëve në Shqipëri (në intervistën e tij tek Corriere della sera)

  5. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    14 June 2008 @ 10:42 am

    ”Westinghouse” (një kompani e mirënjohur kjo në Amerikë për prodhimin e reaktorëve bërthamorë)

    Një nga çentralët e ndërtuar nga kjo “kompani e famëshme” është ai i Sllovenisë që pati probleme para disa kohësh dhe që për 24 orë ja futi tmerrin kançelerive të gjithë europës :) .

  6. Idris thotë:

    15 June 2008 @ 3:27 pm

    Nje nga Sofizmat e shkolles se vjeter ka qene:
    “”"”Genjeshtari edhe kur thote te VERTETEN ai genjen sepse eshte genjeshtar”"”"
    Hiqni “Genjeshtar” dhe zevendesojeni ate me SALIU i Pare i Berishajve dhe zere se i ngjallet nga vdekja SOFISTET e para dymije vjeteve.

  7. pjetri thotë:

    16 June 2008 @ 6:29 pm

    Sikur te ishte me te vertete Berisha Shkaku i çdo te keqeje ne vend atehere socialistet duhet te jene “engjuj”!!!!!Ata qe kerkojne te identifikohen me identitetin e nje Kryeministri nuk kane identitet per vete.Te djathet nuk kane nevoje te identifikohen me personalitetin e Kryeministrit pasi ata kane nje besim te madh ne vetvete dhe nje identitet te forte personal.Jo me kote dhe kudo te djathtet jane dhe me atdhetar e jo ………. .

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.