Fiqtë e lashtë

fiq.jpg

“Qaje si femër, atë që nuk ke
ditur ta mbrosh si burrë !”

Pasionarja

Qe fundqershori të atij vitit të mbrpashtë 1997. Kisha lënë punën në zyrë dhe, tek po kthehesha si zakonisht për në shtëpi, u ndala tek bëhej pazar për të blerë ndonjë frutë apo perime të stinës.
S’qe ndonjë treg kushedi se çfarë, por, sidoqoftë, aty mbi trotuar mund të gjeje çdo gjë. Treg i lirë hesapi. Oferta nga më të ndryshme dhe ti si blerës vihesh në kërkim. Je qerrata i madh:lakmon mall të mirë dhe, mundësisht, sa më lirë, duke harruar për një çast se ata të ngulurit atje mbi trotuar janë bërë që të gjithë”zanatçinj” që për të fituar sa më shumë edhe mallin kallp ta shesin për flori. Unë jam blerës pak torollak dhe as që ia them kësaj pune. E shoh me sy një mall, pyes për çmimin dhe, pasi marrë atë që blej, paguaj paratë dhe kurrë nuk hyj në pazar për më pak apo për më shumë. Kështu më ndodhi dhe atë mesditë qershori dhe për të cilën dhe po shkruaj. Gjeta fiq të lashtë që një mesogrua i kishte mbi një shportë apo kaçile siç quhet shporta në Myzeqe. I fus kokrrat në një qeskë polieteleni (Sika, ime shoqe, kurrë nuk më linte pa një të tillë !) dhe, pasi e mbusha mirë, i them asaj gruas që t’i peshonte. I nguli gremçin e kandarit të dorës qeskës dhe pashë që ishin dy kg. Tek po bëja gati t’i jepja paratë, pashë që djalë flokëgjatë, më i gjatë se unë dhe nja dy pëllëmbë, me automatik në krah, zgjati dorën në shportën e fiqëve dhe, si e qëroi me nge, e kollofiti një kokërr. Pronares i kaloi një përskuqje në fytyrë dhe, megjthatë, nuk e dha veten. Leshragjati vazhdoi me kokrrën e dytë, tamëm si në bahçen e tij dhe, kur po përgatitej të hidhte dhe të tretën, ajo grua fisnike që sapo më dha rrestin mua, i tha:

-Ore bir i nënës, unë kam dalë për hall këtu dhe ti, po deshe të blesh, merr dhe tërë shportën, po unë dua paratë.
Ai: -Po unë tërë shportën do e marr dhe do e marr, po do të marrë dhe ty se e di se sa më është “trashur”, apo s’qenke ti si patë njetkëz.

Ajo nga e kuqe në fytyrë, tani erdh dhe u nxi, unë dhe të tjerët ca më keq. Dhe po t’i shihje, vërtet që nga mosha ai ish sa një prej fëmijëve të saj. U përlot e varfëra dhe, përmjet lotësh, i tha kësaj bishe, dalë nga shpellat:-Oh, po qe kështu, ka dhe nëna ca njerëz që të tregojnë vendin. Bisha tani ungëlliti:-Ty me gjithë shportë për sot të kam mjaft, nesër më sill dhe motrën dhe, ndërkaq, zgjati dorën për ta kapur. Fatkeqja ia mbathi e lemeritur dhe po njësoj u lemeritëm të gjithë aty rrotull. Na dukej sikur dikush, një apokalips na kish godtur aq fuqishëm, sa kishim prerë gojën dhe nuk bëmë as gëk as mëk. Ky, shpellari, tek pa atë fatkeqe duke rendur ia dha një të qeshuri si gjëmimë dhe, pasi mori shportën, iku për në “shpellën e tij”. Unë jam azmatik dhe nga ky stresim i vërtetë pësova një si gërç në frymëmarrje, mushkëritë filluan “zhurmën” çjerrëse dhe rruga nga asfalt më dukej se qe me gropa të mëdha. Aq të mëdha sa doja që të futesha brenda nga ky turp që mbijetova. Jo vetm më vinte keq për atë grua fisnike që një delenxhi, një plehre, një halabak, i mori erzin dhe, nga ana tjetër, më vinte turp nga vetja që nuk qeshë i zoti që t’i thosha ndal kësaj goje zezonë. Por të rrah gjoksin, është krejt kot. Jo vetëm unë, po askush në gjithë atë pazar(qe a s’qe vendi rreth 50 metro katrore !)nuk hapi gojë. Po si mund të hapje gojë, kur kallashi e kish bërë këtë përbindësh me krahë. Në ato momente(dhe tani më ngrihem flokët gjëmb !)thosha:-Ah, të kisha një armë në brez dhe t’ia numëroja mu në lule të ballit këtij lapardhari që kish vënë fletë. Tek ecja rrugës për në shtëpi, bëja vetgjyqësi me veten time dhe, kur mbërrita tek ura e Gjanicës, që është në të dalë të qytetit kur shkon për Lushnjë, e flaka qeskën me gjithë fiq. Sikur me këtë gjest doja të shpëtoja nga një makth që nuk më ndahej. Në shtëpi hyra nën trysninë e këtij përjetimi të lig dhe, natyrshëm, ime shoqe e vuri re. Se me kë bërë fjalë, -tha ajo, -sa më pa. Jo, -i thashë. E, si jo? Po ti dukesh që në fytyrë, pastaj unë të dëgjova që në fund të shkallëve që po vije(banoj në kat të dytë !)se të çirreshin mushkëritë. Desha s’desha i tregova. Dhe ime ëmë, e shkreta(mjerisht, tani nuk rron më !)më thotë:-Bir, nuk është kohë për trimëri tani. Armët janë sheshit. Ai, birbua, ka për ta gjetur belanë, kur ta ketë mbushur kupën. Se kot nuk thonë:-Nuk ka faj ai që vret, po ai që vritet.
Sikur ma fashiti, pakësa, stresin ime ëmë, por nuk më hiqej nga kujtesa ajo grua që për t’i shpëtuar kthetrave të një delenxhiu mori vrapin. Dhe qe mesogrua. Më dukej vetja i vockël sa një liliput që nuk i dola dot zot. Dhe më erdhën në mend fjalët aq të arta që i ka thënë një grua. Më rrinë tamam pas shtatit. Janë ato fjalë që i vura në thonjëza për këtë ngjarje të jetuar në atë qershor të hidhur të vitit 1997. Dhe u “hakmorra”. Që prej 1997 as që më shkon mendja më për fiq të lashtë. Se sa shoh që shiten, më ravijëzohet portreti i asaj gruas fatkeqe që i mori erzin një delenxhi. Zëre se e përdhunoi. Po ai më përdhunoi dhe mua. Dhe të gjithë për rreth. Veç kur iku andej nga “shpella etij”, kurba e
trimërisë u ngrit drejt qiellit. Dyfeqe pas lufte !
* * *
Kish kaluar gati nja një muaj. Çdo mëngjes tek shkoja në punë, do shihja dhe afishat e nekrologjisë se mund të ndodhte që të ikte ndonjë i njohur dhe nuk e merrje vesh. Dhe, po nuk i vajte tjetrit për vdekje, unë them se me atë i ke prerë lidhjet. Kështu bëra dhe atë ditë(fund korriku 1997) kur ç’të shoh? Ishte ai. Flokëgjati i fiqëve të lashtë. Do ta njihja dhe në mes njëmijë fytyrave. Qe 23 vjet. E kishin qëruar. Për larje hesapesh. Dhe, sado që qe i ri, ndjeva një lehtësim. Thashë:-Vdekje, këtë radhë je zonja vdekje. Ke ditur kë ke marrë. Nga ana tjetër thasë:-Oh, pse nuk është këtu ajo gruaja që mori vrapin e llahtarisur nga ky vampir? Hyra që të pija kafe tek lokali i Kozma Gjatës(pothuaj kam qenë i “abonuar” atje !)dhe shoh doktoreshe X. . . , me të cilën kam shumë muhabet. Erdhi dhe më tregoi:
-Sapo lashë rojen. Qe shtruar një djalë i ri, me ca leshra të gjata. Kish marrë tri plagë në trup dhe nën ulërimat e dhimbjeve, dëgjova që i thoshte të atit:-Nga ty po vdes. Se po t’më kishe rrahur atëherë kur bëja ato prapësitë në lagje, nuk do kisha katandisur kështu. Dhe, sado që u munduam, nuk arritëm ta shpëtonim. Unë, mandej, i tregova historinë tjetër(këtë me fiq të lashtë)dhe, me të vërtetë, u tramaks. Se për t’u tramaksur është. Por , në fund të fundit, kjo ngjarje, sado e dhimbshem, nuk është e vetme. Sa kobe të tjera kanë ngjarë, ndoshta dhe më keq. Nga gjithë ky vit i mbrapsht, vallë a kemi nxënë? Se nga pësimet duhen nxjerë dhe mësime? Kemi nxjerrë, vallë? . . .

Përparim Hysi, 1997-2007
Dërguar për”peshkupauje” më 4 tetor 2007

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

21 Komente

  1. anonymus thotë:

    6 October 2007 @ 6:00 am

    shko fle gjume vella, kushdo te jeshe qe ke vene kete mandate, lerna ne te gedhime me djaj (brenda ne koke)!!!
    SERIOZISHT!!!

  2. Cheney thotë:

    6 October 2007 @ 8:52 am

    perparim,

    ke 10 vjet qe vuan rende nga azma besoj.. perendia ta shtoft hymrin..

  3. happy king thotë:

    6 October 2007 @ 9:04 am

    jo vetem qe ka 10vjet qe vuan nga astma…por edhe nga pasojat e ‘97…
    ma prishe mengjesin me kete post mer daje!!!

  4. adriatik thotë:

    6 October 2007 @ 12:09 pm

    Perparim, nuk mund te rrija dot pa thene dy fjale per tregimin tend te jetuar. Eshte e natyrshme qe njerzit qe shkruajne poezi dhe proze kane shansin te ndihen me te lehtesuar prej ngarkesave te teperta emocionale dhe streseve te jetes.

    Ti vertet munde te shkarkoje sado pak nje brenge apo pjese te brengave te jetes, ama ne kete rast me ke ndihmuar edhe mua qe te ndihem me mire kur kaloj nepermendje ate vit kulmor te prishjes se Shqiperise. Jam mbushur aq shume me ngjarje te 96-97 ne kujtese sa sikur te kisha jo pak talent, por nje fije a nje grime aftesie treguese, nuk do rrija pa i treguar njerzve per ate llagëm te Ferrit qe shpertheu ne Shqiperi.

    T’i kam lexuar edhe tregimet e tjera, por nuk mund ta fsheh admirimin per kete per kete copez historie te shkruar me te njejtin pasion qe shkruan edhe per dashurine. Deshiroj te shprehem hapur ashtu si perpiqesh edhe ti te jesh i sinqerte ne ato qe shkruan: Me pelqeu shume qe nuk kishe futur politike brenda.
    Urime dhe qofsh mire!

  5. jeta thotë:

    6 October 2007 @ 12:40 pm

    jo o perparim s’kemi zene mend. Cdo vit shihen ndryshime por jane shume te vogla. Na bere te ndihemi keq edhe ne. Tundim koken qe te harrojme por jo nuk shuajme dot asgje.

  6. klodi thotë:

    6 October 2007 @ 1:36 pm

    tytat e kallashit ……..ishin “partia” me e keqe e karakterit shqiptar ne 97′ . Kohet kane ndryshuar Papi , dhe po ndryshojne …….varet se car kerkojme dhe ne cfar kohe e kerkojme.

  7. Proff.EU thotë:

    6 October 2007 @ 1:41 pm

    Perparim, komplimentet e mia. Une ne ate kohe s’kam jetuar ne Shqiperi, mgjth tregimi yt ishte nje ilustrim qe perkonte me tregimet e tjera qe kisha degjuar nga njerezit e mi qe kam ne Shqiperi. Prekes!

  8. Danieli thotë:

    6 October 2007 @ 2:50 pm

    Perparim,

    Na solle te fresket ato dite te ‘97-es……. qe mos ardhshin kurre me!
    Kam perjetuar ngjarje dhe histori te tilla qe kur i kujtoj them me vete qe paskam qene me fat qe jam ende gjalle.

    Te uroj shendet dhe jete te gjate Perparim dhe ishallah kemi nxene mend por eshte zor ta besosh. Te paren gje qe bejme ne Shqiptaret eshte te hedhim duart ne kallash.
    Respekte!!!

  9. klodi thotë:

    6 October 2007 @ 2:59 pm

    eshte shum gabim te thuash qe tranzicioni ne shqiperi filloi ne 92′ ….viti “0″ i demokracise ne shqiperi eshte 97′ ……ndoshta “fillim i tranzicionit” nuk eshte term i denje ….por nuk dua te them ndonje term me te rende.
    Papi , ke nje menyre shum te pelqyer ne te shkruar …..komplimente pa fund.

  10. AR31 thotë:

    6 October 2007 @ 3:48 pm

    E adhuroj foton.

  11. doni thotë:

    6 October 2007 @ 4:46 pm

    Ne kete rast tregimi nuk eshte me shume se nje prej ngjarjeve qe ndodhnin cdo ditene vitin 97. Ai vit tregoi se cjane ne gjendje te bejne njerezit, se kusha jane ata ne te vertete. Mjere ne ckemi hequr ne ate vit, kur edhe buken shkoj ta merrje me arme ne krahe, ben vaki qe edhe kur flije me gruan ta kishe automatikun afer se ku i dihet mund ti shkrepej ndonjerit qe te vinte te te zevendesonte ne krevat. Gabimet qe harrohen perseriten thuhet ne nje fjale popullore,, ndajj druaj se po e harrojme shpejt 97. Nuk ka ndodhur ne historine moderne tee nje populli ajo qe ndodhi me ne, ndaj duhet ta kujtojme shpesh ate vit te mbrapshte ku te gjithe ishim protagoniste negative dhe viktima. KUsh nuk di nga vjen nuk di ku shkon.

  12. ITS thotë:

    6 October 2007 @ 6:03 pm

    Ah mer Pap, Pap… burre plak dhe asgje nuk paske kuptuar. Do te te jap une, nipi yt leksion per 97.

    Edhe gruaja qe shiste fiq, edhe ti, dhe une, dhe te gjithe njerezit e thjeshte , dhe aq me teper ai qyqar i humbur qe nuk do ti shhte te 24 pranverat, ishim viktima te njejta.

    Kriminelet e vertete qe na perdhunuan te gjitheve ne 97 i ke sot ne pushtet. Ate dhjam qe humben nga frika e anarkise a kane rivene 10x, dhe sot i ke perdite ne televizor duke pritur shirita perurimesh te pakuptimta…

    Mjere ne qe morrem rruget e kurbetit ate vit, dhe ky eshte kujtimi i fundit qe kemi nga ia vend.

  13. LlTako thotë:

    6 October 2007 @ 11:21 pm

    Jo ITS, ca prej atyre “njerzve te thjeshte” si ai me siper nuk ishin thjesht viktima, ishin edhe nidhmes ne ate rremuje. Per kete edhe e hengren ate (ose ato) koqe plumbi, nga “viktimat e tjera” te ngjashme me ta, nje shkalle me lart se ne “te humburit”

  14. Zana thotë:

    6 October 2007 @ 11:37 pm

    Hysi ;uroj qe duke e ndare me ne kete eksperience te tmerrshme te te sherbeje si terapi e te te beje me te lehte kete kujtim.
    Vertet ca njerez te vene ne ca kushte jane me keq se kafsha me e keqe.Bile me duket se po ju hyj ne hak kafsheve.Pergjegjesia eshte personale.Natyrisht jo te gjithe u bene te tille ne 1997.Jo te gjithe moren kallashet e dolen serbes.Ata qe e kerkuan me siguri do ta kene gjetur….

  15. emigrant thotë:

    7 October 2007 @ 12:52 am

    Perparim, FLM! Solid!

    Deri ne prurjen tjeter! Te mira!

  16. Pjer Thomas thotë:

    7 October 2007 @ 6:40 pm

    Perjetimi i ngjarjes ishte pershkruar bukur e thjesht, ashtu siç shkruan Papi. Viti 1997 ishte nje vit i keq per Shqiperine, fale politikes shqiptare dhe qarqeve te huaja qe nuk ia duan prosperitetin Shqiperise. Kjo tregoi dhe nje here se si popull jemi trullosur si asnje komb tjeter. Me kujtohen nja dy-tre dite kur ne Tirane s’kish as polici as dreq, dhe kur hajduta me makina e kallashe ne dritaren e makines vidhnin dyqane e familje , perdhunonin e friksonin njerzit e thjeshte. Kur filloi te dale policia me autokollone , veç kur filluan te meçifeshin neper vrimat e lagjeve, si minjt.

  17. blete thotë:

    7 October 2007 @ 11:14 pm

    me thene te drejten, mua e tere adoleshenca ime me kujtohet ashtu, e kaluar me frike e me stres, sepse nuk kishte kush te me ndihmonte, e nuk kishte kujt t’ikerkoja ndihme pervec vetes. te fusje prinderit e shoket ne mbrojtjen e vetes as qe behej fjale se ata do te perfundonin te vrare a te rrahur ne ndonje qosh.

  18. Kuqo thotë:

    7 October 2007 @ 11:42 pm

    Pergjegjesia eshte personale. Kush ka pranuar pergjegjesi per 97′? Asnje! Kush u vu perpara pergjegjesise ligjore ose politike per 97′? Asnje!

    97′ nuk ishte e domosdoshme. Edhe ne janar-shkurt 1997 ishte perseri e mundshme qe te parandalohej.

  19. emigranti thotë:

    8 October 2007 @ 5:01 am

    banania e hershme

  20. artan thotë:

    8 October 2007 @ 9:33 am

    Perparimi,tregon:

    Ah, të kisha një armë në brez dhe t’ia numëroja mu në lule të ballit këtij lapardhari që kish vënë fletë.
    ………………………………………………………………………………..
    Armët janë sheshit. Ai, birbua, ka për ta gjetur belanë, kur ta ketë mbushur kupën.
    …………………………………………………………………………………
    Më dukej vetja i vockël sa një liliput që nuk i dola dot zot.
    ………………………………………………………………………

    E kishin qëruar. Për larje hesapesh. Dhe, sado që qe i ri, ndjeva një
    lehtësim..
    ………………………………………………………………………………….

    Se nga pësimet duhen nxjerë dhe mësime? Kemi nxjerrë, vallë? . . .
    ……………………………………………………………………………………

    Tregimi eshte shume i bukur,te sjell ne mend vitet me erreta te koheve moderne ne Shqiperi., kur njerzit ishin ne meshiren e krimit te rruges,dhe atij ordiner.
    Vertet ndjen nje urrejtje per nje kriminel,(leshgjat)qe ishte konkret,por mua me vjen cudi edhe sot qe nuk arrijme te kuptojme se kush ne te vertet jane kriminelet qe duhen qeruar!!!

    Migjeni ka pas than:
    Ah sinuk kam nje grusht t`fuqishem dhe malit qe hesht mu ne zemer me ja ngjesh !

    Atij mali ne qeveri eshte me ja heq ne lule te ballit,ne te vertet o Perparim !

    Respekte,

  21. VLORA PERLE! thotë:

    8 October 2007 @ 3:31 pm

    Njeri ketu uroi qe ‘97 mos ardhte kurre.Ate urojme te gjithe,po keto lajme me poshte sikur me bejne te dyshoj me frike prape:
    “Kukës, maskat i zënë pritë nxënësve: …ndaluni se qenkan vetëm burra…”
    http://www.shekulli.com.al/news/45/ARTICLE/16447/2007-10-07.html

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com