Identifikohu



Regjistrohu

Fenomeni i Lypsarisë në Tiranë

Banago
9 Mars 2008

Kur për herë të parë apo të fundit shkon në Tiranë, me siguri nuk të ikën pa e vënë re mjerimi e trotuareve të saj të shtruar bukur apo të copëzuar si dhëmbët e prishur të një 80-vjeçari që nuk ka qenë asnjëherë tek dentisti. E shikon viktimën e parë të varfërisë porsa të shkel këmba në sheshet e përbaltura të kryeqytetit. E sa më shumë futesh në të, aq më shumë viktima shikon, aq më shumë të rrëngjethet mishi, aq më shumë të vjen për të qarë dhe, ndonjëherë, aq shumë të ngrihen nervat sa se ke idenë. Panorama është e dhimbshme. Ecën në punën tënde. Papritur të nxjerr nga tymnaja e mendimeve pamja lemeritëse e lypses pa këmbë, plakë dhe të rrudhosur, me një buzëqeshje prej lypseje në fytyrë, dhe dora që zgjatet, dhe buzët që lëvizin, por që nuk dihet se çfarë duan të thonë sepse nuk të lënë ta dëgjosh makinat që kalojë zhurmshëm aty pranë, apo zëri i lypses plakë është shumë i mekur. Ti e kupton direkt që po kërkon ti falësh diçka. Ti nxiton më shumë se nuk duron dot pamjen edhe pse do t’i japësh diç plakës së gjorë.

I zhytur në mendime nga pamja tronditëse, duke ecur pengueshëm nëpër njerëz që ecin të shkujdesur dhe nëpër pllaka trotuari një po, një jo, një ndoshta, gati sa nuk shkel dy fëmijë romë që janë shtrirë në mes të trotuarit mbi ca kartonë ambalazhesh, që flenë a bëjnë sikur flenë, me ca monedha të verdha aty pranë, të veshur me rroba shumë të pista dhe që nuk dihet a janë të braktisur apo janë të detyruar të jenë aty dhe të luajnë atë rol apo gjithë kjo është ajo që atyre u është mësuar se është mënyra më e mirë për tu bërë i pasur. Bën të kalosh një gëllënkë pështyme por dhe ajo nuk do të kalojë poshtë.

Me imazhin e fëmijëve në sy dhe me përpjekjen për të zgjeruar pak kraharorin me frymëmarrje të thella për të cilat e di që do bëhesh pishman kur të përfundosh në spital i sëmurë nga mushkëritë, të qëllon të kalosh para xhamisë simbol Et’hem Beu ku ka zënë vendin e saj një tjetër lypse, mesogrua, e shëndosh, pa gjysmën e këmbës deri në gju dhe me gjurin e prerë të ekspozuar, më një zdap që i rri pak pranë pak larg dhe shkëmbejnë fjalë bashkë herë pas herë, të vjen plasja kur e shikon lypsen që pi një cigare tërë dëngla dhe ti mendon: “Po kjo, cigare i bën lekët e njerzve?” dhe të vjen t’i marrësh cigaren dhe t’i fikësh në ballë, por të mban frika se mos bërtet dhe thotë “Hajduti, më vodhi lekët!!!”.

Mes këtyre pamjeve fillon e bije nata. Atje tej të zë syri një plak që ka vendosur t’i bëjë ballë të ftohtit, ka mbledhur disa kartonë dhe u ka vënë flakën dhe i ka vënë flakës duart që dridhen lartë apo anash. I tërhequr në një ana të trotuarit, ku ka menduar se nuk e zë era apo e zë më pak, bën sikur ngrohet në flakët e zbehta të kartonëve, nuk dihet se çfarë i kalon në kokë. Ndoshta mendon për fëmijët. Ndoshta e ka marrë malli për nipërit dhe mbesat. Ndoshta thjeshtë thotë me vete “Sa ftohtë qenka sonte!”. Kush e di!

Kështu që ti do të ikësh sa më shpejtë të jetë e mundur dhe i lutesh Zotit të mos jetë kjo gjëja e vetme që do të të kujtohet nga kryeqyteti.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente »

  1. Vemendje thotë:

    9 Mars 2008 @ 9:15 pm

    “Kështu që ti do të ikësh sa më shpejtë të jetë e mundur dhe i lutesh Zotit të mos jetë kjo gjëja e vetme që do të të kujtohet nga kryeqyteti.”

    Edhe pse e lene me shkrim, per “Zotin”, qe s’shikon aq seleksionuar gjerat ne kete vizit, por ja…

    “Zoti” fal tiranen edhe me ty ne te, si nje nga ato pllakat e trotuarit hequr per t’u thyer e coptuar nga kjo shetitje, thyer copash lene, ne c’do nje nga ato gjera qe zgjodhe te shkruaje, si nje deshmi e qytetarit antar i zotit qe lutesh.

  2. adriatik thotë:

    9 Mars 2008 @ 11:26 pm

    Pamje e nje femije, tirane, 13 janar 2008

    http://www.esnips.com/doc/0ea6393d-d2c5-4917-ac82-2d0e7e75f9ea/13012008179

  3. andibosi Shkruaji mesazh privat thotë:

    10 Mars 2008 @ 9:37 pm

    “ndryshe”

    Nga Isuf Kurtaj

    Cigareshitësit e vegjël, lënë shkollën për të kapur lekun

    Fëmijë që përtypin fjalët “urdhëroni cigare, mbushje, karta, çamçakëz”, - shpesh na zënë rrugët, na bezdisin në lokale… Kjo është një nga mënyrat që qindra fëmijë kanë gjetur për të kapur një qindarkë. Shitja e cigareve, për shumë nga këto fëmijë është kthyer në një “zanat” për të ekzistuar. E nisin punën që herët në mëngjes, ku secili shkon në territorin që i përket. Shifrat tregojnë, se vetëm në Tiranë rropaten rrugëve mbi 350 fëmijë, kryesisht djem, që janë të përfshirë në ligjin për arsim të detyruar, të cilët shesin cigare, çamçakëz… rrugëve. Më shumë se 200 fëmijë të tjerë punojnë duke zëvendësuar prindërit në tregun e punës, përfshirë këtu dhe disa vajza të vogla që bëjnë shitësen në disa orë të caktuara nëpër dyqane të ndryshme. Ndonëse këta fëmijë po mbajnë gjallë familjet e tyre, po mbeten megjithatë jetimë, jo vetëm nga indiferenca e prindërve të tyre, por dhe nga ajo e shoqërisë, shtetit dhe ligjit që pohon: “Ndalohet shfrytëzimi i fëmijëve”. Fëmijët që shesin cigare rrugëve kanë formuar një grup të veçantë social, në të cilin bëjnë pjesë edhe të rritur. Arlinda, një grua mbi 50-vjeçe nga Tirana, bën të njëjtën punë me këta fëmijë. Gruaja qëndron rreth 12 orë në ditë në rrugë për të shitur pranë “La Volias”. Ajo ka disa vjet që e bën këtë punë. Nga shteti merr vetëm 60 mijë lekë në muaj. Nga shtëpia del nga ora 8 e mëngjesit, deri në orën 10 të darkës. “Punoj që të mbaj fëmijët”, – pohon ajo e lodhur, duke pritur dhe duke iu lutur Zotit që një prej kalimtarëve të ndalojë e t’i blejë diçka. Nëna e dy fëmijëve fiton mesatarisht shtatë mijë lekë të vjetra në ditë, ndonëse ka edhe ditë që nuk shet asgjë.
    Bredhin të palodhur
    Cigareshitësit e vegjël kanë një punë më problematike se të tjerët, kjo jo vetëm për faktin se janë më të vegjël, por dhe se puna për ta është më e vështirë. Shumica prej tyre i kanë familjet të ardhura nga veriu i vendit në Tiranë dhe vështirësitë e jetës në kryeqytet janë më të mëdha se ato në rrethe. Disa prej këtyre fëmijëve e kanë braktisur dhe shkollën, madje gjen dhe ndonjë të sinqertë që të thotë se ka ditë që nuk shkon në shkollë. Ata që e frekuentojnë shkollën dallohen qartë nga çanta që mbajnë në shpinë. Përgjithësisht janë djem të moshave nga 9-15 vjeç, të cilët vijnë çdo ditë nga zonat periferike të kryeqytetit. Largësia i bën që dhe në orar të drekës të mos shkojnë në shtëpi. Liri është 15-vjeç, ai shet çdo ditë pranë Fakultetit Juridik. Tregon se ka mbi dy vjet që merret me këtë punë dhe në një ditë arrin të fitojë jo më shumë se 15 mijë lekë të vjetra. Ai ka ardhur nga Kukësi dhe mënyra e vetme për të mbajtur familjen, janë të ardhurat që sjell ai dhe vëllai i tij. Ai po pret vëllain e tij që të ndërrojë turnin.
    Mënyra e shitjes
    Në “tregun e punës”, cigareshitësit përdorin pothuajse të njëjtën mënyrë. Mbajnë në dorë një kuti ambalazhi, ku vendosin paketat në radhë dhe lekët e holla të fshehura diku, aty në një cep, nga frika se dikush nga shokët e tyre më i madh dhe mund t’jua marrë. Shpesh mbajnë pak lekë me vete, maksimumi deri në pesë mijë lekë dhe kur dikush që kërkon t’u blejë një paketë u jep “lekë të mëdha”, më shumë u kushton mundimi për të thyer lekët diku në ndonjë kioskë, sesa fitimi. Zakonisht i sheh në zona të populluara dhe të frekuentuara nga njerëz të pasur. Sillen mirë me klientët dhe njerëzit e tjerë. Ata e njohin mirë njëri-tjetrin, bisedojnë dhe ndajnë bashkë vendet se ku do të punojnë çdo ditë. Asnjëherë nuk kalojnë në vendin e tjetrit. Kanë frikë vetëm se ka disa më të mëdhenj, që kur vjen darka ia marrin me detyrim lekët që kanë fituar, tregon Lani, i cili është vetëm 10 vjeç, të cilit pas dy javësh do t’i fillojë shkolla dhe se ka idenë se çfarë do të bëjë. Zakonisht druhen nga gazetarët dhe nuk shprehen se me këto lekë ndihmojnë familjen, por nëse u thua do të blej një paketë janë të gatshëm të flasin. Ëndrrat e moshës së tyre, ata i kanë zëvendësuar me dëshirën për të shitur sa më shumë cigare. Këta fëmijë po ndihmojnë familjet për të jetuar, ndërkohë që për jetën e tyre nuk po kujdeset askush. Nëse sot, prej familjarëve të tyre, kjo shihet si një mënyrë për të mbijetuar, nesër ata do të mbesin njerëz pa të ardhme dhe kjo jetë tani do të rëndojë gjithë jetën mbi supet e tyre. Ndalimi i punës së fëmijëve në të zezë, do të jetë një prioritet i Ministrisë së Punës, e cila ka vendosur të punojë për të ndaluar këtë punë. Sipas këtij vendimi, të gjithë prindërit që marrin ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin çdo muaj vërtetim se fëmija i tij vazhdon shkollën. Fillimisht do të bëhet një studim mbi të ardhurat e familjes, pasi një nga arsyet pse fëmija ka përfunduar në rrugë për të punuar është dhe familja. Për ata fëmijë që janë nën moshën e duhur për të punuar, familja e tyre do të ndihmohet financiarisht. Ndërsa për ata që janë në prag të kësaj moshe, do t’u jepet mundësia për t’i trajnuar falas, në mënyrë që të marrin një zanat të caktuar. Kriteret për të marrë ndihmën ekonomike lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me pranimin e fëmijëve në shkollë.

  4. banago thotë:

    11 Mars 2008 @ 10:58 pm

    Fenomen shume shqetesues ky i ngritur nga Kurtaj, duhet bere diçka.

  5. Cheney thotë:

    11 Mars 2008 @ 11:30 pm

    Politikat e majta, te djathta, te qendres dhe te cepit.. te gjitha pa vlere..
    Na rrofte kodi i ri zgjedhor qe do pagezoje ne pushtet hajdutin e rradhes..

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.