Është koha të ndërhyni z. Kryeministër!
Apel publik i 100 profesorëve të mjekësisë drejtuar qeverisë shqiptare për gjendjen e mjeruar në shëndetësi dhe rrugëdaljen.
I nderuar zoti Kryeministër,
Këshilli i Zgjeruar i Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, i sensibilizuar në mënyrë të veçantë nga ngjarja e fundit, dhe i shqetësuar nga përkeqësimi i vazhdueshëm i situatës në sistemin shëndetësor në përgjithësi, dhe në spitalet universitare në veçanti, Ju parashtron nevojën e ndërhyrjes Suaj sa më të shpejtë, duke u mbështetur në konsideratat e mëposhtme:
- Të 30 ligjet e shëndetësisë që janë prodhuar gjatë këtyre 17 viteve, nuk kanë pasur asnjë jehonë në sistemin shëndetësor dhe në rastin më të mirë, janë implementuar në mënyrë diletanteske.
Aktualisht, nuk po vërejmë asnjë përpjekje serioze për zgjedhjen e një modeli të sigurimeve shëndetësore dhe nuk po kryhet asnjë përpjekje serioze e me impakt afatgjatë për kostot në shëndetësi e në spitale në veçanti.
- Humbja e autonomisë së QSUT-së është evidente, pasi në mënyrë paradoksale Këshilli i Administrimit të QSUT-së drejtohet nga ministri i Shëndetësisë dhe për këtë arsye, shumë strategji të përpunuara për kancerin, shërbimin e kujdesit të të sëmurëve mendorë, shërbimin e urgjencës dhe në përgjithësi, strategji të punuara në vite me organizma të huaja si Asistenca Publike e Spitaleve të Parisit etj., janë lënë pas dore.
- Diletantizmi në administrimin e sistemit shëndetësor dhe humbja e objektivave për reformën në shëndetësi të përcaktuara nga qeveria në 2005 është bërë një problem i rëndë. Aktualisht, vendin e teknologjive të reja e kanë zënë kafenetë dhe piceritë, ndërsa mungesat janë aq dramatike sa sot në QSUT nuk kryhet as analiza e gjakut komplet.
Për sa më lart, i nderuar zoti Kryeministër, ne besojmë se cilësia e shërbimit ndaj të sëmurëve ka rënë aq shumë sa është krijuar një frymë mosbesimi nga të sëmurët ndaj mjekëve e personelit tjetër mjekësor dhe ne ndihemi të fyer, të denigruar e të kërcënuar edhe me jetën tonë.
Në këto kushte, ne rekomandojmë sugjerimet e mëposhtme:
1. Rritjen e financimit të sistemit shëndetësor në të paktën 6 për qind të GDP-së;
2. Autonominë e sistemit shëndetësor dhe drejtimi i tij nga profesionistë të shëndetit, që të mos zgjidhen me partitokraci, por të vijnë nga radhët e mjekëve të aftë e të suksesshëm, të trajnuar në vite, pasi për vendin tonë, sikundër edhe për vendet e tjera, ky mbetet opsioni më i suksesshëm;
3. Zgjedhja e një modeli për organizimin dhe funksionimin e sigurimeve shëndetësore si një ent publik, transparent, i varur nga Parlamenti që duhet të mbikëqyrë tërë fondet operative të shëndetësisë publike, ndërsa Ministria e Shëndetësisë të kufizohet në politikat shëndetësore, në investimet e mëdha, kontrollin epidemiologjik të popullsisë, licencimin dhe akreditimin e spitaleve;
4. Politika të qarta dhe financim i formimit të vazhdueshëm mjekësor, i cili aktualisht lëngon dhimbshëm. Si rrjedhojë, rrezikohet humbja e kualitetet bazë të mjekëve dhe personelit tjetër mjekësor, duke mbetur larg ligjeve dhe kritereve të Bashkimit Evropian. Ne besojmë se është e domosdoshme të veprohet për këtë problem e Fakulteti i Mjekësisë të marrë rolin që i takon, si në përpunimin e programeve edhe në implementimin e tyre;
5. Përpunimi i strategjive dhe politikave nga ana e qeverisë për përmirësimin e klimës mes mjekëve, pacientëve dhe opinionit publik, sepse ky profesion nuk mund të funksionojë në këtë klimë mosbesimi e urrejtjeje. Është e domosdoshme të përpunohet legjislacioni bazë për mbrojtjen e mjekëve si nëpunës publikë në detyrë;
6. Të gjitha reformat dhe strategjitë në fushën e shëndetit nuk mund të jenë të suksesshme, duke shpërfillur dhe anashkaluar konsultimet me stafin e Profesoratit të Fakultetit të Mjekësisë. Shoqërinë e çojnë përpara vetëm njerëzit e ditur.
I nderuar zoti Kryeministër,
Në pritje të një reagimi pozitiv nga ana Juaj, Ju sigurojmë, se në çdo moment ne do të jemi përkrah jush, në përpjekjet që Ju mund të ndërmerrni për përmirësimin e situatës së tanishme e veçanërisht për të ardhmen e shëndetësisë shqiptare.


Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.