Erkand Qerimaj në Olimp, kampion bote në shtytje

Shqiptari shpallet nënkampion edhe në dygarësh për të rinjtë

Shqip

Erkand Qerimaj ka konfirmuar edhe një herë se është një prej shtangistëve më premtues, duke marrë dy medalje në Kampionatin Botëror për të Rinj që po zhvillohet në Pragë të Republikës Çeke. erkandq.jpgPas medaljes së bronztë të Gerti Trashës, ka ardhur një tjetër sukses, këtë radhë më i rëndësishëm, pasi Qerimaj ka siguruar medaljen e artë në shtytje dhe të argjendtën në dygarësh. Shtangisti shqiptar nuk ka arritur të marrë medalje në stilin e shkëputjes, pasi e ka përfunduar këtë garë në vendin e shtatë. Por, ai ka arritur të rekuperojë gjithçka më vonë, duke barazuar edhe rekordin e tij personal.

Në garën e djeshme kanë marrë pjesë 32 peshëngritës, ku Qerimaj si zakonisht ishte regjistruar në baterinë A. Gara e parë ka qenë ajo e shkëputjes, ku shkodrani ka realizuar ngritjen e peshës 147 kilogramë. Ndonëse kjo cilësohet një provë e mirë e tij, kundërshtarët janë treguar më të saktë në ngritjet e tyre dhe kanë arritur ta kalojnë. Në vendin e parë në këtë stil është renditur bjellorusi Siarhei Lahun, i cili ka ngritur 155 kilogramë, plot 8 më shumë se Qerimaj, duke e vështirësuar shumë rrugën e shtangistit shqiptar drejt medaljeve. Kinezi Zhang dhe rusi Ushakov kanë ngritur nga 150 kilogramë në shkëputje, duke treguar rivalitetin e ndezur në këtë garë. Qerimaj është renditur i 7-i në shkëputje, i cili nuk është stili i tij i preferuar, pasi vetë rekordi i tij personal është 8 kilogramë më shumë se prova e realizuar dje.

Por, surprizat janë rezervuar për stilin e shtytjes, ku ai ka dhuruar gjithmonë rezultate të larta. Këtë radhë, Qerimaj ka treguar të gjithë talentin e tij, duke realizuar peshën 191 kilogramë, që do të thotë barazim i rekordit të tij personal. Kjo provë i ka dhënë atij mundësinë të fitojë medaljen e artë në këtë stil, pasi kundërshtarët e tij e kanë pasur të pamundur të realizojnë një provë të tillë. I dyti është renditur bjellorusi Lahun, me 189 kilogramë, ndërsa kinezi Zhong ka realizuar ngritjen e peshës 185 kilogramë.

Me një rezultat të tillë, Qerimaj ka arritur të sigurojë jo vetëm një medalje të artë në stilin e shtytjes, por edhe një tjetër medalje në dygarësh, atë të argjendtën. Në vendin e parë në dygarësh është renditur bjellorusi Lahun, në peshën 344 kilogramë në total. Qerimaj ka zënë vendin e dytë me 6 kilogramë më pak, 338 kg, ndërsa në vendin e tretë është renditur kinezi Zhong me 335 kg. Pasi është shpallur Kampion Bote për të rinj, objektivi i radhës i Qerimajt duket se është vetëm realizimi i normave kualifikuese për Lojërat Olimpike që zhvillohen vitin e ardhshëm në Pekin. Me formën që ka treguar gjatë garave të fundit, drejtuesit e Federatës së Peshëngritjes janë të sigurt se ky objektiv do të realizohet dhe se Qerimaj do të marrë pjesë nëpërmjet kualifikimit direkt dhe jo falë ftesave të Federatës Ndërkombëtare. Ndërkohë, në pedanën e Botërorit të të rinjve, sot do të ngjitet Endri Karina, ndërsa në ditën e fundit të garave do të jetë Taulant Çerepi, i cili do të garojë për ngjyrat e Shqipërisë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

6 Komente

  1. e.T thotë:

    14 June 2007 @ 1:58 pm

    na marrshin te keqen greket.

  2. Naimi thotë:

    14 June 2007 @ 6:01 pm

    na marrshin te keqen te greqizuarit se greket na e kane marre

  3. Blendi thotë:

    14 June 2007 @ 8:43 pm

    Hallall ky djali nga Shkodra. Suksese dhe karriere te gjate dhe me sa me shume Ar neper olimpiadat.

  4. ardiana thotë:

    25 June 2007 @ 2:20 am

    urime naqe urime
    hallall

  5. RILINDI thotë:

    3 July 2007 @ 11:59 am

    hej urime naqe urime hallall te qoft tregove nje sukses te lart me kariewren tende

  6. erindi judo vllaznia thotë:

    13 December 2007 @ 10:05 pm

    brravo te qofte per gjithqka qfar ke ber per te ngritur flamurin shqiptar .te uroj fat dhe te na kthehesh me medalie nga pekini .urime dhe rrekorde te reja .

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com