Ekspertët e Shabanit
Arben Rrozhani
Shekulli
Hen, 19 Maj 2008 08:31:00
Ka një ndodhi qesharake me ish-deputetin Shaban Memia, prej dy vitesh, kreu i ALUIZNI-it, institucionit që do të legalizojë Shqipërinë. Ka ndodhur në vjeshtën 1997, kur Memia shoqëronte një makinë të ardhur nga Italia, ku kishte edhe ca kamera të kushtueshme për një televizion të ardhshëm të PD-së. Shabanin e ndalojnë në Vorë dhe pyetjes së një botuesi se pse e kishin ndaluar deputetin me imunitet, shefi i policëve iu përgjigj: -Kontroll për armë. -Po a e di se kush është ky, more zotëri?- e pyet botuesi policin. -Po, është Shaban Memia,- përgjigjet serbes, shefi i policëve. -Jo mor zotëri-përgjigjet botuesi,- ky është Shaban Memia që ka mbushur gjysmën e Tiranës me armë në mars dhe a mund t’i kërkohet këtij kontroll për armë?! “Spiunit” iu kujtua kjo histori dje, kur fiks në ora 16.00 te një lokal në qendër të ish-Bllokut pa Shabanin që doli nga një lokal luksoz, duke folur gaz e hare në celular.
Iu kujtua lajmi i dalë para disa orësh, se vlerësuesit e Shabanit në Gërdec e kishin shtrirë kabllin aq shumë, saqë do të përfundojnë edhe në burg, se kishin bërë vlerësime të fryra, pasi kishin mbushur xhepat. Janë ata ekspertë që kishte ngritur në qiell kryeministri i Gërdecit, pas krimit qeveritar, në 16 dhe 21 mars 2008: “ALUIZNI duhet të na furnizojë me ekipet e vlerësimeve. Është agjencia që ka punonjës të këtij profili, më shumë se agjencitë e tjera të bashkëpunojmë dhe të bëjmë vlerësimin e plotë në njësi kohe sa më të shkurtër” ose “Dua t’ju njoftoj se, pasi është bërë vlerësimi material i dëmeve, me teknikën më të mirë e më transparente e totalisht konsensuale, tani fillojnë punën 20 grupe, të përbëra, sipas ligjit, nga ekspertë të qarkut, ekspertë të ALUIZNI-t, të Entit të Banesave, të cilët do të përllogarisin çmimin e çdo njësie të dëmtimit, do të përcaktojnë vlerën financiare”. (shih www.km.gov.al) Dhe aq besim ka te njerëzit e Shabanit, saqë për pak ua besoi atyre legalizimet që duhet t’i bëjë pushteti vendor. Por ia ndali turrin Presidenti në 12 maj, kur nuk firmosi dekretin për legalizimet, se do ta kish bërë gjithë Shqipërinë Gërdec me ekspertë.


20 Maj 2008 @ 9:22 pm
Une shaben nuk e njoh nga afer, por nga pamja e jashtme me duket si hajdut xhepash. Nuk kam gabuar shume besoj.