Dy ripërkujtime për një faqe historie

Në vigjilje të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Dy ripërkujtime për një faqe historie

Nebi Caka

Kasim Shala dhe Lutfi Musiqi mbase as nuk e kanë njohur njëri-tjetrin. Kasimi mbase nuk e ka ditur se Lutfiu është magjistër i shkencave të elektroteknikës, e Lutfiu mbase nuk e ka ditur se Kasimi sapo ishte regjistruar në Fakultetin e Elektroteknikës. Po të ishin takuar, do të kishin për se të bisedonin; përveç se për elektroteknikën, me siguri do të diskutonin edhe për poezinë, të cilën të dytë e kishin në zemër, siç e kishin lirinë, e Kasimi madje edhe shkruante poezi. Jeta e tyre u shua që në fillim të luftës, por jo edhe ideali i tyre, dashuria e tyre për liri, që u bënë frymëzim për bashkëluftëtarët e tyre. Janë këto dy raste, ndër shumë të tjera, të cilat tregojnë se vendimi për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut, kushtrimit të lirisë, ishte dhe është shpesh zgjidhje individuale, jo e marrë nga ndjenja e detyrimit qytetar, por nga një ndjenjë që rrënjët i ka shumë më thellë se kjo.

Nga tubimi përkujtimor për dëshmorin e lirisë, studentin Kasim Shala (1981-1999), mbajtur në Prishtinë, në Amfiteatrin e Fakultetit të Elektroteknikës, më 17 mars 1999

Familje e dëshmorit të lirisë Kasim Shala, profesorë, kolegë, shokë e shoqe të tij, pjesëmarrës të nderuar të kësaj mbledhjeje përkujtimore!

Jemi tubuar këtu të përkujtojmë studentin tonë, dëshmorin Kasim Shala, dhe ta nderojmë emrin e tij, ashtu siç diti ai ta nderojë emrin e familjes e të kombit të vet.

Kasimi sapo ia pat filluar të mësonte si zgjidhen problemet teknike me algoritme e formula matematike, dëgjoi kushtrimin për liri, dhe iu përgjigj thirrjes së Atdheut, doli luftëtar, doli të mbronte jo vetëm familjen dhe fshatin e tij Ruhot të Pejës, por tërë Kosovën. Nuk priti të provohej në matematikë, ngase ishte tepër i zënë me një provim më të vështirë, me atë në etikë, në etikën universale, provim ky i cili do ta dëshmonte pjekurinë e tij njerëzore e kombëtare. Dhe hyri në provimin e tij të fundit, para se të hynte në atë të parin, dhe e dha, faqebardhë, në altarin e lirisë, ende pa i mbushur të tetëmbëdhjetat, duke rënë dëshmor në ballafaqim me forcat serbe në Bishtazhin të Gjakovës, më 28 janar 1999.

Ndiejmë dhembshuri për familjen, shokët dhe miqtë e Kasimit dhe jemi krenarë që e patëm, sado shkurt, në mesin tonë. Duhet të jetë krenare edhe familja e tij, që lindi, rriti dhe edukoi të tillë bir. Me të tillë bij e bija, të cilët kushtrimin për liri e ndiejnë edhe nëpër salla mësimi, pranë librit e kompjuterit, Kombi e Atdheu nuk ka pse të brengoset për të ardhmen e vet. Ky popull martir u ka bërë ballë rrebesheve të historisë në të kaluarën, po u bën ballë edhe tash, e do t’u bëjë ballë edhe në të ardhmen. Ndryshe, si mund të shpjegohet ekzistimi i këtij populli në këtë cep të Evropës dhe vazhdimësia e tij mijëvjeçare iliro-arbërore-shqiptare në këto troje, prore të sulmuara.

Lavdi Kasimit dhe mos iu harroftë emri kurrë!

Nga Akademia përkujtimor për dëshmorin e lirisë, magjistrin e shkencave të elektroteknikës Lutfi Musiqi (1968-1999), mbajtur në Vushtrri, në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina”, më 30 prill 2000, në njëvjetorin e rënies së tij

Familje e dëshmorit të lirisë Lutfi Musiqi, shokë, miq, bashkëqytetarë e bashkëluftëtarë të Lutfiut, kolegë e profesorë të tij, mysafirë të nderuar!

Jemi tubuar këtu, që në njëvjetorin e rënies heroike të Lutfi Musiqit, ta përkujtojmë atë dhe veprën e tij. Ta përkujtojmë magjistrin e shkencave teknike, birin e këtij populli, i cili braktisi Anglinë dhe perspektivën e vet atje që t’i përgjigjet thirrjes së Kosovës së robëruar.

Nuk ishte rastësi ardhja e Lutfiut në Kosovë, për të luftuar, siç nuk ishte rastësi as shkuarja e tij në Angli, për të vazhduar studimet pasuniversitare.

Lutfiu shkoi në Angli për t’i vazhduar studimet pasuniversitare, edhe pse ato mund t’i vazhdonte, pa iu nënshtruar harxhimeve të tepërta, edhe në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Elektroteknikës, ku ai diplomoi, më 1995. Ai shkoi në Angli, jo pse nuk kishte besim në profesorët e vet e në sistemin e shkollimit të Universitetit të Prishtinës, por ngase i pëlqenin sfidat, dhe, përveç kësaj, këtë herë dëshironte edhe t’i bindte të tjerët, brenda dhe jashtë Kosovës, se studentët tanë nuk dallonin nga studentët e universiteteve të tjera të botës, përkundrejt një periudhe gati dhjetëvjeçare të ndjekjeve individuale e kolektive, të reprezaljeve fizike, psikike e intelektuale, të tendencave për margjinalizimin e dijes, të synimeve për zbehjen e fjalës shqipe e për çrrënjosen e shkencës shqiptare. Dhe ia arriti qëllimit: në afat rekord, më 1997, i kreu studimet pasuniversitare në Universitetin e Mançesterit në Angli, në Institutin e Shkencës e të Teknologjisë (UNMIST), në Departamentin e Inxhinierisë Elektrike dhe Elektronike, dega e Elektroenergjetikës, duke mbrojtur punimin e magjistraturës, me titull “The Analysis of Transmission Network Expansion Planning” (“Analiza e planifikimit të zgjerimit të rrjetit transmetues”).

Lutfiu u kthye në Kosove për ta mbrojtur atë, me armë në dorë, nga armiku shekullor, edhe pse mund të rrinte në Angli, duke u shtirë se nuk është duke e dëgjuar kushtrimin e lirisë. Ai e la punën e inxhinierit të sistemeve në kompaninë TCI të Londrës dhe privilegjet që ia jepte pozita e tij në hierarkinë e kësaj kompanie, jo për të filluar studimet e planifikuara të doktoratës, po në Londër, por për t’iu bashkuar luftëtarëve të lirisë, jo në vendlindjen e tij, në Vushtrri, por kudoqoftë në Kosovë. Dhe iu bashkua Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të Zonës Operative te Dukagjinit, dhe si ushtar i kësaj brigade ra heroikisht, më 30 prill 1999, në moshën tridhjetëvjeçare, në Koshare, në luftë kundër forcave agresore serbe, gjatë përpjekjes për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Nxënësi më i mirë i shkollës fillore “Ali Kelmendi” të Vushtrrisë, adhurues i eposit të bardit kombëtar Fishtës, atëherë kur të tjerët as nuk guxonin ta përmendnin, lexues i flaktë i veprës subtile, siç e karakterizonte ai, të Kadaresë e Agollit, kur këta ishin hequr nga plan-programet mësimore të shkollave tona, qysh herët Lutfiu, e ravijëzoi rrugën e tij jetësore.

E zgjodhi, dhe e kreu, Lutfiu Fakultetin e Elektroteknikës, me shpresë së edhe si inxhinier do të mund t’i ndihmonte popullit të vet të përvuajtur, që një ditë ta shohë dritën e vërtetë. Ishte i bindur se po të jepte secili maksimumin në punën e vet, s’kishte si mos ta merrte të mbarën ky popull.

Lutfiu, si gjatë studimeve të magjistraturës, e edhe pasi u punësua në kompaninë TCI, nuk e harroi jo vetëm familjen, por as kolegët dhe profesorët e vet në Prishtinë. Sa i ishte mirënjohës familjes që ia mundësoi të studionte në Angli, shihet nga ajo që punimin e magjistraturës ia dedikon prindërve, e në falënderime, para se gjithash falënderon vëllain Rexhepin, për mbështetje financiare, siç thotë ai “të vazhdueshme dhe zemërgjerë”. Duke ditur se në çfarë kushtesh mësonin studentët në Prishtinë, Lutfiu vazhdimisht mbante lidhje, me telefon dhe nëpërmjet Internetit, me disa nga profesorët e Universitetit të Prishtinës, që merreshin me lëmin e planifikimit të rrjeteve transmetuese. Dërgoi një numër të madh librash, punimesh shkencore dhe programesh aplikative nga ky lëmë, të cilat i përdorën dhe i përdorin edhe sot profesorët dhe studentët e Fakultetit të Elektroteknikës në Prishtinë. Janë më se dhjetëra studentë që diplomuan në këtë fakultet duke shfrytëzuar literaturën, e dërguar, pa përtesë, nga Lutfiu. Në faqen e parë të një libri dërguar profesorit (G. L.) tek i cili kishte diplomuar më 1995, Lutfiu shkruante: “Zotëri profesor, për të mos u vonuar, sepse do të jem i zënë me punë së tepërmi këtë muaj, po Jua dërgoj kopjen time të këtij libri. Më shkruani se çfarë tjetër doni t’ju dërgoj.”

Kolegët me të cilët punonte dhe jetonte në Londër thonë se Lutfiu nuk ishte vetëm i shkencës. Ai ishte shumë aktiv edhe në mesin e mërgimtarëve tanë në Angli rreth organizimit të ndihmës për Kosovën.

Rruga jetësore e Lutfiut, pra nuk qe e rastit. Ai e zgjodhi vet atë, edhe pse e dinte se mund të jetë pa kthim.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, dhe mos iu harroftë emri kurrë dëshmorit të lirisë Lutfi Musiqi.

Prof. dr. Nebi Caka është mësimdhënës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës. Në periudhën 1997-2001 ka qenë Prodekan për mësim i këtij fakulteti.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

4 Komente

  1. shkodran thotë:

    18 February 2008 @ 7:28 pm

    shumë shkrim prekës por që tregon të vërtetën e shumë të rinjëve që dhanë jetën për shtetin e ri Kosovës.Uroj që këta dëshmorë të jenë të fundit në mënyrë që të jemi të lumtur në paqen e shumëkërkuar.Gëxuar pavarësia!

  2. agimja thotë:

    19 February 2008 @ 12:57 pm

    shkrim fenomenal,dhasht zoti te jen deshmoret e fundit dhe ta gezojm shtetin e ri .Urime pavarsia.Autorit nje pershendetje e posaqme.

  3. Artian thotë:

    19 February 2008 @ 1:12 pm

    Keto kujtime prekse per njerzit qe i dhane gjakun e tyre per liri,nuk bejne gje tjeter vecse na shtojne besimin dhe sigurine qe te gjithe ata qe kane gjak shqiptari ,te vazhdojne luften per jetegjatesine e pavarsise se Kosoves dhe bashkimin njehere e mire me Shqiperine ame!

    Gjaku i shqiptareve nuk ka rreshtur dhe nuk do te reshte sa te jete jeta,per lirine dhe trojet shqiptare,te cilat jane te vaditur pellembe per pellemb me gjak.

    Gjithashtu lufta me pene,per dituri ,njohuri dhe prosperitet eshte nje tjeter front i shqiptareve qe duhet ta fitojne me armiqte mesjetare,serb e grek.,pasi infrastruktura e atyre per te mashtruar,me histori dhe genjeshtra boten ,do te deshtoje ,sot eshte koha e teknologjise ,dhe e verteta do te triumfoje..dhe do te tregoje se Shqiptaret jane nje komb i emancipuar qe kerkon paqe,drejtesi dhe harmoni me kombet e tjetere qe kane te njejten ide,dhe te njetin prespektiv!
    RRofte kujtimi i deshmoreve,dhe pavarsia e KOSOVES!

  4. ari thotë:

    29 May 2008 @ 2:10 pm

    pershendetje atutorit :Ju duam shum dhe jemi krenar qe kemi nje autor te shkelqyr si ju ne kosov. URIME PAVARSIA .

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com