Doktori, piktori dhe e keqja më e madhe
Fatos Lubonja
Përpjekja
E enjte, 14 gusht, 2008
Një nga çështjet e ndezura të politikës sot janë akuzat që i bëhen Ramës dhe Berishës nga LSI e jo vetëm për bashkëpunim me njëri tjetrin e që kanë ngjitur jo pak në opinionin publik mu pse shenjat e këtij bashkëpunimi janë të dukshme. Megjithatë nuk mungon të ngrihet edhe pyetja: a ka apo nuk ka vërtet bashkëpunim midis tyre? Duket se edhe analistët janë të ndarë në këtë çështje duke iu përgjigjur në mënyrë pozitive apo negative kësaj pyetjeje. Në një shkrim të ditëve të fundit në “Tema” Mero Baze e quante “sempliste” opozitën e LSI të mbështetur mbi akuzën e bashkëpunimit Rama - Berisha duke bërë parashikimin se, kur të vijë koha e fushatës elektorale, ata do të fillojnë të konfliktojnë, siç kanë konflituar deri më sot para fushatave elektorale, pasi në fakt ata nuk se bashkëpunojnë, dhe kjo do ta lerë LSI duarbosh.
Edhe unë mendoj se është sempliste të reduktohet bërja opozitë në akuzat e bashkëpunimit midis Berishës e Ramës. Aq më tepër duke patur parasysh se, në aspektin e tipareve karakteriale, ëndrra finale paranojake e dy personave në fjalë është jo bashkëpunimi, por eliminimi i njëri tjetrit, madje, mundësisht, asgjësimi edhe i çdo konkurenti tjetër në Ballkan e më gjerë. Por, kur them se është sempliste të reduktohet opozicioni vetëm tek akuza për bashkëpunim midis tyre, kam parasysh të tjera arësye nga ato që shtjellon Baze në shkrimin e tij. Pra, jo pse mendoj se ata sot nuk po bashkëpunojnë, as se nesër Berisha dhe Rama do të fillojnë të shahen përsëri me familje, siç kanë bërë edhe më parë, por sepse, nëse duhet të bëjmë opozitë të vërtetë, çështjen nuk duhet kurrsesi ta reduktojmë tek lufta midis këtyre dy personave. LSI e kushdoqoftë do të mbetet vërtet duarbosh po u mor thjesht e vetëm me emra të përveçëm qoftë kur ata grinden, qoftë kur pajtohen.
Në një debat televiziv para zgjedhjeve lokale në emisionin “Opinion”, ku kam marrë pjesë sëbashku me disa kolegë gazetarë përballë kryeministrit Berisha, kujtoj se erdhi një moment ku ai filloi të sulmojë Edi Ramën, që ishte kandidati rival i PD për Bashkinë e Tiranës. Nuk la gjë pa thënë, por ajo që më bëri përshtypje në sulmet e tij qe fakti se ai e përqendronte tërë patosin opozitar kundër personit në fjalë, por pa thënë asgjë për sistemin e korrupsionit rreth tij, për kryetarët e vërtetë të Bashkisë së Tiranës, oligarkët që qëndrojnë prapa Edi Ramës, një pjesë e të cilëve më rezultonin edhe sponsorë të fushatës së PD dhe aq më pak për “modelin Rama” të kopjuar keqas në qeverisjet lokale të PD-së. Duke i bërë koment kësaj heshtjeje paraelektorale ndaj tyre mbaj mend se i thashë kryeministrit, duke perifrazuar Ten Hsiao Pinin, se për këta (oligarkët e sistemit) nuk ka rëndësi se çfarë ngjyre ka macja, blu apo të kuqe, rëndësi ka që ajo të kapë minj. Prisja që kryeministri të thellohej tek kritika e sistemit, por ai nuk e bëri një gjë të tillë.
Besoj se është e tepërt të sjell sot shembuj që provojnë se, edhe me ardhjen e maceve blu në pushtet, si Rama në Bashki edhe Berisha në Kryeministri, kanë vazhduar t’u shërbejnë oligarkëve të sistemit në mënyrë të zellëshme në “kapjen e minjve”. Përjashto ndonjë aksident natyror, si ai që i ndodhi Delijorgjit në Gërdec, ata kanë vazhduar të patrazuar bashkëpunimin me pushtetet lokale e qendrore që ka rezultuar frytdhënës edhe për Ramën e Berishën. Prova e fundit është edhe projekti për kapjen e fushave sportive të kryeqytetit ku na del se një nga protagonistët kryesorë të planit të grabitjes së pronës sonë publike në Dinamo është bash oligarku që, në bashkëpunim me Nanon, ndërtoi Kazinon në qendër të Tiranës, në bashkëpunim me Ramën privatizoi për pesë lekë edhe një pjesë të truallit tonë publik tek Parku Rinia ku ndodhet Kazinoja dhe, në bashkëpunim me Berishën, siguroi pandëshkueshmërinë dhe vazhdimësinë e bizneseve të tij të suksesëshme, megjithë premtimet e bujshme të këtij të fundit se një nga gjërat e para që do të bënte ishte heqja e Kazinos nga qendra e Tiranës. Tani me bekimin e Berishës dhe projektet e Ramës ai do të na privatizojë edhe pishinat e tërë kompleksin Dinamo.
Dikur, shumë shumë kohë më parë, kur PD-ja pillte vetëm trima dhe luanë dhe Baze besonte, siç besonin shumë, se Berisha ishte burrë i pakorruptueshëm, Drejtori i “Temës” tregonte një histori me këtë besnesmen që ngjante si anekdodë kuptimplotë. Meqënëse i bleu Bazes gazetën “Tema” duke e nxjerrë nga vështirësitë financiare që kishte akumuluar në kohën e socialistëve, ai i kërkoi këtij të fundit t’i bënte një nder, si mik e mbështetës i Berishës që ishte: t’i hiqte qafe disa taksidarë që po i trokisnin në derë. “E pamundur!” i tha Baze. “Nuk ka burrë të mund t’i flasë doktorit për këtë punë.” Pas ca kohësh i kërkoi një tjetër favor që lidhej me fatura të kripura energjie elektrike të papaguara. “Largqoftë” i tha përsëri Baze “dashke që Saliu të na e mbyllë derën përgjithmonë.” Më në fund një ditë miku i tha Bazes: “Mero, mirë që nuk më bëre ndonjë nder, po si gazetar a mund të më thuash një gjë të paktën?” “Fol” - i tha Baze. “Ore, më thuaj, kur do të fillojë të marrë lekë ky, se atëhere i zgjidh vetë punët, s’kam nevojë për ty.”
Nuk e di a është e vërtetë, por siç thonë italianët: “Se non e vero e ben trovato”. Ky është problemi. Se në krijimin e sistemit kanë kontribuar sa politikanët edhe oligarkët. Ndërkaq koha ka provuar që, nëse për politikanët është folur aq shumë duke i denoncuar e stërdenoncuar, për oligarkët e sistemit është folur shumë pak dhe, sipas meje, jo pse nuk kanë përgjegjësi, - edhe ligjore - por sepse ata janë pushteti i vërtetë, kryeministrat e vërtetë dhe kryetarët e vërtetë të bashkive. Sot, nëse flitet për një bashkëpunim Rama - Berisha flitet jo pse këta kanë bërë ndonjë krushqi familjare, por pse kanë bërë krushqi lekësh kryeministrat e tyre hije dhe kryetarët e bashkisë hije. Thënë më konkretisht disa nga oligarkët kryesorë të vendit, që kanë në dorë fijet e financimeve apo edhe interesat private të liderve në fjalë, janë marrë vesh të ndajnë një copë nga të fundit të tortës së mbetur të Tiranës. Çështja shtrohet: në këtë sistem që punon kësisoj, a ka kuptim të bësh opozitë duke u marrë vetëm me doktorin dhe piktorin. Baze shtron pyetjen: po sikur nesër Rama dhe Berisha të fillojnë luftë çfarë do t’i mbetet LSI për të bërë opozitë? Por çështja mund të ngrihet edhe ndryshe: po sikur të ndodhë që Berisha dhe Rama të ikin fare, mbi se do të bëhet opozita? A do të ndryshojë ndonjë gjë në Shqipëri nga ikja e tyre? Unë ngulmoj se sikur të ikë Berisha nga pushteti asgjë nuk do të ndryshojë në Shqipëri ashtu sikurse edhe sikur të ikë Rama nga Bashkia, pasi ata nuk janë veçse njëra anë e medaljes e cila shpejt do të rihidhet në treg me një fytyrë tjetër politikani. Do të vazhdojmë të kemi korrupsion, do të vashdojmë të kemi moskontroll të territorit, trafiqe droge e prostitucioni, leje ndërtimi pa kurrfarë plani, zhvatje të pronës publike, vila private politikanësh ngjit e ngjit me vila bodyguardësh apo oligarkësh në truaj të bregdetit të destinuara për zhvillim turizmi e me rradhë e me rradhë. Duhet pranuar se grindjet e tyre kanë nxjerrë në pah disa të vërteta të sistemit dhe se bashkëpunimi, nga ana tjetër, i ka pakësuar hapësirat e informimit e të kontestimit. Duhet pranuar gjithashtu se ky bashkëpunim i fundit ua ka mbyllur edhe më shumë gojën përsa i përket sistemit që kanë ngritur të dy palët. (A e keni vënë re se asnjëri prej të dyve nuk e përmend një herë Delijorgjin psh.?) Po a mjafton denoncimi i emrave të tyre të prëveçëm nga LSI për t’u quajtur opozitë e vërtetë dhe e besueshme? Jo. Mjafton që Berisha e Rama të fillojnë të shahen dhe akuzojnë njëri tjetrin përsëri dhe, vërtet, një opozitë e tillë do të humbiste kuptimin. Dhe, a do të fillojnë të konfliktojnë përsëri? Pa dyshim: sapo të mbarojnë këto xhambazllëqet e fundit. A do të pajtohen përsëri: pa dyshim sapo të fillojë t’i marrë uria për para përsëri oligarkët e tyre që, pas çdo xhambazllëku të përbashkët, i kanë gjithnjë e më në dorë. Por ndërkaq sistemi do të mbetet po ai.
Je pse ngulmoj edhe një herë, siç kam ngulmuar prej kohësh, se një opozitë apo kritikë që përqendrohet tek goditja mbi personat politikanë qoftë edhe mbi oligarkë të përveçëm - le të kujtojmë goditjet e fundit të “Temës” mbi çiftin Mediu - Delijorgji - por duke mos prekur mekanizmat e kudondodhur që kanë ndërtuar lidhjen midis tyre, jo vetëm nuk mund të jetë kredibël, por shpesh i shërben vazhdimësisë së sistemit. Mjaft të kesh parasysh mekanizmin e financimit të partive që vazhdon të mbetet i patrazuar në paligjshmërinë dhe jotransparencën e tij, paçka se kandidatët për deputetë e kryetarë bashkie ndryshojnë vazhdimisht. Pas përvojës zhgënjyese që kemi me tërë klasën politike sot mund të thuhet, pa ngurrim, se një opozitë sot nuk është e besueshme kur e redukton opozicionin e saj në emrat e përveçëm Berisha, Rama, Meta, Nano a ku di unë. Po ashtu sot është e vështirë të ndërtohet një opozitë e besueshme mbi opcionet e mbështetjes së njërit lider apo njërës parti kundër tjetrës. Madje edhe opcioni i mbështetjes së të keqes më të vogël kundër të keqes më të madhe ka rezultuar zhgënjyes sepse, e ardhur në pushtet, e keqja më e vogël është bërë shumë shpejt e keqja më e madhe. Kjo pikërisht sepse, në fakt, e keqja më e madhe nuk janë emrat e përveçëm, por sistemi. Të thuash “armiku ynë i përbashkët Sali Berisha”, apo “miku ynë Ilir Meta”, apo “tradhëtari Edi Rama” sot nuk ke thënë asgjë. Aq më pak kur ke parasysh se këtë nuk e thonë emra të rinj, por të njëjtët protagonistë për njëri tjetrin. Një opozitë serioze dhe e besueshme sot duhet të bëjë shumë më tepër se kaq. Nëse do të rendisja shpejt e shpejt disa kërkesa kryesore për një opozitë të besueshme do të thoja se kjo do të duhej të ishte një opozitë që: së pari, ka kuptuar natyrën e sistemit kriminal që është ngritur, së dyti, që krahas denoncimit të emrave të përveçëm del me denoncime të sistemit; së treti që duke mos qenë e korruptuar inkurajon pavarësinë e vërtetë të Gjyqsorit dhe të Prokurorisë dhe jo përdorimin e tyre në emër forcimit të sistemit të pandëshkueshmërisë; së katërti që ndërton një program të qartë dhe koherent për ndryshimin e sistemit me studime serioze dhe konkrete se çfarë duhet bërë në mjekësi, në arsim, në administratë, polici, gjyqsor, kontrollin e territorit, ruajtjen e ambjentit etj. që ato të kthehen në shërbime e të mira vërtet publike, e jo mjet pasurimi privatësh; së pesti që paraqet projekte të besueshme për ndryshimin e sistemit të financimit jotransparent e të paligjshëm të partive, së gjashti që ka një projekt për reformimin e mediave që synon shndrrimin e tyre vërtet në pushtet të katërt.
Dikush do të thotë se kjo është të kërkosh të zbresë nga qielli një opozitë tjetër pasi në terren ekzistojnë vetëm këta që kemi. Por edhe “këta që kemi” edhe ata që besojnë në korigjimin gradual të këtyre që kemi është e rëndësishme ta dinë atë që s’kanë. Të paktën ta dinë se nuk mund të na mashtrojnë më me emra të përveçëm prapa të cilëve fshihet një sistem krimesh të përgjithëshme. (Korrieri 13 Gusht 2008)
14 August 2008 @ 3:40 pm
….une mendoj se emrat e pervecem vazhdojne te shkaterrojn shqiperine…
14 August 2008 @ 4:07 pm
Shume me vend analiza e Lubonjes.
Politikanet gjithmone duan qe populli te shperqendroje vemendjen duke u mare me nje “lulkë” nderkohe qe ata bejne avazet e tyre, dhe aq me teper kur keta politikane jane kaq te korruptuar sa tanet. Ne kete rast lulka apo gjeja e ndritshme me te cilen merret masa dhe amatoret e politikes jane emrat e pervetshem dhe “rebelimi” ndaj tyre. Nderkohe qe keta emra te pervetshem bashke me ata te pergjithshmit qe jane pjese e sistemit te korruptuar vazhdojne rrumpallen ne kuriz te popullit.
Analiza e Lubonjes pak a shume konfirmon dyshimin dhe pesimizmin tim qe ne nuk kemi politikane me te ndershem dhe me te afte (dallueshem) sesa keta qe kemi, ndaj gjendja ngelet ne vend numero dhe riqarkullojne te njejtat figura ne politike.
Ose nese kemi, ata duhet sic thote Lubonja, ta tregojne veten, dhe vetja nuk tregohet vec duke share emrat e pervetshem qe jane sot ne pushtet, por me platforma te qarta dhe alternativa te mirfillta. Dhe per sa keto alternativa te mirfillta te mungojne ne bertitjet e politikaneve me te vegjel apo opozitareve, i bie te mendojme qe keta ose jane te paafte, ose nuk duan vertet te sulmojne sistemin e korrupsionit qe mundeson rrumpallen e pushtetareve dhe pronareve te tyre, dhe qe keta bertasin se thjesht duan dhe ata rradhen ne karige per te perfituar dhe per te bere rrumpalle.
Po e ben qe e ben Lubonja, mire do ishte te piketonte dhe keta oligarket me emra, ashtu si e di apo mendon ai.
14 August 2008 @ 4:11 pm
Nëse do të rendisja shpejt e shpejt disa kërkesa kryesore për një opozitë të besueshme do të thoja se kjo do të duhej të ishte një opozitë që:
së pari, ka kuptuar natyrën e sistemit kriminal që është ngritur,
së dyti, që krahas denoncimit të emrave të përveçëm del me denoncime të sistemit;
së treti që duke mos qenë e korruptuar inkurajon pavarësinë e vërtetë të Gjyqsorit dhe të Prokurorisë dhe jo përdorimin e tyre në emër forcimit të sistemit të pandëshkueshmërisë;
së katërti që ndërton një program të qartë dhe koherent për ndryshimin e sistemit me studime serioze dhe konkrete se çfarë duhet bërë në mjekësi, në arsim, në administratë, polici, gjyqsor, kontrollin e territorit, ruajtjen e ambjentit etj. që ato të kthehen në shërbime e të mira vërtet publike, e jo mjet pasurimi privatësh;
së pesti që paraqet projekte të besueshme për ndryshimin e sistemit të financimit jotransparent e të paligjshëm të partive,
së gjashti që ka një projekt për reformimin e mediave që synon shndërrimin e tyre vërtet në pushtet të katërt.
14 August 2008 @ 4:13 pm
P.S. Jo se keta emra te pervecem jane pa faj, perkundrazi, keta jane me fajtoret, pasi keta jane ne krye te pushtetit dhe keta votoi populli. Pavaresisht kush jane keta pronaret apo oligarket e tyre qe thote Lubonja, pushtetaret jane fajtoret me te medhenj.
Por ajo me te cilen bie dakort me analizen e Lubonjes eshte qe nuk jane vec keta emra qe bejne rrumpallen dhe nuk zgjidhet situata vec duke (nese) hequr keta nga pushteti; eshte nje sistem i tere njerzish dhe dallaveresh qe mundeson rrumpallen dhe qe ben korrupsionin dhe shkerdhatacionimin e cdo gjeje per perfitimet e tyre ne kuriz te popullit.
Ne cdo sistem qeverisje asnjehere nuk eshte faji vec i nje apo dy personave. Ashtu si ne komunizem nuk ishte faji vec i Enverit.
14 August 2008 @ 4:20 pm
Ne shqiperi te gjithe i njohin me emra, njeri ka naften, tjetri mermerin dhe materialet e ndertimit, nje tjeter mishin dhe bananen e ca te tjere kafen dhe kokainen. Lubonja ka te drejte kur kerkon te dalin ne pahe sistemet, lidhjet dhe rrjetet e ketyre, dhe jo vetem emra te pervecem, qe mbase jane aty jo per te misheruar, porse per te krijuar iluzione. Dhe jane keto iluzione dhe analizat spekulative te Temes qe krijojne me shume tym dhe fshehin vatren e zjarrit.
14 August 2008 @ 6:12 pm
Oligarket quhen gjoja Delijorgj. Disa te tjere quhen hapur Gjinushe, Nano, Medi apo edhe Baze vete.
Hajdutet thone “kapeni hajdutet” ne kete vend ku nuk ka ngelur me asgje per t’u vjedhur.
14 August 2008 @ 6:56 pm
Se kane fajin emrat e pervecem,pasi keta emra per ate pune jane te lakohen, te vihen perpara pergjegjsise.
Te lakohen jo vetem per meritat e tyre,por edhe per deshtimin e tyre.
E keqja eshte se njerez si Lubonja vete dhe Baze kane pergjegjsite e tyre. Pasi s’kane lene gje pa shkruar.S’kane lene prralle pa treguar.
Sipas interesave dhe kapricove te tyre, qimen e kane bere tra dhe traun qime.
Vetem ne shtypin shqiptare lexon shkrime te tilla si ky me lart. “Ai me tha mua nje dite kshu” pastaj une dhe ai tjetri miku ” ja beri atij ashtu”.
Me teper skript telenovelash apo skece humoristike.
Ne shqiperi nuk ka probleme me lirine e shtypit, por me lirine e tepruar te shtypit qe ka sjelle nivel kaq te ulet.
Kta sikur e bejne me llafe ne darke ne kafe dhe ne mengjes del shkrimi.
I jane qep Rames s’po lene gje pa thene qe po bashkepunon me Berishen kur gjer dje s’lane gje pa thene pse nuk bashkpunon.
Une se kuptoj njehre, nese vertet ka nje bashkepunim( megjithese deri me sot s’po thote gje njeri ku qendron bashkepunimi) ku eshte e keqja qe i sillet shqiperise?
Keta lloj analistash kane sjelle nje kulture shume te ndyre dhe poshteruese ne Shqiperi.
Ka tendece qe fjala “Bashkepunim” ti jepet nenkuptimi “Bashkvjedhje”.
Kjo ka koston e vete,pasi nese nuk na demton sot, ne te ardhmen shume.
14 August 2008 @ 7:09 pm
E thene e bardhe mbi te zeze :
Ja kjo eshte e gjitha, mbasi tregon nje barcalete korupsioni Lubonja.
Fatos !
Atehere ne ato zgjedhjet lokale kur gazeta e Meros pergojonte Ramen dhe djalin dhe ti nuk u habite fare , leshove nje xhevair qe lidhej me manipulimin e listave te zgjedhesve.
“Keta” iu drejtoheshe ti atehere socialisteve i kane futur virus listes se zgjedhesve per te heq nga lista votuesit qe do votojne per Olldashin.
Ate virusin po e qujme Worm 2005 FL ndersa ti padashur bere vend ne histori.
P.S. Virusi dallonte votuesit e kuq dhe votuesit blu. Prandaj i dashur nuk mjafton nje vize e hequr nga Tirana deri ne Dukat.
14 August 2008 @ 7:59 pm
…mos berja opozite eshte bpunim me salen….
….cere doni ju ti shikoni kur te ndajne kafet/$???!!!!….
….heshtja e turpshme per Gerdecin eshte bpunimi me i madh…
14 August 2008 @ 8:17 pm
Doktori, Piktori, dhe e keqja më e vogël
Eduard Zaloshnja
Gazeta Panorama
14/08/2008
Titulli i këtij shkrimi është parafrazim i titullit që Fatos Lubonja i kishte vënë një artikulli të tij në gazetën “Korrieri”. Në fakt, e vetmja gjë ndryshe në dy titujt është fjala e fundit e tyre - “e vogla” e këtushme është “e madhe” te shkrimi i Lubonjës. Ai shkrim (si dhe vetë titulli), bazohej në një lojë fjalësh me maksimën politike “Të pranojmë të keqen më të vogël”. Dhe kjo nuk është hera e parë që Lubonja e sulmon këtë maksimë. Sipas tij, një opozitë dhe shoqëri civile reale nuk duhet të sulmojë personat që janë në pushtet, por sistemin politiko-ekonomik që ka hedhur rrënjë në Shqipëri. Sepse edhe kur personat në krye të pushtetit ndërrohen, argumenton Lubonja, simbioza e oligarkëve të biznesit me politikanët e fuqishëm mund të ndryshojë pak në formë, por mbetet e njëjta në substancë. Dhe 18 vjetët e shkuara ofrojnë, në fakt, shumë shembuj që i sjellin ujë të bollshëm këtij mulliri të Lubonjës.
Por historia e zhvillimit të një vendi ofron gjithnjë por-a pas argumentimeve si ato të Lubonjës. Kështu, 18 vjetët e fundit na japin edhe shembuj që tregojnë se ndërrimi i personave në krye të pushtetit ka sjellë një hop sasior e cilësor në zhvillim, pavarësisht se sistemi nuk është ndryshuar rrënjësisht. Kështu, korrupsioni, klientelizmi dhe lidhjet e errëta të biznesit me politikën nuk u zhdukën me ngjitjen e Ilir Metës në karrigen e Kryeministrit, por Shqipëria njohu një rritje ekonomike të admirueshme, ndërkohë që rrugët moderne filluan të shtrihen shumë përtej urës së Limuthit, vendit ku kishin ngecur deri në vitin 2000. Gjithashtu, ardhja e Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës nuk e bëri Tiranën Kopenhagen, por i hapi rrugën asaj për një bum të paparë ekonomik. Dhe së fundi, ndryshe nga ç’deklaron Lubonja, ikja e Nanos dhe ardhja e Berishës në fuqi nuk ishte thjesht një vazhdim i status-kousë.
Meqë ardhja e Berishës në pushtet është më aktuale, le të merremi pak më gjatë me të. Së pari, ajo shënoi transferimin e parë paqësor të pushtetit që nga rënia e komunizmit. Dhe për një sistem demokratik nuk ka gjë më të rëndësishme se sa vetë alfa e sistemit - transferimi paqësor i pushtetit. Më tej, pavarësisht simbiozës politikë-biznes që vazhdon të mbijetojë nën hijen e Berishës, gjërat nuk janë njëlloj si në kohën kur qeveriste Nano. Kështu, gjatë qeverisjes së Berishës, rritja e të ardhurave nga doganat dhe tatimet - dy burimet kryesore për mbushjen e arkës së shtetit - është disa herë më e lartë se rritja ekonomike dhe rritja e çmimeve të marra së bashku. Gjë që tregon se biznesmenët nuk e kanë më aq të lehtë t’i fshehin mallrat apo fitimet e tyre. Në fakt, në tre vjetët e fundit, të zhdoganimi i mallrave të akcizës - karburant, cigare, kafe, etj. - është dyfishuar krahasimisht me tre vjetët paraardhës. Dhe kjo, jo sepse konsumi i tyre është dyfishuar, por sepse sistemi fiskal po funksionon më mirë.
Një tregues tjetër që tregon se sistemi fiskal po punon më mirë është edhe rritja e ndjeshme e të ardhurave nga tatimi i shitjes së pronave të paluajtshme, si dhe përdorimi gjithnjë e më tepër i faturave fiskale.
Por a duhet të kënaqemi ne me sukseset e pjesshme të Metës, Ramës, e Berishës, ndërkohë që oktapodi politikë-biznes vazhdon të majmet nën hijen e tyre? Mendja ta do se shumica e shqiptarëve do dëshironte një sistem të pastër politiko-ekonomik, të bazuar vetëm në meritokraci. Por e keqja është se historia ka treguar që rruga drejt një sistemi të tillë është shumë e gjatë dhe me shumë kthesa.
Kështu, po të gërmosh në arkivat e gazetave amerikane të shekullit 19, do gjesh skandale shumë të shpeshta korrupsioni të elitës politiko-ekonomike. Vetë fuqizimi marramendës i “baronëve plaçkitës” si Rokëfeller, Morgan, Stanford, Karnegi, Hopkins, e shumë të tjerë, i pati rrënjët në mbylljen prej politikanëve të njërit sy e të njërit vesh. Në fakt, edhe sot po të shfletosh gazetat amerikane, nuk të rastis rrallë të lexosh për skandale korrupsioni të zyrtarëve shumë të lartë. Më i fundit ishte ai i senatorit super të fuqishëm të Alaskës, të cilit i ishte ndërtuar një vilë 250 mijë dollarësh në shkëmbim të aprovimit të një projekti fitimprurës për biznesmenin që i bëri “dhuratë” vilën. Ndërsa po ta hedhësh vështrimin më afër në kohë dhe hapësirë - në Italinë fqinje - 60 vjetët e fundit të ofrojnë shembuj të panumërt të një oktapodi politikë-biznes që majmet në kurriz të publikut, ndërkohë që vendi vazhdon rrugën e mundimshme të zhvillimit (Italia ka kohë që është pjesë e G7-ës, grupit të vendeve më të zhvilluara të botës).
Duke u kthyer në Shqipëri, shtrohet pyetja nëse, siç argumenton Lubonja, simbioza politikë-biznes është e keqja më e madhe aktualisht për ne. Unë do i përgjigjesha se është e keqja më e vogël. E keqja më e madhe për Shqipërinë do ishte në qoftë se zgjedhjet e 2009-ës nuk do realizonin transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore për të dytën herë radhas, ose në qoftë se Berisha do mbetej në pushtet falë zgjedhjeve të kontestuara nga opozita dhe komuniteti ndërkombëtar. Kjo, sepse një palë zgjedhje të kontestuara apo, më keq akoma, të dhunshme do e zgjasnin drejt pafundësisë tranzicionin tonë nga diktatura në demokraci. Dhe demokracia ka treguar ndër shekuj se, pavarësisht nga ngadalësia e breshkës në purifikimin sistemit, arrin në finish më shpejt se lepuri i shpejtë i diktaturave, i cili, në garën proverbiale me breshkën, ia fut gjumit herë pas here në ndonjë hije peme.
14 August 2008 @ 8:28 pm
Flaken!!..sistemit..Moza ku je ti me sistemin?
14 August 2008 @ 8:31 pm
Une e ?
N’periferi t’sistemit si gjithmone
14 August 2008 @ 8:37 pm
Tangente.
E di vetë ajo.
ahahahaha!
14 August 2008 @ 8:39 pm
Bukur Fatosi. Por nuk duhet ta them une se kete e kane thene komentet e mia dy vjet me pare. Bravo Fatos
14 August 2008 @ 9:47 pm
Une them bravo Eduard.
Zaloshnja i ka vene me mire pikat mbi i dhe e shpjegon me realisht sistemin dhe problemin.
Lubonja ka te drejte ne disa pika, por sic e tha dikush mesiper e ben ne disa raste qimen tra dhe ne disa te tjera traun qime.
14 August 2008 @ 11:05 pm
Eduart Zaloshnja ka te drejte per sa thote se Shqiperia ka pasur nuanca dhe ndryshime ne faktoret ekonomike (dhe ne korrupsion) nen drejtimin e kryeministrave te ndryshem, dhe keto ndryshime jane reale dhe te matshme, packa se shume amatore te politikes bejne sofizma per ti mohuar keto.
Por, Zaloshnja ne persiatjen e ceshtjes me tingellon pak amatoresk vete, dhe kete e them me rezerve pasi ky eshte shkrimi i pare qe lexoj nga ai. Dmth, ben Lubonja nje artikull, dhe meqe Lubonja eshte i njohur si analist, del dhe Zaloshnja te beje nje kunder apo paralel artikull me te njejtin titull pak a shume.
Plus qe, Lubonja nuk ben argumentin qe Eduardi thote se ai ben.
Plus, kur thote Eduardi
prap ja fut kot, dmth egzagjeron.
Eduard, ne Amerike parlamenti nuk ka 140 veta, po 435. Pa permendur pastaj pushtetaret lokale qe jane shume me shume sesa ne Shqiperi, pasi Amerika eshte afro 100 here me e madhe. Duke pasur keto parasysh, skandalet e korrupsionit ne Amerike jane shume me pak se ne Shqiperi, dhe ti ose nu e dije kete, ose e egzagjeron kastile per te mbeshtetur argumentin tend te implikuar qe “pyll pa derra nuk ka dhe ne nuk duhet te ankohemi dhe aq shume sa thote Lubonja”.
Pa permendur ketu qe ne Shqiperi shume gjera nuk dihen dhe nuk zbulohen e publikohen kurre si skandale. Nuk mund te krahasosh kekun me byrekun. Ne jemi parahistorike ne krahasim me Ameriken (dhe shume vende perendimore) kur vjen puna tek niveli i korrupsionit ne administrate.
14 August 2008 @ 11:20 pm
Ç’ja ka futur kot Zaloshnja me këtë kundërpërgjigje. Me atë Stevensin e Alaskës njëherë, dy pika: 1) Nuk i bënë vilë $250.000 por renovime falas me vlerë $250000), 2) AI po hetohet për këtë!
Sa për krahasim në Shqipëri u desh të vdisnin me dhjetra për t’u bërë një hetim. Gjithashtu në Amerikë ke tërë ata të arrestuar, sa janë arrestuar në Shqipëri deri tani?
Lubonja mirë e ka deri diku por këta oligarkët do ta kishin shumë më të vështirë (siç thotë edhe barcaleta e tij) nëse politikanët s’do merrnin pare. Prandaj fillimisht të pastrojmë politikanët se po s’pastruam ata kush do të zbatojë ligjet për të kapur oligarkët?
15 August 2008 @ 7:12 pm
Zaloshnja nuk me duket se ja ka fut fare kot, por e ka te futme me plan. Ky eshte nder anetaret e flakte te PDR-se (Pollos) dhe tani qe Pollo eshte zv/kryeminister dhe PDR ka paralajmeruar shkrirjen /ribashkimin/ me PD, Zaloshnja, thjesht po nderron qime… qe te ruaje lekuren.
16 August 2008 @ 1:19 am
Fatosi eshte pene e kendushme dhe duhet vleresuar ne analize kur merret me kohen….ashtu si edhe kesaj rradhe…Por ja fakti!
:P 
Nje Mjaft lindi….nje G99 u cfaq ne mortajat e topat (jo per pershendetje) krisen
Po nga do dale ky grup ? Nga Diaspora/
Po dolie e rdhei qe andej do jete Krimi me i Madh kunder Shqiperise!