Diplomatët Shqiptarë në vend të dytë në ShBA. Jo për diplomaci por për gjoba të papaguara…..
Disa javë më parë tek Shekulli ishte një shkrim interesant i nga Ardian Vehbiu titulluar “Kur parkon Shqiptari” i cili prekte mospërfilljen e rregullave të qarkullimit nga diplomatët Shqiptarë në qëndrën e OKB-së në New York. Në shkrim thuhej se gjatë periudhës 1997-2002 diplomatët Shqiptarë kishin zënë vendin e 7-të mes gjithë diplomatëve të tjerë për kundravajtje parkimi. Si thatë të 7-tët? Si është e mundur kaq dobët? Mos u mërzisni, më në fund kemi lajme të “mira” se në New York mund të jemi vetëm të 7-tët por në Washington për vitin 2005 duket se jemi të dytët, vetëm Kameroni na e kalon tani. Vitin tjetër akoma më mirë ishalla, forca çuna jepini edhe në New York!!! Lajmin nga radio WTOP si dhe artikullin e Ardian Vehbiut mund ti lexoni më poshtë:
Diplomatët gëzojnë parkim të lirë në kryeqytet
Mark Segraves
WTOP Radio
4 Gusht 2006
Washington: Për shumicën e motoristëve në kryeqytet dy apo më shumë gjoba do të bëjnë që mbi makinë të vihet ajo pengesa e shëmtuar e madhe e verdhë. Por nëse je diplomat ama, atëherë është histori tjetër.
Policia vendore e ka të ndaluar nga Departamenti i Shtetit (Ministria e Jashtme e ShBA) që të mbledhë apo të vërë dënime për gjobat e parkimit ndaj mjeteve të ambasadave. Kjo do të thotë që ambasadat s’kanë përse të shqetësohen, si për gjobat ashtu edhe për pengesat.
Që nga 2001-shi gjobat e papaguara të ambasadave kanë arritur në më shumë se 250,000 Dollarë Amerikanë. Në 2005, 971 gjoba për shumën 79,980 dollarë nuk u paguan.
Për vitin 2005 thyesi më i madh i rregullave ishte Kameruni me 78 gjoba për shumën 5,855 dollarë. Shqipëria është e dyta me 50 gjoba për 4,370 dollarë.
Franca merr rreth 1,000 dollarë gjoba çdo vit ndërsa vende të tjera të cilat duhet të paguanin më shumë se 1,000 dollarë për 2005-ën janë Australia, Egjipti, El Salvador, Islanda dhe Afrika e Jugut.
http://www.wtopnews.com/index.php?nid=25&sid=870533
**********************
Artikulli i Ardian Vehbiut nga Shekulli
KUR PARKON SHQIPTARI
Ardian Vehbiu
![]()
Jeta e përditshme në mjediset urbane, sidomos në qytetet e mëdha, do të vështirësohej shumë sikur banorët e atjeshëm të fillonin t’ia shpërfillnin normat, herë të shkruara e herë të pashkruara, herë të logjikshme e herë absurde, që rregullojnë përdorimin vetjak të hapësirës publike. Aq më e vërtetë është kjo për metropole me sipërfaqe vetvetiu të kufizuar për shkaqe gjeografike, të tilla si ishulli i Manhattan-it brenda konglomeratit urban të New York-ut, ku miliona qytetarë të pasur e të varfër, vendës e të ardhur, amerikanë e të huaj, të larë e të palarë, jetojnë e punojnë në vetëm 60 km2. Në rrethana të tilla, edhe një problem relativisht minor si parkimi i automjetit privat vjen e shndërrohet në çështje me interes të përbashkët, pse hapësira e përdorshme është e pakët, ndërsa kërkesat për ta zaptuar, të panumërta. Siç mund të pritej, vendparkimet e ligjshme në Manhattan janë relativisht të rralla e ndonjëherë tepër të shtrenjta, në një kohë që policia urbane tregohet e vëmendshme dhe e pakursyer në shpërndarjen dhe vjeljen e gjobave për parkime të paligjshme.
Një numër banorësh ose më mirë “përdoruesish” të Manhattan-it, mbeten megjithatë të përjashtuar nga ky sistem shtrëngimesh dhe ndëshkimesh - ata mijëra diplomatë të huaj akredituar pranë Kombeve të Bashkuara ose në konsullata të ndryshme, e që gëzojnë imunitet ndaj përndjekjes prej organeve lokale të ruajtjes së rendit, sidomos kur është fjala për kundërvajtje të thjeshta. Natyrisht, imuniteti diplomatik njihet dhe respektohet botërisht për arsye madhore e të vetëkuptueshme, edhe pse shumë diplomatë në praktikë e shfrytëzojnë për nevojat e tyre private. Deri vonë (2002), diplomatët në Manhattan mund t’i parkonin automjetet e tyre ku t’u shkrepej dhe t’i shpërfillnin krejt gjobat përkatëse, pa u shqetësuar se kjo mund t’u sillte ndonjë farë pasoje të pakëndshme. Vendësit, nga ana e tyre, gjithnjë e kanë përcjellë me indinjatë të madhe tolerimin e kësaj kaste të privilegjuarish nga administrata metropolitane.
Sjelljen e individit në publik komuniteti nuk mund t’ia besojë krejtësisht normave etike individuale. Mirë do të ishte që gjithkush të motivohej vetvetiu nga ligjësitë etike të bashkëjetesës qytetare, por në praktikë ligjësi të tilla kanë nevojë për t’u mbështetur nga rregulla dhe norma praktike, të zbatueshme po të jetë nevoja edhe forcërisht nga organet e rendit publik. Funksionimi i komuniteteve të mëdha e shumëmilionëshe në mjedise të hiperpopulluara si Manhattan-i varet në masë të madhe nga gatishmëria e banorëve për t’i njohur këto rregulla e ligjësi si të vetat. Individi që kërkon të parkojë makinën e vet në qytet detyrohet të marrë parasysh që do të gjobitet nga policia në rast se parkon paligjshëm, madje edhe kur nuk begenis të kuptojë e të arsyetojë se rregullat e parkimit synojnë t’ia ruajnë cilësinë e dinjitetin jetës së përditshme në qytet.
Për diplomatët e huaj parkimi i paligjshëm është, përkundrazi, kryesisht çështje etike vetjake, meqë këta përjashtohen nga kërcënimi i ndëshkimit financiar. Të nisur nga ky konstatim i thjeshtë, dy ekonomistë amerikanë - Ray Fisman dhe Edward Miguel – studiuan statistikat e kundërvajtjeve të parkimit në Manhattan gjatë viteve 1997-2002, sipas shtetësisë së diplomatëve, për të parë nëse mund të gjendej apo jo ndonjë lidhje statistikisht domethënëse midis numrit të madh të kundërvajtjeve për diplomat dhe indeksit të korrupsionit për shtetin përkatës. Duke u nisur nga një përkufizim pune i korrupsionit si “abuzim i pushtetit për të nxjerrë përfitime private”, autorët e vështruan parkimin e paligjshëm prej diplomatëve të huaj si simptomë të mendësisë korruptive, meqë në raste të atilla privilegji formal i imunitetit që buron prej detyrës, përdoret për të përfituar privatisht nga hapësira publike.
Sipas këtij studimi, mes 146 shteteve me misione diplomatike në NYC, tre diplomatët nga Shqipëria zënë vendin e shtatë në krye të listës së zezë, me 84,5 kundërvajtje parkimi për diplomat, në një kohë që njëzet vendet me më shumë shkelje të tilla janë Kuvajti (246,2 shkelje për diplomat), Egjipti (139,6), Çadi (124,3), Sudani (119,1), Bullgaria (117,5), Mozambiku (110,7), Shqipëria (84,5), Angola (81,7), Senegali (79,2), Pakistani (69,4), Bregu i Fildishtë (67,1), Zambia (60,4), Maroku (60,0), Etiopia (59,7), Nigeria (58,6), Siria (52,7), Benini (49,8), Zimbabve (45,6), Kameruni (43,6), Serbia dhe Mali i Zi (38,0). Katërmbëdhjetë anëtarë të kësaj elite harbutësh ndërkombëtarë i përkasin kontinentit afrikan, çka e përfshin objektivisht Shqipërinë në një lagje kulturore e gjeografike prej së cilës gjithnjë dëshirojmë të distancohemi.
Arsyet që e shtyjnë një diplomat të parkojë paligjshëm nuk mund të reduktohen, megjithatë, në një diskutim buzëhollë rreth motivimeve etike të sjelljes dhe harbutërisë të personave që përfaqësojnë Shqipërinë në New York. Mund të përsiatet se diplomatët nga vendet e lartcituara, duke përfshirë aty edhe tonin, janë vetvetiu të varfër ose paguhen keq dhe nuk i kanë mjetet financiare për të përballuar parkimin në një qytet të shtrenjtë si Manhattan-i; sikurse mund të përsiatet edhe se shtetet përkatëse nuk kujdesen për t’u siguruar vendparkime të përshtatshme atje ku jetojnë e punojnë, sado përkohësisht. Megjithatë, një vështrim i shpejtë i vendeve në fund të tabelës e bën etikisht të pambrojtshëm pozicionin e Shqipërisë në krye të listës, sa kohë që ndër shtetet me më pak kundërvajtje, krahas Danimarkës, Zvicrës e Norvegjisë, gjenden edhe Mongolia me vetëm 10,2 shkelje për diplomat, Kirgizistani (5,2), Turkmenistani (5,8), Taxhikistani (4,3) dhe Moldavia (0,7). Mes fqinjëve tanë në Ballkan, nëse Bullgaria dhe Serbia-Mali i Zi na bëjnë shoqëri në kamaren e turpit, Greqia e Turqia, përkundrazi, nuk kanë asnjë kundërvajtje (zero), Rumania e Maqedonia rreth 3 shkelje për diplomat, Kroacia 6,5, Slovenia 5,2.
Nuk ka arsye, natyrisht, që të nxirren përfundime rreth karakteristikave etike të një kombi duke i studiuar sjelljen një grupi profesional aq specifik sa diplomatët. Njëlloj e logjikshme do të ishte të thuhej edhe se, karriera e suksesshme e funksionarit publik në vende si Shqipëria, Çadi ose Mozambiku kushtëzohet nga profili i ulët etik individual ose gatishmëria për të përfituar privatisht në kurriz të së mirës publike. Mirëpo të dhënat statistikore, në tërësinë e tyre, përmbajnë një të vërtetë që nuk mund të shpërfillet, sado të diskutueshme t’ia gjejmë premisat. Aq më tepër kur në këto sjellje të papërgjegjshme të diplomatëve shqiptarë nuk e kemi të vështirë të gjejmë diçka nga vetvetja, ose nga ajo filozofi praktike e rrugës që tanimë është shndërruar në formulë magjike të suksesit në xhunglat politike dhe ekonomike në Shqipëri. Duam apo nuk duam ne, diplomatët janë mëkëmbës jo vetëm të administratës shtetërore dhe forcave politike në pushtet, por edhe të vullneteve kultivuar në klimat politike mbizotëruese.
Mund të pyetej, me këtë rast, se ç’e shtyn një njeri të shkelë pa teklif e në mënyrë të përsëritur rregullat e thjeshta të bashkëjetesës urbane atje ku jeton – ose të pështyjë atje ku ha. Një përgjigje e pranueshme do të ishte se këta funksionarë e kanë marrë Manhattan-in “në përdorim”, pa e përvetësuar e pa e bërë dot “të tyrin” e duke e konsideruar hapësirën publike si kullotë për të livadhisur kuajt, çka tradhton edhe njëfarë armiqësie e karshillëku plebeas ndaj komunitetit mikpritës dhe vlerave konstitutive të atij komuniteti. Autorët e studimit të mësipërm shqyrtojnë, ndër të tjera, edhe hipotezën e një korrelacioni statistikor domethënës midis abuzimit të diplomatëve me imunitetin dhe opinionit të pafavorshëm ndaj SHBA-së në vendet përkatëse - çka në rastin e Shqipërisë nuk duhet të qëndrojë, përveçse po të përfytyrohet Manhattan-i si simbol i një bashkëjetese urbane ndaj së cilës abuzuesit ndiejnë zili, inferioritet, urrejtje ose thjesht përbuzje.
E lehtë do të ishte edhe që ky turp statistikor t’i faturohej mendësisë së njeriut të ri socialist, përkufizuar nëpërmjet raporteve të drejtpërdrejta vertikale me autoritetin, jo horizontale brenda komunitetit. Prej kohësh studiues e sociologë e kanë vënë re vështirësinë e madhe të shqiptarëve sot për të vendosur marrëdhënie të shëndetshme me hapësirën publike, por nuk është e qartë nëse kjo dukuri ka të bëjë me efektet anësore të totalitarizmit, apo me konsolidimin e pamjaftueshëm të jetës urbane historikisht në Shqipëri. E vërteta është se abuzime të tilla me hapësirën publike si ato të diplomatëve tanë në Manhattan ndodhin aq rëndom në Tiranë e gjetiu, sa tani pothuajse pranohen si të mirëqena nga opinioni. Nëse dëshira për të përfituar privatisht gjen përligjje në kontekstin kaotik të një shoqërie kapluar nga ethet e pasurimit patologjik e të ekonomisë së tregut çapraz, mungesa e kompensimit të kësaj mendësie nëpërmjet adoptimit dhe respektimit të rregullave të bashkëjetesës do marrë si një nga faktorët përcaktues për mendësinë korruptive në vend, sa kohë që dinakëria individuale shndërrohet detyrimisht e rregullisht në handikap të komunitetit.
Më në fund, te kjo gatishmëri për të shfrytëzuar privilegjin e detyrës zyrtare nga ana e diplomatëve, nuk mund të mos shihet pasioni i vjetër i ofiqarit shqiptar për vulën, titullimin, çelësin që t’i hap të gjitha dyert, ose “carta bianca-n”; ose për ta konsideruar karrierën publike si zhvendosje drejt një hapësire ku rregullat e bashkëjetesës dhe në përgjithësi të etikës nuk ka pse të respektohen më. Tek e fundit, kërkesat për privilegje e tituj i kanë shoqëruar për shekuj me radhë përpjekjet kolektive të shqiptarëve në histori, deri në atë shkallë sa grupe e komunitete të jenë identifikuar me privilegjet që u janë njohur prej autoriteteve të ndryshme. Një pasion i tillë sot mund t’i referohet fare mirë edhe psikologjisë primitive të krekosjes, fodullëkut, megalomanisë, kapadaillëkut e arrogancës macho; por në kontekste të gjera sociale, brenda dhe jashtë Shqipërie, vjen e na e pengon afrimin ndaj qytetërimit, përveçse na e modifikon gjeografinë dramatikisht, duke na degdisur në antipodet e çka dëshirojmë të dukemi në sy të planetit.
17/07/2006


4 August 2006 @ 2:30 pm
Të gjithë që kanë qenë në Shqipëri tregojnë se makinat ngecen në në mënyr shumë agresive dhe se shenjat e trafikut nuk respektohen. Kjo me siguri vjen nga periudha e shkurt që Shqipëria nga pasur vetura, sa di unë para 90 njerëzit e thjeshtë nuk kanë mundur të kenë vetura (kam lexuar në një artikull në anglisht.)
Këtu te unë kam lexuar se grekët janë vend të parë. Por te mos harrojmë se ketu nuk ka ambasadë shqiptare.
Kjo tregon se nuk jemi edhe aq Evropian sa që duam të jemi. Ok, mundemi të arsyetohemi se shqiptaret që po trazojnë perëndimin janë të paedukuar dhe janë nga zonat rurale, nuk din më mirë, por si mund të bëjnë diplomatët kështu?
4 August 2006 @ 2:40 pm
Obobo, u hap edhe kjo teme ketu? Ju lutem moderatoreve qe ndoshta te zgjedhin tema te cilat nuk i kane trajtuar deri ne vdekje forumet e shumta shqiptare.
Pastaj t’emen e s’emes, New York ve kaq shume gjoba saqe bravo bejen diplomatet qe na marrin hakun edhe nuk i paguajne.
Per ata qe kane kundershtime, shihni “The Inside Man” dhe do ta kuptoni se qe kur ka filluar kritika ndaj shqipeve.
4 August 2006 @ 2:42 pm
Blete s’e kisha vene re qe ishte diskutuar dhe ne vende te tjera prandaj e postova Te ma kishe thene me para s’do kisha harxhuar ato 5 minuta kohe per perkthim e pastaj 30 minuta per rregullimin e paraqitjes
.
4 August 2006 @ 2:49 pm
hej, sa mire me vjen kur me kerkojne te falur.::))
Kam ndjekur kete diskutim per nje jave, dhe duqe qene qe i shoh shpesh te njejtet njerez ne te dyja forumet, mendova qe edhe te tjeret do te ishin po aq te lodhur.
Gjithesesi, nese ka interes, do te duket nga komentet. Mundi juaj si gjithmone eshte teper i cmuar. :))
4 August 2006 @ 7:54 pm
Wow! Ne vendin e dyte?! Kjo eshte c’eshte! Edhe ku, ne NYC! Edhe diplomatet pale! Vaj halli abuzimet e njerezve te thjeshte! E themi ne pastaj Gilli ketu e Gilli atje. S’na ka faj Gilli ne po ja keta Gillat tane qe shkojne perfaqesues te kombit ne NYC e kudo neper bote!
5 August 2006 @ 4:04 pm
Ca diplomatesh jane keta. Keta jane fshatare me kurse dy mujore ne diplomaci. As gomere nuk kane pasur neper majat e maleve nga vijne, e jo me makina, apo sensin e rregullit.
Tema tjeter ju lutem!