Dino Risi dhe fundi i sinqeritetit
“Pleqëria nuk është gjë e bukur dhe romantike siç mund ta mendoni. Është e shëmtuar, dhe është një pikë mbërritje… paqja e shqisave. Të bësh kinema në moshën time është çmenduri…Mendoj se në moshën tetëdhjetëvjeçare të gjithë duhet ta lëmë këtë botë”. Janë fjalët e një viti më parë të Dino Risit që sot e qanItalia. Nëse ka një binom solid në kinemanë e këtij vendi, ky quhet: Komedia italiane - Dino Risi.
Shuhet Dino Risi në moshën 91-vjeçare. Ai është kineasti që gjatë karrierës pa tone ideologjike dhe melodramatike, pikturoi shqetësimet e Italisë
Mjeshtri i komedisë italiane
“Pleqëria nuk është gjë e bukur dhe romantike siç mund ta mendoni. Është e shëmtuar, dhe është një pikë mbërritje… paqja e shqisave. Të bësh kinema në moshën time është çmenduri…Mendoj se në moshën tetëdhjetëvjeçare të gjithë duhet ta lëmë këtë botë”. Janë fjalët e një viti më parë të Dino Risit që sot e qanItalia. Nëse ka një binom solid në kinemanë e këtij vendi, ky quhet: Komedia italiane - Dino Risi.
Ishte një nga mjeshtrat e mëdhenj të saj së bashku me Mario Monicellin, Nanni Loyn, Ettore Scolan, Luigi Comencinin, ishte një nga mjeshtrat e mëdhenj. Ikën kështu, në moshën 91-vjeçare, një klasik i artit të shtatë, protagonist i një stine të papërsëritshme, me të cilin do të mburreshin shumë, edhe nga ato specie të viteve të fundit që kurrë s’ia kanë dalë as ta imitojnë. Sepse Risi krijoi një formulë që ishte në gjendje të pëlqehej si nga kritikët dhe nga publiku, i aftë për të kombinuar zbavitjen në panoramën sociale.
Me pak fjalë, një lloj Billy Wilder por “made in Italy”, siç e tregojnë kryeveprat e tij që nga “Sorpasso” tek “Mostri”.
Risi – i lindur më 23 dhjetor 1916 – nuk pati hyrë dhe aq i ri në kinema. Si fillim ai kishte studiuar dhe u diplomua për mjekësi. Prindërit patën ëndërruar për të një karrierë si psikiatër, por i riu Dino ka projekte të tjera që lidhen me kinemanë. Vendosi të bëjë këtë zanat pasi kishte punuar psikiatër tre muaj në çmendinën e Vogerës.
Ndihmon regjisorë si Mario Soldati në filmin “Botë e vogël antike” (1940), ose Alberto Lattuadan tek “Idealisti Xhakomo” (1943), derisa më 1948, debuton me një metrazh të shkurtër, “Barbonët” quhet, dhe ku flet për varfanjakët e qytetit të tij të origjinës, Milano.
“Pushime me gangsterin” më 1952 është filmi i tij i parë i gjatë, porvërtet sukses pati me komedinë e zakoneve “Shenja e Venerës”, sukses që shpërthen me “Bukë, dashuri dhe…,” që ka protagoniste Sofia Loren. Në vitin 1956, realizon me mjete modeste “Të varfër dhe të bukur”, por që shndërrohet në kampion për audiencën e kinemasë.
Mjaftojnë kaq pak tituj për të kuptuar si do të zhvillohet kinemaja e Risit: popullore por kurrë së tepërmi sentimentale, e vëmendshme ndaj zakoneve por pa revansheideologjike. Kjo do të duket edhe në veprat e tjera të mëpasshme, në filmin dramatik “Një jetë e vështirë” me Alberto Sordin; tek “Parakalimi” që nga shumë është vlerësuar majë e komedisë italiane, me aktorin e tij të preferuar Vittorio Gassman; dhe ai që mbetet ndër titujt më të famshëm të Risit, “Monstrat” (1963).
Ai gjithnjë ia ka dalë të bëjë një kinema “të lehtë”, bazuar kryesisht në dialogët dhe në gjestet, si ato të realizuara në funksion të aftësisë së protagonistëve të tillë si Totò, Sordi, Manfredi etj.
Në vitet gjashtëdhjetë nëse regjisorët morën një rol të dorës së parë dhe fituan një personalitet të vetin edhe në kufijtë e kinemasë më pak impenjative, kjo ndodhi falë Risit dhe stilit të tij novativ: ritme të përshpejtuara (tek “Monstrat” një episod mund të zgjasë më pak edhe se dy minuta), plane-sekuenca “dinamike”, me njerëz që hyjnë dhe dalin nga kuadratura, janë të gjitha zbulime teknike që mund të buronin vetëm nga kreativiteti i një të riu, dhe që në ato vite ky ishte pikërisht Risi.
Aktiviteti intensiv i tij vazhdon edhe nëvitet shtatëdhjetë, dekadë gjatë së cilës realizon ndër të tjerë “Në emër të popullit italian” (1971), “Monstrat e rinj” (1977), “I dashur baba” (1979) dhe “Parfum gruaje”, sërish me Gassman, film qëkandidon për dy Oskar. Është ky që pati në vitet nëntëdhjetë një “remake” alla hollivudian me protagonist Al Pacinon.
Në vitet tetëdhjetë ai është duke u tërhequr megjithëse realizon filma të mirë si “Fantazmë dashurie” (1981) dhe “Seks dhe dëshirë” (1982).
Por komedia e famshme italiane duket në perëndim, kjo edhe për shkak të humbjes së aktorëve të talentuar dhe bashkëpunëtorë të Risit si Gassman, Tognazzi, Manfredi, Sordi. Kështu, në fillim të shekullit të ri, regjisori shfaqet në TV dhe realizon filmin “Bukuroshet” i frymëzuar nga Miss Italia. Një fund pak i trishtë cilësohet ky për mjeshtrin e kinemasë, të cilit Festivali i Venecias i akordon më 2002 Luanin e Karrierës. Nderimi i fundit që iu bë Risit ishte nga ana e ish- presidentit Ciampi, me titullin Kalorës i Kryqit të Madh. Dhe gjithë bota e përshëndeti.
Ai vetë ishte i ndërgjegjshëm për çfarë i kishte lënë botës së kinemasë, ndërsa njerëzit e saj të sotëm, jo nuk ishin dhe aq. “Ajo që ka humbur nga ajo kohë është sinqeriteti dhe mprehtësia që na bënte më spontanë dhe më krijues. Kinemaja ka ndryshuar për shkak të asaj monstre të zezë që quhet televizion. Për shkak të tij janë krijuar aktorë që nuk janë në nivelin e atyre të djeshëm. Nëse TV do të dinte të bënte një hop cilësor, të shkonte më përpara, do ta ndihmonte edhe kinemanë që të mos vdiste kurrë”,- pat thënë Risi para se shqisat t’i gjenin paqen përgjithmonë.


Shkruaj një koment (login)