Dhunojnë banorët, padi për policët e Bashkisë së Tiranës

Blerta Mrishaj
Gazeta Standard
15 Maj 2008

Jo vetëm që u shembin shtëpitë, por edhe i nxjerrin forcërisht prej tyre. Ndërkohë që durimi i tyre është sosur, banorët pranë spitalit “Koço Glozheni” ditën e djeshme kanë theksuar për “standard” se do të denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre nga policia bashkiake. Gati 70 shtëpi të ndodhura në këtë rrugë janë nën proces për t’u shembur nga Bashkia e Tiranës në kuadër të rikonstruksionit dhe zgjerimit të rrugës së Lanës. Por kjo gjë duket se nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me banorët, të cilët kanë bërë rezistencë ndaj policëve. Kështu, ditën e martë banorët pranë spitalit “Koço Glozheni” kanë pasur konfliktime të rënda me policinë, disa prej të cilëve edhe janë dërguar në spital si shkak i dhunës së ushtruar ndaj tyre. Banorët e revoltuar janë shprehur se do të kërkojnë ndjekje penale për policët që kanë ushtruar dhunë ndaj tyre. “Na kanë trajtuar në mënyrat më çnjerëzore. Ky është mundi jonë. Ne kemi mbi 10 vite që jetojmë në këto shtëpi dhe nuk është e drejtë që ato të shemben. Na kanë nxjerrë barbarisht nga shtëpitë tona dhe për këtë ne do të bëjmë kallëzim penal në prokurori”, –shprehet një prej banorëve pranë spitalit “Koço Glozheni”.

Duke e quajtur si të padrejtë prishjen e shtëpive të tyre dhe nxjerrjen me dhunë, 11 gratë e disa prej familjeve të cilat do t’u prishen shtëpitë prej ditës së martë kanë vendosur të hyjnë në greve urie. Madje, një prej banoreve të kësaj zone, Merita Lako, shprehet se nuk do të ndërpresin grevën e urisë derisa të gjendet një zgjidhje për problemin e tyre. Nga ana tjetër, nënkryetari i baskisë, Eduart Shalsi, është shprehur se tashmë ka përfunduar epoka e artë e ndërtimeve pa leje dhe se për asnjë qytetar nuk do të ketë tolerime. “As mos ta çojë njeri nëpër mend që mund të bllokojë ndërtimin e kësaj rruge dhe transformimin e Tiranës. Për më tepër kur bëhet fjalë për ndërtime që pengojnë vepra publike të rëndësishme siç është kjo arterie”. Ndërkohë Shalsi ka vazhduar më tej duke theksuar se banorët e kësaj lagjeje po përdoren si instrumente politike dhe se pavarësisht kësaj, këta banorë do të trajtohen rast pas rasti, duke ofruar edhe lehtësira të tipit bonus qiraje.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

9 Komente

  1. gene thotë:

    16 May 2008 @ 11:25 am

    Shume mire bejne qe i denoncojne per dhunen e ushtruar.

  2. gene thotë:

    16 May 2008 @ 11:26 am

    Nderkohe, pune te mbare bashkise per rikonstruksionin!

  3. blete thotë:

    16 May 2008 @ 4:32 pm

    me vjen keq per “berjen e rezistences” dhe “konfliktimet” dhe “bonus qiraje”. ah sikur Edvini te ishte dhe redaktor gazete!

  4. Grupi thotë:

    16 May 2008 @ 4:43 pm

    Hmmm…hec mo se e dime se si bejne “rezistence” banoret e Tirones. Nuk ka qene rasti qe ata kishin lidhur duart para shtepive dhe po kendonin Internacionalen…dhe policet e Pinochet ju errdhen me shkopa gome.

    Kto lloj incidentesh ndodhin cdo here qe shemben ndertime PA LEJE. Bashkia ju dergon njoftim se do shemben SHUME kohe me pare…dhe mbas nje procesi te gjate. Por ata nuk levizind…dhe kur vjen bulldoseri ke dera kujtohen te dalin dhe thone “na nxjerrin ga shtepia me dhune!”.

    Nuk eshte e drejte qe tju prishen shtepite? Nuk eshte e drejte qe ti ndertoni shtepite PA LEJE ne mes te qytetit.

  5. Leon thotë:

    16 May 2008 @ 5:14 pm

    Pse e kane kaq te veshtire policat e tiranes te mos perdorin dhune ndaj njerezve???? Dakord prishi ndertesat,por pse te shash apo ofendosh robte kete se kuptoj??

  6. Grupi thotë:

    16 May 2008 @ 5:19 pm

    Pse e kane kaq te veshtire policat e tiranes te mos perdorin dhune ndaj njerezve???? Dakord prishi ndertesat,por pse te shash apo ofendosh robte kete se kuptoj??

    Se i shajne, i ofendojne dhe i godasin vet kta Tironsit dem baba dem…ne shumicen e rasteve. Me ate llum mafalle qe kan te bejne policet e shkret…nuk ju ve faj.

    Dhe kta njerez nuk kishin dale nga shtepite akoma…prandaj duheshin nxjerre jasht…edhe pastaj shto edhe dozen e ekzagjerimit Shqiptar dhe gazetaresk dhe perfundon me kte artikull.

    ———-

    Mbaj mend para ca muajsh ke Fiksi nxorren ate videon e policit qe goditi ne koke njerin ne rruge. Ky i forti…i dale jasht makines…i bertiste policit duke e kapur nga xhaketa “Jam Anglez une! Mos me prek! Jam Anglez une ore!!” Edhe polici ja futi nje turinjve. Me ate mahalle…c’faj ka polici. Provo te besh nje gje te tille me ndonje polic ne Amerike…ti bertasesh e ta kapesh prej xhakete. Jo sharje…po plumb ha automatikisht.

    Pak me teper respekt per ligjin…edhe per Policin e Portokallise.

  7. Tironsi thotë:

    16 May 2008 @ 5:41 pm

    Lere o Grupo, mos i justifiko kot o burre. Te shau, te ofendoi, si njeri i ligjit qe je (policet dmth) bej padi. Te goditi, neutralizoje, veri prangat a godite sa te jete e nevojshme per t’i vene prangat. PO jo fillojne e shajne fakirat e keta i shalojne ne dru. Po polic hesapi thuj e ca pret tjeter.

  8. Grupi thotë:

    16 May 2008 @ 6:34 pm

    Se pari…dyhet KONFIRMUAR lajmi qe vertet ndodhi…dhe jo llafe gazetaresh e thashetheme. Te thuash “na bruatlizuan” nuk mjafton…duhet te na thone se SI dhe ta vertetojne.

    Cdo njeri qe i vjen polici ke dera dhe i thot…dil jasht se do ta shembin shpine…mund ta akuzoj se jane brutalizuar etj.

    Po kto lloj artikujsh dalin cdo dite neper gazetat Shqiptare. Polici si ne eshte…po e di ti si jemi NE?? ;)

  9. Tironsi thotë:

    16 May 2008 @ 8:04 pm

    Keshtu si ty mendova dhe une Grupo, po tu qen se jom cun i durushem :D iu ktheva ene i here shkrimit ene gjeta kete:

    “disa prej të cilëve edhe janë dërguar në spital si shkak i dhunës së ushtruar ndaj tyre.”

    Tani ti do me thush qe dro ia fut kot ene gazetarja. Ca s’bo vaki se helbete Shqipni hesapi, po qe jon allahu na rujt ene keta policat e bashkise jon. I kom pa dhe provu vete

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com