Identifikohu



Regjistrohu

Demokraci kjo, or tunjatjeta: ujë ti, ujë unë e së bashku gjol i madh!

Sheshet e Tiranes

 

Roli i kritikës së mirëfilltë nuk është ai denoncimit në vetëvete, as edhe kundërvënia ndaj ndonjë autoriteti, institucioni, individi apo opinionit në përgjithësi. Pëkundrazi, mendoj se ajo ka si funksion të adresoj problematikën e katalizatorit për ndryshim në shoqëri. Për këtë qëllim ajo mund të përdori mjete të tilla që variojnë që nga përimtimi (analiza) e realitetit social, ekonomik apo politik dhe deri tek përdorimi i miteve si struktura identitare. Për shembull libri më i fundit i Ben Blushit ‘Të jetosh në ishull’ mund të konsiderohet si kritikë ndaj shoqërisë, ose të paktën, e pranuar gjithësesi si e tillë, qoftë nga mbështetesit e veprës edhe nga “kritikët” apo “denoncuesit” e saj. Për një nga mbështetësit e tij sic është H. Çili (këtu) Blushi ka bërë “një roman shumë të mirë dhe një debat që na bën mire”. Kurse për Lubonjën (këtu) vepra e Blushit kritikohet pikërisht sepse mënyra se si e ka adresuar “katalizatorin e ndryshimit” të pretenduar prej tij nëpërmjet një konstruksioni mitesh të ngjashëm me mitet nacional-romantike është jo vetëm larg realitetit historik por edhe atij aktual. Arsyeja përse e solla si shembull librin e Blushit, sigurisht nuk është kritika ndaj ketij libri, por ideja se letërsia ka një dimension kritik të pamohueshëm. Po ashtu, besoj se kjo shërben për të sqaruar dhe dhënë përgjigje pyetjes nëse: ka traditë shqiptare në kritikë ose jo?

Vetë Lubonja, kur krahason veprën e Blushit me atë të nacional-romantikës, vë re se vepra e tyre në ate kohë ka shërbyer për te formuar identitetin e të qenit “shqipëtar” i cili nuk ishte një identitet i formuar në shumicën e shoqërisë. Pra në thelb edhe vepra e Rilindjes mund të konsiderohet një vepër kritike pasi ka adresuar nevojën për ndryshim në shoqëri. Në këtë kuptim disa vepra mund të jenë më kritike apo më pak kritike se të tjerat.

Gjithësesi, për të qënë të sigurt, është vepra e Konicës e cila e tejkalon çdo dyshim të prezencës së kritikës në kulturën shqiptare post-rilindase. Stili i tij shpotitës, i huazuar ndoshta edhe nga kritika moderne e kohes, është një model i lakmuar edhe sot në publicistikën shqiptare. Në lëmin e përshkrimit dhe kritikës urbane, ai ndoshta ka lënë nga të paktat dëshmi rrëqethese të masakras dhe mjerimit urban të kohës. Megjithëse e kam cituar edhe diku tjetër këtë paragraph të shkëputur nga ‘Shqipëria si m’u duk’ po e sjell përsëri këtu:

… Me të zgjuar, u lava, u rojta, u vesha, dhe dolla të shijoj për se largu dukjen romantike të Durrësit me kullat e Kohës së Mesme që e zbukurojnë posi gurë të cmuar në një brez prej ari. Kullat? Ku janë kullat? Anija sa vete po afrohet, hyri në liman, shtiri hekur: po kullat s’duken. Pyeta një officer të anijes. Cili qytet është ky? – Durrësi, u përgjigj oficeri. – Durrësi? Thashë unë. Jini i sigurt? Mos lajthiteni? – S’ka lajthim, është Durrësi, përsëriti duke nënqeshur oficeri. Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë. Dëgjova më vonë se nga tetë kullat e cuditshme që i jipnin Durrësit një madhështi të vecante, dy u prishën në kohë të luftës (për këtë s’kanë faj shqiptarët), po tri të tjera i rrëzoi dhe i fshiu një kryeplak qytetit, dhe të tri të fundit që kanë mbetur janë fshehur nga dukja prej ca binave të ra që u goditnë rreth e rrotull. Sic transit gloria Durrhachii

Në po të njëjtit nivel janë edhe dëshmitë e tij për gjëndjen urbane në Tiranë dhe pjesën tjetër të vendit.

Ndërkohë, për një nga kritikat me mbreselënëse në këtë drejtim do veçoja gjithashtu Kutelin, një autor që për shkak edhe të harresës së qëllimshme përgjatë totalitarizmit, ka qenë i panjohur për mua. Për dikë që merret me problemet urbane, sikurse bëj unë, përqasjet përimtuese dhe analitike të problemeve sociale janë vërtet të rëndësishme, porse vepra e Kutelit ka cilësinë që t’i afrohet realitetit në mënyrë shumë më të zhdërvjellet, dhe më mirë se c’do lloj kritike dhe përimtimi analitik. Në të gjithë veprën e vet Kuteli i trajton problemet e sturkturave, të veteorganizimit sic janë etika e grupit dhe komunitetit, duke i zbuluar dhe trajtuar në mënyrë të hollësishme. Por tregimi Lumi i Madh që po e prezantoj të plotë më poshtë, dhe që jam i sigurt se është i njohur për shumë lexues të këtij blogu, ka vecantinë që prek në një sërë temash që janë edhe sot, pas më shumë se gjysëm shekulli, shumë aktuale sidomos në zhvillimin urban. Ngjarja, që trajton jetën e një komunitet disi të lirë nga presionet vertikale të organizimit, dhe mardhëniet e tij me ambientin, me saktësisht nje lumi, i cili për shumë arsye përbën burimin kryesor ekonomik, dhe vendin ku më së miri pasqyrohen gjithë mardhëniet sociale të tij, përputhet fund e krye me problemet që has shoqëria shqiptare sot, duke variuar nga problemet e mbarevajtejs së demokracise që vijne si pasojë e mungesës së etikës; problemet e ambientit; mirëqeniës ekonomike dhe sociale; dhe deri tek problemet e familjes dhe individit. Problemet e planifikimit në demokraci, që janë të natyrës vertikale të organizimit, nuk mund të kenë mbarëvajtje asnjëherë nëse çalojnë ato të vetëorganizimit me natyrë horizontale, sic janë edhe ato të organizimit të komunitetit. Leximi i kësaj vepre të Kutelit shpresoj të qartësoj disa nga këto arsye, si dhe të ndihmojë për të parë se përse ndërmarrje planifikuese, siç mund të jenë ato në jug të Shqipërise në emër të turizmit, që kërkojnë njëkohësisht një sensibilitet ndaj ambientit dhe komunitetit, apo edhe ndërhyrjet në qëndrat e dendura urbane, nuk mund të jenë të suksesshme pa pasur parasysh vetëorganizimin e komunitetit si element kyç rregullator.

Sic thashë, për mua leximi i tregimit ‘Lumi i Madh’, ishte shumë mbreslënës dhe uroj që të jetë i tille edhe për ju!

 

Lumi i madh

Mitrush Kuteli

Njërezit – të mirë a të ligj, të bukur a të shëmtuar, të pasur a të varfër – vijnë e shkojnë, por Lumi ynë i Madh lumë ish e lumë është. Kur me ujë shumë e kur me ujë pak, vëtret, por atë ma ke aty për jetë e mot, kurse unë e ti, or tunjetjeta, sot jemi nesër s’jemi: bëhemi dhe e bar, dru e gjeth gështenje, se andej, në gështenjat, e kemi vendin.

Ama duhet ta dish se ky që sheh zotrote sot – i drejtë, i urtë, i platitur – ndryshon shumë nga lumi i vogelisë sime, sepse ka hapur udhë të re, siç desh vetë, mespërmes fshatit. Dhe këtë udhë e ka hapur me shpatë në dorë!

Atëhere, dua të them në kohën e vogelisë, pasi merrte fill nga kronjtë e largët të Hijes së Zezë, i kulluar si jar e i lehtë sa ta pinje me grushte e të mos ndjenje kurrë të ngopur, çante grykën e Krushës duke u hedhur zdrang-zdrund, prag më prag, nëpër shkëmbenj me myshk e pa myshk, shtohej me ujra të tjera që i vinin nga e djathta e nga e mëngjëra: me ato të kronjve që dalin nën gurin e Kol Branës, ato të Kabashit me shokë, të Stregës, të Fitit, nën pllajën e gështenjave të Katjelit, në Shën Djelë, e soste poshtë, nën Gurin e Etheve, aty ku ndahet jazi i mullinjve. Jazi ia pakësonte ujin, po Lumi i Madh ish bujar e nuk mbante mëri: “Le të marrin, thosh, njerëzia, te bluajnë, të bëjnë bukë e kulaç”, pastaj rusej nën mullinë e Veselit, nën atë të Emin Blacërit (e mbani mend Emin Blacërin apo Emin Jargon, siç i thosh gjithë fshati? Në s’e mbani mend ua them unë: një burrë i trashë, gushëmadh e zëngjirur, që vrau të nipin, të vetëmin, nga inati, me nje gur kokës; më tej Eminë e vrau me sopatë, në gjumë, për të marrë hakun, Aliu, i biri, i vetëmi, dhe kështu dera u mbyll vetvetiu), çante udhë nën Najazmë, përmes arave me dhe të butë e shelgjishta, gurgullonte midis drizash e kulprash ku që në muaj prill këndonin ferrakët dhe dilte me bujë, duke kercyer rrasë më rrasë, nën shtëpinë e djemve të Velës, shkonte nën vigun e udhës së Mokrës – të ngushtë sa mezi mund të vinte dhija këmbën – futej prapë në një amëzë të butë gjer aty nën Gurët e Meros, merrte nën urën e Nackes dhe bënte t’i turrej gjolit, sepse, siç e dini, uji i shumtë ndjell të paktin. (vazhdo leximin ketu)

 

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment »

  1. Pjer Thomas thotë:

    3 Qershor 2008 @ 7:47 pm

    …..Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë…..

    Le te jete kjo shprehje e Konices, shprehja/thenia e dites.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.