Delegatët

Ardit Bido
Stadard

Isë Boletini kishte vonuar dy ditë në Kuvendin e Vlorës, por vlonjatët, himariotët, lazaratasit, çamët, tetovarët, dibranët, shkodranët e mbarë shqiptarët nuk humbën rastin të ishin atë ditë, atë orë, përpara selisë së Kuvendit të Kosovës, në shkurtin e parë.“Kush je ti more burrë që po vjen nga Kosova”, – bërtiste dje Sokoli, nxënësi 18-vjeçar, që së bashku me profesorin e tij, nuk mungoi në Ditën e Kosovës. E takuam në hotel “Grand”, ku me një grup prej 30 fierakësh e vlonjatësh, që kishin mbërritur gjatë natës në qytet, mbanin ison e Pavarësisë, me këngët popullore labe, të lakuara me theksin e fortë jugor, shpeshherë të pakuptueshëm për vendalinjtë.

“Edhe 52 gradë celsius, edhe 11 mijë metra mbi dhe, ca gjëra nuk ngrijnë”, – thoshte një reklamë e një kompanie fluturimesh e varur në anën e majtë të hotelit më luksoz të Prishtinës, pikërisht në drejtim të Kuvendit, ku në 15:39 minuta u dëgjuan fjalët që do të ndryshojnë historinë e vendit më të ri të botës e ku u drejtuan të gjithë qytetarët që zgjodhën kryeqytetin e tretë shqipfolës të rajonit, për të kremtuar ditën e djeshme.Nën -3 gradë celsius raportonin dje mediat vendase, por për Sokolin, gjysmë të ngjirur nga kënga e gjysmë të dehur nga rakia e festimit, që kishte nisur që në agim, ishte shumë nxehtë. “Sot është Dita”, – na tha, teksa drejtohej i kapur dorë për dore me rreth 60 miq (të vjetër e të rinj). këndonte “Eja mblidhuni këtu këtu” në Bulevardin “Nënë Tereza”. Ai ishte delegati i pashpallur i Vlorës, së bashku me katër autobusët që e shoqëruan nga vendlindja e tij, për t`i vënë vulën mbarëshqiptare rishikimit të 1913-s.Sokoli nuk ishte vetëm, por ishte i rrethuar nga miqtë, e krijuar rishtazi në rrugët e tejmbushura, ku lotët e mallëngjimit nën fotografitë e të rënëve të luftës, në kangjellat e mbrojtura nga pak uniformveshës së Kuvendit të Kosovës ndërthureshin thuajse pa u vënë re nga brohoritjet e papushuara të 18 orëve të diellit të së hënës së djeshme.

Bashkë me të ishte Eugeni, po 18 vjeç, që prej Fierit, vinte në Prishtinë, për të mos e humbur Ditën, e Ledjoni, 25, nga Saranda e Erjoni, 24, nga Mallakastra, e Haliti, 44 nga Tetova, e mbi 3 mijë persona, që konfirmonin se kishin kaluar së bashku 24 orët e fundit, kufirin e Morinës a të Vitisë, në shtetin zyrtarisht gjashtëyjësh, por veç me flamuj dykrenorë që lindi dje.

Ca prej tyre u takuan që në autobusin, ku ishim edhe ne, e ku gjatë gjithë rrugës refuzuan gjumin, për të melodizuar vargjet kombëtare të Asdrenit, a për të dëgjuar kur nuk dinin, këngët atdhetare të Dibrës, të servirura nga Zyberja e Naimja, të dyja mbi gjashtëdhjetë, që ditët e sotshme ia dedikonin baballarëve të tyre, të dëbuar prej Prizrenit, nga ushtarët “shkjaj”.

E i vetmi çast kur humori u kthye në zemërim ishte kur doganierët shqiptarë, të të dyja anëve të Morinës, vonuan 10 minuta për të sjellë pasaportat që tipikisht i kontrolluan. “Rreth flamurit të përbashkuar”, ishte përgjigja e Visit, 26, hidroteknik, vlonjat i Tiranës, që me ekzaltimin që i solli autobusit, bëri doganierët të këndonin edhe ata, duke kthyer pasaportat, veç duke uruar pavarësinë.

E më pas, në Kosovë “të gjithë u dehën, jo domosdoshmërish nga rakia”, – thotë Vilsoni, 33, çam nga Fieri, që së bashku me katër autobusë të tjerë kishte kaluar nga rrugët me ngricë të Kukësit, një natë më parë, që në 7:00 të mëngjesit, të gjendej aty ku kishte lënë amanetin baca, siç shkruhej pak metra më tej, në një afishë që prej tre ditësh ishte kthyer në simbolin e Pavarësisë.

Nuk ishte i vetmi, treva e së cilës u vetëshpall delegat, ishte nisur së bashku me të në një autobus të veçantë nga Fieri e në një tjetër nga Saranda, përveç atyre të shpërndarë në autobusët e linjave të tjera, ku ndodhej edhe përfaqësuesi zyrtar i shoqatës “Çamëria”.

E shqiptarët e Kosovës, tash edhe zyrtarisht shtetas kosovarë, nuk i kishin lënë pas dore, por u kishin rezervuar një këngë më vete në Radio Televizionin e Kosovës “Mall për Çamërinë”, që shfaqej thuajse çdo dhjetë minuta, mes intervistave të shkurtra informative të ditës, e që kishte zaptuar thuajse 90 për qind të këngëve të transmetuara.

E në qendrën e Prishtinës, shoqata e shqiptarëve të Kosovës nga Boni, Frankfurti, e Dyseldorfi, dedikonin veç këngën “Çamëria” të kënduar në Kosovë, një vit më parë, nga Elsa Lila pa reshtur nga ora 9:00 e mëngjesit, deri në 8:00 të mbrëmjes së Pavarësisë.

“Kish gjasht muj pa ardh”, – na tha Haliti nga Tetova, që ndonëse kishte karamboluar makinën në dalje të qytetit të tij, e la atë, mori taksinë e parë që gjeti dhe u nis drejt e para Kuvendit të Kosovës, për të parë hyrjet e daljet e politikanëve, akademikëve, atdhetarëve e reporterëve, që e bënë Kuvendin, ku nuk u ngrit flamuri, por u bërrit liria, shtëpinë e tyre të vetme për një ditë.

“Miqtë e mi nga Tetova janë këtu sot”, – na tha, teksa valëviste flamurin shqiptar, në të njëjtën shtizë me atë amerikan, “një se e kam timin, e tjetrin se më dha të drejtën ta gëzoja”, siç zëdridhur shprehej.

U bashkua edhe ai me Sokolin për të kënduar popullorçet e anembanë vendit e për të uruar që “ky të jetë fillimi e jo fundi”, duke huazuar shprehjen që përdornin të gjithë “delegatët”.

Këta të fundit nuk mbaronin me kaq, edhe Shkodra kishte nis të vetët, edhe Lazarati, kishte përcjellë dy autobusë e nja pesë a gjashtë makina, me amanetin të mos kthehem pa pavarësi, edhe Himara, i kishte nisur labët e vet për të kënduar deri në agim, bashkë me vëllezërit kosovarë, nën himnin kombëtar.

Gjithsesi, ata që ishin derdhur të gjithë në rrugët e Prishtinës ishin fqinjët bashkëkombës lindorë, që edhe pse “me dhimbje se mbetëm jashtë”, sipas Kushtrimit nga Bujanovci, nuk mund të mos festonin shqipen e dytë zyrtare në Ballkan. Me gazetë në dorë, ku kishte mbishkruar Koshtunica e Nikoliç, mes fotove të Pashiçit, Titos dhe Millosheviçit, lexoi edhe një herë titullin, që “Ekspres” kishte zgjedhur për të pritur 17 shkurtin: “Fuck Yu”(gosllavia).

Në çast, u ndërthur me turmën, që ndoshta shkonte qindra mijëra e miliona, në bulevardin e asfiksuar të Prishtinës, ku u takua, e ndoshta foli, edhe me Sokolin, Ledjonin, Vilsonin, Halitin, Visin, Erjonin, Eugenin, Zyberen, Naimin, shqiptarët “zyrtarë”, iliridasit, ulqinakët, çamët, preshevarët, e kosovarët, që festuan së bashku Ditën, si delegatët e dikurshëm në “Kuvendin e Vlorës”, që mbërritën nga të katër vilajetet e atëhershme të Shqipërisë, për të shpallur “mëvetësinë”. Veç, këta nuk e nënshkruan me bojën e stilolapsit, që kaloi 111 duar në sallën e Kuvendit të ri, atij të Kosovës, por e nënshkruan me “gëzuar”-ën që thanë, me përqafimet, përgëzimet dhe urimet që drejtuan ndaj të gjithë bashkëkombësve pa dallim “kushtetues”.

E në atë ndërthurje të haresë së Prishtinës pasdite, m’u kujtua shqiptari i parë i Kosovës, që më foli atë mëngjes, një fshatar nga Ajvalia, që pinte kafen në hotel “Madridi”, ku rreth 20 shqiptarë Shqipërie ishim mbledhur. “Faleminderit, – na tha, - na keni ndihmuar”, për të marrë një reagim, ndoshta instiktiv, të një prej shqiptarëve “bregdetarë”: “Gjak e shkabë”.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment

  1. Erald KApri thotë:

    7 March 2008 @ 9:26 pm

    Bido ta paska marre shkrimin peshku. ky ehste shkrim i mire

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com