Dashuria me veladon të kuq

zemra.JPGE gjitha filloi pikërisht atëherë kur mediat dhanë sinjalin e parë që shën Valentini po afrohej. Ndërsa reklamat komerciale oshëtinin nëpër qytet, ajo filloi të kishte ca halucinacionë të çuditëshme, të pa provuara kurrë më parë. Një fytyrë shënjti e sfumuar si në një negativ filmi filloi ti shfaqej papritur në ambiente të caktuara, kohë e pa kohë dhe ndonjëherë jo vetëm fytyra, por i tërë shën Valentini me gjithë trup i veshur me një veladon të kuq.Veladooonn te kuuuqq?! Po pse të kuq vallë? Nga e kishte gjetur fantazia e saj këtë veladon të kuq? Gjithsesi në fillim nuk i kushtoi shumë rëndësi, duke e menduar si lajthitje të mëndjes, që vinë e shkojnë e nuk lenë gjurmë, por pasi i ndodhi nja dy tre herë, kjo gjë filloi ta shqetësonte, sikletoste dhe më e keqja ishte se nuk kishte ndërmënd t’ia thoshte asnjeriu këtë që po i ndodhte, qoftë dhe njerëzve të saj më të afërt.

Atë mëngjes, ajo shkonte si zakonisht në punë e mbështjellë me shall dhe kapuç për t’i shpëtuar erës së ftohtë të shkurtit, ndërsa mbi kokë i qëndronte varur një qiell gri i dendur dhe i mërzitshëm që pikonte trishtim aty këtu. Dhe era e ftohtë që lepinte fytyrat e ngrira e krejt pa shprehje ishte gri dhe e trishtuar. Ia trembi shikimin një reklamë e madhe me dy trëndafila të kuq të spikatur qe i doli në rrugë papritur. Nuk e kishte parë më përpara aty, në atë vënd, në atë rrugë që ajo e bënte përditë. Dhe ja, ndërsa shihte shkarazi reklamën me çiftin e trëndafilave vezullues të spërkatur me pikëza brilante në petale, diku aty pas xhamit të reklamës, iu shfaq e zbehtë një fytyrë e çuditëshme shënjti me kurorën e shënjtërimit mbi krye. Ndaloi hapat dhe ktheu sytë për të vërtetuar që ajo që pa ishte pjesë e reklamës, por jo. Fytyra u zhduk, nuk ishte më. Fërkoi sytë dhe pa përsëri, por jo. Nuk ishte. Përpjekjet për të harruar çfarë i ndodhi u tërhoqën pa sukses, ndërsa trëndafilat e kuq dhe fytyra e shënjtit i ngelën të varura në një cep të trurit. Aty i lëkundeshin nga era e mendimeve që iknin dhe vinin me vrull. Trëndafilat… ato të ëndërruarit që ajo kurrë nuk i kishte pasur. Ato të dëshiruarit me ngulm për vite me rradhë, ndërsa shën Valentinat iknin dhe vinin, ato të gjithmonë munguarit. Dhe jo, nuk ishte ngaqë nuk ishte e dashuruar dhe nuk e njihte këtë ndjenjë. Jo. Ja që ai që ajo kishte dashuruar nuk dhuronte trëndafila. Midis një burri që dhuron trëndafila por që nuk e dashuron dhe midis një tjetri që nuk dhuron trëndafila por që e dashuron ajo kishte bërë zgjedhjen e dytë, mangësia e së cilës i shkaktonte ca të gërvishtura çdo shën Valentin.

Dhe ndërsa festa afrohej, ajo e zënë me punën fëmijët dhe përkujdesjet për familjen kishte filluar ta harronte çfarë i kishte ndodhur me reklamën e trëndafilave dhe kokën e shën Valentinit, deri në atë pasditen kur shoqja e saj erdhi për vizitë në shtëpi dhe duke pirë kafe, i tha që së bashku me te fejuarin e saj, kishin vendosur që ta kalonin natën e shën Valentinit në një lokal, të cilin e kishin pronotuar që më parë. Ajo filloi përsëri të shihte ëndrra dite me sy hapur. Fytyra e shënjtit këtë rradhë iu shfaq në mes të një rrëmuje njerëzish në Romën e Lashtë, në festën e Lupercalia-s . Djem dhe vajza të reja, veshur me tunika dhe sandale të lidhura në nyjet e këmbëve, me flokë të praruara në një mbrëmje shkurti, iu shfaqën mes zhurmës dhe muzikës, këngëve dhe kërcimeve dhe shënjti vetëm fytyra dhe duart e tij, aty në mes… mbante në duar dy enë të mëdhaja me ca letra të shkruara të palosura dhe femrat tërhiqnin letra nga ena me emrat e meshkujve ndërsa meshkujt tërhiqnin letrat me emra, nga ena me emrat e femrave. Shkundi kokën me rrëmbim. « E di prejardhjen e kësaj feste? –pyeti shoqen, dhe vazhdoi pa pritur ndonjë përgjigje- me sa kam lexuar e ka zanafillën në Romën e lashtë dhe rrënjët i ka në një festë pagane. Djemtë dhe vajzat e reja mbaheshin në atë kohë rreptësisht të izoluar nga njëri tjetri, por njëherë në vit, dhe pikërisht në mes të shkurtit, ata lejoheshin që të festonin bashkë për disa ditë. Mblidheshin në një mbrëmje dhe nga dy enë me emrat e tyre, pra të femrave veç dhe të meshkujve veç, tërhiqnin emrat ; me atë që i binte në pjesë, kalonin ditët e festës duke u argëtuar…. » Shoqja e shikoi pak e çuditur, pa ndonjë interesim të veçantë. La filxhanin e kafesë dhe ai ktheu « Jo, kurrë nuk e kam dëgjuar këtë. Po ju, keni planifikuar gjë se ku do e kaloni ? Çfarë do bëni atë natë? ». « Akoma nuk e kemi planifikuar - iu përgjigj- por do mendojmë ndonjë gjë deri atëherë » . Ajo e dinte mirë. Asgjë nuk kishte për të menduar. Asgjë nuk do ndodhte. Tashmë pas kaq vjet martesë e dinte që shën Valentini nuk trokiste në derën e saj, e kishte harruar me kohë, ose më saktë kurrë nuk e kishte kujtuar ndonjëherë, por kjo nuk donte të thoshte aspak që edhe dashuria e kishte harruar. Ajo dashuronte me tërë qënien e saj burrin e saj, i cili në fund të fundit kishte qënë zgjedhja e saj. Por ai kurrë nuk e kishte çuar për të festuar shën Valentinin diku, edhe pse ai gjithashtu e dashuronte . Dhe ja, këtë vit çudia kishte ndodhur. Asaj i shfaqej Shën Valentini dora vetë, herë me kokë e herë me duar e herë me veladon të kuq. Pikërisht këtë vit, kur përpjekjet dhe ankthet e saj kishin mbaruar, këtë vit kur poshtërimi i të mosqënit njësoj me turmën, ishte gëlltitur thellë brënda shpirtit dhe ajo besonte që tashmë ai ishte duke kaluar në sistemin e jashtëqitjes së shpirtit të saj, pikërisht këtë vit kur ajo nuk kishte menduar as për dhurata as për tu përpjekur për të bërë diçka ndryshe, pikërisht këtë vit zhurmat e bujshme të turmës dhe medias, ia kishin sjellë shënjtin në trurin e saj të lodhur nga lufta kundër rrymës.

Ankthi i rritej e rritej me afrimin e ditës. Nuk mendonte aspak për dhuratat apo lokalet ku mund ta kalonte, por tashmë ishte e shqetësuar për gjëndjen e trurit të saj dhe ajo frika dhe shqetësimi që kishte çdo vit, se si ti fshihej turmës këtë ditë, ishte kthyer në makthin dhe frikën haluçinative. Sigurisht nuk priste dhurata, ishte mësuar me këtë tashmë. Burri i saj i dashur nuk bënte pothuajse asnjëherë dhurata dhe veçanërisht për shën Valentin. Ajo ishte përpjekur tia fuste në mëndje për vite me rradhë, kishte pasur raste që edhe e kishte marrë për krahu dhe e kishte futur në ndonjë dyqan dhe e kishte detyruar që ti blinte ndonjë gjë, jo për kënaqësinë e saj, se sa për faktin që të nesërmen do e pyesnin në punë se si ia kishte kaluar dhe çfarë i kishin dhuruar dhe ndërsa të tjerat tregonin dhuratat e tyre, ajo do ishte e shtrënguar të thoshte genjeshtrën e saj të rradhës. Por koha, ia kishte gdhëndur shpirtin dhe bërë më të fortë, më të pandjeshëm dhe më të mbyllur ndaj turmës. Preokupacioni këtë vit, ishte vetja e saj, mëndja e saj e lodhur nga rrathët e shtrëngesave.

Atë mëngjes të ftohtë shkurti, dashuria u derdh nëpër rrugë si çdo vit tjetër. Fytyra të mbërdhifura nga syte e te cilave shpirti rridhte materialisht, dilnin nga çdo cep i rrugës dhe mbushnin rrugët që në mëngjes herët, ndërsa ajo shkonte në punë si çdo ditë tjetër me një ankth më shumë në shpirt këtë vit, me ankthin e haluçinacioneve.

I lanë të iknin dy orë më shpejt nga puna atë ditë dhe ndërsa kthehej në shtëpi shikonte lokalet plot me çifte, femrat me fytyrat teje të kënaqura dhe meshkujt duke pritur shpërblimin për çfarë kishin dhuruar. Turma e hallakatur endej rrugëve. Sa shumë dashuri që mbajnë njerëzit brënda tyre, por sa keq që e shfaqin vetëm në një ditë të vitit dhe e tkurrin pastaj në skaje të shpirtit për një vit të tërë. Dashuria varej në cepat e reklamave atë ditë… ishte ulur në tavolinat e lokaleve…. në sirtaret e parave të shitësave nën banak. Dashuria flinte shtretërve të moteleve atë ditë, që i kishin rritur çmimet për orë dhe trokisnin në dyer sapo shkonte ora që duhet të dilje. Dashuria ishte këputur atë ditë ashtu si mijra gonxhe trëndafilash , ishte mbështjelle me një letër dhe kishte udhëtuar dorë më dorë dhe derë më derë. Dashuria ishte ngjitur jo në fytyrat, por në duart e njerëzve atë ditë, në duart e njerëzve që mbanin dicka, patjetër dicka, atë simbolin famëmadh të dashurisë. Dashuria, kjo gje kaq e rrallë, kaq e brishtë, kaq e fuqishme dhe qiellore ishte vëne në garë ate ditë…kush të mund ta shpallte dhe tregonte më shumë në fytyra, veshje, e gjithçka. Nuk kishte shumë rëndësi nëse ekzistonte apo jo në shpirt, vetëm shpalle, tregoje, vish maskën e saj. Ata që nuk e tregonin dukeshin të mjerë para turmës dhe cila ego vallë do ishte aq e pathyeshme sa të përballonte vështrimet keqardhëse dhe pse jo ndoshta edhe përbuzëse të turmës?

Ajo nuk kishte asgjë në duar dhe nuk priste të merrte asgjë . Dhuratën e fundit e kishte bërë për shën Valentinin e kaluar, një pako me çokollata që ia kishte lenë burrit që flinte tek komodina e anës së tij me një shënim të dashur përsipër, por që ai nuk e kishte parë fare kur ishte zgjuar. Nuk i kishte thënë asgjë edhe pasi ishin kthyer të dy nga puna dhe as ajo nuk ia kishte përmëndur, duke u përpjekur të qetësonte pjesën e vrarë të shpirtit të saj. Kishin kaluar ditë dhe asnjë fjalë për pakon me çokollata që vazhdonte të qëndronte tek koka e komodinës e heshtur, deri kur një ditë fëmijët kishin kërkuar çokollata duke e marrë pakon në dorë dhe duke e sjelle në dhomën ku ata rrinin.

Pasi rrotulloi çelsin dhe hyri në shtëpi, u gjend e rrethuar nga dy palë krahe të hollë të ngrohtë fëminorë që e pushtuan, dy engjëjt e saj të vegjël që ajo i mbuloi me të puthura, ndërsa ato e mbulonin me cicërrimat e tyre. Shkoi në dhomë dhe u ul për tu shlodhur pak dhe ndërsa ato vazhdonin ti cicërinin në vesh, me më melodiozin dhe më të dashurin zë në botë, asaj papritur i erdhën prap ato haluçinacionet e tmerrshme. Kësaj rradhe shënjti iu shfaq në një kishë të vogël ndërsa bekonte martesën e një çifti. Errësira e kishës ndriçohej vetëm nga drita qirinjsh dhe ajo ndjeu erën e ëmbël të temjanit. Prifti me veladonin e kuq, bekonte fshehurazi martesën. « …. në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, unë iu shpall burrë e grua ». Të rinjtë me veshje romake dhe kurora me lule portokallesh në kokë, putheshin të heshtur… Shhhttt pa zhurmë, aty më pas, aty më tutje, aty në rrugë, ushtarët e Klaudiusit përgjonin martesat. Perandori Romak kishte shpallur të paligjshme të gjitha martesat, ngaqë lidhjet familjare, i pengonin meshkujt të shkonin në luftë dhe të vriteshin pa pasur merakun e gruas dhe fëmijëve që mund të linin pas. Pastaj, ashtu e pazonja që të dilte nga thonjtë e haluçinacioneve, ajo pa një hordhi ushtarësh të derdhej në dyert e kishes, po ashtu si turma që derdhej rrugës ditën e shën Valentinit në qytetin e saj. Ajo pa se si e mbërthyen priftin me veladon të kuq mes hekurave, ndërsa çifti i sapo martuar shpëtoi duke dalë nga një dalje e fshehtë.

Cicërima , ajo më e ëmbla e solli kësaj here në realitet : « mami im, sa e buçkur që je dhe sa xhan të kam » dhe mplluq zhurma melodioze e buzëve të njoma në faqe. U shkund, u ngrit dhe vazhdoi jetën e saj të zakonëshme nëpër shtëpi si çdo ditë tjetër. Shyqyr që nuk lëshonin edhe fishekzare atë ditë. Nata pas dritareve të shtëpisë ishte e qetë dhe e heshtur si zakonisht.

Por nuk kishte qënë pikërisht dita e Shën Valentinit ankthi i saj i vërtete. Ajo i shtynte minutat atë ditë, mes turmës së zhurmëshme dhe të zbrazur, mes vanitetit dhe haresë fallco, deri të nersërmen në mëngjes…. atëherë kur bëhej ballafaqimi.. « çfarë bëre ? çfarë të bleu ? çfarë i bleve ? » Kaq herë kishte vendosur që të thoshte të vërtetën : “ Asgjë nuk me bleu dhe asgjë nuk i bleva!….” dhe po aq herë në momentet kur ishte gjëndur para fytyrave dhe duarve që tregonin dhuratat ajo ishte njëhsuar me turmën dhe kishte gënjyer… më shpesh një genjeshtër të improvizuar në çast, të shoqëruar nga ngjyra e purpurt e faqeve që përpiqej ti mbulonte nën flokët e gjatë të cilat i lëshonte fytyrës. Mëndja i punonte me ankth të nesërmen e asaj dite : « Ah, kur do mbarojë edhe kjo ditë, të shpëtoj… » dhe fytyra e Shënjtit iu shfaq përsëri, kësaj here në burg, i munduar dhe rraskapitur, me veladonin e çjerrë, dhe e bija e gardianit të burgut që vinte dhe i sillte letra mirënjohje, ushqim dhe lule, nga të gjithë ata që ai i kishte martuar ilegalisht. Koleget e saj filluan ritualin e zakonshëm të ditës së pas shën Valentinit, me pyetjet e tyre dhe tregimet e lumtura, se sa shumë dashuri kishin dhënë dhe marrë ato, sa shumë kishin shitur dhe blerë, sa e shtrenjtë kishte qënë dashuria e tyre, sa e artë, argjëndë, diamantë apo e perl-të kishte qënë dhe sa shumë vlera materiale kishin merituar në shkëmbim të asaj çfarë ato kishin falur. Ajo aty në qëndër të zhurmës së fjalëve, nuk shihte dhe dëgjonte gjë tjetër veç shënjtit me veladonin e kuq, me kokën e prere në duar që bënte disa hapa dhe rrëzohej… pastaj e pa ashtu të shtrirë në arkivol dhe papritur, iu kujtuan ritet mortore të krahinës së saj, ku gratë i qanin të vdekurit me fjalë dhe me oi dhe i erdhi të ligjëronte aty, në mes të turmës së grave që flisnin e flisnin pa pushim, e që mos bënte këtë, u ngrit e shkoi në banjo dhe i hodhi një grusht ujë fytyrës.

http://www.kamomila-kamomila.blogspot.com/

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

9 Komente

  1. Perparim Hysi thotë:

    14 February 2008 @ 3:17 pm

    Pershendetje,Izabele!Sic e cmoi une,tregimi eshte i bukur dhe,sa per mua,ka prekur “telat e zemres” ashtu sic duhet.Ka vertetesi tregimi dhe,pse eshte i tille(pavaresisht alucinacioneve?!),ka dhe bukuri.Pjesa “me vitale”-ne mund ta quaj keshtu-eshte ajo “ku nuk shkembehen dhurata’(sa familje e jetojne kete”mosshkembim dhuratash!) dhe ku do te thuash te verteten::as me bleu dhe as me bleu!

  2. Kapiten Kapiteni im thotë:

    14 February 2008 @ 3:48 pm

    une tregimin e lexova tek blogu,lashe dhe komentin tim aty,gjithesesi per inerci
    po them nje te lumte dora!

  3. Frani thotë:

    14 February 2008 @ 4:11 pm

    E mo mire,
    dashka dhe dhurata kjo tashti :-) Shkrimi ama i qelluar, dmth e sjell atmosferen ne mendjen e femres shume bukur. I liked it a lot.

  4. whisper the real thotë:

    14 February 2008 @ 4:18 pm

    Me pelqeu…
    Rrefimi rrjedh thjeshte dhe pa buje (stil tipik i rrefimeve te Izabel)…si nje burim (dhe jo perrua) ku ata qe ne diten e te dashuruarve perjetojne Ethet E Pritjes Se Madhe mund te shuajne etjen (e pritjes) dhe te kthjellohen…

  5. Pjer Thomas thotë:

    14 February 2008 @ 5:50 pm

    Tregimi nuk qe i keq, seç kish nje lidhje ndermjet festes se Shen Valentinit me priftin dhe veladonin e haluçinacionit te saj.

  6. jeta thotë:

    14 February 2008 @ 7:38 pm

    shume i bukur. Si grua mund te them qe shen valentini eshte nje feste e njohur vone nga une, por zhurma qe behet rreth kesaj feste do s do kerkon te jesh pjesmarres edhe ti ne mes gjithe njerezve qe rinovojne ose shprehin dashunine. Mendoj se shpesh keshtu kane ngelur shume gra. Me pelqeu shume. Shpresoj te kalosh nie shen Valentin te kendshem.

  7. avocados thotë:

    14 February 2008 @ 7:53 pm

    duket i thjeshte por nuk eshte i tille…
    duket i erret por ka shume drite…
    kush ka sy, e sheh…
    urime

  8. Izabel thotë:

    15 February 2008 @ 7:40 pm

    Ju falenderoj te gjitheve qe me lexuan … dhe falenderoj pa fund ata qe nuk pertuan te shkruajne pershtypjet ketu… :)

  9. habib thotë:

    11 September 2008 @ 10:40 pm

    Une te lumi ti te Lumi me nje pudhje sna zen gjumi!

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com