Shoqëria civile: Të liberalizohen drogat dhe prostitucioni

Shqipëria mund të kthehet në një vend të ngjashëm me Holandën ku lejohet prostitucioni dhe përdorimi i drogës. Propozimi i bërë dje nga përfaqësues të shoqërisë civile në Komisionin Parlamentar të Ligjeve teksa po diskutohen ndryshimet në Kodin Penal

Sipas shoqërisë civle, duhet të liberalizohet dhe të shtohet norma e përdorimit të lëndëve narkotike për përdorim vetjak. Ndërkohë kërkesa tjetër është për liberalizimin e prostitucionit. Shoqëria “Aksion Plus” si dhe “Stop HIV-AIDS” i propozuan Kuvendit që të liberalizojë përdorimin vetjak të drogës deri në 5 gramë. Por mazhoranca dhe opozita duket se janë në konsensus për të mos lejuar liberalizimin e lëndëve narkotike dhe të prostitucionit. Edhe pse të hënën, Komisioni do të votojë draftet e paraqitura nga shoqëria civile, të dy palët kanë deklaruar votën kundër. Të hënën pritet diskutimi dhe miratimi në Komisionin e Ligjeve ndërsa të enjten tjetër miratimi i të dy Kodeve në seancë plenare.

Droga

Dy prej shoqatave, “Aksion Plus” dhe “Stop HIV-AIDS”, paraqitën propozimet e tyre duke kërkuar heqjen e dënimit për përdorimin e lëndëve narkotike. Sipas tyre, heqja e dënimeve nga Kodi Penal do të ndikonte në uljen e kriminalitetit në vend. Arjan Boci i shoqatës “Stop HIV-AIDS” i bëri thirrje deputetëve ndryshimin e nenit 283 të Kodit Penal. Sipas tij, deputetët duhet të përcaktojnë gramaturën e përdorimit të drogës për përdorim personal deri në 5 gram në ditë. Për këtë ai solli si shembull ligjin portugez. Momentalisht Kodi Penal nuk ka asnjë përcaktim të sasisë minimale të lëndës narkotike për përdorim vetjak. Përpara ligjit dënohen njësoj si ai që kapet me një gram, ashtu edhe ai që kapet me një kilogram. I vetmi përkufizim është në një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë.

“Ajo që ne përcaktojmë, është që të ketë një përcaktim të qartë të gramaturës për përdorim personal. Pra, kur vërtetohet se personi i ndaluar nuk e ka për qëllim trafikimi, por ka me vete një sasi të vogël, le të themi një gramë, të konsiderohet për përdorim. Këtu të hyjnë të gjitha drogat ilegale që qarkullojnë në Shqipëri, përfshirë marijuanën, heroinën, ekstazinë. Kërkojmë që personi pasi të verifikohet nga organet, të mos cenohet dhe të lihet i lirë”,- theksoi Arjan Boci. Të njëjtin qëndrim shprehu edhe koordinatorja e “Aksion Plus”, Fiona Lalaj, e cila kërkoi rivlerësim të lëndëve narkotike si dhe papërgjegjshmërinë penale për personat që do të kryejnë një krim nën varësisë e efekteve të heroinës. “Duke konsideruar heroinën si një prej drogave që ka efekte psikomatike, propozojmë të merret në konsideratë nga ekspertët e fushës së mjekësisë ligjore humbja e ekuilibrit mendor si element i papërgjegjshmërisë penale për subjektet që janë përdorues dhe njëkohësisht janë në konflikt me ligjin. Në kuadër të politikave depenalizuese, dekriminalizuese, eliminimit të recidivizmit apo shkollës ciklike të burgut, pasojave negative shëndetësore si; infeksione e hepatite, kostos ekonomike të burgut, stigmës psiko-sociale të të dënuarve si dhe në funksion të rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në komunitet propozojmë dënime më të lehta për vepra penale më të lehta”, deklaroi koordinatorja e Aksion Plus. Aktualisht sipas nenit 283, shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Prostitucioni

Lidhur me prostitucionin, Komiteti Shqiptar i Helsinkit si dhe Komisionerja Për Mbrojtjen nga Diskriminimi kërkuan shfuqizimin e nenit 113 të Kodin Penal, i cili përcakton se “ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Sipas propozimeve të Komisioneres kundër Diskriminimit, dënimi i femrave që ushtrojnë prostitucion duhet të hiqet, pasi i diskriminon ato në krahasim me meshkujt. “Komiteti përsërit shqetësimin e tij të përfshirë dhe në vëzhgimet e mëparshme përfundimtare, se prostitutat dhe viktimat e trafikimit kanë mbetur ende subjekte që dënohen sipas nenit 113 të Kodit Penal. Nëse synimi i legjislatorit me sanksionimin si vepër penale të këtyre sjelljeve është mbrojtja e moralit të shoqërisë, atëherë dhe ndëshkimi duhet të ishte i njëjtë. Pra efekti i kësaj dispozite është i ndryshëm për këto dy grupe personash dhe konkretisht i vendos gratë dhe vajzat nën një trajtim më pak të favorshëm. Ne kërkojmë shfuqizimin e nenit 113 të Kodit Penal me qëllim që viktimat e trafikimit të mos bëhen subjekte të ndjekjes penale dhe ndëshkimit”, thuhet në draftin përcjellë Komisionit të Ligjeve.

Edhe Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meço propozoi dënimin për ata që paguajnë për marrëdhëniet seksuale. “Ne duam të kemi një shoqëri puritane dhe të ndëshkojmë atë që ofron trupin e saj, por asnjëherë s’kemi menduar që të ofrojmë atë që paguan për ta marrë atë shërbim. Ka domate në treg, sepse ne i hamë dhe i paguajmë për t’i marrë. Dikush ofrohet për të prostituuar se ka një kategori shtetasish, të cilët paguajnë për ta pasur. Nëse asnjë mashkull s’do të kërkonte të kryente seks me një prostitutë që ofrohet, të jeni të sigurt që askush s’do e ofronte. Motori është i atij që kërkon dhe paguan për prostitucionin”, theksoi drejtuesja e KSHH-së.

Të dënohen edhe ata që paguajnë prostitutat

Komisioni i Ligjeve shprehet kundër heqjes së dënimit për ushtruesit e prostitucionit si dhe dënimin e atyre që japin shpërblim. Duke u bazuar në Konventat ndërkombëtare, në draftin e Komisionit të Ligjeve kërkohet ndryshimi i nenit 14 i cili i hap rrugë dënimit të atyre që ofrojnë para në këmbim të marrëdhënieve seksuale. “Shtytja, ndërmjetësimi, dhënia ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”, thuhet në draft. Në Kodin e mëparshëm nuk ishte sanksionuar dënimi për klientët duke u mjaftuar vetëm me “shtytja, ndërmjetësimi ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit. dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”. Kundër liberalizimit të prostitucionit u shpreh dhe nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili e cilësoi të papranueshme heqjen e sanksionit nga Kodi Penal.

Deputetët, batuta me domate dhe kastravecë

Vjollca Meço: Ka domate në treg, sepse ne i hamë dhe i paguajmë për t’i marrë. Dikush ofrohet për të prostituuar se ka një kategori shtetasish, të cilët paguajnë për ta pasur. Nëse asnjë mashkull s’do të kërkonte të kryente seks me një prostitutë që ofrohet, të jeni të sigurt që askush s’do e ofronte

Ilir Rusmali : Pra ju thoni që të ndëshkohet domatja dhe jo fermeri?

Vjollca Meço: Kjo metodë në Suedi ka rezultuar e suksesshme, pasi është ulur dënim i krimit të prostitucioni me 40 për qind

Fatos Hoxha: Domethënë ju zoti kryetar e keni gabim, nuk është historia e domates kjo, por paska të bëjë me kastravecin.

Shega Ligori: Kastraveci e nxit!

Fatos Hoxha: Të ndëshkohet kastraveci?! (Të qeshura në sallë)

Vjollca Meçaj: Po, po, motori është i atij që e kërkon dhe paguan për prostitucion.

Fatos Hoxha: Kastraveci që kërkon domate të ndëshkohet.

Vjollca Meçaj: Ok si të doni ju zotëri, kastraveci!

___

 

Panorama: Prostitucioni, PS: Jo legalizimit

ResPublica: Legalizimi i prostitucionit: E djathta pro, dhe e majta kundër! 

38 Komente

erdhi dita e Arbrit..., me ne fund.smileysmiley

duhet të përcaktojnë gramaturën e përdorimit të drogës për përdorim personal deri në 5 gram në ditë.... Përpara ligjit dënohen njësoj si ai që kapet me një gram, ashtu edhe ai që kapet me një kilogram.

me se e dobishme por gramatura sipas llojit te droges

papërgjegjshmërinë penale për personat që do të kryejnë një krim nën varësisë e efekteve të heroinës

ncuq e dobishme, perkundrazi e manipulueshme dhe e shfrytezueshme

Perqasja e ceshtjes me kastraveca e domate me impresionoi shume. Shpresoj qe ne seanca te tjera agrikultura dhe frutikultura te vijojne te zene vend te rendesishem.

imagjinoji dhe duke u zgerdhire nga sikleti nderkohe, qe te kesh tablone e plote

(ne vazhden e: metafora dhe shqiptarizma)

Te gjitha diskutimet me subjekt agrikulturen jane rezultat i zbatimit te direktives (strategjise kombetare) te kryeministrit. Shqiperia, bahce me lule, agrume, arrore, ullinj, vreshta etj etj. 

Mua qasja e deputeteve problematikave ne kete kontest me duket mjaft pozitive. Me se fundmi arriten te gjejne gjuhen e perbashket. Rrofte kastraveci, ky produkt bio i vendit tone, qe me ne fund bashkoi dhe klasen politike.  

Pjeshka do ishte me e pershtatshme.

Shega, Vjollca, Domatja dhe Kastraveci! 

Ca eshte kjo, Aventurat e Cipolinos? smiley

smiley

 

Xhan Rodari, vizionari.

Me ke knoq me ket postimin. smiley

100% dakord,sa per deputetet i them:Up yer arse ye fvcking cunts.

Hmmm, KSHH bashkohet me Aksion Plus dhe vazhdon i pashqetesuar rreshqitjen drejt humbjes se cdo rendesie apo peshe. Bravo Vjollca smiley

 

Hipokrizi e madhe nga politikanet. Te gjithe me dashnore i ke, ne kembim te ndonje favori. A nuk eshte prostitucion edhe kjo?

Tjetra- Per drogen per konsum personal nuk mund te denosh me burg tjetrin. E kush flet, politikanet shqiptare qe i ke te alkoolizuar te gjithe.

 legalise it

''Shoqëria civile: Të liberalizohen drogat dhe prostitucioni

 

po per ''rock and roll'' ç'thuhet, do ta liberalizojne?smiley

Belulo sqeka gjo mo me nejt anej na Holanda smiley

e kane ndaluar per jo-rezidentet degjova une. apo jo?

Djema, rendesi ka qe flitet, guxohet te flitet per gjera tabu. Mendoj se disa gjera duhen rregulluar me ligj, siç i kane rregulluar shum shtete, jo vetem Hollanda. Polici kudo, kendej ne perendim, sheh psh nje qe pi cigare me hashish/mariuane, po nuk eshte se e denojne, veç e kontrrollojne dhe ne qoftese i gjejne mbi norme, 1-2 gram, çeshtja i kalon organeve te tjera. Ne Maroko, Tailande, siç kam ndigjuar, ka vende te posaçme ku lejohet te pihet droga te lehta, si hashish, apo lejohet prostuticioni, thjesht per te terhequr turiste. Kuptohet çdo gje e kontrrolluar dhe e percaktuar brenda disa rregullave, qe duhet ti zbatojne si klubisti ashtu edhe klienti.  Natyrisht, qe une jam kundra drogave, por qe te denosh njesoj si nje qe ka 2 gram hashish  me nje qe ka 1 kile, mua s'me duket e drejte. 

 

Ilir Rusmali : Pra ju thoni që të ndëshkohet domatja dhe jo fermeri?

Vjollca Meço: Kjo metodë në Suedi ka rezultuar e suksesshme, pasi është ulur dënim i krimit të prostitucioni me 40 për qind

Fatos Hoxha: Domethënë ju zoti kryetar e keni gabim, nuk është historia e domates kjo, por paska të bëjë me kastravecin.

Shega Ligori: Kastraveci e nxit!

Fatos Hoxha: Të ndëshkohet kastraveci?! (Të qeshura në sallë)

Vjollca Meçaj: Po, po, motori është i atij që e kërkon dhe paguan për prostitucion.

Fatos Hoxha: Kastraveci që kërkon domate të ndëshkohet.

Vjollca Meçaj: Ok si të doni ju zotëri, kastraveci!

 

Lum si ne cfar niveli kulturor kemi ne parlament.

A eshte seksi nje kerkese biologjike?

A eshte shkelur ndonje parim i humanizmit kur dikush kerkon te beje seks pa dhunuar partnerin?

A te jep seksi kenaqesi siperore?

Nuk e di mund te shtrohen edhe shume pyetje te tjera si keto dhe pastaj vjen nje moment per te ngritur pyetjen: kur dikush (mashkull apo femer) nuk e gjen dot seksin free, pse te mos paguaj per kete sherbim? Detyra e ligjvenesve, e ketyre kafsheve njerezore nuk eshte qe te ndaloje me ligj sherbimin e seksit per njerzit ne nevoje, por te regulloje kete marredhenje kerkese-oferte ne menyre te tille qe te krijoje sa me pak probleme sociale.

Ore troc muhabeti: me ka ardhur ne maje te hundes e du me bo seks. Ku te drejtohem? I zoti me ja kerku falas ndonje femre nuk jam, se jam tip i turpshem. As i bukur nuk jam qe te thush se mund tia prish mendjen ndonje mesogruaje. Ca te boj? A ka ndonje qe pranon te vije me mu keshtu free per sevap? Nese jo, pse nuk duhet une te kem te drejte te paguaj per nje sherbim te tille? Dhe pse duhet ndaluar me ligj nje sherbim i tille aq jetesor?

Kuaz

 

liberalizim ne keto fusha do te thote:

paftesi per ti luftuar ato

korrupsion absoulut

shkatrrim moral  dhe social

 

me qëllim që viktimat e trafikimit të mos bëhen subjekte të ndjekjes penale dhe ndëshkimit”

më pëlqen kjo fjala "viktimë"... e kemi shumë qef si popull viktimizimin...

po ajo që s'përmendet këtu është kur femra/mashkulli e ushtron në mënyrë të vullnetshme shitjen e shërbimeve të veta, gjë që mund të quhet prostitucion i legalizueshëm (që nuk përbën krim, nuk cënon lirinë e të drejtën e askujt dhe për më tepër i lejon këto/a femra/meshkuj të kenë një status, kushte të pranueshme jetese/pune e madje të derdhin edhe taksa e të kontribuojnë në ekomoninë e vendit).

Ajo që duhet të mbetet ilegale është trafikimi i njerzve për qëllime prostitucioni, që do të thotë detyrimi i tyre të ushtrojnë prostitucionin kundër dëshirës së tyre.

Në Zvicër femrat (po sigurisht edhe meshkujt) mund të prostituohen që 16 vjeç, dhe nuk kam dëgjuar për popullin zviceran të ketë probleme "moraliteti" apo kriminalitet më të lartë se popujt e tjerë. Përkundrazi është biznes që i mbush mirë xhepat e shtetit me kontribucione të majme se edhe pagesa mesatare që përfitojnë "punëtorët e seksit" siç quhen nuk janë fare për t'u qarë... smiley

Prostitucioni eshte zanati me i vjeter i botes thone.Klasifikimi i tij si krim nuk ka per ta ndaluar si fenomen .Vendet qe kane ligje kunder prostitucionit  nuk jane shume efektive ne ndalimin e tij.Por dekriminalizimi i tij i con mesazhin e gabuar shoqerise se prostitucioni eshte pune si gjithe te tjerat dhe i hap rruge fenomeneve te tjera negative per shoqerine si shfrytezimi i femijeve ,femrave te pambrojtura etj.Prandaj ligjet kunder tij duhet te mbahen ne fuqi pavaresisht se zbatimi i tyre ne praktike mund te jete i nderlikuar.

Qysh na qenkerka bashkuar pozita dhe opozita ne kete pike duke mos lejuar legalizimin e prostitucionit?? Pozita ka humbur nje burim te bukur fort per mbushjen e arkes se shtetit nga taksimi sherbimeve seksuale kurse opozita ka humb nje elektorat bajagi te vuajtur. 

Te dyja palet  bejne strucin por c`kusur ka shoqeria shqiptare dhe sidomos ky brezi ri i frustuar per shkak te mungeses se sex merkatos? Por edhe deputeteve duhet me u qa pak hallin se leket i kane vertet  por edhe ne fushen e sexit vepron ligji liberalizmit.Liberalizmi e ka zgjeruar fushen  e luftes edhe ne kete drejtim. Disa fitojne pa kufi, disa jane te humburit total nga "dora e fshehte" e Tregut dhe Zotit. Disa kane seks me bollek (ai tipi futbollist psh qe kishte listuar 1500 femra )  kurse disa per shkak se natyra i ka privuar nga sharmi, katadnisen ne mastrubim.

Hiqi bragashet moj Shqiperi.Liri, liri therret gjith vegjelia smiley

Pervec shakave qe mund te behen ne kete teme.Keto jane ceshtje me te vertete serioze.Cdo ceshtje nese eshte e rregulluar me sistemin e duhur i ul probabilitet per tu bere nje problem.Por une jam dyshuese nese ky do ishte rasti i Shqiperise.Une nuk jam experte e ceshtjes dhe pak me takon te flas,por eshte e vertete, qe ne Suedi ne rast prostituimi eshte klienti dhe jo ofruesi qe denohet ne rast se kapet.Madje eshte e vertete qe kjo lloj taktike ka ndikuar ne uljen e prostitucionit ne vend.Sidoqofte sistemi eshte i organizuar ne menyre te tille, qe me ane te kontrolleve te vazhdueshme dhe raportimeve kjo teme te mos kthehet ne problem.Perseri nuk perjashtohen rastet e abuzimeve dhe ilegalitetit.Te njejten gje mund te themi per drograt e lehta duke ju referuar vendeve qe i kane legalizuar ato.Gjithe ceshtja eshte te krijohen sisteme efektive qe monitorohen me korrektese pastaj cdo gje ne kete bote mund te jete e lejueshme.

Dora, per te folut seriozisht (edhe pse komenti im ishte vertet serioz) duhet thene se "modeli nordik" (ku referohet rasi Suedise) suksesin ne uljen e shfrytezimit seksual e ka arritur duke harmonizuar penalitetet ligjore me nderhyrjet sociale (oportunitetet e oruara per femrat, shoqeia e mundesive te barabarta, balanca gjinore etj).Plus praktika e legalizimit/dekriminalizimit te prostitucionit funksionon me feikasitet ne nje shoqeri te emnacipuar, te cliruar nga verigat  e moralit patriarkal, ku te gjithe mund te bejne seks lirisht nqs duan te bejne seks  dhe ta shikojne ate thesht si argetim, konsum dhe jo thjesht dhe vetem mjet riprodhimi.

Ne rastin e Gjermanise apo Holandes ku praktika e prostitucionit eshte legalizuar, treguesit e shfrytezimit seksual,te dhunes kunder prostitutave dhe trafikimit te femrave nga Lindja apo Ballkani nuk kane rene.Perkundrazi.

Shoqeria shqiptare eshte ne pike te hallit per te treja aspektet: shoqeri patriarkale /fshatare, embyllur ende  dhe moraliste (jo morale sidoqofte), me institucione te brishta ligjore dhe institucionale per te kontrolluar biznesin e seksit nqs supozojme se e legalizon dhe se fundi por mbi te gjitha,shoqeri e varfer ekonomiksht, pra me risk te larte te perfshirjes se femrave ne prostitucion si burim jetese.

Per ta pare problemin nga nje kendveshtrim tjeter-ndoshta jo serioz por nga morali qe mbetet nje argumet serioz. Perse nje piktor perdor doren, nje kengetar perdor kordat zanore, nje futbollist talentin e kembes dhe nje femer nuk duhet te perdori seksin si instrument jetese? Sepse seksi eshte moralizuar? smiley

 

Dakort jam me nje pjese te mire te gjerave qe ti parashtron.Andaj dhe une ju referova Sistemeve qe funksionojne dhe percova Dyshimin tim per rastin e Shqiperise.Dyshim qe lidhet pikerisht prej ketyre rrethanave lokale te lidhura me trashegimin kulturore,insituticionale( I thencin), historike dhe qasjet qe kemi ne ndaj fenomeneve te tilla.Per te mos thene thjeshte per inefektivietin e tyre.Per ceshtjen e Holandes dhe Gjermanise,treguesit negativ qe shpreh ,jane rritur ne nivelin e prositucionit Ilegal.Eshte mese e kot te them qe kontrolli I” cilesise” se veprimtarive ilegale eshte thjeshte I pamundur.Mbi nje gje shume njerez do bien dakort, qe fenomene si prostitucioni nuk zhduken kurre nga faqja e dheut, edhe sikur Tokes ti vi koha e Sodomes dhe Gomorres.E vetmja gje qe i ngel shoqerive eshte qe te kete mundesi deri diku ti kontrolloj ose te zvogeloj me sa me te mund rrjedhojat negative nga ekzagjerimi i fenomeneve te tilla duke krijuar mekanizma eficent.Perpos varferise perseri prostitucioni ne Shqiperi s'eshte ne shkalle me te larta se sa ne vende te tjera Europiane.Por ky eshte perceptimi im personal ndaj mund te jete gabim.

Persa I perket moraliteti eshte fenomen mese normal gjithe andej.Thjeshte sasia ndyrshon nga nje vend te tjeter dhe perqasja qe kane njerzit ndaj saj.Nje gje eshte e cuditshme ne Shqiperi,sepse kur flet me individ te gjithe bejne si te hapur, te cliret dhe te relaxuar,por kur vjen puna ne jeten reale te gjithe I del nga nje brismiley

Ne lidhje me pyetjen e fundit qe ke parashtruarsmiley e mirekuptoj mendimin ,por per nje moment mu duk sikur perdorimi I seksit si mjet jetese eshte talent femeror!smiley lol.Ju referove piktorit,futbollistit e kengetarit qe lejohen te perdorin mjetet e “ talentit” te tyre,kurse nje femer josmiley.Uroj te mos kesh realisht nje mendim te tille.Ka dhe dicka qe tema duhet te shihet edhe mbi prespektiven e nje prostitucioni mashkullor.Besoj se eshte e drejte apo jo?

Po pra, kete doja te thoja:legalizimi prostitucionit nuk mundeson kontrollin e gjithe biznesit ilegal te sex-it.Dhe kur kjo nuk behet ne Gjermani, imagjino ketu ku polici korruptohet me pese mije leke. 

Per qasjet e tjera jame dakort.Jemi ne nje vale edhe pse problemin e shikojme nga perspektiva te ndryshme gjinore smiley Per pyetjen mbi seksin si mjet jetese patjeter qe femra e ka kete avantazh dhe perse te mos shikohet me pozitivizem ky "talent"? .Une vura theksin ne nevojen e de-moralizimit te problemit, aq me teper ne kontekstin modern te te drejtave-cdo person ka te drejte te beje c`te doje me trupin e tij.

A ka nje prostitucion mashkullor? Kjo lidhet pikerisht me ate qe sapo thashe-me moralizimin e seksit dhe nje kulture te tere te ngritur mbi dominancen mashkullore ku seksi femres konsiderohet prone e mashkullit.Kjo kulture e  ka bekuar  mashkullin me lirine seksuale kurse femren demonizuar si kurve apo te perdale. Zgjidhja: shiko Sex & City -clirimin e seksit nga morali smiley

smileyMe kete te fundit i ke dhene shkolle gjithe moralistavesmileyHahasmileyNejse ,nejse une them kur do vij koha te clirojme dhe moralin nga seksi.

DoraNoli: une them kur do vij koha te clirojme dhe moralin nga seksi.

Ky do ishte kthim prapa ne komunizem, sa nostalgjike qenke smiley

Kush une?Nostalgjike petllashsmiley.As ja kam pa as ma ka pa fytyren ajo kohesmiley

Kjo Elsa mëtonte se ligjërimi i prostitucionit do penalizonte moralisht klientët. Kjo nuk shqetsohet ose bën sikur se di se përfituesit kryesor tê prostitucion nuk janë as vajzat dhe as klientët por tutorët e vajzave .Në Shqipëri por dhe në shumë vende të tjera nuk ka prosti pa tutorë apo mac dhe ky është problemi më i madh i ligjërimit tê Prostitucionit se në kushtet dhe mentalitetin shqiptar i bie të ligjërosh shfrytzimin e ktyre femrave nga tutorët.Dhe në europë qêndron ky problem .Më parë ka qenë i lejuar prostitucioni psh në francë, vajza duhet të deklaronte vullnetarisht në polici që do punonte por prapa saj qëndronte gjithmon një mak. Sigurisht sot mentalitetet kanë ndryshuar megjithatë është pothuajse e pamundur që një prostitutë herët a vonë mos jetë viktimë e shfrytzimit dhe abuzimit ku me dëshirë e ku me forcë me vese të tjera si droga a pija . Sigurisht Elsa as qê do tja dijë për kto ajo flet sa për tê thënë që flet megjithse hala s'ka mbrojt të drejtat e njerzve për të jetuar që qeveria ja hoqi më 21Janar. Kjo Elsa do ishte mirë të punonte vullnetarisht si prostitutë e ligjërueme nja dy muaj si test pilot .Kjo se ka ngritur zërin kurrë që prostitutat u dënokan në Shqipëri për ushtrim prostitucioni! Në vend që të merren në mbrojte nga shteti të ndryshojnë identitet dhe të punësohen i çokan në gjygj ku me "shkëmbim"  malli a shërbimi mund të dali e pafajshme  .Do ti thoja Elsës që shko pirdh për ndonjë të drejtë tjetër. Gratë s' kanë pse të jenë kurva ose të nëpërkëmbura .As kurva as të nëpërkëmbura por gra e vajza të vlersuara si gjysma më e rëndësishme e shoqërisë . Kush dëshiron të bëjë kurvën le ta bëjë por shoqëria ka për detyrë të ruajë pamvarsinë dhe dinjitetin e saj njerzor e femëror e jo ta dënojë me ligje e ta lejë në mëshirën e tregtarve të pashpirt tê seksit ; gjë që në Shqipëri ështê e pamundur. As Kuazimundot e gjithë botës nuk do  mundin të mbrojnë dinjitetin dhe pamvarsinë e Esmeraldave  prostituta.Një pjesë e mirë e hoteleve,moteleve, shumëkatshe e vila në Tiranë e Shqipëri janë ndêrtuar nga kta shfrytzues prostitucioni vajzash shqiptare, moldave, rumune , ukrahinase,bjelloruse, greke etj.Shteti shqiptar nuk është shqetsuar asrë megjithse i di mirë se, është shtet shkërthat e kurvë. Hajdutët e trafikantët janë të përkëdhelurit e tij.    

kjo qenka më e forta:

papërgjegjshmërinë penale për personat që do të kryejnë një krim nën varësisë e efekteve të heroinës. “Duke konsideruar heroinën si një prej drogave që ka efekte psikomatike, propozojmë të merret në konsideratë nga ekspertët e fushës së mjekësisë ligjore humbja e ekuilibrit mendor si element i papërgjegjshmërisë penale për subjektet që janë përdorues dhe njëkohësisht janë në konflikt me ligjin. 

Me një fjal vrit e prit e thuaj kam pi drogë e raki e je në rregull me të dashurën e Shrekut që e thithka më duket.

 

Penalizimi njekohesisht i femrave qe ofrojne sex dhe meshkujve qe paguajne sex besoj eshte nje hap i mire . Legalizimi prostitucionit ? Flm qe nuk perfshihet ne standartet e BE.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).