Çmimi i një buzëqeshje
Ministri i shëndetësisë ka dy diploma Universitare, por nuk ka mbaruar akoma shkollën e mesme. Kështu tha ish kryetari i grupit të tij parlamentar, se ndonjë koleg kongolez nuk ka si ta dijë këtë. S’ka, s’ka! Ç’të bëjmë tani?! Pasi të kemi shtrembëruar pakëz muskujt e fytyrës, le ta kapërdijmë dhimbjen shëndetësore me një buzëqeshje të lehtë, nga ato që shpërfill gjithçka të pamundur për të qenë e vërtetë.
“Vërtetimi juaj për llogari bankare pranë nesh kushton një mijë lekë të reja”! 1 mijë lekë të reja? Për të më printuar një copë letër ku tregohen paratë e mia? Po! Dhe jo vetëm kaq. “Prit nja dy orë në radhë. Është shefja e zënë dhe nuk e shkruan dot tani”. Shkëlqyer. Po vrisja mendjen rëndshëm shumë se ku t’i çoj këto dy orët në vazhdim. Faleminderit që më mësuat ku t’i vras.
Letra me dy gjysma gjuhësh e me dy vula duhej çuar në “selinë qendrore” për t’u certifikuar si e mirëqenë nga “shefja e madhe”!!! Po unë banoj në skajin tjetër të Tiranës. Me letrën dhe kohën në duar, tek recepsioni i “selisë qendrore” e ndaj irritimin me një vërtetim-mbajtës prej Tropoje dhe me një tjetër nga Memaliaj, që kanë ardhur në Tiranë të “certifikojnë nga shefja e madhe se letra që kanë marrë në bankë është lëshuar nga një person i autorizuar prej saj”!!! Po s’u bë gjysma-gjuhëshja me katër vula, ambasada, punëdhënësi, konsullata apo institucioni ku do ta çosh “nuk kanë për të ta pranuar”.-thotë vështrimi autoritar i shefes. Bukuri! 1 mijë lekë, katër vula, dy ditë punë dhe një rrugë në Tiranë për të ndriçuar një vërtetim bankar. Rroftë buzëqeshja, bashkë me hidhërimin e saj.
Apartamenti nuk ka drita. Pallati është i ri dhe KESH nuk ka kontraktuar banorët. S’ka më afrofe. “Lidhni sahatin matës”. Sigurisht. Pesë ditë pune, dhjetëra litra naftë, shumë karta telefoni, shumë fytyra të ngrysura pa përgjigje dhe shumë lodhje që nuk duket, se apartamenti vazhdon të mos ketë drita. “S’e di moj zonjë. Nuk bëhet këtu. Pyet tek dera tjetër. Jo, ik te qendra. Shko tek zona jote. Kthehu tek shpërndarja. Tako kontraktonin. Duhet i licencuar nga KESH”. Patjetër. Inxhinieri i licencuar elektrik fton në zyrën e tij. Ishte në tavolinën bardhe prej kauçuku që ndodhej në cepin e lokalit përbri shpërndarësit. Mbi “tryezën” e zyrës, bashkë me birrën, edhe një shishe dhallë. Vjen “asistenti” që merr porosinë për të pirë dhe i sjell bashkë me faturën dhe me një tufë me letra. Inxhinieri, me një numër shpejtësie nxjerr nga karrigia përbri kapësen e dokumenteve dhe shfleton në pirgun që solli kamerieri. “Si e ke shtëpinë ti? Kështu? Si “jo”? E ke ndryshe? Ja ta vizatojmë. Po lere se e di unë si bëhen ndërtesat e sotme. Ja kështu e ke” Mirë, si të thuash ti. Ashtu e kam. Vetëm të marr atë vërtetimin, se më iku edhe për sot dita e punës. “Ja, kështu është shtëpia. Kështu edhe instalimet! 40 mijë lekë!” Pushim. Sytë duhet të jenë hapur më shumë nga ç’u mendua. Të vjetra. “Po, por do kushtonte më shumë po të kisha zyrë”. Faturë pagese?! Nuk mund të vazhdojë romanticiteti i detyruar në apartament po kërkova edhe fletë-pagesë shërbimi inxhinierik të licencuar, bërë mbi një gotë me birrë e mbi një tjetër me dhallë. Kamerieri dispononte të tilla vetëm për pijet!Buzëqeshja ngrin në fytyrë.
Ministri i shëndetësisë nuk ka mbaruar akoma të mesmen, banka më kërkon lekë për lekët e mia kurse KESH ka licencuar një inxhinier piktor, por pa zyrë.
Pastaj presidenti organizon ditë librash e ambientesh dhe i doli krejt nga mendja të reagojë për ndryshimet kushtetuese që prekin institucionin që duhet t’i dalë për zot. Rama është në veri, Berisha buzëqesh je Jug, Brace më në fund është qetësuar, Meta po futet prapë në shtrungë. Të përjashtimit firmosin në heshtje kundërshtitë publike, korrupsioni qenka i larte prape i flamosuri, Kadareja vajton për rusen, shiu nuk bie me tërkuzë mbi Tiranë edhe pas mesit te Majit, por gjithçka duket e vrazhde dhe komike si rënia e tij e pakohe.
Sa shtrenjtë ka shkuar një buzëqeshje!

19 May 2008 @ 4:50 pm
19 May 2008 @ 5:56 pm
dhe pse keto gjera ekzistojne, une shikoj te kunderten…lumturi, gjalleri, kafe plot e per-plot, disco plot, qetesi …
vertetimin njer do e maresh…su prish viti per nje dite…gjoja ne amerike eshte me mire?? press one for english press two for spanish… nje ore ne telefon…sa kursen kembet
19 May 2008 @ 7:09 pm
…dhe pse keto gjera ekzistojne, une shikoj te kunderten…lumturi, gjalleri, kafe plot e per-plot, disco plot, qetesi …
————
Nje varfanjak ishte ftuar ne nje ballo te pasurish. I shkreti harxhoji gjithe parate qe kishte dhe bleu nje cope shume te shtrenjte per te bere nje kostum Meqense nuk i kishin mbetur me para per robaqepsin ju lut nje mikut te tij qe nuk ishte robaqepes qe tja qepte kostumin. Miku ja qepi. Kur varfanjaku e veshi kostumin vuri re se nje menge ishte me gjate se tjetra, nje kembe e pantallonave me e gjate se tjetra dhe jaka i xhaketes i rinte shtrember.
-Si ta vesh une kete pyeti ai mikun e itj qe ja qepi kostumin.
-Mblidhe pak krahun ku menga e xhaketes eshte me e shkurter, kemben ku pantalloni eshte me i shkurter mbahe pak me lart dhe qafen mbaje shtrember qe jaka te duket te drejt. Ju pergjej miku
Keshtu beri i ziu dhe shkoj ne ballo. Njerezit qe e shikonin thonin
Gjynah i shkreti si eshte katandisur por ama ai qe i ka qepur kostumin ka bere nje pune te shkelqyer, i ri per mrekulli.
20 May 2008 @ 12:24 am
Ki kujdes, buzeqeshja mund te merret fare lehte si shenje dobesie dhe ujqit nuk falin kur ndjejne eren e dobesise
20 May 2008 @ 11:15 am
:))
20 May 2008 @ 5:28 pm
Ku e lame,e ku na mbeti Ne hall vatani,e ne hall mileti Nuk e shkruajta fjalen VAJ per arsye se e marrin per produkt ushqimor.
20 May 2008 @ 9:27 pm
Pa shkolle te mesme dhe Ministri i Shendetit ja ka mbledhur kembet Sales ne nje kepuce. Pale sikur te kishte mbaruar ate dreq shkolle te mesme hajde ta mbaje se Minister i Pare do te ishte bere.
21 May 2008 @ 6:23 am
me G99 do ia dalim