Identifikohu



Regjistrohu

Çmimi i heshtjes

Shhhhhht, të mos e dëgjojë njeri me zë të lartë, por duket se tarifave të mesazheve natën e vitit të ri iu është hedhur pak kripë.  Armiqtë, armiqtë e thonë.  Ata që kanë inat zhvillimin dhe hapat gjigandë të teknologjisë në vend.  Ata që nuk duan përparimin e Shqipërisë.  Se konsumatorët jo! Ata janë të gjithë super të kënaqur me tarifat konkurruese, të pranueshme dhe shumë të përballueshme nga xhepat e shqiptarëve.  E ç’pretendim të tepërt të kenë përdoruesit e shkretë të tarifave më mbresëlënëse në Evropë, kur tatimet kërdinë bëjnë mbi fitimet modeste të telefonive? As qeveria nuk i lë rehat.  Gjoba dje, hetime sot, shtimi i një operator nesër.  (që para tre vjetësh është nisur për në Shqipëri kjo e nesërmja.  Duhet të jetë duke i rënë nga larg.  Ndoshta nuk e di rrugën për në Tiranë e janë duke i dhënë udhëzime miqtë).  E me gjithë këto kusure mbi shpinë për operatorët, u shqetësuakan njerëzit se një sms paska kushtuar pesëfish natën e Vitit të Ri.  E ç’ë pastaj? Ja nga inati do bëhen ca kontrolle të brendshme, do pushohen ca fakirë nga puna, do bëhet autokritikë, iu hap punë edhe ca dosje-bërësve për të treguar kush punon e kush rri, dhe ja, u zgjidh çështja.  Ah, tarifat?

Po sikur të flasim më mirë për çmimet e shtëpive? Edhe ato garë me katet e pallateve po bëjnë.  As tavan, as dysheme nuk kanë të bekuarat çmime që ju vendosen hyrjeve në Tiranë.  Nuk kanë, sepse janë të varura në ajër, njëlloj si idetë dhe ç’idetë e atyre që i mbështesin, favorizojnë, shtyjnë dhe gjenerojnë ato.  Po s’flitet dot as për çmimet e pallateve, se do të ishte vetëm një monolog i përqeshur që rrezikon të të lerë duarbosh.

Po mirë, të flasim për bankat! Radhë e madhe në to, shërbim i pakët, i ngadaltë, jo shumë asistues për njerëz të pamësuar me trasfertat.  Njerëz që tërheqin lekë me qese, i paguajnë diku dhe dikushi marrës vjen sërish në bankë, mban radhën dhe i fut sërish aty.  Sigurisht në llogarinë e vet, por koha e të tjerëve mund të ishte kursyer nëse dy palët kërkonin një të shkretë transfertë elementare.  Po edhe bankat sikur e kanë ca qejf kripën; tek interesat e mbuluara dhe printimet me shkronja të vockla fare.  “Kujdes.  Rrezik ngrirje llogarish, financiare dhe mendore”.  Marrje! Po i lëmë edhe bankat mënjanë.

Po për TEC-in? Le të flasim pak për Vlorën.  Në ca foto bardhezi që vënë në punë kujtesën dhe i bëjnë apel të pakthyeshëm imazhit, turma të tëra fëmijësh vrapojnë dhe luajnë mbi rërën e hollë, të nxehtë, përkëdhelëse të bregdetit të zgjatur.  Njerëzit janë fare të çlirët.  Femrat 55 kg, meshkujt 70.  Dy-tre karroca dore vijnë nga një herë në ditë pa dashur të thërrasin më shume se një herë “hajde kasata, kasata, akullore”.  Të gjithë topat lihen mbi rërë dhe karroca rrethohet nga fëmijët që rrinë herë mbi një këmbë e herë mbi tjetrën.  Pah, sa e nxehtë ajo rëra.  Më të mëdhenjtë se ç’pretendonin për ca veti kuruese.  Të vegjlit të gjithë ne det.  Shkëlqyer për ata që e vetmja cektësi ku gjejnë rehat është ajo e bregut.  Kur dielli nxeh fort, edhe pushuesit nxeheshin me të.  Gjurmët e të ikurve mbi rërë prekeshin tani vetëm nga valët e lehta që prishnin qetësinë zagushore.  Pasdite bregu mbushej sërish.  Këtë radhë për të bërë “familjarët modernë”.  Shëtitje prind-fëmijë për të thithur jodin e Adriatikut.  E vetmja prishje estetike janë sërish gjurmët, të lëna mrekullisht aty, mbi bregun e njomë.

Por sot s’kemi drita.  Na duhet një TEC.  D.m.th.  duhet një TEC.  Shkurt i bie nga Vlora për fat të mirë.  Ja që edhe AMBO ka fatin e vet.  Hiç s’durohen këta vlonjatët kur bëjnë si ambient-dashës.  Nga dashuria ia vunë flakën vetes edhe në 97-ën.  Apo u shfrytëzua nervi i tyre zjarrvënës?! Njëra nga këto është e s’mund të ketë fare rëndësi. Duhet të jetë patjetër marramendës, krejt i paparë projekti për TEC-in apo edhe ai për petroliferën, parkun energjetik a sido që ta emërtojnë.  Emra të bukur, të gjithë.  Po ç’do shkaktojnë 750 mijë fuçi naftë në ditë në Vlorë? Asgjë s’do bëjnë.  Ka përparuar bota teknologjike sot.  Gjithçka është më e sigurt se vetë fjala.  Për besë! Edhe 400 vlonjatë do të punësohen aty, edhe nja 200 të tjerë tek TEC-i.  Po kaq është Vlora.  Ç’duhet më?

Pah, prapë në dërrasë të kalbur! Ja, vetëm dy radhë, sa t’i lihet mundësi idesë për të ruajtur bardhezitë, se kujtimet do fshihen nga madhështia e fuçive; që janë mrekulli në vetvete, vetëm se pakëz rrezikon të na bëjë të dyshojmë nëse vërtet janë përjetuar ato që tregojnë fotot e bëra më parë. Epo, për tarifat jo, për bankat jo, për ndërtimet jo, për TEC-in jo, për heshtjet mediatike jo e jo, për qeverinë larg qoftë, se harxhohet fryma dhe energjia kot; po atëherë për çfarë të flasin mes vedit shqiptarët e lirë e të pavarur? Për pavarësinë e Kosovës? Janë të gjitha punë me zarar, pas xhamit ku shkruhen skenarët e telefilmave të lirë me protagonistë prej vërteti në skenat ku banojnë shqiptarë.  Ja me fund; për lirinë dhe prosperitetin shqiptar.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

37 Komente »

  1. Qafir Arnaut thotë:

    15 Janar 2008 @ 11:07 pm

    Per gjoksin e Gjyste Vulajt

    po atëherë për çfarë të flasin mes vedit shqiptarët e lirë e të pavarur?

    Kina ate pune po ben. Ka mbyllur nje sy per bordellot qe te kanalizoje ne menyre te menaxhueshme energjine e miliona beqareve nga fshati te ardhur ne qytet qe nuk u del hesapi te gjejne nuse.

  2. Blendi Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 4:02 pm

    Po mire, per se flasin realisht shqiptaret. Miqte tuaj ne tavolinat, per cfare flasin, me ju? Dhe te flitet dicka me vlere eshte minimumi sepse debati publik eshte nje gje dhe permiresimi i gjendjes nje gje tjeter. Publiku vendos me voten dhe eshte e rendesishme qe te ndergjegjesohet per interesin e vet qe te votoje ashtu sic duhet me 2009.

    Opiumi tani nuk e di cfare eshte qe e mban kaq te neutralizuar kete popull. Kush nuk di te emblen pelqen te tharten thone.

  3. Ll Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 4:19 pm

    “Opiumi” eshte lodhja, deshperimi, bindja qe asgje nuk ndryshon. Flitet per politiken por mbetet ne tavoline se pertej saj askush nuk ben dicka (sepse edhe vete mundesite per te bere dicka jane 0.00001%).

    Ufff, mbase eshte moti ne Tirane keto dite qe po na beka pesimist :)

  4. losttext Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 4:28 pm

    ““Opiumi” eshte lodhja, deshperimi, bindja qe asgje nuk ndryshon. Flitet per politiken por mbetet ne tavoline se pertej saj askush nuk ben dicka”

    - Ne `97en ama shume u ngriten pertej diskutimeve neper tavolina, qe te shkaterronin shkolla e furra buke dhe njeri tjetrin; me ka pas thene nje mik atehere kur isha akoma atje poplli shqiptar eshte si puna moces - iken anej nga kush ja ben ‘pis pis’ i fundit.

  5. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 4:42 pm

    Mire, ja ta sjell ndryshe: per te gjitha temat e permendura me siper u ndalua shpallja me ze te larte; per tarifat jo, sepse kompanite celulare paguajne faqe te tera reklamash te panevojshme per te blere heshtjen, jo per te promovuar veten. Me bankat dhe reklamat e tyre eshte e njejta gje; me masakren ndertimore po ashtu, kur cdo gazete ka pronar ose aksioner ne firma ndertimi; per TEC-in dhe petroliferen njejtesisht nuk botohet dot, se preket politika redaksionale, e keshtu me radhe.
    Keto jane te gjitha tema qe personalisht m’i kane djegur ne dore, Blend, dhe jane ne arkiven time te shkrimeve “non grata” per botim.
    Kurse ne tavoline, me miqte, tek peshku apo tjeterkund flitet qe c’ke me te per te gjitha keto.
    Por ka shume gjasa qe te duken te gjitha fjale dhe energji te shpenzuara kot :(

  6. Ll Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 4:48 pm

    Silli “t”, silli :)

  7. losttext Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 4:50 pm

    Keto qe thua, t_red, shtrojne tangent domosdoshmerine e ekzistences se shtypit vertet te pavarur ne Shqiperi. Nuk mund te diskutojme per demokraci, edhe ne sensin me liberal te fjales, nese ky lloj shtypi eshte vetem fiktiv, inekzistent.

  8. Blendi Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 4:57 pm

    Une e lexova edhe shkrimin tend tjeter, per mediat dhe Arsimin sido qe nuk komentova - mendoj se aty perpiqesh me dy demone njeheresh e duhet te shkruash per ta vec e vec se jane shume per nje artikull te vetem.

    Ceshtja e medias se pavarur qe permend losttext per mendimin tim eshte sot me e rendesishme se kurre me pare, dhe nese mendoni se e kemi kapacitetin une jam i gatshem per cdo kontribut. Ky problem i medias se shitur, e te blere eshte problem jetik per demokracine. Vete fakti qe ti nuk boton dot flet per kete. Dhe kjo nuk ka te beje me me mungesen e porfesionalizmit - sido qe lidhen ngushte se integriteti tek gazetaria eshte pjese e profesionalizmit - por shkon dhe me tej, medja eshte e kontrolluar.

    Dikush duhet te levize per te patur nje shtyp te pavarur. Cuditshem gjithe ato fondacione e institute shoqeroro-civlie, e askund nuk u hodh nje qindarke per shtyp NON-PROFIT, shtyp te vertete.

    Se komercialisht kjo nuk arrihet, e mbaruar!

  9. WASU Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 5:16 pm

    Ndonje cudi e madhe nuk me duket qe shtypi indipendent nuk ekziston ne Shqiperi. Sa nga gazetat e sotme e nisen jeten si indipendente, dhe me vone iu desh te radhiten mbas kesaj apo asaj force politike per te mbijetuar? Te qenurit Maliq qe ka ligjin ne dore, te jep mundesine t’i vesh shkopinj nen rrota kujtdo, aq me teper atyre qe synojne te kritikojne Maliqin. Deshira e mire ekziston, po per sa kohe e vetmja menyre per te arritur te besh dicka eshte te kesh ngrohje shpatullash simbiotike nga njeri Maliq apo tjetri, me duket se vijme verdalle te njejtit rreth e hame veten me dhembe.

  10. Zana Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 5:28 pm

    Edhe pse kam “sinjalizime”qe peshku lexohet edhe atje ku nuk na e merr mendja,ketu flitet sepse nuk ka force imponuese,nuk ka force qe te manipuloje ende opinione te qendrueshme.Te peshku flitet,por ata qe komentojne shumica jane jashte Shqiperise e pas zyrave te ngrohura me tec-e.nukleare e ku e di une.Kurse T-red nuk mund ti botoje sepse ,sepse ….si shume sepsete ne Shqiperi.Nderkaq T-red bej nje shetitje andej nga qendra e sodit mozaikun………..

  11. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 5:29 pm

    Ok, “cmimi i heshtjes” ishte menyra ime per te hapur serine e botimeve ne 2008-en duke i rikujtuar censuruesit veprimet ne kater raste ne 2007-en. Qe ky artikull te mos kishte fatin e tyre, e bera ne kete forme dialogu te munguar dhe kalues per syrin e pare.
    4 ne 36 nuk jane shume si numer, por te vihet gishti mbi plage sa here flitet per sposorizuesit, koleget apo nje x kah politik, sigurisht qe eshte ndikuese, kufizuese dhe censuruese qe c’ke me te; qe ne mendim.
    Shkrimet e censuruara mund te kishin qene shume mire 36 ne 36 sikur te pretendohej se nuk u mor mesazhi per lulet “mos me prek” e te vazhdohej me kerkimin e mbledhjes se luleve ne te njejten lendine.

  12. tropizma Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 5:42 pm

    T_Red mua me pelqeu fort shkrimi, por doja te ndalesha me gjate. Meqe tani per tani nuk munden, them vetem qe me pelqeu fort shkrimi dhe pres patjeter serine e botimeve te 2008-es. Nuk e dija une qe ishe gazetare ti :) - te perfytyroja OJQiste :)

  13. Grupi Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 7:06 pm

    Me fal po nje pyetje kisha…ekziston ky shtyp “i pavarur” ne ndonje vend tjeter te botes?? Dikush eshte pronar te gazetave edhe ne bote…dhe ky dikush…ka dhe ai interesat e veta politike. Dhe mbase me mire pyetja do ishte per vende te ngjashme me Shqiperine…pra vendet qe kemi perreth. Gjendja dhe atje me duket pak a shume si ne Shqiperi…

    Dhe se dyti…sa rendesi ka cilsia e kti shtypi “te pavarur”?? Mendoni se vertet mund te kesh nje shtyp te pa-anshem?? Sikur edhe gazetari vet te ket nje opinion per ceshtjen e trajtuar…ky opinon do reflektohet ne shkrimin e tij/saj. Apo jo?? Mos ma merni per keq…por per shembull…kur shkruan gjera te tilla si:

    krejt i paparë projekti për TEC-in apo edhe ai për petroliferën, parkun energjetik a sido që ta emërtojnë. Emra të bukur, të gjithë. Po ç’do shkaktojnë 750 mijë fuçi naftë në ditë në Vlorë?

    A nuk reflekton kjo mendimin tend personal per kte ceshtje?? Se nuk ke then ndonje fakt…perkundrasi ke harruar faktet dhe ke sjell mendimin tend…mendimi jot qe thote se s’ka projekt (kur projekti e solla ne te gjitha detajat ktu tek Peshku…po qe mbase asnje gazetar mund te mos ket kerkuar per te…por gjithsesi projekti ekziston dhe eshte publik)…dhe mendimi jot qe thote se 750 mije fuci nafte ne dite do zbrazen ne Vlore ne DITE…gje qe gjithashtu shkon kundra fakteve te petroliferise (kapaciteti total eshte vetem 37 mije metra kub qe eshte e barabarte me 230 mije fuci total…por qe gjithsesi capaciteti total i serbatorve kurre nuk eshte kapaciteti DITOR). Dhe a s’duhet krahasuar kjo me gjendjen ekzistuese ne Vlore dhe me nevojat e vendit?

    Prandaj ti vet ke reflektuar nje qendrim personal…atehere si mund te jet ky lloj shtypi i pa-anshem dhe i pavarur?? Shtypi i pavarur mundohet vetem te sjelli FAKTET ashtu sic jane…pa u munduar te futi mendimet personale apo mendimet e redaktorit apo te pronarit te gazetes apo te ndonje force politike. Jeni te sigurte se ju…apo kushdo tjeter…jeni ne gjendje te beni nje gje te tille??

    Ju mendoni se po…se mbase mendoni se analizat tuaja jane te pa-anshme. Une do thosha se jo…analizat qe beni nuk jane aspak te pa-anshme…dhe bile as per veten time s’do thosha qe do isha ne gjendje te shkruaja artikuj per dicka pa u bazuar ne opinionet e mia personale…qe anohen ne cod rast ne nje drejtim apo tjetrin.

    Atehere c’ndryshim ka ne opinioni ne shkrim eshte ai i redaktuar nga siper…apo ai personal i autorit?? Gjithsesi faktet do fshihen mbas opinioneve…

  14. Idris thotë:

    16 Janar 2008 @ 8:41 pm

    A doni te kini shtyp te pavarur?
    Provoni ne binomin:Shtet-GJYKATE.
    Shteti le te dergoje per kontroll “Ligjor” te gjithe institucionet vartese te
    tij dhe me tedencen e MALIQIT per te “rrafshuar majat ” e cdo kurajoje qytetare qe guxon te “SHOHE ne SY” dhe per pasoje ti shndrroje mediat ne “qingja manar” si edhe ka ndodhur e ndodh.
    Do te shihni nje reagim te jashtezakonshem nga mediat..deri edhe ne brezin e 7 se cfare perfaqesojne keto kontrolle dhe perse behen rasti(DIGITALB)..rasti T.CHANEL.
    Deri ketu s’ka asgje te paqarte.
    REAGIMI pikerisht do te ndodhe ne nxitjen e kurajos nese PUSHTETI gjyqesor DO te jete plotesisht i pavarur nga SHTETI,me vendime te dhena ne favor te MEDIAs.
    Dhe kjo jo per nje kohe te gjate SA te marr ruge MODELI….
    Ndryshe…
    Shtyje ti e shtyje UNE
    shtyje kush ta shtyje me shume

  15. tropizma Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 8:52 pm

    Shtypi i pavarur eshte pak qiqer ne hell, me salce kosi anash, qofte te ne e qofte ne perendim (jo qofte nga ato me mish). Per sa kohe qe shtypi eshte biznes dhe biznesi ka lidhje me politiken, keshtu ka per te qene. Ai shtypi non-profit qe kerkon ti Blend nuk eshte aq i pavarur sa c’duket, por varet pikerisht nga fondet qe bejne te mundur mbijetesen e tij pa reklama, pra eshte i pavarur ne te njejten shkalle sa jane edhe vete OJF-te e pavarura. Nderkohe jam dakort me Grupin qe ngjyrime ideologjike do te kete gjithmone, per sa kohe qe me redaktore, me gazetare e me pronare kane nje fare anesie ideologjike. Edhe T_Redi me Blendin po te themelonin nje reviste ajo nuk do te ishte e pavarur ideologjikisht….. por me shume mund ndoshta do te kishte pavaresi nga forcat aktuale politike dhe interesat e biznesit.

    Nga ana tjeter, sa per te ulur ulerimen nje oktave, mund ta shohim disi historikisht zhvillimin e shtypit shqiptar e te krahasojme GSH-te e Shekujt e sotem me ZP-ne e pardjeshme, apo me binomin e djeshem ZP-RD. Nga nje shtyp krejtesisht partiak, shtypi yne eshte bere pjeserisht partiak. Me kalimin e kohes mbeshtetja politike do te behet me e sofistikuar, genjeshtrat me veshtire te dallueshme - te tipit CNN apo NYTimes.

    Sidoqofte nuk mund te le jashte krahasimit historik shtypin midis pavaresise e L2B, shume shkrime te te cilit ka percjelle Tirana Observer. Ai shtyp jo se ishte detyrimisht i pavarur, por duke u marre shpesh me ceshtje panshqiptare dhe disi me letraro-filozofike, te krijonte pershtypjen se kishte nje pavaresi me te madhe. Prandaj zhvillimi historik nuk ka pse shkon ne vije te drejte, e nuk ka pse ta kete derivatin pozitiv. Prandaj T_Redi ben shume mire qe ankohet, prandaj duhet te vazhdojme te ankohemi te gjithe.

    T_Red, lajmi nuk eshte se nuk del, per sa kohe qe ka gazeta te kaheve te ndryshme, te cilave iu intereson nje lajm i caktuar qe ben opozite apo nuk kane interesa reklamo-biznesi me telefonine celulare, industrine e ndertimit, etj. Apo e kam gabim? Ndersa per prioritetet, ti e ke trajtuar mire tek tema me shembullin e arsimit, me probleme optike, neurologjike dhe stomakore ne te gjitha shtresat e gazetarise.

  16. WASU Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 9:09 pm

    Nuk po flasim per perfeksionim ne kete rast, po per daljen nga ajo monotoni dy-rrymeshe qe ekziston ne Shqiperi tani per tani. Paanshmeria e gazetarit, apo e cilitdo prej nesh, eshte vertet qiqer ne hell, se kur ekzistoi ndonjehere njeriu perfekt, te gjithe i kemi njady cepa ne koke qe me kalimin e kohes shpresojme te rrumbullakosen nga pak.

    Megjithate paanshmerine e konsideroj si aftesi per te pare pertej syzeve roze apo blu qe duket se kane qorruar shumicen e gazetareve te sotshem, aftesi per t’i nxjerre petet cdo lakrori, pavaresisht se kush e ka gatuar.

  17. Grupi Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 9:44 pm

    Pra ti thua te zevendsojme nje te keqe me nje tjeter. Te zevendsojme blu e roze me…lejla. Ku eshte ndryshimi ktu?? Mua as me duket qe ka vetem blu e roze ne Shqiperi…ka plot gazeta etj qe mbajne qendrime nga me te ndryshmet. Po te kerkosh…gjen c’te duash.

    Problemi eshte me teper…cilsia e kti shtypi. Se te thuash s’me pelqen bluja dhe s’me pelqen roza prandaj do bej nje lejla…s’ke bere asnje ndryshim…dhe s’ke zgjidh asnje problem. Problemi eshte cilsia…s’ka cilsi me duket mua dhe kaq. Se po te kishe cilsi edhe sikur te ishin blu a roze a lejla…do dilte dicka konstruktive nga kto burime. Po cilsia s’paska rendesi…rendesi ka te degjohet zeri im se s’me pelqen zeri tend…dhe po bertita une me lart se ty (se petroliferia ndot per shembull)…une do fitoj.

  18. WASU Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Janar 2008 @ 10:18 pm

    Grupi,

    Personalisht nuk identifikohem me asnje nga forcat politike ne Shqiperi, e si nje nga lexuesit do preferoja qe te ekzistonte nje gazete me te njejtin parim. Berja e qimes se nje pale tra, e ne te njejten kohe fshirja nen rrogoz e trungjeve te pales tjeter, nuk me duken gazetari cilesore. Nk me duken cilesore artikujt apo mendimet qe hidhen thjesht per te kundershtuar “palen kundershtare”, megjithate secili ka mendimin e vet mbi cfare konsiderohet cilesore. Une shpreha ate qe do doja te shikoja te ndryshonte ne gazetarine shqiptare.

    Gjithsesi, ty mesa duket te paska ngelur gozhde ajo puna e petroliferes, keshtuqe pse nuk i anashkalon komentet e mia me mire, qe ne vend te kunder-komenteve te japesh mendimin tend mbi ceshtjen.

  19. Idris thotë:

    17 Janar 2008 @ 12:10 am

    Ngjarje e jetuar e treguar nga DOKTOR SALI BERISHA mua PERSONALISHT ne kohen e ….asaj L..(qe i hongsha synin) leshit..Sala ka dhe humor ore ej…:D :D :D
    -Doktor.Ju lutemi.Nuk ka ndonje gje te rendesishme ,por kohet e fundit sapo shikon ndonje cope leter ne toke,ulet,e merr dhe lexon me ze te larte pjese nga nje botim i tij qe ja kritikuan keq.A mund t’ja hiqni kete ves?
    -”Shume thjesht.Ejani pas nje muaji”-u pergjigj Doku serioz.
    Kura ishte me te vertete shume e thjeshte.Pas cdo 10 hapash nje cope leter dhe pas te “semurit” nje infermier trupmadh qe shikonte kercenushem.
    Gjithshka ne rregull dhe pas nje muaji ,familjaret erdhen te marin te afermin.
    Ne mes te “semurit” dhe te afermeve disa copa letre. Ish i “semuri” kalon
    mbi to shume krenar ,ulet i merr i hedh ne koshin e plehrave dhe pasi perqafohet me te afermit e tij niset drejt shtepise.Tek dera e daljes nga spitali shikon nje leter.Ulet e merr e hap e lexon me ze te larte ……..
    dhe ne fund pasi e palos e fut ne xhep, thote krenar.
    -”Ikim.Ja hodhem dokut.”

  20. krasta krau Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 Janar 2008 @ 2:15 am

    t_red je e stacionuara apo punon si free lance… nese je e stacionuar e kuptoj, qe edhe mund te jesh cesuruar, por si gazetare e lire mund te kishe gjet vend tjeter per te botuar ate qe nuk e boton gazeta ku punoj une psh…

    Sidoqofte nuk heshtin kaq shum jo… ketu pak a shume per te gjitha keto qe thua ti eshte bere zhurme e madhe… psh me tecin ambon etj eshte hap disa here gazeta me e madhe ne vend… edhe per kompanite celulare (megjithese ajo qe thua per reklamat eshte e vertete) eshte shkruar…

  21. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 Janar 2008 @ 9:58 am

    Media ne Shqiperi eshte e blere; nga reklamat, nga pronaret, nga bizneset dhe interesat e tyre. Kjo e zhvlereson gjithe filozofine per pa-anshmeri apo sjellje te reja faktesh (qe behen ne lajm, jo ne artikuj permbledhes).
    Nuk u mbrojt ketu qejfmbetja per censurime qe reflektojne mendime personale, Grup, ashtu si nuk mund ta hapesh gazten bash ashtu sic e mendon, Kraste.
    Me menyra te buta ose jo, mediat e bejne te njohur politiken e tyre redaksionale, qe te con automatikisht ne autocensure (qofte edhe per ceshtje si telefonite dhe bankat). Pra nuk eshte aq e thjeshte sa te duash te kundershtosh nje ide qe te pretendosh se kerkon shtyp te pavarur. Ky censurimi qe duket soft, i pademshem fare, ky eshte ai qe fsheh interesat e paprekshme, qe s’duken hic, se jane fshehur pas thenieve gati si lutje (ose urdhera ne varesi te marrdhenieve ne redaksi) ” Po mos kete teme mor, se s’ia vlen tashti….”
    tropizme… :)

  22. Grupi Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 Janar 2008 @ 3:51 pm

    Red te gjitha gazetat ne bote jane te blera…nga dikush. Pyetja e pare qe bera eshte…a ka ndonje gazete te pavarur ne ndonje vend tejter te botes? Pres pergjigje…

    Dhe sic tha Krasta…ne nuk e boton njera, e boton tjetra. Perderisa gazetat jane te blera…atehere shko ke ai qe ka interesin perkates. A nuk eshte kjo menyra me demokratike e informimit?? Secili grup interesi ka zerin e vet…

    WASU…une nuk shkruajta aspak per te filluar komente e kundra-komente mbi ate teme. Ate e perdora si shembull…dhe besoj se mendimin tim e kam thene qart…per mua rendesi ka cilsia e prezantimit se ngjyrimi i tij. Dhe sic thash per mendimin tim s’ka shtyp qe eshte o blu o roze…pervec gazetave te partive. Po gazeta te tjera nje dite kritikojne njerin e nje dite tjetrin. Te gjitha kane mangun cilsine ama…

  23. Blendi Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 Janar 2008 @ 5:48 pm

    Nejse, se kjo teme eshte teper interesante por ketu njerezit po flasin per gjera te ndryshme - ndoshta sepse zelli per te komentuar mposht durimin per te kuptuar se ku i bie legenit hapesi i temes.

    Shtypi i pavarur eshte koncept aq ambiguoz saqe nuk ia vlen fare te merresh me te. Te nisim tani te tregojme se gazetat e pavarura kane pronar me duket harxhim kohe, se ky eshte nje informacion elementar, qe as po diskutohet fare ketu. Jane konceptet “Mainstream” vs “Independent” qe po diskutohen ketu, jo pavarsia e perceptuar e nje gazete…

    Sipas meje shapi nga sheqeri ndahet ne shtyp komercial vs. shtyp non-profit. Dhe sigurisht, edhe shtypi non-profit ka sponsore dhe sponsoret kane axhenda - por jo cdo gje eshte e humbur. Kam bindjen, jo thjesht besimin se ne rast se behet sic duhet shtypi i pavarur (jokomercial) mund te arrihet ne Shqiperi. Kemi shembuj te lirise se mendimit qe krijon nje ambient pa xhelat-pronare-axhenda. Shembull modest eshte peshku. Sigurisht qe kemi opinione personale (nga keto nuk mund te zhvishemi, e vulosur - nje tjeter pretendim “nasikoti” qe u hodh ketu) - por gjykoni vete, ka apo nuk ka vend per mendimin ndryshe. Sepaku me teper se gjetke ne “shtypin mainstream”. Per kete po deshet ejani te diskutojme, menyren per te patur shtyp jo-dhe aq te kontrolluar e jo te shtyjme klishetë e te tjereve sikur po rishpikim rroten me mendime te ripertypura 100K here mbi grupet e interesit, pronaret…We Know That! It’s no News! (no pun).

  24. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 Janar 2008 @ 3:15 pm

    Nje ide e hedhur ketu eshte qe shkrimet e censuruara ne njeren gazete, te cohen per botim tek nje tjeter. Nuk eshte e pamundur, por jo edhe aq e lehte me tekat amatoreske te botuesve dhe te pronareve te mediave. Me shkurt kesaj rruge mund t’i bihet duke e risjelle nje ceshtje me nje gjuhe tjeter, qe sigurisht do te humbiste rruges fuqine e ndikimit dhe do te ngjyrosej fort nga autocensura. Por, per hir te synimit per t’i thene gjerat qe blihen per te mos u thene, eshte e domosdoshme qe te provohet edhe ajo rruge.( e keqja me e vogel).
    Sa per permendjen dy here te peshkut si alternative per t’i sjelle temat….kjo eshte e bukura, se eshte bere tashme. Aq mire dhe natyrshem madje, sa as nuk eshte vene re se disa kendveshtrime mund te kene qene perceptuar si jo fort te pranueshme tjeterkund.(bankat, lufta artificilale e fjales se lire per median, ndertimet, ngjyra e naftes per Vloren etj). Por, percjellja duhet cuar tashme ne stadin tjeter…(edhe pse burimet thone se lexues te ketushem ka).

  25. Blendi Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 Janar 2008 @ 6:51 pm

    Ndoshta do ishte me vend te thuhen numra konkrete, mendoj se ne nje rast si ky yti t-red, kur perballesh me censure ne shtypin shqiptar konsiderimi i Peshkut si alternative meriton edhe njohjen e autorit me numrin e lexuesve potenciale…muajin e fundit ka patur rreth 69,000 vizita, ku midis 11,000 dhe 13,000 jane nga Shqiperia. Tani bej hesap vete, por numrat rriten vazhdimisht. Mua me duket se sa me shume te avancoje perdorimi i kompjuterit ne Shqiperi, aq me solid behet roli i peshkut si media alternative. Sikur ne Shqiperi te kishte perdorim ne mase te kompjuterit, sikunder ka ne bote, nevoja per ta printuar as nuk do te egzistonte.

  26. Artian thotë:

    18 Janar 2008 @ 7:15 pm

    Shtypi alternativ ose media alternative eshte kunder rrymes se shtypit qeveritar,ose perkraheseve te tij(Tvsh,Klan etj) Mesa shoh po ndodh nje gje interesante qe nuk eshte e mire ,Shtypi alternativ zbutet kur presioni i qeverise i heshtur dhe i padukeshem eshte kercenues,shembull tipik kemi TCH ishte me te vertet nje media alternative,por qe kohet e fundit eshte zbutur shume prej rrymes kryesore te medias pro-qeveritare,Vizion plus sot po mban krahun e medias alternative, por jo dhe shume i forte,kjo tregon se bisnesi privat eshte akoma i pavarur dhe i pasigurt per te mbeshtetur shtypin alternativ,opzitar dhe te paanshem.

  27. Artian thotë:

    18 Janar 2008 @ 7:17 pm

    opss,te lexohet buisnesi privat eshte i varur..

  28. Grupi Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 Janar 2008 @ 9:36 pm

    Prap nuk po e kuptoj kte punen e kti shtypi “alternativ”. C’eshte alternativi per ju? Ku qendron suksesi apo jo i kti shtypi…saps jush…qe thoni se TCH per shembull eshte “zbutur”? Pse patjeter shtypi “alternativ” duhet te jete vetem kritikues kundrejt politikes qoft opozitare qofte qeveritare? A nuk eshte shume me cilsor nje shtyp qe nuk mundohet as te shaj qeverine e as opoziten…por i mbledh te dy ne nje salle dhe i le te shajne njeri tjetrin ne menyre qe qytetari vet te krijoj opinion e tij/saj?? Pra…praktikisht ajo qe ndodh ne TCH si shembull. Lajmet jane lajme…s’ka vend ne edicion lajmesh per te futur opinione apo analiza. Analizat e opinionet jane per programet e tjera…sic ka TCH me bollek…por ku nuk me duket mua se del ndonje ndjenje e forte anti apo pro ndonje partie…dhe kritkika te qeverise ka sa te duash po ashtu dhe te opozites.

    Po ju thoni…shtyp alternativ. Me duket jo per hir te te vertetes (qe gjithnje eshte relative) apo te cilsise…por me teper…se shtypi ekzistues nuk thote ato qe doni ju.

    Ne Shqiperi vetem opinione dhe kritika nuk mungojne…si nga njera ane si nga ana tjeter…dhe vetem vend per te shprehur kritika nuk mungon…se vetem kritkika e sharje lexon ne gazeta e shikon ne TV nga te gjitha anet per te gjitha anet. Po tani…u dashka nje shtyp tjeter…nje alternativ…se dikujt nuk i jane degjuar kritikat. Pra i shtohet asaj rryme prej 124 stacione televizive, 124 gazeta dhe 124 revista…dhe nje tjeter…Peshkupauje…i pari online…vendi ku te gjithe mund te kritkikojne e shajne hapur e lire fare per cdo lloj teme duke filluar nga volgesira me e parendesishme deri tek brekushet e Benazir Butos.

    Shume gje e mire…mos me keqkuptoni…se shtypi me i mire eshte ai pa asnje lloj censure…pra si ky. Po kjo eshte me teper merite e teknollogjise se internetit qe na ka sjell Al Gore…se sa e peshkatarve. Dhe fundja…eshte si puna e asja Wikipedias dhe kjo. Nga njera ane shume e mire…nga ana tjeter…s’ka garanci.

    …po nje shtyp konstrikutiv…a nuk i duhet ati vendi?? Nje shtyp qe ne vend qe te shaj e kritikoj cdo gje dhe cildo…te sjelli dicka tjeter?? Te shash e te kritikosh eshte gjeja me e lehte…te analizosh ashtu sic duhet…jo dhe aq.

    Cilsia…i mungon kti shtypi…jo numri i alternativave roze, blu, ylber, underground, aboveground, mjasftist etj etj. Eshte praktikisht nje pasqyrim i tablose politike Shqiptare….124 parti politike.

    Kshu qe urime Peshkut per numrin e vizitave…sa me shume…po do beni gje tjeter pervec te shani e kritikoni?? Ato i kemi marre vesh me kohe…mund te lexohen ne cildo gazete apo reviste tjeter. Po ndonje gje…alternative…do beni??

  29. artian thotë:

    18 Janar 2008 @ 10:05 pm

    Grupi,
    media alternative,eshte mendimi ndryshe,i interpretuar nga nje kend tejeter,jo te perbashket me ate te qeverise,eshte si te thuash shikon me shume ,hijet dhe te difektet,qellimi eshte per te permisuar keto difekte ose per te hedhur me shume drite ,ne pjeset e errta,te pa ndricuara mire nga shtypi i pergjithshem pro qeveritar,dihet se asnje qeveri ne bote nuk eshte e persosur,dhe nuk mund ti thote te gjitha,dhe nuk mund ti mbuloje te gjitha problemet duke thene te verteten dhe vetem te verteten,Shtypi alternativ duhet te fuksionaj jo si opozite per opozite,por thjesht nje ze kritik,nje ze i pavarur,
    Ti mendon se nje qeveri ,eshte gjithmon e persosur,???
    le pastaj ajo shqiptare, qe edhe nje njeri i theshte,mund te shoh icebergun e gabimeve dhe mashtrimeve qe u behen qytetareve te saj ..

  30. Blendi Shkruaji mesazh privat thotë:

    18 Janar 2008 @ 10:25 pm

    Grupi, koncepti i shtypit alternativ nuk eshte aspak i veshtire per tu kuptuar. Mua me duket se ti do jesh ndonje nga ata qe degjon keta tipat konservative qe grijne sallate ne radio, se keto qe shkruan me tingellojne te perseritura ne gojet e tyre. Po nejse. Po te jam disa pika referimi sepse duhet shtypi alternativ.

    * Sepse mediat komerciale nuk do te flasin per ceshtje qe mund te cenojne marrdheniet me sponsoret. Rasti konkret, kur shtypi nuk i jep vemendje ceshtjes se abuzimeve me celularet eshte vetem nje shembull nga shume te tjere. S’u ve dot faj, eshte ceshtje biznesi.

    Ne kontrast me kete shtypi alternativ eshte nga natyra agresiv per ceshtje ku preket interesi publik, dhe do eksozonte

    * Sepse lajmi eshte per mediat komerciale nje burim fitimi. Kur lajmi eshte de fakto produkt atehere edhe vleresimi i cilit lajm vlen per tu publikuar behen ne baze te sa i shitshem eshte ky produkt. Kjo nuk eshte gjithmone gje e keqe, por eshte shumicen e kohes, shkakton ate mbushjen e faqeve dhe minutave me kronike te zeze, dhe injorimin, harrimin, mospasqyrimin e problemeve te njerezve jo-aq-seksi. U shokuam kur nje kryeredaktore nga u mburr ketu se qellimi i redaksise se saj ishte te shiste sa me shume kopje, dhe e benin kete me “scoope” te shemtuara.

    Shembull eshte fshati shqiptar, nga i cili degjohet vetem kur ndodhin krime te dhunshme, skandale familjare, por jo kur mungon nje ure, apo kur s’ka as mjek as spital. behet edicioni i lajmeve teper i merzitshem po te merresh me sende si keto…dhe e drojne kanalin per te ndonje spikere te embel…

    * Influenca e pronareve ne linjat redaksionale, eshte per mediat komerciale ne Shqiperi nje realitet sundues. Pronaret e mediave jane shpesh biznesmene te fuqishem ne biznese te tjera jomediatike, dhe keto biznese dhe praktikat e tyre jane gjithmone “off limits” per mediat nen te njejten ombrelle pronesie. Po ndonjehere pronaret kane edhe ambicje te forta, ndaj krijojne lidhje me politikane duke i dhene keshtu medias de juro “te pavarur” ngjyrime politike, duke i dhene me shume hapsire njerit krah, duke kritikuar me shpesh krahun tjeter…

    Nje media alternative e hapur ndaj mendimeve te rrymave te ndryshme (edhe kontroverciale) do te garantonte sepaku qe do te bente detyren e saj per te mireinformuar publikun, e pashqetesuar nga aleancat midis politikes dhe biznesit.

    * Fitimi para profesionalizmit. Lajmi nuk eshte aq i lehte per tu rremuar e nxjerre ne drite. Lajmet me te rendesishme jane ato qe media i zbulon, jo ato qe komunikohen per shtyp nga zedhenesi i X-it. Por perderisa media eshte biznes dmth qe edhe numri i gazetareve qe puneson eshte i kufizuar. Per te mbajur koston e gazetes, televizionit sa me te ulet numri i gazetareve qendorn ne minimum. Kjo ben qe cilesia e lajmit te vuaje. Se nje gazetari i duhet te mbushe kater faqe ne dite…me cfare t’i mbushe?

    Kjo shkakton nje fokusim te jashtezakonshem te medias kah politika.

    Berisha futi doren ne xhep, Rama teshtiu, Fatos Nano beri nje pordhe…

    Kjo eshte media shqiptare me se shumti. Ky eshte lajmi, ky eshte edhe ai diskutimi i famshem qe permend me lart, Ato show-debate ne Klan e ne top-story ne T-C pershembull, nuk eshte se po i bejne qytetarit ndonje nder duke u dhene akoma me shume kohe politikaneve ne ekran sikur nuk eshte teper ajo c’marrin ne lajmet. E pare ne kete kend, ky superkonsumim me politkanet i ben keto media te demshme per demokracine.

  31. artian thotë:

    18 Janar 2008 @ 10:49 pm

    Ky eshte tipik,nje media alternativ,Grupi..
    http://www.therealnews.com/web/index.php
    Kur,qeveria Amerikane,ne menyre te padiskutuesme eshte kunder emigrimit ilegal,me te drejte ndoshta, por ka zera te tjere qe jane kunder dhe u jepet mundesia qe nepermjet nje shtypi te pavarur televiziv ju jepet mundesia te shprehen hapur,.. ndodh kjo ne shqiperi?

    Asnje gazete,ose kanal televiziv, nuk ka perciell nje fakt psh, qe a jane te gjithe shqiptaret dakort qe trupat ushtarake shqiptare te sherbejne ne afganistan,ose irak ,si thua qe mund te jene dakort te gjithe shqiptaret ,?? e mora si shembull .

  32. Grupi Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 Janar 2008 @ 1:27 am

    E marr vesh une c’eshte shtypi alternativ…doja te dija vetem c’quani ju shtyp alternativ…se nje pergjigje si kjo:

    media alternative,eshte mendimi ndryshe,i interpretuar nga nje kend tejeter,jo te perbashket me ate te qeverise

    …me thote mua se ne Shqiperi ka me dhjetra e qindra media “alternative”…se ato qe i perputhen qeverise jane shume pake…si kur ishte qiveria socialist si kur eshte qiveria demokratike.

    Eshte detyra e medias te kritikoj qiverine…dhe me mire se c’e ben media Shqiptare…s’e ben askush.

    Por pse duhet dhe nje tjeter atehere?? Apo…mbase dhe ky nuk eshte ajo qe quani ju media alternative.

    Pra eshte financimi…sic thote Blendi…qe e ben nje media “alternative”? Mbase…po kjo nuk e ben CILSORE. Nuk me duket aspak se media sot flet ne ate menyre qe e pershkruan ti Blendi “Nano pordhi dhe Edit i erdhi era”…ka shume shkrime serioze dhe emisione serioze…bile me duket shume me teper se c’ka ne median Amerikane (qe vertet eshte ashtu sic thua ti…dhe mos ki merak se s’digjoj e nuk shikoj asnje konservativ ne Amerike…bile as shikoj ndonjehere lajme Amerikane se s’me interesojne fare…jam me i informuar se c’ndodh ne Shqiperi dita dites se ne Amerike).

    Po ku vajti cilsia?/ Asnjeri s’ma ka shojeguar kte. Vetem…ne jemi alternativ…ne nuk financohemi nga askush etj etj. Shume bukur…por…cilsia?? Mbase juve ju duket vetja cilsor dhe s’ka nevoje per shpjegime. Mbase dhe jeni…dhe mbase jam une budallai qe s’merr vesh…po mbase 90% e shkrimeve te Peshku vine nga burime mediatike ekzisutes, ose nuk jane te nje niveli me te larte.

    Peshku po jep mundesine per te diskutuar e komentuar hapur dhe pa censure….gje qe s’behet dot ne media te tjera…po kjo eshte per hir te internetit. Eshte nje platforme e pa-krahasueshme me mediat tipike.

    Ne fund puna eshte qe…opinioni e tjetrit apo opinion tend…pse ju duket se opinioni juaj eshte me i mire?? Ne keni mundesi ta formuloni ashtu sic duhet…ajo quhet cilsi. Po se thash une kshu e ashtu…e me degjo ti mua…s’ke thene asgje. Nuk eshte aspak detyra e medias te interpretoj lajmet per mua!!!…eshte vetem te me sjelli faktet dhe te sjelli nje platforme diskutimi ku sillen mendime te ndryshme. Besoj se platofrma te tilla ekzistojne ne Shqiperi me bollek (si ato programet e TCH…apo Klanit (nuk e shikoj prandaj nuk e di))…dhe Peshku e vende te tjera si ky kane vendin e tyre…prandaj nuk e di pse harxhova kaq kohe per te dale ketu.

  33. artian thotë:

    19 Janar 2008 @ 12:40 pm

    nuk e di pse harxhova kaq kohe per te dale ketu

    ndoshta edhe kjo, kate beje me cilesine e shpjegimit, shume te gjate.

    pse ju duket se opinioni juaj eshte me i mire??

    Kjo s`ka te beje,me cilesine,mire apo keq(qe eshte tjeter prob.) por me permbajtejen,thjesht kunder si North-South, ky eshte alterativ thinking kaq.Njerzit nuk mendojn te gjithe njesoj dhe i shikojne zgjidhjet me syzat e tyre.
    Ajo qe eshte e mire per ty ,(qeveria)nuk eshte e mire per mua(njerzit)dhe anasjelltas.

  34. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 Janar 2008 @ 4:23 pm

    Cila mund te jete rruga per t’i shpetuar censures? Autocensura. Edhe mbyllja e njerit sy ndaj shkrimeve te porositura. Edhe kompromisi per te hequr dore nga menyra e trajtimit dhe kendveshtrimit e gjerave. Edhe renia dakord per te lene plotesisht renie te lire drejt turmes. Edhe heqja dore nga te synuarit dicka ndryshe…
    Leon, sjellja e kaq shume lajmeve nga kronika ne median shqiptare eshte nje problem me vete, por kete rast nuk ishim fokusuar tek gjendja e paskurpullt e saj. Listimi qe ka bere Blendi ndihmon te kuptohet edhe fenomeni qe permend ti, por per cmimin e heshtjes fjala ishte ne censuren qe iu vihet gjithe temave te permendura, duke lene pastaj vend bosh, ku nuk flitet per tjeter pervecse kronikes dhe pacavureve per Ramen, Berishen e Bracen.

  35. Leon thotë:

    19 Janar 2008 @ 4:48 pm

    Cmimi i heshtjes eshte kjo qe lexojme ne shtypin shqiptare..
    Vellai vret motren, Djali prinderit e moshuar, dhendri vret nusen se i ka dale “e pandershme”, apo thashethemet e kafeneve mbi djemt dhe vajzat e qeveritareve…
    Ngelem i mendimit se problemi i shtypit shqiptare nuk eshte liria e cunguar por liria e tepruar..

  36. Blendi Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 Janar 2008 @ 7:47 pm

    Grupi, meqe u kuptuam per cfare kuptojme me alternativ them se kemi marre kahje pozitive. Per ceshtjen e CILESISE, ke te drejte, alternativizmi nuk garanton CILESI, por profesionalizmi po.

    Megjithate, se nuk kam dot kohe sot. Deshiroj te di cfare kupton ti me CILESI LAJMI? Ne kete menyre do flasim me konkretisht. Por si hint, ajo qe une kuptoj me cilesi lajmi ka lidhje shume me integritetin e profesionistit-gazetar, dhe jo aq me cilesine e shrkimit apo timbrin e zerit te spikeres.

    Sa per spunto; Top-Channel, (meqe e ke kaq qejf, edhe une e ndjek) , shpesh ne edicionin kryesor i ze minutat me “lajme” mbi zhvillimet e reja te DigitAlb. Ky per mua eshte travesti gazetareske. Lajm-reklame, ndoshta i realizuar cilesisht, por si CILESI LAJMI…aha!

  37. Leon Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 Janar 2008 @ 10:17 pm

    t_red,
    Lajmet nga kronika e zeze dhe thashethemet e kafeneve te tiranes zene vende kryesore pikerisht sepse shkrimet qe do ti te botohen censurohen..
    Une mendoj jane probleme te lidhura ngushte me njera-tjetren dhe cmimin e censures ndaj shkrimeve te tua, po e lexojme cdo dite ne shtyp me pacavuret dhe trillimet qe te ze koka..
    Nuk eshte e lehte te tentosh dicka ndryshe (sidomos per shqiperine),por n.q.s. e do me pasion profesionin e gazetarit nuk duhet te heqesh dore se tentuari..Te uroj fat!!

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.