Cmimi i demokracisë

Gazmend Krasniqi (Shekulli)

Liria është e drejta për të bërë gjithçka që nuk i dëmton të tjerët. Për paradoks, ky rregull e ruan natyrën e tij për shkrimtarin e varfër shqiptar

Ç’bëhet me shkrimtarin shqiptar (që do të thotë, ndërkohë, se ç’bëhet me letërsinë shqipe), pasi institucionalisht koha jonë, herë me qëllim, herë pa qëllim, e ka larguar tej këtë diskutim të rëndësishëm për kulturën e një vendi.

Si atëherë kur Paul Valery thotë se një vepër nuk mbaron kurrë, veçse ta merr botuesi nga duart, si atëherë kur W. B. Yeats thotë se ka një “klik” që lajmëron mbarimin e veprës, kemi të bëjmë me të njëjtën gjë, pra me mbylljen e një etape në krijimtarinë e artistit dhe hapjen e një tjetre, sepse te ky çast i rëndësishëm për të, ku e ka shtëpinë mbijetesa e tij, shfaqet problemi i ndërlikuar i tregut, i treti në radhën e katër kushteve themelore që përcaktojnë epokat më të mëdha artistike, ku thuhet se bëjnë pjesë frymëzimi, përvetësimi i teknikës, tregu dhe vlerësimi. Megjithëse artistë të kalibrit (Rimbaud, Van Gogh etj.) kanë bërë art të madh edhe pa dy kushtet e fundit, rregulli, shumë i përshtatshëm për botën e shoqërisë kapitaliste, vazhdon ta ruajë natyrën e tij tipike, sepse arti përpiqet ta thotë fjalën e tij edhe përtej këtyre përjashtimeve, pasi siç thuhet në deklaratën e Droits de l’Homme: liria është e drejta për të bërë gjithçka që nuk i dëmton të tjerët. Mandej, për paradoks, ky rregull e ruan natyrën e tij për shkrimtarin e varfër shqiptar, i cili e bazon mbijetesën te një gjuhë e vogël (nga pikëpamja e atyre që e flasin) e që, për më tepër, numrin e lexuesve e ka fare të vogël.

Mund të mendohet se në letërsinë shqipe nuk mund të diskutohet me tone kaq të ngritura. Dhe duket e drejtë: kaosi dhe rrëmuja që e karakterizojnë pamjen e saj hierarkike i japin pak mundësi këtij diskutimi, pasi statusi i tekstit letrar vazhdon të mos e ketë fituar qytetarinë. Ende nuk kemi hartuar një antologji që do të paraqiste historinë e zbulimeve e risive dhe shprehjeve të tyre në kuadrin e fjalës artistike shqipe, cilësi të cilat pasuesit e shumtë i përsërisin, i zbusin ose i modifikojnë. Zgjedhja vetëm në bazë të zbulimeve që shtrihen në dimensionin e thellësisë, jo vetëm të ndonjë risie në sipërfaqe, do të hidhte dritë më të qartë se sa paraqitja kuturu dhe en bloc (tipike socrealiste). Kjo metodë që nuk ka asgjë të përbashkët me metodat ose përpjekjet e atyre që i ndajnë elementet e letërsisë sipas disa kategorive joletrare, do të ndihmonte që të dallojmë shpikësit, mjeshtrit, ata që kanë merita në ngritjen e ndonjë forme në shkallë më të lartë, apo mbllaçitësit që nuk kanë ndonjë efekt mbi rrjedhën kryesore, pasi përndryshe do të jetë tregu dhe mendimi amatoresk ai që do të vazhdojë ta përcaktojë fatin e letërsisë shqipe edhe për shumë kohë, siç, faktikisht, po ndodh.

Përballja me vitrinat e librarive është vendi ideal për të ngritur pyetjen se çfarë po ndodh sot me letërsinë shqipe, pasi shikon menjëherë se mungon çdo mendim hierarkik i vlerësimit të saj. Kur tregtuesi i librit ngre supet dhe të thotë se cilët libra i shiten, prej rrëmujës së madhe të titujve zgjohet pyetja tjetër: në këtë rrëmujë konsumiste pa krye cili është shkrimtari i sotëm shqiptar, cili është jo libri që sjell vlera materiale, para, por libri që sjell vlera - të letërsisë? Imazhet e krijuar nga media e përditshme, e cila gjithmonë noton nëpër faktorë jashtëletrarë (sepse realiteti tregon se për letërsinë shprehen politikanë, historianë, analistë të politikës), jo vetëm që nuk e sqaron këtë problem, por e turbullon atë edhe më keq: një vend i vogël si i yni nuk mund të ketë me qindra shkrimtarë të mëdhenj, siç duket se del prej saj. Mendimi i paspecializuar i bën jehonë një prodhimi mesatar dhe nënmesatar, diçkaje që është artikuluar për arsye të ndryshme dhe diçkaje të pranuar përgjithësisht me sy mbyllur: prekja e këtyre tabuve bie reagime të ashpra, veçse pa asnjë argument të mirëfilltë artistik, duke mbjellë tash e parë vetëm pamje kaotike, qoftë në rastin e thjeshtë të lexuesit fanatik, qoftë në rastin e atij që ishte kryesteti i socrealizmit.

Rasti i këtij të fundit (i estetit të një epoke kulturore të mbyllur njëherë e mirë) na tregon edhe njëherë se thembra e Akilit nuk është krijimi por gjykimi: prodhimi vulgar i socrealizmit do të kishte vdekur me kohë pa këtë të fundit (ç’dinë brezat e sotëm për komisarin, sekretarin e partisë, lejfenizmin?). Si një herë e një kohë, paaftësia e plotë për të folur për letërsinë si letërsi, paaftësia e plotë për të zotëruar kodet elementarë, pjell lista qesharake emrash që nuk maten as me nivelin mediokër të letërsisë shqipe, sipas parimit lista pjell listën dhe kështu diçka do të mbetet, pasi koha e kaluar e ka aprovuar këtë, përderisa predikuesve të mendimit të ri u mungon pushteti për të qenë të bindshëm për turmën, e cila s’i ka për qejf ndryshimet e shpeshta.

Gjithçka që u tha më sipër tregon se, si çdo fushë tjetër e jetës shqiptare, edhe letërsia paguan çmimin e lirisë së fituar në emër të demokracisë, ku parësore janë fitimi i parave dhe thellimi i kësaj të fundit.

Po cila është pamja e asaj për të cilën ia vlen të flitet? Sot për sot, ndër shkrimtarët shqiptarë shquajmë së pari ata që vijnë nga periudha e djeshme e komunizmit, dy kampe lufte krejt të ndryshme në pamje të parë, por edhe të përshkuar nga një tipar i përbashkët: ata përcaktohen nga marrëdhënia me politikën dhe jo nga cilësia e veprës. Në rastin e parë kemi shkrimtarin me etiketën e intelektualit të shtetit, i cili lindi në një shoqëri strukturat e së cilës u bënë qartazi artificiale, pasi klasa sunduese e humbi funksionin e saj, por arrinte të mbahej në pushtet me forcë dhe mashtrim, duke premtuar më tepër një kohë skizofrenie se sa një kohë besimi, një kohë që nuk lejonte regjistrimin besnik të fakteve dhe sinqeritetin emocional të krijimit: nga pikëshikimi i shoqërisë totalitariste historia është diçka që duhet krijuar e jo diçka që duhet mësuar, kështu që lejohet vetëm një opinion, i cili sjell për pasojë një falsifikim të plotë. Kasta sunduese e shtetit totalitar duhet të ruajë sundimin e saj, prandaj duhet të konsiderohet si e pagabueshme, mirëpo meqë në praktikë askush nuk është i pagabueshëm, është e nevojshme që ngjarjet e kaluara të përshtaten nëmënyrë që triumfet e imagjinuara të duket se kanë ndodhur vërtet. Ky kamp i identifikuar lehtë si oportunist ishte dhe vazhdon të mbetet më i madhi, ngaqë në gjirin e tij krijohej mundësia e një mënyre mirëkuptimi me kastën drejtuese të shtetit, çka nënkupton vazhdimësinë e të shkruarit dhe të botuarit, sigurisht kundrejt çmimit të vetëcensurimit apo gjuhës së Ezopit, duke çuar nëpër disa simbolika dhe metafora të stërholluara.

Si të gjithë vendet e Evropës Lindore, edhe Shqipëria ka njohur shenjat e shkrimtarit disident, çka përbën modelin e dytë të sipërpërmendur, por efekti i përftuar prej tij, për arsyet e njohura të një diktature të shkallës më të lartë, ka pasur një minimizim të skajshëm në krahasim me vendet e tjera, kështu që edhe sot e kësaj dite vlerësimi për këtë shkrimtar vazhdon të luhatet përmes ulje-ngritjesh të mëdha, shembujt ilustrues janë të qartë për të gjithë dhe nuk ka nevojë për përmendje emrash…

Disa shembuj dritëshkurtër japin shenjë se në kohën tonë mund të luhet me të njëjtën kartë. Edhe suksesi financiar i një libri, që i përket nënkulturës, si “Kodi da Vinci”, i jep frymëmarrje kësaj kaste pa lidhje me letërsinë e vërtetë. Tashti që nuk ka më ideologji sunduese, vetë pushteti politik nuk ka më interes për asnjërin model dhe çmimin e lirisë së tyre shkrimtarët e paguajnë tek tregu: tashti shtrohet problemi se mund të shkruash çfarë të duash, po kush do të të lexojë. Tashti shtrohet problemi: cilët shkrimtarë janë përgatitur të shkruajnë pa marrë parasysh se kush do t’i lexojë, a do të kemi pas kësaj shkrimtarë me vlerat e tyre të vërteta? Këto pyetje ngrihen vetëm në sferën më të ndjeshme të letërsisë dhe studimit të saj, sepse çfarë mbisundon pamjen e përgjithshme mbetet konsumizmi, ngritja e supeve të librarëve që thonë “këto më shiten”, duke i bërë jehonë herë pas here kësaj dukurie edhe një instrument ndikues te mendimi i përgjithshëm si media.

Botuesit e pakulturuar e pa vizione, por me fuqi ekonomike e mediatike, po japin shembuj se mund t’i çojnë librat e vet pa vlera jo vetëm te makrotregu por edhe deri te çmimet kombëtare, por kjo do të zgjasë vetëm për një kohë të shkurtër (blerësi i manipuluar nuk do të gënjehet në pafundësi), veçse, padyshim, do të kontribuojë për çoroditjen e momentit.

Ende nuk kam hequr dorë nga përgjigjja që i kam dhënë dikur një lexuesi të zakonshëm, apo naiv, i cili besonte, kështu qe edukuar, se mund ta ngrinte hierarkinë e letërsisë shqipe me anë të leximeve të veta: i thashë se mund t’ia rekomandoja vetëm pas tridhjetë vjetësh autorët që duhej të lexonte. Sepse shkrimtarët nuk kanë më funksion të veçantë në shoqëri, funksion ideologjik apo moral, atyre u mbetet veçse të prodhojnë letërsi, mirëpo mënyra e vlerësimit si e tillë do të vonojë, kërkohen vite për ta ndërtuar hierarkinë sipas saj, pasi logjika e tregut favorizon një letërsi bulevardesh a banalitetesh (qoftë nga ajo periferike, qoftë nga ajo që arrin të përkthehet e botohet jashtë vendit). Dikush mund të thotë se tipari konsumist është fenomen tipik edhe në shoqëritë më të zhvilluara perëndimore, por s’duhet harruar se atje ai përballet me mendimin e specializuar, të konsoliduar, i cili sqaron se kur diskutohet në mënyrë serioze për letërsinë, W.S.Maughm dhe Archibald Cronin, bie fjala, janë shkrimtarë që shërbejnë për të rritur numrin e lexuesve.

Nuk e di se çfarë leximi u bëhet sot në Shqipëri librave që duhen të vlerësohen, por një roman i cilësuar si më i miri i vitit, çka parakupton se është shfletuar nga pesë ekspertë të letërsisë, fillon me këtë sintaksë shqipeje skandaloze:

Askush në atë mëngjes të zymtë vjeshte, nuk e vuri re mbërritjen e orendive të një familje, në rrugicën pranë kinemasë. Kjo ndodhi për shkakun se, nuk u dëgjua…

Janë të shumtë shembujt që tregojnë se letërsia e sotme shqipe është pré e një loje interesash të ngushta e të ulëta, veprimesh të papërgjegjshme e manipulimesh, nga njerëz që janë mbajtur dhe mbahen për ekspertë të letërsisë, për të mos folur për ata që nuk mbahen si të tillë, por zotërojnë ndonjë pushtet tjetër.

Sigurisht, asnjëherë nuk është vonë për të qenë serioz me këtë shfaqje të superstrukturës së shoqërisë, që vlen për të kuptuar si duhet thellimin e demokracisë dhe fytyrën tonë si komb i qytetëruar, me aspirata evropiane.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment

  1. doriani thotë:

    16 June 2008 @ 2:43 pm

    me thene te drejten une kam khe qe jam larg letersise shqipe(dhe asaj pjese te letersie shqipe se shkruar se fundi).Kjo ishte edhe arsyeja qe kur me ra ne dore nje vellim me tregime i botuar para rreth 1 viti,e mora ta lexoja,per te patur nje imazh pak me te qarte te asaj qe ndodh se fundi atje.U inkurajova me shume edhe nga pjesa e mbrapme e kopertines,ku emra relativisht te njohur dhe te johur te letrave shqipe kishin dhene opinionet e tyre inkurajuese dhe jo vetem.Perfundimisht,mund te them se ngela i befasuar nga niveli i mediokritetit dhe sidomos nga menyra “e sigurte” me te cilen ky mediokritet merrte qytetarine,qofte edhe ne nje faze te perkohshme.Praktikisht,sipas meje mungonin shume faza te gjykimit te mirqene letrar duke filluar qe nga botuesi dhe duke mbaruar deri tek “kritikat konstruktive” nga mbeshtetesit e rastit.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com