Çmimet, qeveria të mos ndërhyjë në treg

Shefja e FMN në Tiranë, Westin, pret një rritje prej 20% të energjisë elektrike

gazeta Shqip

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret një rritje prej 20 përqindësh të çmimit të energjisë elektrike. Përfaqësuesja e përhershme e FMN-së në Tiranë, Ann Margaret Westin, tha se FMN-ja pret që në mars të këtij viti autoritetet shqiptare të vendosin një rritje prej 20 përqindësh në çmimin e energjisë elektrike. Madje, Westin është shprehur shumë e sigurt se kjo do të jetë dhe masa e rritjes së çmimit të energjisë.

Duke folur për parashikimet e Fondit Monetar në lidhje me inflacionin gjatë vitit të ardhshëm, Westin tha: “Për vitin 2008 ne presim që inflacioni të jetë pak i lartë. Ndoshta drejt nivelit 4 për qind. Dhe kjo nuk do të jetë si pasojë e rritjes së çmimit për ushqimet, por ajo do ta reflektojë më shumë rritjen e çmimit të energjisë, që ne presim të ndodhë në mars dhe të jetë në nivelin 20 për qind. Kjo është një masë e domosdoshme”.

FMN-ja është përfshirë dhe në debatin e ndezur për rritjen e fortë të çmimeve të produkteve ushqimore në tregun vendas. Ann Margaret Westin ka përkrahur qëndrimin e qeverisë për të mos ndërhyrë në treg, por këmbëngul në goditjen e spekulantëve. “Ne e mbështesim vendimin e qeverisë për të mos ndërhyrë në treg. Ne mendojmë se ajo po bën gjënë e duhur. Por, në një situatë si kjo dalin dy detyra. E para të mbrohen të varfrit dhe e dyta të kontrollohet rritja spekulative e çmimeve. Kjo, pasi rritja e çmimeve shfrytëzohet nga disa kompani për t‘i rritur ato edhe më tepër, duke penalizuar kështu konsumatorët dhe qeveria mund të luajë një rol shumë të madh këtu, duke e ndaluar këtë fenomen. Por sërish më duhet të rekomandoj të mos ndërhyhet në treg, pasi vetë çmimet e larta të drithërave do t‘i shtyjnë fermerët të mbjellin më shumë dhe për rrjedhojë çmimet do të stabilizohen sërish”, thotë Westin.

Por, ndonëse ndan të njëjtin qëndrim me qeverinë për të mos aplikuar lehtësira fiskale, zonja Westin propozon një zgjidhje tjetër nga ajo që ka lajmëruar Kryeministri Berisha. Shefi i qeverisë deklaroi se qeveria do të kompensojë të gjithë rritjen e çmimeve, ndonëse skema për këtë ende nuk është e qartë. Por FMN-ja kërkon që qeveria të tregohet e kujdesshme dhe të mos kompensojë të gjitha shtresat, por vetëm të varfrit. Westin rekomandon që mbështetja të bëhet me para në dorë. “Kjo është një goditje që i ka prekur të gjitha shtresat. Por, qeveria nuk mund t‘i subvencionojë të gjithë, pasi kjo nuk do të kishte kuptim dhe do të ishte një rrezik i madh për buxhetin. Heqja apo ulja e TVSH-së do të ishte e gabuar. Ne rekomandojmë mbështetje me para në dorë vetëm për shtresat e varfra, pasi ata janë më të penalizuarit nga e gjithë kjo. Në Suedi, për shembull, qeveria ua dërgon njerëzve paratë e subvencionit për raste të tilla përmes postës. Edhe këtu mund të gjendet një skemë e ngjashme. Por, faktori kyç është të identifikohen ata që janë me të vërtetë të varfër dhe vetëm ata duhet të mbështeten me para në dorë. Të tjerët s‘ka pse të kompensohen”, vijoi Westin. FMN-ja paralajmëron se viti 2008 do të vazhdojë të jetë i vështirë për buxhetet familjare, por kjo jo vetëm për faj të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, por edhe për shkak të rritjes së pritshme të çmimit të energjisë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment

  1. edrus thotë:

    14 February 2008 @ 10:54 pm

    Shyqyr që kemi FMN që na tregon rrugën…

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com