Çka korrigjon, e çka nuk korrigjon korrektori kompjuterik?

Prof. dr. Nebi Caka

Çka korrigjon, e çka nuk korrigjon korrektori kompjuterik?

Nuk mund të kërkojmë nga korrektori i shqipes atë që nuk e kanë korrektorët kompjuterikë të gjuhëve të tjera. Por, a i ka ky i shqipes ato që i kanë të tjerët? Një analizë sadopak e kujdesshme na thotë të mos ngutemi t’u themi lamtumirë lektorëve e redaktorëve gjuhësorë/letrarë, se ende shumë kohë do të kemi nevojë për ta…

Si punon korrektori kompjuterik? Kompjuteri e lexon secilën fjalë të shkruar dhe e kontrollon se a është ajo në fjalësin e fjalorit të tij. Nëse fjala që keni shkruar nuk është në Fjalorin e kompjuterit, atëherë ai ju përshfaq një kuti dialoguese, ku ju mund të përzgjidhni njërën nga fjalët e ofruara, ose ai (kompjuteri) e bën vet zëvendësimin e fjalës së “gabuar”, nëse për të ka vetëm një “ofertë”. Nëse fjala që keni shkruar nënvizohet me vijë të valëzuar të kuqe, e ju jeni të sigurt se ajo është shkruar drejt, atëherë duhet të klikoni në fushën “injoroje” dhe kompjuteri vazhdon të kontrollojë fjalët e tjera të tekstit. Së këtejmi dhe emërtimi: “kontrollues i drejtshkrimit” (angl. spelling checker). Është e kuptueshme që kompjuteri nuk i ka të gjitha fjalët që i përdorim gjatë të shkruarit me të. Kështu, ai ndalon në emrin e ndokujt, ngase ai nuk i ka të gjithë emrat, madje ndodh që nuk i ka as emrat që përdoren dendur, a që janë me rëndësi për kulturën dhe historinë e një populli, në këtë rast: të popullit shqiptar. Ai, për shembull, nuk e ka as Abdyl Frashërin e as Ismajl Qemalin, por e ka Luigj Gurakuqin, e ka Gjergj KastriotinSkënderbeun e Adem Jasharin [por jo dhe: Jashar]; e ka Nënën Terezë, Rugovën, Thaçin e Berishën. Nuk e ka Naimin, por e ka të vëllain e tij, Samiun. E ka Kadarenë, Fishtën, Nolin, Mjedën, Migjenin e Asdrenin, por jo dhe Lasgushin. E ka: Kristoforidhin, Xhuvanin, Kostallarin e Çabejin (por jo: Çabejn).

Fjalësit të këtij korrektori nuk i mungojnë madje as: Venera (Afërdita), Mërkuri, Saturni, Urani, Neptuni e Plutoni [i mungon: Jupiteri]. Ai e ka Krishtin e Budën, por jo dhe Muhametin [mbase për shkak të dilemës a të shkruhet me t a me d]. Aty janë edhe Aleksandri e Pirroja, po dhe Stalini.

Ka edhe mjaft emra nga gjeografia. Përfshirja e këtyre emrave, por dhe e shumë e shumë emrave të tjerë (të përveçëm) vetëm ia rrisin vlerën Korrektorit kompjuterik. Por, krahas emrave të përveçëm, kanë mundur të futen edhe shumë e shumë fjalë të tjera shqipe, në radhë të parë të prejardhura, po dhe ndërkombëtarizma. Futja e një fjale në fjalësin e kompjuterit nuk do të thotë se asaj i jepet e drejta e të qenit ‘rezidente’ edhe në Fjalorin e shqipes së sotme, por do të thotë se ajo përdoret dendur në të shkruar, ndaj dhe duhet normëzuar të shkruarit e saj. Siç janë futur në fjalësin e kompjuterit, për shembull, fjalët harduer e softuer [dhe është hequr dilema e të shkruarit të tyre me u a me v] dhe printer, monitor e disketë a laser e transistor [dhe është hequr dilema e të shkruarit të tyre me s a me z] kanë mundur të futen shumë e shumë fjalë të tjera, shumë prej të cilave përdoren dendur, si në ligjërim, ashtu edhe në të shkruar.

A i ka korrektori i shqipes ato që i kanë të tjerët?

Asnjë korrektor kompjuterik, pra as ky i shqipes, nuk është i përkryer: nuk i eliminon (ndreq) gabimet 100%. Pra, nuk mund të kërkojmë nga korrektori kompjuterik i shqipes atë që nuk e kanë korrektorët kompjuterikë të gjuhëve të tjera. Por, ai i ka ky i shqipes ato që i kanë të tjerët? Ende jo. S’ka dyshim se edhe i këtillë çfarë është, do të jetë i dobishëm. Por dobia nga ai do ishte edhe më e madhe nëse ai do të shërbente jo vetëm për ndreqjen mekanike të gabimeve, por edhe për zotërimin e rregullave të drejtshkrimit dhe për ngritjen e kulturës gjuhësore të të gjithë përdoruesve të tij. Për të arritur këtë objektiv, mbetet ende për t’u bërë.

Nëse nuk tregohemi mjaft vigjilentë (syçelë) mund të në shpëtojnë gabimet drejtshkrimore – gramatikore të tipit: “bënë (për: bën) ai”, “kryeministri vendosë (për: vendos), “të pi (për: të pijë) duhan”, “me një politikanë (për: politikan)”, “libra të botuara (për: botuar), “[ai] nuk dëshiro (për: dëshiron) të tregoj (për: tregojë)”, “Kina bashkoj (për: bashkoi), apo: “doktor [është fjala për një grua] e [për: i] ekonomisë”, “qifti [për: çifti; qifti është lloj shpendi] i lumtur është parë disa herë bashkë”, “gruaja e së (për: ) cilit”, “tre (për: tri) javë”, “si lider i 265 (për: i 265-të)”, “ndjenjat ‘e juaja’ (për: tuaja)”, “priftërinjtë i (për: e) mbuluan sërish kalldërmin (për: kalldrëmin, – e ndreq)”, “e (për: i) tejkaluan çështjet”.

Për të gjitha rastet e mësipërme, Korrektori është i pafuqishëm, prandaj duhet ta lexojmë edhe një herë tekstin e shkruar, ose t’ia japim dikujt tjetër ta lexojë, meqë “dy palë sy shohin më mirë se një palë”.

Derisa, nga konteksti, lehtë zgjidhet fjala e duhur nga ato të sugjeruara në shembujt si këta: “jamë (jam, e jo: amë, apo damë) e gëzuar”, karafilë (karafila, e jo: karafil) të verdhë”, kemi raste kur kjo nuk është aq e lehtë.

Deri sa te “fjalët” ‘gabim shtypi’: vdekjesqë, “[të] mëdhaqë”, përkrimet, kjodo [thotë] – të nënvizuar me të kuqe, – e kemi lehtë ta shohim se kemi të bëjmë me dy fjalë: “vdekjes që”, “[të] mëdha që”, për krimet, kjo do [thotë], nuk mund të thuhet kjo edhe për: “poashtu” (e cila duhet shkruar: “po ashtu”). Korrektori (tash për tash) nuk na sugjeron se: 41 vjeçare, 78 vjeçar, 90 vjetorin, duhen shkruar: 41-vjeçare, 78-vjeçar, 90-vjetorin.

Korrektori do të na sugjerojë, me të drejtë, të fshimë njërën “se” [gabim shtypi] në fjalinë: “ai beson se se kurrë në jetë..”, por dhe njërën “” në fjalinë: “…të të katër vendeve

Korrektori e përmirëson Koosvë Kosovë, meqë i kanë këmbyer vendet s dhe o. Korrektori do ta ndreqte edhe Koosovë, meqë kemi o të dyfishuar, por do ta prishte vakuum (siç e ka Fjalori drejtshkrimor) në vakum, mbase duke menduar se kemi të bëjmë me u të dyfishuar aksidentalisht.

Ai do ta përmirësonte edhe ekzisencës [po dhe: egzistencës] në: ekzistencës, evolimin në: evoluimin, – ku mungon nga një shkronjë; fabulësë në: fabulës, numëri në: numri, [nuk ka] reshtuar në: [nuk ka] reshtur, ku kemi një shkronjë tepër. Por për: kapelet [e buta], ndër pesë sugjerime, nuk do ta ketë trajtën e duhur (të drejtë), në këtë rast, kapelat, edhe pse kjo ndryshon nga ajo e gabuara vetëm për një shkronjë.

Kështu, për: vjelur, Korrektori sugjeron: velur e vjetur, por jo dhe trajtën e drejtë: vjelë. Për marrur, ai sugjeron harrur, marrua, marruk, marruar, por jo dhe trajtën e drejtë marrë. Ndërkaq për: mbjellur (në vend të: mbjellë) dhe sjellur (në vend të: sjellë) nuk ka fare sugjerime, kështu që ata që kanë shkruar më parë: mbjellur (p.sh.: janë mbjellur) për mbjellë dhe sjellur për sjellë (p.sh.: “nuk i ka sjellur), do të vazhdojnë edhe më tej të shkruajnë njësoj.

A na duhet dhe sa na duhet korrektori kompjuterik?

Secila gjuhë i ka veçoritë e saj, dhe korrektori kompjuterik do të duhej t’i merrte parasysh këto veçori. Sidomos do të duhej mbajtur parasysh trajtat ku gabohet shpesh, si në shembujt e mëposhtëm:

Nëse i shkruajmë me ç nistore fjalët që do të duhej shkruar me sh nistore apo me zh nistore, si p.sh.: çfaros, çthur, çvesh, çvulos, çbllokoj, çvendos etj. korrektori do t’ua heq ç-në nistore duke i kthyer në primitivet (antonimet) e tyre, e duke mos na sugjeruar trajtat e drejta (me sh, përkatësisht me zh nistore): shfaros, shthur, zhvesh, zhvulos, zhbllokoj, zhvendos etj. Nëse shkruajmë: çfaq, çfaqje, për: shfaq, shfaqje, korrektori nuk do të na sugjerojë asgjë.

Korrektori jep deri në 5 sugjerime, por jo rrallë ndodh të mos e japë mu fjalën e duhur. Kështu, p.sh., për fjalën (e shkruar gabimisht) hyp sugjeron fjalët: hy, gyp, lyp, qyp, hap, por jo dhe fjalën e duhur: hip; për fjalën (e shkruar gabimisht): blok sugjeron fjalët: flok, llok, ulok, blof, bloi, por jo dhe fjalën e duhur: bllok.

Kur kemi vetëm një sugjerim, korrektori automatikisht e pranon atë si të vetmin të mundshëm, duke e pandehur për të drejtë, çfarë është në shumicën e rasteve, si p.sh. fjalën autobuz e kthen automatikisht në: autobus, defiçit në: deficit; bicikletë në: biçikletë, cimento në: çimento, materjal në: material, kantjer në: kantier, agresjon në: agresion, (e) ndieshme në: (e) ndjeshme, shofim në: shohim, zvoglim në: zvogëlim etj. Por ndodh që ngandonjëherë edhe të gabojë, si në rastin e fjalës shliroj (për: çliroj), të cilën e kthen (gabimisht) në s’liroj apo ç’ështës’është etj.

Nëse shkruajmë (gabimisht): () ulta për: [] ulëta, korrektori do të na sugjerojë fjalët: ultë, luta, ula, urta, usta, por jo dhe fjalën e duhur: () ulëta.

Korrektori e ka: shndërroj, shndërrim, por jo dhe: shndërrues.

A na duhet dhe sa na duhet korrektori kompjuterik? Sondazhet kanë treguar se më pak se 5% e britanikëve dhe amerikanëve e australianëve mund të shkruajnë në anglishte pa gabime ose pa fjalorë a pa korrektorin drejtshkrimor kompjuterik. Si qëndron puna te ne, nuk ka të dhëna.

Por Korrektori kompjuterik mbart edhe rrezikun latent (të fshehur): Sa më shumë që varemi nga korrektori kompjuterik, aq më pak provojmë t’i përmirësojmë vet gabimet. Një studim në Universitetin e Pittsbourgh-ut ka treguar se studentët kanë bërë më shumë gabime kur e kanë përdorur korrektorin kompjuterik! Dhe në fund, duhen shikuar edhe aspektet didaktike dhe pedagogjike të korrektorëve kompjuterikë. Fidbeku (informacioni kthyes) i marrë nga nxënësit e të gjitha niveleve të shkollës shqipe, për vështirësitë drejtshkrimore të tyre dhe ndikimin e korrektorit kompjuterik në përmirësimin a keqësimin e përvetësimit të rregullave të drejtshkrimit, do të ishte me interes.

Pra, të mos ngutemi t’u themi lamtumirë lektorëve e redaktorëve gjuhësorë/letrarë se ende shumë kohë do të kemi nevojë për ta.


Botuar fillimisht në shtojcën “Koha për kulturë”, Nr. 253, f. 28, të së përditshmes “Koha ditore”, Prishtinë, 14 maj 2005.

Vërejtje e autorit: Nëse ndërkohë [nga koha e botimit të parë të këtij artikulli deri më sot] i janë bërë përmirësime të caktuara domethënëse Korrektorit kompjuterik të shqipes, atëherë artikulli e ka arritur qëllimin e vet.

Koment nga Vehbi Neziri në Forumin “Alb-Shkenca”

Përshëndetje,

Po jap një përgjigje të shkurtë në lidhje me korrektorin e shqipes. Kam qenë dhe jam njëri nga anëtarët e ekipit teknik për projektin “Gjuha shqipe dhe kompjuteri” në të cilin projekt bëjnë pjesë korrektori i shqipes i quajtur “AS 2.0”, fjalori elektronik shpjegues “FESH” dhe “Kulla e shqipes”.

Unë nuk dua të ndalem në atë se çka ka dhe çka nuk ka korrektori i shqipes, pasi që edhe nuk jam gjuhëtar (jam programues) por më tepër dua të ndalem në pjesën teknike të funksionimit të programit.

Fillimisht dua të bëj me dije se korrektori i shqipes që është në përdorim nuk e ka komponentin morfo-sintaksor dhe për këtë arsye nuk mundet që të zgjidh disa nga problemet që ka cekur profesori Nebi, mirëpo me këtë komponent do të zgjidhte këto dhe shumë probleme tjera.

Disa nga rastet që janë të cekura në këtë artikull, por edhe disa tjera që nuk janë të cekura tanimë janë zgjidhur, siç janë “marrur” ku sugjerohet “marrë”, “sjellur” në “sjellë”, “dalur” në “dalë” etj.

Po ashtu rastet si “çfaros, çthur, çvesh, çvulos, çbllokoj, çvendos, cfaq, çfaqje” tani e japin sugjerimin me “shfaros, shthur, zhvesh….shfaq, shfaqje”.

Edhe fjalën “poashtu” tani AS 2.0 e përmirëson në mënyrë automatike në “po ashtu”

Janë një pjesë e fjalëve që sugjerimet e dhëna nuk përkojnë me fjalën e dhenë, (në bazë të algoritmeve kompjuterike po) mirëpo kjo do të zgjidhej shumë lehtë në qoftë se do të dihej lista e atyre fjalëve. Zakonisht këto kanë të bëjnë tek fjalët e shkurtra. Mirëpo ka edhe fjalë që janë shumë larg kuptimit dhe AS 2.0 e sugjeron siç janë fjalët “mësonjës” në “mësues”, “lexonjës” në “lexues” e shumë e shumë raste të tilla.
Këto raste janë trajtuar në mënyrë të veçantë dhe si këto raste do të mund të zgjidheshin edhe shumë raste tjera.

Profesorit i jam falënderues dhe kam një respekt të madh për të dhe për punën e tij.

Për fund dua të njoftoj të gjithë se sigurisht që janë bërë përmirësime edhe nga artikulli i profesorit, por edhe shumë përmirësime të natyrave tjera.

Gjithë të mirat,
Vehbiu

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

6 Komente

  1. Dori thotë:

    3 November 2007 @ 4:56 pm

    Në radhë të parë duhet thënë se bëhet fjalë për programet e zhvilluara nga http://gjuha-shqipe.com

    Së dyti, ata akoma s’e kanë kuptuar që një program i tillë kërkon shumë punë dhe s’do të jetë asnjëherë tërësisht i saktë pasi në faqen e tyre shkruajnë: “Nëse shkruani shqip, tash është koha për t’u thënë lamtumirë gabimeve drejtshkrimore.”

    Së treti, kanë bërë goxha punë por duke e kushtëzuar në blerjen e Microsoft Windows and Microsoft Office kanë kufizuar shumë përdorimin ligjor të programeve (kuptohet shumë shqiptarë përdorin Windows dhe Office në mënyrë të jashtëligjshme). Do të ishte mirë përderisa bënë tërë këtë punë në përmbledhjen e fjalëve dhe gabimeve të kishin bërë diçka dhe për programet si Aspell (http://aspell.net/) ose Hunspell (http://hunspell.sourceforge.net/, përdoret nga OpenOffice.org dhe do të përdoret nga Firefox) që përdoren nga programet e lira (free software).

  2. Ravintsara thotë:

    3 November 2007 @ 7:52 pm

    Bravo për idenë dhe për punën e madhe që po bëjnë, por vetë artikulli donte një redaktor më vete…

  3. Luan Janina thotë:

    4 November 2007 @ 10:21 am

    Fjalor drejtshkrimor për Firefox dhe Thunderbird
    Shkarkimin e Fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe me 390.000 fjalë e trajta fjalësh për Firefox dhe Thunderbird mund ta bëni këtu: http://www.shkenca.org/content/view/69/37/ . Dateka e shkarkuar (fjalor_shqip-1.3.9-fx zm tb.xpi, 389 KB) hapet automatikisht me programin Firefox. Nëse hapja e saj nuk bëhet automatikisht pas shkarkimit, atëherë duhet ta bëni hapjen e saj me anë të programit Firefox. Pas hapjes paraqitet dritarja për instalim. Këtu duhet ta bëni instalimin duke e shtypur butonin përkatës. Pas instalimit (dhe konfigurimit) të suksesshëm, fjalët e shkruara gabimisht në formularët e faqeve të internetit nënvizohen me ngjyrë të kuqe. Leximi i propozimeve për përmirësim nga programi mund të bëhet duke i klikuar fjalitë e gabuara (të nënvizuar më ngjyrë të kuqe) me tastin e djathtë të miut . Një pamje gjatë punës: http://sq.wikipedia.org/wiki/Firefox

  4. Kuriozi thotë:

    4 November 2007 @ 12:51 pm

    Po programi gjuha shqipe mund te shkarkohet me falas?

  5. blete thotë:

    7 November 2007 @ 9:17 pm

    po, une falas e perdor. me ka ndihmuar shume, megjithese ka te meta dhe duhet te kesh vemendjen kur e perdor.

  6. Shpendi thotë:

    23 November 2007 @ 9:28 pm

    Pajtohem me konstatimin e Ravintsarës se ekipi i projektit “Gjuha shqipe dhe kompjuteri”, anëtar i të cilit është edhe Vehbi Neziri, ka bërë punë të mirë. Por, nuk do të pajtohesha me deklarimin e këtij ekipi se “nëse shkruani shqip, tash është koha për t’u thënë lamtumirë gabimeve drejtshkrimore”. Ka të drejtë Prof. Caka që thotë “të mos ngutemi t’u themi lamtumirë lektorëve e redaktorëve gjuhësorë/letrarë se ende shumë kohë do të kemi nevojë për ta”. Këtë e vërteton edhe vetë komenti i V. Nezirit, siç e ka vërejtur edhe Ravintsara.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com