Çehovi bashkon shqiptarët
Bashkëpunimi teatror mes Tiranës, Shkupit e Prishtinës vjen me “Dajë Vanjën”. Një variant bashkëkohës i dramës ruse
Shekulli
Një dhomë e vjetër me mure të palyer ku janë ngjitur postera të dalë boje, një biletë e stërmadhe llotarie, ca fotografi femrash bjonde në plazh… Është ambienti ku jeton Vojnicki apo siç e thërrasin, dajë Vanja, një intelektual provincial, që shtyn mërzitshëm ditët në fshat. Pas premierës të “mbyllur për pushtetarët” e Shkupit, në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar shfaqet drama për tri net “Dajë Vanja” e dramaturgut rus Anton Çehov. Një bashkëpunim mes Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës. U bë kohë që flitet për një projekt të tillë, për trekëndëshin e famshëm mbarëshqiptar, por që nuk i janë parë frytet. Është folur për bashkëpunime ndërinstitucionale, por drejtor pas drejtori, premtimet mbetën vetëm në letër. Më në fund “Daja Vanja” lindi nga “trekëndëshi” në fjalë, me producent Bajrush Mjakun, me mbështetjen financiare të kompanisë teatrore private “Kronos” dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës. Sipas Mjakut, edhe pse prej 3 vjetësh aplikonte me këtë projekt pranë Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë, nuk u arrit të merrej mbështetja e kërkuar. Ndaj edhe shfaqja ishte dhe do të jetë e mbyllur për politikanë e biznesmenë që nuk denjuan të mbështesin projektin. “Daja Vanja” (sipas producentit ky është përkthimi i saktë) ka në trupën e aktorëve Enver Petrovcin, Ndriçim Xhepën, Bajrush Mjakun, Musherefe Llozanën, Eftiola Laçkën, Blerta Sylën e Adem Karagën. Regjia i është besuar Slobodan Unkovskit, i njohur në Shqipëri përmes dramës “Babai” të Strinbergut. Nga Petrovci, Mjaku e Xhepa, Unkovksi u konsiderua si një regjisor i niveleve botërore.
“U gëzova shumë për këtë bashkëpunim, për regjisorin dhe këtë staf aktorësh dhe pranova të marr pjesë pa mësuar më parë për rolin që do të luaja dhe pagesën. (Në raste të tjera jam problematik)”, - thotë Enver Petrovci, një nga aktorët më të paguar në teatër në epokëne ish-Jugosllavisë. “Punohet shumë mirë me një tekst, regjisor e aktorë të mirë”, - shton ai.
Sipas konceptit regjisorial “Daja Vanja” është një analizë e kujdesshme bashkëkohore e veprës së njohur. Ngjarjet ndodhin në Rusi, përmes së cilës ka kaluar periudha e Çehovit (fund shekulli XIX), Perestrojka e Gorbaçovit, periudha e tranzicionit dhe kapitalizmi bashkëkohor. Megjithatë në vepër nuk trajtohen probleme të përgjithshme të sistemit shoqëror, por të individit. “Daja Vanja” është një komedi tragjike për dashurinë dhe miqësinë. Rezultat i një leximi të ri të veprës në fillimshekullin XXI. Sipas aktorit Ndriçim Xhepa, vlera e kësaj vepre nuk qëndron vetëm tek bashkëpunimi, por mbi të gjitha tek zbërthimi i natyrshëm dhe njerëzor që regjisori i ka bërë karaktereve dhe situatave. Sipas tij skenografia e realizuar nga Krste Xhidrov dhe kostumet e Blagoja Micevskit janë të thjeshta dhe i gjithë spektakli krijohet nga komunikimi dhe përplasja aktoriale. Nisur nga roli që luan (dajë Vanja), Bajrush Mjaku thotë se shfaqja që vjen sot për publikun është një pasqyrë e kohës sonë. “Në këtë kohë pa kohë, çdo gjë që na rrethon na bën të mërzitur. Jetojmë një jetë të mërzitshme. Çohemi në mëngjes dhe nuk dimë se si do ta mbushim ditën. Kjo gjendje është e pranishme edhe në shfaqje. Ky ishte qëllimi im dhe i regjisorit”, - thotë Mjaku.
Versioni i ri i “Xhaxha Vanjës” do të shfaqet përgjatë tri netëve (e premte, e shtunë e diel) në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar. Ishte planifikuar që vepra të shfaqej dje në mbrëmje, por për shkak të tragjedisë së Farkës ku u mbytën 16 vetë, shfaqja u shty për sot në mbrëmje dhe vazhdon deri të dielën. Shtyrje aktivitetesh pati edhe në institucione të tjera kulturore. Ekspozita e piktorit Agim Sulaj e parashikuar të hapej mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve hapet sot. Po sot në orën 11.00 zhvillohet ceremonia e dhënies të titullit “Mjeshtër i madh” për regjisorin Luigj Gurakuqi në Teatrin e Operës dhe Baletit, ndërsa në orën 19.00 në odeonin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, zhvillohet koncerti për 7 Marsin.
Në skenën shqiptare
“Xhaxha Vanja” është një nga ato vepra që gjithnjë i tundon regjisorët t’i rikthehen. Nuk ka munguar edhe në skenat shqiptare, qoftë në atë të Teatrit Kombëtar, apo të Akademisë së Arteve, ku shumë studentë janë diplomuar me të. Dy vjet më parë “Xhaxha Vanja”, pas 40 vjetësh mungese, u rivu në TK nga regjisori Hervin Çuli. Një vënie klasike, që i përmbahej deri në detaj tekstit çehovian. Sot, vepra me titullin “Daja Vanja” vjen me një frymë më bashkëkohore.


Shkruaj një koment (login)