Bukë misri me Djathë në Nju Jork

Më kishte mbetur mendja që vitin e kaluar, kur shfaqja e Zj. Elza Zagreda, bëri raundin e parë në Nju Jork, edhe unë nuk e pashë dot. Për më tepër kur edhe tezet e mia të moshuara amerikane i dhanë dhjetë me yll interpretimit të saj. Kështu, kur pashë lajmin e rivënies në skenë këtë vit, i rezervova vendet menjëherë.

Teatri ishte i vogël, pothuajse aq sa skenat e estradave të rretheve, skenografia e thjeshtë, dhe e përshtatur vetëm për një interpretuese. Megjithatë spektatoret nuk u ankuan fare për ngjeshjen si sardele konservash. Zj. Zagreda ishte tepër e aftë në përdorimin e mjeteve të thjeshta skenike si simbole për ilustrimin e rrëfimit të saj.

Ngjarja ishte e bazuar tek jeta e Zj. Zagreda, jeta e një vajze rritur në një familje nga Mali i Zi në Nju Jork, së bashku me pësimet e mësimet, lëndimet e gëzimet, të mirat e të keqijat e jetës së saj. Deri në fund të shfaqjes, lotët ndiqnin të qeshurat e anasjelltas në sallë, e askush nuk e humbi përqendrimin qoftë edhe njëherë. Të qeshurat sidomos ishin plot zemër kur Zj. Zagreda fliste me theksin e fortë malazez (ose nga malësia e Mbishkodrës, me aq sa mund ta përcaktojë një jovendase si puna ime).

E çuditshme sesi shume nga ato pikë që rrëfente e komentonte Zj. Zagreda ishin të vërteta edhe për familjet e atyre kishin lindur në dhe të huaj, edhe për ata që kishin emigruar vite më parë, edhe për ata të sapozbarkuarit, nga cilado treve shqiptare qofshin. Ndoshta përjetimet nuk ishin aq dramatike, ndoshta nuk kishin shkaktuar reagime aq të forta sa tek Zj. Zagreda, por ishin gjithsesi shqetësime reale në jetën e familjeve emigrante. Humori i saj maskonte shume plagë të përjetuara pas perdeve të rënda kadife të bodrumeve ku zakonisht jetojnë familjet e superintendentëve shqiptare.

Vete aktorja ishte dëshmi e gjallë sesi dikush mund të gjente forca të përmirësonte veten e ta ngrinte nga ai “llumi” i fillimit e i vështirësive në jetën e emigranteve. Suksesi i saj dëshmonte që paqja e vërtete brenda vetes arrihej vetëm duke ndërthurur të shkuarën me të tashmen, traditën me modernen, origjinën me arritjet në jetë. Një shprehje më mbeti në mend: “Dikur bëra ç’ishte e mundur për të ndenjur sa më larg rrënjëve të mia shqiptare, por tani jeta përsëri më ka sjellë që unë të kem sukses pikërisht nga këto rrënjë”

Së fundmi, kjo shfaqje tregon edhe njëherë se pa rëndësi nga treva, për shqiptarët gjëja më e shijshme në jetë akoma mbetet buka e ngrohtë e misrit me djathë të bardhë.

“Bukë Misri me Djathë të Bardhë” “Corn Bread and Feta Cheese” do të vazhdojë të shfaqet në Nju Jork, NY:

Sage Theater, 711 7th Ave, Datat 13, 20 dhe 27 Maj. Tel (212) 868-4444

Bileta është $20.00. Shfaqja fillon fiks në orën 8.00PM dhe mirë është të shkoni që më parë ndryshe ose do të mbeteni në këmbë si unë, ose do të ndani karrigen me dikë tjetër (nëse keni miq zemërmirë e të prapsme të vogël).

Disa nga lidhjet për shfaqjen janë si më poshtë:

www.ELZAZAGREDA.com

www.Smarttix.com

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. e.T thotë:

    6 May 2007 @ 12:26 pm

    sikur gërmat të ishin cazë më të vockëlza…

  2. LAURENT thotë:

    6 May 2007 @ 12:35 pm

    zmadhoji e ke butonin

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com