BSH: Kredia në ekonomi rritet me 22 miliardë lekë
| TEUTA SHAMKU (Gazeta Standard) |
| Në 3-mujorin e parë të vitit 2008 kredia u rrit 47.3% në terma vjetorë
Bankat e nivelit të dytë nuk tremben nga kreditë e këqija Kredia në ekonomi vazhdon të rritet, pavarësisht sinjalizimeve të herëpashershme të Bankës së Shqipërisë për të kontrolluar cilësinë e kredive. Rritja e kreditimit nga BSH-ja është parë me faktorë risku, pasi ajo mund të shoqërohet me shtimin e kredisë së keqe, e cila gjithsesi, konsiderohet nga specialistët nga më të ulëtat në Shqipëri, krahasuar me vendet e rajonit. Sipas raportit të fundit mbi situatën monetare të miratuar nga Këshilli i Mbikëqyrës i BSH-së, rezulton se kredia për ekonominë gjatë tremujorit të parë të vitit 2008, është rritur mesatarisht me 47.3% në terma vjetorë. Pavarësisht ritmeve rënëse, në terma absolutë, kredia vazhdon të zgjerohet sikurse edhe një vit më parë, me rreth 22 miliardë lekë. Bankat tregtare shfaqen aktive në tregun e huadhënies, duke thelluar më tej rolin e tyre si ndërmjetës financiarë, gjë që pasqyrohet edhe në rritjen e qëndrueshme të treguesve të ndërmjetësimit. Në muajin mars raporti i kredisë ndaj parasë së gjerë dhe ndaj PBB-së arriti në nivelet prej 40.9% dhe 31.4%, respektivisht. Ndërkaq, specialistët sqarojnë se referuar plan-bizneseve të bankave për vitin 2008, tregojnë se kreditimi do të vazhdojë të ketë ngritje edhe gjatë këtij viti. Drejtuesit e shumicave të bankave të nivelit të dytë pohojnë se për 2008-n kanë rritur portofolin e kredisë dhe kjo është diktuar nga kërkesa që ka tregu për këtë produkt. Por drejtuesit e bankave të nivelit të dytë e shohin si të papërfillshëm nivelin e kredisë së keqe në ekonomi. Sipas ekspertëve, niveli i kredive me probleme është në nivele të papërfillshme në bankat e nivelit të dytë në vend dhe se ecuria e pagesës së kësteve të kredisë ecën sipas procedurave. Por Banka e Shqipërisë prej kohësh ka dhënë alarmin për rritjen e kreditimit të ekonomisë. Në raportin e fundit të BSH-së për 3-mujorin e fundit të vitit 2007 vërehet se niveli i kreditimi është sërish në rritje. Sipas raportit të BSH-së, pavarësisht se normat e rritjes së kredisë kanë qenë në rënie të vazhdueshme gjatë dy viteve të fundit, ato mbeten ende në nivele të larta, prej rreth 48.5% në praninë e kërkesës së lartë të sektorit privat për kredi, si dhe të gatishmërisë së lartë nga ana e bankave për të kënaqur këtë kërkesë. Gjatë vitit 2007 raporti i kredisë për ekonominë ndaj PBB-së ka regjistruar zgjerim të ndjeshëm me 8.8 pikë përqindjeje, duke arritur në 30% në muajin dhjetor. BSH-ja vëren se duhet pasur parasysh se ritme të larta të zgjerimit të portofolit të kredisë përfaqësojnë një proces normal për një ekonomi në zhvillim si e jona, në nevojë për thellim të mëtejshëm të ndërmjetësimit financiar. E rëndësishme në këtë proces është që rritja e kreditimit të jetë e kontrolluar, për të mos paraqitur rrezik për stabilitetin e çmimeve dhe njëkohësisht, të vazhdojë të jetë e shëndetshme, në mënyrë që të mënjanohen implikime të padëshiruara për stabilitetin financiar në vend. Sipas BSH-së, tremujori i parë i vitit 2008 vazhdoi të karakterizohet nga zhvillime relativisht komplekse të ekonomisë botërore. Aktiviteti ekonomik i disa prej ekonomive të zhvilluara pësoi një lloj frenimi, duke rritur shqetësimin për një ngadalësim në rang global, thuhet në raportin, e miratuar nga Banka e Shqipërisë. Rritja e çmimeve ka mbizotëruar në shumicën dërmuese të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Çmimet e rritura të lëndëve të para, të naftës dhe të produkteve ushqimore kanë prekur çdo ekonomi, duke rritur shqetësimin për një spirale më të lartë inflacioni në të ardhmen, theksohet në të. Leku forcohet kundrejt dollarit, humb pikë kundrejt euros Leku u forcua kundrejt dollarit amerikan, ndërsa humbi pikë lehtë kundrejt monedhës evropiane euro në kursin e këmbimit gjatë javës së fundit (26-31 maj). Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, një javë më parë një euro u këmbye me 122.13 lekë, ndërsa të premten u këmbye me 122.01 lekë. Një dollar amerikan një javë më parë u këmbye me 77.53 lekë, ndërsa të premten u këmbye me 78.65 lekë. Në bursat ndërkombëtare euroja është tregtuar pothuaj në të njëjtat nivele me dollarin amerikan. Kështu, në bursat ndërkombëtare, gjatë kësaj jave një euro u këmbye me rreth 1.5552 dollarë. Sipas specialistëve të ekonomisë, tremujori i parë i vitit 2008 vazhdoi të karakterizohet nga zhvillime relativisht komplekse të ekonomisë botërore. Aktiviteti ekonomik i disa prej ekonomive të zhvilluara pësoi një lloj frenimi duke rritur shqetësimin për një ngadalësim në rang global. Rritja e çmimeve ka mbizotëruar në shumicën dërrmuese të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Çmimet e rritura të lëndëve të para, të naftës dhe të produkteve ushqimore kanë prekur çdo ekonomi, duke rritur shqetësimin për një spirale më të lartë inflacioni në të ardhmen. Nga ana tjetër, tregjet financiare nuk kanë qenë të qeta, duke reflektuar përhapjen e krizës së kredive që gjeneroi ekonomia e SHBA-së. Një numër i madh institucionesh financiare janë të prekura nga ky fenomen, ndërkohë që bankat qendrore më të mëdha kanë injektuar vazhdimisht likuiditet në tregun e parasë. Situata e mësipërme ka detyruar Rezervën Federale të ulë më tej normën bazë të interesit, e pasuar edhe nga Banka e Anglisë. Ndërkohë që Banka Qendrore Evropiane dhe ajo Japoneze, vazhdojnë të qëndrojnë në pozitat e mëparshme. Ndjesitë që vijnë nga tregu financiar janë të përziera, duke pasqyruar nga njëra anë frikën për rritjen e mëtejshme të inflacionit dhe stabilitetin financiar, nga ana tjetër. Ekonomia shqiptare, duke qenë një ekonomi e vogël, relativisht e hapur, nuk mund të mos ndikohet nga këto zhvillime, ku si pasojë e drejtpërdrejtë evidentohet përshpejtimi i rritjes së nivelit të përgjithshëm të çmimeve të konsumit. Në fund të muajit prill inflacioni vjetor shënoi vlerën 4,4 për qind, duke pësuar një zhvendosje të lehtë ndaj nivelit të sipërm, të synuar prej Bankës së Shqipërisë prej 4 për qind. Duke analizuar ndikimin e grupeve të ndryshme, bie në sy se në peshën dërrmuese inflacioni është shkaktuar nga rritja e çmimeve të grupit ushqimor. |

2 June 2008 @ 12:09 pm
BSH ka shume te drejte te shqetesohet per ritmin e rritjes se kredive te keqia apo me probleme. Nga ana tjeter bankat e nivelit te dyte nuk jane ne gjendje te arketojne vleren e kredive te keqia nga kolateralet e mara pend apo te hipotekuara. Nje nga shkaqet kryesore per kete gje jane jo vetem problematika me titujt e pronesise, por edhe paaftesia apo mosdashja (te dyja keto te nderthurura me korupsionin) e zyrave te permbarimit, qe per hir te se veretetes u premtua qe ne fillimet e kesaj qeverie se do ristrukturoheshin dhe do te beheshin eficiente nen moton “qeveria e sherbimit dhe e sherbesave”. N.q.s ju kujtohet pati nje sensibilzim nga ana e qeverise per kete organizem vetem ne 3 muajt e pare te qeverisjes, ku Ministri i atehershem i Drejtesise kishte urdheruar disa objektiva dhe raportime me duket ditore. Por mbas 3 muaj cdo gje u la ne harese e duket se keshtu do te vazhdoje deri ne fund te mandatit te ketij grupi te paafte dhe te koruptuar qeverises.