Boks.Jurgen Çetaj, më 5 maj në finale për titullin kampion të Anglisë

Jurgen Çetaj, më 5 maj në finale për titullin kampion të Anglisë

Talenti i ringut kërkon titullin e moshave të reja për të dytin vit radhazi

Nga Londra
Muhamed Veliu

Boksieri shqiptar, Jurgen Çetaj, ka kaluar në finalen për titullin kampion në Angli për moshat e reja. Boksieri shkodran kërkon që të bëjë të tijin brezin e kampionit për të dytin vit radhazi, ndërsa në gjysmëfinale ka mundur një prej kundërshtarëve më të fortë, Brendon Hous. Ndeshja ka folur krejtësisht për Çetajn, i cili në raundin e parë të ndeshjes ka fituar me pikë 3-1 falë goditjeve nga poshtë dhe atyre direkte me të djathtën. Ndërsa në pjesën e dytë ai ka qenë i papërmbajtshëm, duke lëshuar një të djathtë që ka tronditur kundërshtarin e tij e duke e hedhur në tapet.Pas ngritjes në këmbë, Hous u përpoq që të shmangej nga grushtet e tjera, por Çetaj vazhdoi të sulmonte, duke e detyruar gjyqtarin e ndeshjes të ndërpriste takimin e duke i dhënë fitoren me “KO Teknik” boksierit shqiptar, një gjë e rrallë kjo në kampionatet e moshave. Pas kësaj ndeshjeje, entuziazmi i Çetajt ishte më se normal, pasi për të kjo është finalja e dytë në po aq vite karrierë në boks. “Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si arrita të shfaqem në ring. Kisha një dëmtim të lehtë në krahun e majtë, por nuk lejova që një gjë e tillë të ndikonte ndeshjen time. Shpresoj që të jem në formën më të mirë për në finale, të cilën e pres me padurim për të fituar titullin tim të dytë kampion”, u shpreh ai. Paraqitjet e boksierit shqiptar kanë sjellë edhe interesin e mjaft menaxherëve që do ta ndjekin këtë talent në ndeshjet finale që zhvillohen më 5 maj në arenën “Crystal Palace” të Londrës. Nga të gjithë ai cilësohet si favorit i titullit dhe që tani emri i tij ka filluar të shfaqet në gazetat angleze si një talent i të ardhmes së këtij sporti.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com