Boks-Jorgen Çetaj shpallet përsëri kampion i Anglisë (Video)
Jorgen Çetaj shpallet përsëri kampion i Anglisë
Boksieri 15-vjeçar tani kërkon titullin e Britanisë së Madhe
Nga arena e boksit “Crystal Palace” Muhamed Veliu
Jorgen Çetaj ka triumfuar në ringun e “Crystal Palace” në Londër, duke u shpallur për të dytën herë kampion i Anglisë për moshën 15 vjeç në federatën ABA. Këtë radhë ai ka hedhur në tapet me “knock- out” në raundin e tretë kundërshtarin David Price. Që në dy raundet e para Çetaj ka sulmuar kundërshtarin duke kërkuar që të fitojë sa më shumë pikë për të siguruar ndeshjen. Por në raundin e tretë ka mjaftuar një goditje e tij e fortë me të djathtën e tij, për të hedhur në tapet britanikun Price. Atij i është dashur ndihma e gjyqtarit të takimit për të shkuar deri në këndin e tij, ku është ulur pas goditjes së rreptë të boksierit shkodran, ndërsa gjyqtarit nuk i ka mbetur asgjë tjetër, vetëm të dekretojë suksesin e Çetajt. “Ishte një duel i bukur. Kundërshtari më goditi disa herë, por fatmirësisht nuk i ndjeva ato goditje. Për mua është një ditë e rëndësishme, pasi kjo fitore është shpërblimi i një stërvitjeje dyvjeçare. Ndjehem i lumtur që munda t`ia dal mbanë dhe të fitoj titullin e kampionit të Anglisë për të dytën herë”, u shpreh Çetaj për “Shqip”, menjëherë pas përfundimit të këtij takimi. Ndërkohë i entuziazmuar është shfaqur edhe trajneri i tij, Dave Veyzi, i cili ka bërë të ditur se tashmë Çetaj do të garojë edhe për titullin kampion të Britanisë së Madhe, në evenimentin që zhvillohet në Edinburg të Skocisë. Sipas tij, kjo fitore konfirmoi se Jorgen Çetaj është boksieri më i mirë në Angli për moshën dhe këtë peshë. Trajneri, së bashku me menaxherët e Çetajt, shpreson që ai të shkëlqejë në Lojërat Olimpike 2012 në Londër, ku mendohet që të jetë pjesëmarrës. “Nëse Jorgeni do të dalë mirë në këto lojëra, atëherë atij do t`i bëhet një publicitet i madh. Promotorët do të vihen në radhë për ta pasur të tyrin këtë talent të ri. Kjo do të thotë që kur Jorgeni të arrijë moshën 22-vjeçare, do boksojë në ringun profesionist”, u shpreh trajneri Veyzi. Çetaj ka përmirësuar dje rekordin e tij në kampionatet e moshave, pasi në 21 ndeshje regjistron 17 fitore dhe vetëm 4 humbje. Për boksierin shqiptar ky ishte titulli i dytë kampion, pasi e kishte marrë për herë të parë këtë trofe në vitin 2004.


22 May 2007 @ 11:01 am
po pse nuk ka marre ndonje interviste me te ky? po jep lajme te kopjuara
13 December 2007 @ 10:15 pm
urime por dja te dija se pre ngjyrat e kujt bokson . shpresoj qe te mos e trathtoj shqiprin duhen kto talente