Begaj-Qerimaj, në kopertinën e “Pekin 2008”
Bledar Kuka (Korrieri)
Kapërdimi i Romela Begajt dhe tundja e kokës e Erkand Qerimajt, ndërsa garonin në pedanën e peshëngritjes në këtë Olimpiadë janë bërë pjesë e modës më të fundit. Dy peshëngritësit shqiptarë mund të thuhet se kanë hyrë në historinë e lojrave, edhe në kapitullin e shprehjeve origjinale të emocioneve gjatë dhe pas garës.
“Shqiptari Erkand Qerimaj e plotësoi çdo ngritje të shtangës me një tundje dhe kthim domethënës të kokës, - komenton televizioni amerikan “NBC”, televizioni që ka blerë të drejtën zyrtare për transmetimin televiziv të këtyre lojrave olimpike”, - patriotja e tij, Romela Begaj festoi me një kapërdim”.
“Çdo peshëngritës ka stilin e tij të shprehjes së emocioneve, - thotë Salvatore Kofa, zv.presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes, - disa i fshehin emocionet, disa të tjerë shpërthejnë”.
Një nga skenat që do të mbahen mend ishte ajo e peshëngritëses britanike, Brizi (Breeze) në peshën deri 63 kg. Pavarësisht nga një dëmtim në shpinë, ajo vendosi të bënte provën e fundit. Turma e përkrahu me një britmë të gjatë, ndërsa britanikja e ngriti plot dhimbje shtangën mbi krye duke u thirrur “jepini” (come on) gjyqtarëve që të jepnin menjëherë vendimin. Pas kësaj, ajo u shtri në parket.
Nuk harrohet skena e tmerrshme e dëmtimit të peshëngritësit hungarez Janosh Baraniaj, të cilit i doli shpatulla vendit ndërsa po mbante shtangën lart.
Emocion më vete ishte reagimi i ruses Svetlana Carukajeva, pasi i dështoi të tria provat në njërin stil në peshën 63 kg. Askush nuk qau aq shumë sa ajo, madje Svetlana shkoi edhe i ra murit me kokë aq sa turma në sallën sportive ia bëri “uuh”. Më në fund, duhej të shkonte trajneri që ajo të zbriste nga pedana për të dhomën e nxemjes.
Këto janë reagimet e dhimbjes, ndërsa një britmë gëzimi e lëshoi gjigandi rus, Haxhimurat Akajev, në një nga peshat e rënda. Pasi ngriti shtangën ashtu siç donte, ai e lëshoi atë dhe i ra dyshemesë me grusht duke britur aq fort saqë “Tarzani do të ishte ndjerë me turp para tij” (siç shkruan televizioni amerikan në faqen e tij në internet).
“Unë isha nën presion të madh psikologjik për atë që kam hequr gjatë disa viteve sepse kisha 3 vjet pa garuar, - tha Akajevi, - nga kjo erdhi edhe shpërthimi im emocional”.

Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.