Identifikohu



Regjistrohu

Baxhaku promovon “Gur”, librin e jetës reale të shqiptarëve

Në 534 faqe, 42 reportazhe nga Veriu në Jug

Ferdinand Dervishi

Baxhaku mbrëmjen e djeshme ishte thjesht i paarritshëm. Edhe fizikisht. Ne që mbërritëm të fundit e që salla e tejmbushur refuzoi të na përfshinte, e vëzhguam promovimin e librit të tij nga pas ca grilave të trasha plastike që gjendeshin në fund të saj, mbase pjesë e mbetur e dekorit të një shfaqjeje. Madje na u duk vetja sikur të ishim fshehur pas një gardhi në fshat. Më tej, që ti merrje një autograf, po të njëjtit, Baxhakut, duhet të rrijë në radhë dhe mundësisht të realizoje disa herë atë procesin e njohur kimik të lëshimit e tharjes së djersëve. Ç’të bësh, të gjithë kujtojnë se e kanë më shumë mik së të tjerët dhe e zgjasin këtë moment me këmbime batutash, përqafime… Kështu e ka ndërtuar ai me të gjithë, duke i kushtuar rëndësi të madhit e të voglit, të rëndësishmit dhe të parëndësishmit. I njëjti konceptim e ndërtim lidhjesh jetësore nuk shmanget as në thelbin e librit të gazetarit, mik i të gjithëve, Fatos Baxhaku. “Gur” është titulli kuptimplotë që natyrshëm të sjell ndjesinë e një diçkaje të vendosur fort, të ngulitur fort, thjesht të pazgjidhshme, diçkaje që të paktën mua më sinonimohet me fjalën “taban”…

Baxhaku është nga ata lloj gazetarësh të përzhëlitur që kanë arritur prej vitesh stadin e një profesori të mirëfilltë gazetarie, por që nuk heqin dorë nga pena. Pak më shumë se një vit më parë ai preferoi të mbulonte rubrikën e reportazheve te gazeta “Shqip”, ku ka meritën e themeluesit. Kërkoi vetëm një makinë. Aparatin fotografik e bleu vetë, se e kishte merak. Dhe u nis të gjente, të përjetonte dhe më pas të rrumbullakoste në shkronja mundësisht sa më shumë histori e halle të jetës së një populli të tërë. Ndodhte që një pjesë të mirë të rrugës ta bënte në këmbë, por kjo nuk është një përshtypje e regjistrueshme në mendjen e tij. Kështu në redaksinë e Tiranës nisën të zbrisnin nga ekstremet e Tropojës, Bulqizës, Peshkopisë, Korçës, Gjirokastrës, Fierit etj., reportazhet e jetës, personazhet krejt të përditshëm e të zakontë, të përshkruar dhe më pas të lexuar si mahnitës, të jashtëzakonshëm.

“Gur” përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë janë përfshirë një pjesë e reportazheve të mija të botuara çdo të dielë në gazetën “Shqip”. Ato janë shkruar në një periudhë e cila nis në majin e 2006-ës dhe mbaron në tetorin e 2007-ës”, shkruan Baxhaku në hyrje të librit. Në pjesën e dytë të librit Baxhaku ka rreshtuar historitë e Cenit, një rubrikë e mbuluar në vitet 2005-2006 në gazetën “Panorama”. Në personazhin e Cenit është mbrujtur “tironci” apo banori tipik i Tiranës, të cilin Baxhaku e vendos të reflektojë në rrethana të ndryshme, përballë zhvillimeve të shpejta në kryeqytet, duke krijuar situata të mirëfillta humori. Madje në kohën që Baxhaku i hyri seriozisht këtij personazhi, impakti i shkrimeve bëri që shumë lexues të besonin se ai ishte i vërtetë. Kohë kur në adresë të autorit pati kërkesa të shumta, të drejtpërdrejta për të njohur tironcin Cen, apo edhe oferta për ta ndihmuar. “Nuk ma bën zemra dhe nuk ma do mendja ta quaj Cenin ‘imagjinar’. Unë jam i bindur se ai ekziston vërtet diku në shtëpitë e vjetra, që tani kanë nisur të rrethohen nga pallatet shumëkatëshe. Rri afër sobës së tij të vjetër, thith fort cigaren dhe shikon lajmet duke tundur kokën i pakënaqur”, shkruan Fatosi duke dashur të mos trazojë lexuesin në përshtypjen e vet.

Në hyrje Baxhaku falënderon të gjithë ata që e kanë ndihmuar për publikimin e librit, si gjithmonë pa thënë ndonjë gjë të hajrit për veten. Fundja me përmbledhjen e reportazheve “Gur”, na ka sjellë një libër nga ata që kanë vlerën e një pune të madhe dhe që mbahet në këmbë falë kësaj pune. Fatmirësisht Baxhaku, miku ynë i mirë, është nga ajo lloj gjelle që nuk e dëshiron suksesin e fituar për shkak të emrit të fryrë. Ndaj edhe në kopertinë ka zgjedhur të shkruajë një titull të madh dhe nje emër në hije.

Skeda e librit

Litulli: Gur
Autori: Fatos Baxhaku
Faqe: 534
Kopertina: Vladimir Myrtezaj
Ckicat: Mihal Rama
Layout: Orest Muça
Korrektor: Arben Bijo
Foto e kopertinës: Artion Vreto
Botimi: Papirus
Shtypshkronja: Albpaper
Çmimi: 100 lekë

Dedikimi i autorit për personazhet e librit

…në pjesën e parë të këtij vëllimi përmenden shumë personazhe nga Veriu në Jug. Janë pikërisht këta brumi i vërtetë i këtij libri. Këta më kanë pritur me mirësinë e njerëzve të thjeshtë, pa u shtirur, pa bërë poza të tepërta dhe kanë ndarë me mua jo vetëm kafshatën e tyre të thjeshtë, por edhe hallet e historitë e tyre. Më kanë konsideruar njëlloj si vëllain apo djalin e tyre dhe kjo ma ka mbushur zemrën me gëzim edhe në ditë të trishta. Ky libër në fakt nuk është gjë tjetër veçse një përqafim i madh me ta.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente »

  1. Perparim Hysi thotë:

    1 Mars 2008 @ 6:20 pm

    Per aq sa e kam ndjekur,Fatos baxhakun,mendoj se kemi te bejme me nje gazetar serioz dhe artikujt qe ka shkruar ne gazeta te ndryshme kane qene me”buke’.Eshte e natyrshem qe libri te jete ipelqyeshem dhe i kerkuar.Lexuesit te vene noten ne ato qe shkruuan.

  2. matematikani_vogel Shkruaji mesazh privat thotë:

    2 Mars 2008 @ 1:55 am

    Vallai mer Papi, do te te pelqente kai dapje raki me Tosin. Ka muhabet te omel thone.
    Torben ne krah tosi ene faqoren ne dore neper shqiperi, normal qe libri do jete interesant.
    Mire qe na e kujtuat, ta blejme.

  3. anonymus thotë:

    2 Mars 2008 @ 3:06 am

    Reportazhet e Shqipit neper Shqiperi, une i kam lexuar me qejf te madh. Shume, shume, te mira i ka pasur. Vecanerisht dy me kane mbetur ne mendje. Njeri per Tatzatin (Totzatin?) mbrapa Gjirokastres, dhe tjetri per Krasten. Me kane mbetur ne mendje goxha kohe.
    Komplimente autorit qe i ka vene ne liber. Do ta blej, kur te shkoj poshte!

  4. Peshku Fluturues thotë:

    2 Mars 2008 @ 5:02 am

    Tosi eshte nga “romantiket e fundit” te nje brezi qe ka pasur me shume pune se llafe. Dhe eshte e vertete qe puno me alkol, po puno mire ama! Shume me mire se ca qe punojne me nafte.:)
    Urime Tosi, do ta blejme patjeter nje kopje te librit. Shih mos gjen ndonje mundesi qe ta shesesh online se do na e lehtesosh punen.

  5. funplayer Shkruaji mesazh privat thotë:

    6 Mars 2008 @ 6:37 am

    Nese dikujt prej jush i intereson, por ky liber gjendet edhe ne internet te kjo faqja

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.