Batalli

Laureta Mema

Kur i doli llotaria Batallit, s’e zinin këmbët vend nga gëzimi. Ja më në fund iu hap rruga për n’Amerikë. Jo s’e ishte keq në Tiranë, gjthë ditën kokrrën e qejfit bënte, varavingo, lart e poshtë kur i thonë. Por tani iu duk se më në fund, kishte ardhur koha t’i bëheshin të gjitha ëndrrat e mëdhaja realitet. Do të shkonte atje, do të punonte, të bëhej i pasur e të vinte pastaj në Tiranë e të ngrinte nje hotel lluksoz, Hotel Hawai, kështu do ia vinte emrin. Atë natë që mori vizën, kushedi sa herë ia ndërroi vendin hotelit, i solli nëpërmend të gjitha pikat turistike të Shqipërisë e nuk gjeti karar se nuk gjeti, prandaj e la ta vendoste atje në Amerikë, me siguri mund të ngrinte edhe një rrjet hotelesh me emrin e tij, pse vetëm një? Deri ditën që u nis në aeroport, u kënaq e ç’të kënaqur, me të vetët, me shoqërinë e me të dashurën. E dashura, Elsa, që deri atë kohë i bënte numra e nuk po denjonte të bënin seks, thjesht për faktin se nuk ishte e gatshme akoma nga ana emocionale, thoshte ajo, me të dëgjuar premtimet e zbukuruara sipas imagjinatës së Batallit, ca nga mërzia e punëve të veta, ca dhe nga të imagjinuarat e saja, tha u bëftë ç’u bëftë, për mirë do të dali. Ato dy muaj, dashuri me lopatë, kur i thonë, Elsa ishte kthyer në një përbindësh agresiv që nuk ngopej dot me shërbimet fillestare që i bënte Batalli, ndonëse ky në të veten, ishte në qiellin e shtatë dhe sipas tij, po përjetonte me siguri maksimumin e dashurisë që një shpirti njerëzor i jepej fati i madh për ta shijuar vetëm një herë në jetë.

Kur erdhi në New York Batalli, iu duk vetja me krahë me të parë gradaçelat. Disa kushërinj të largët e pritën siç kishin premtuar dhe e ndihmuan të gjente punë në Wallgreens, si fillim edhe të rrinte tek ata muajin e parë derisa të gjente një studjo që mund ta përballonte. Muajt që vijuan, një mall i përbindshëm po e kapte gjithnjë e më shumë. I mbaroi lekët në telefonata me të shtëpisë dhe me të dashurën. Si shumë zhgënjyese iu duk jeta në New York. Ajo që e mërziste më shumë ishte se ndihej si i humbur fare. Në Tiranë, mjaftonte të dilte te Blloku, kë s’do të takonte, sytë e vajzave do e mbërthenin në çdo qoshe, po dhe të vetët e mbanin në pëllëmbë të dorës si djalë i vetëm që ishte, lëre pastaj rehatia, siguria, shoqëria, dashuria… Por jo, nuk do të kthehej! S’kishte kuptim! Prindërit i kishin marrë borxh të tëra lekët e ai s’kishte sy e faqe të kthehej atje si dështak. Pa le shoqëria e tij sa do të tallej me të, sa u ishte mburrur kur pati ikur, po hoteli?

Iu shtrua punës, u fut në shkollë dhe po studjonte për biznes. Më të shumtën e kohës ndihej i rraskapitur. Me femrat e kishte pisk fare punën, s’i merrte vesh dot këto dreq femrash amerikane, sa hapte gojën ato i largoheshin, s’po zinte dot as një lidhje të vetme me një femër të hajrit, vetëm për seks e përdornin. Po dhe Elsën e mendonte gjithnjë e më pak, nuk i hynte më në sy asnjë nga ato kujtimet e mëparshme që e shkallonin në muajt e para, edhe ajo e kishte gjetur një të dashur tjetër e s’i bëhej shumë vonë për të, këtë e kishte marrë vesh nga shokët e vet që ia sillnin me imeille të gjitha të rejat si në pëllëmbë të dorës pa harruar detajet dhe humorin e domosdoshëm. Ky i gënjente të shumtën e kohës sepse i dukej sikur ata shokët e vet po ecnin si shumë shpejt, kishin blerë makina, filluar biznese, zënë të dashura të hatashme, të cilat ky i kishte rrufitur me sy kur i kishte në lagje, ndërsa tani… po ta dinin ata shokët e vet se si i kishte tamam punët… i vinte të pëllsite nga inati, ndaj më mirë i mbushte me gënjeshtra që ata mezi i prisnin për gallatë.

Vitin e dytë, e kapi një mërzi e melankoli për vendin e vet sa shpesh herë e mendonte seriozisht se do t’i linte të gjitha. Për ta konsumuar disi këtë mall të habitshëm u fut në internet e hapi jo një po disa forume, ku merrte pjesë në diskutime të gjata me shqiptarë të tjerë si puna e tij, të rinj që ndanin me të të njëjtat siklete, halle, mall, vetmi…

Vitet kaluan një nga një, s’i besohej që kishte pesë vjet pa u kthyer në vendin e vet. Jo se s’donte por nuk kthehej dot. Ishte ngatërruar që vitin e dytë në një sherr, me dy Rusë; nga pija ishte ndjerë trimosh, si dikur pjestarë i zellshëm sherresh në vendin e tij dhe e pati mbërthyer njërin nga ata që po i ngacmonte atë aziatiken të cilën ky po e studjonte vetë. Si përfundim, se si shumë histori e ngatërruar, dokumentat s’i kishte më të rregullta e nuk kthehej dot më pa rrezikuar të mbetej atje. Po s’i të mbetej atje? Batalli nuk kishte vënë akoma asnjë lek mënjanë për hotelin e tij. Punë të rregullt kishte zënë, por kushedi edhe sa do i duhej të paguante të tëra lekët e shkollës pasi shkollën e pati paguar të gjithën me kredi.

Në internet, i lexonte të gjitha çfarë kishin të bënin me qështjet shqiptare, me gazeta, me forume, me komente, ç’ti binte në dorë. Faqen e vet e drejtonte si një ushtar i palodhur. Ç’ushtar? President i dukej vetja. Ky mendim i erdhi si shaka, por sa herë i shkonte në mendje fillonte e merrte më seriozisht. Vërtetë, ç’i duhej hoteli? Mjaft me ëndrra koti, kushedi kur do t’i bënte ato para. Kurse politikan, bëhesh menjëherë në Shqipëri. Iu fut seriozisht. Filloi të lexonte çdo lajm që kishte të bënte me politikën. Hapi dhe një gazetë në internet, që sipas tij, do të ishte gazeta e ardhshme numër një në Shqipëri. Çdo ditë kalonte të paktën tre orë në komente, kishte dhe net që nuk flinte fare, pasi komentuesit po bëheshin gjithnjë e më të shumtë, edhe ata ndanin me të të njëjtin mllef kundër çdo ‘padrejtësie shqiptare’ duke dhënë argumenta, si ekspertë të vërtetë, në të gjitha fushat, fatkeqësisht ekspertë në emigrim.

Ishte viti i tretë, në Amerikë, kur Batalli më në fund pati zënë një të dashur të hajrit, nga vendi i vet, Arbana e kishte emrin. Në fillim çdo gjë po i shkonte mirë, por shumë shpejt gjërat u ngatarruan se Arbana ankohej papushim se sipas saj ai ishte marrosur fare me internetin. Kishte raste kur sapo kishin arritur orgazmën, ai vërsulej drejt faqes së tij, duke e lënë atë ashtu, ku të ishte, në vaskë, në dysheme, mbi tavolinë. Arbana filloi shumë shpejt ta urrente, nuk e duronte dot më.

- Ç’tip i neveritshëm që je! Jeton me përralla! Me egon tënde! Gënjeshtar! U sa gënjeshtar i ndyrë që je! Mundohesh t’i bindësh ata njerëz që ti s’i njeh fare me filozofitë e tua boshe. Shumicën e emrave që përdor ti i merr cut-and-paste në internet, po ku di ti? Ti as nuk i ke lexuar kurrë ato libra! Kur u bëre kaq i ndritur në çdo disiplinë? Më pështiroset vetja kur mendoj se të jam dhënë ty, se kam ndarë me ty veten time… Po unë s’të jam dhënë kurrë ty, i jam dhënë atij personi që kam imagjinuar vetë, i cili sigurisht nuk je ti! Hiqesh patriot i madh, po ti egon tënde kërkon, ambicjet e tua, pse mua kërkon të ma hedhësh ti! S’ma hedh dot, të njoh tashmë me rrënjë e dhëmballë, jo vetëm ty, por edhe atë sërën tënde që të vjen nga mbrapa, që si puna jote na prishin më shumë punë, duke katranosur çdo gjë që u del përpara, duke u hequr si dijetarë të mëdhenj kur s’kanë lexuar aspak, njerëz anonimë në kërkim të vetvetes…

E të tjera, e të tjera, zënkat s’kishin të sosur derisa u ndanë. Por nuk iu thye fare zemra, se sipas Batallit Arbana ishte një kurvë trutharë që nuk e meritonte fare atë, se nuk e kuptonte aspak rëndësinë e punës së tij, të ardhmen e tij të madhe. Eh, kur të bëhej Batalli politikan me emër, kryeministër e pastaj shumë shpejt president, atëherë Arbana do ta shihte me kë kishte të bënte, që ky bukuroshi që ajo e quante truthar e qesharak na ishte e ardhmja e vetme e atdheut!

Arbana s’ishte e vetmja, edhe të dashurat e reja që vijuan iknin nga ai të lemerisura. Batalli filloi të gjente karar tek shoqet e internetit, çdo ditë u niste imeille, thurte dashuriçka, shkonte i takonte edhe atje ku ishin në vende të ndryshme të Amerikës. Filloi të krijonte imazhin e vet, merrte fortografi që filloi t’i vinte në Flickr, një faqe në internet kjo ku amatorë e profesionistë vinin fotografitë e tyre. Edhe aty shumë shpejt iu fut krimbi, bleu aparat të shtrenjtë, jo se e kapi krejt papandehur pasioni i artit të fotografisë, por nuk kishte lumturi më të madhe kur ai shkonte në Flickr edhe shikonte se sa e kishin parë fotografinë e tij, lëre pastaj kur një i panjohur linte edhe komente. Faqen e Flickr e kontrollonte me qindra herë në ditë, pasi ndërsa punonte atë e linte hapur në kompjutër. Gati i bëheshin sytë me lot, qeshte me vete, lumturohej kur i rritej numri i vizitorëve. Shumë shpejt e kuptoi që për të rritur vizitorët ai duhet t’u bënte komente të tjerëve, ndaj atë bënte, i lajkatonte, sidomos femrat, me komentet e tij dhe rezultati ishte i menjëhershëm, ato ia kthenin menjëherë komentin:

* Wow sa bukur!
* Sa e arritshme!
* Çfarë ngjyrash!
* Je artist, po të them!
* Kur do të takohemi?

Komentet s’kishin të sosur, edhe ai nuk dilte më pa kamerën e vet, ku të shihte femër duke ecur, e nxirrte aparatin dhe e merrte nga pas, gota, filxhan kafesh, pjata, vetë paratin e tij, lule (sa mirë që natyra ishte krijuar kaq bujare me lulet, gjithmonë do ta merrte një lule, kur ngelej keq), zogj, rrugë, ndërtesa; i luste shoqet e veta të punës të pozonin për të, një prapanicë mjaftonte, sidomos kur luante me ngjyrat dhe efektet në Powerpoint. Rëndësi nuk kishte bukuria e marrë në fotografi, pasi në çdo fotografi të tijën (edhe ato që ai përvetësonte nga të tjerët) shikonte gjithmonë veten e tij, të cilën po e dashuronte gjithnjë e më shumë. Filloi ta zgjeronte miqësinë, shumica e komentuesve te faqja e vet filluan të bënin të njëjtën gjë, të merrnin edhe ata-ato fotografi e t’i vinin në Flickr, pastaj shkëmbenin komente, si në një orgji të vërtetë i dukej vetja.

E kështu kalonin ditët e Batallit, duke e vaditur gjithnjë e më shumë ëndrrën e tij të madhe se një ditë porsi Skënderbeu do ta nxirrte Shqipërinë nga pushtimi i mjerimit e ky do të futej përjetësisht në histori si një hero i vërtetë. Vitin e dhjetë, arriti të merrte greencard, erdhi dita e shumëpritur kur ai do nisej në Mëmëdhe. Me kë s’kishte lënë takime, me politikanë, me organizata, si ajo e Mjaftit, me persona ‘të fuqishëm’ që kishin premtuar se mund ta blenin faqen e tij të gazetës. Oh sa fort i rrihte zemra! Kur u ul në avion, tek klasi i parë, iu duk vetja tamam president e iu mbushën sytë me lot…

VIJON

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

14 Komente

  1. akvll-naja thotë:

    22 May 2008 @ 6:41 pm

    hehehe… emri i shkoka për merak.:))

  2. Deshira thotë:

    22 May 2008 @ 7:35 pm

    Bo, moj Laura, I paske bo me dhimbje koke disa ‘Batalla’ ketu…

    Dua vazhdimin moj, aman mos e vono… E kam lexuar me nje fryme, sikur te me kishe lexuar mendimet e mia e ke shkruar…

    Si gjithmone, e pakrahasueshme!!!!
    Me je bere refleks ditor tani, edhe une si Batalli, s’drri pa ardh’ nje here ne dite te faqja jote
    hehhehehe

  3. Pjer Thomas thotë:

    22 May 2008 @ 10:10 pm

    Jo keq, te shohim pjesen e dyte.

  4. moon thotë:

    23 May 2008 @ 1:32 am

    LORI hera e pare qe me pelqen ti mua. Dhe po me pelqen shume. Ngaqe tregimi duket kaq i vertete.Dhe batalle te tille qe shtohen dita dites (nje prej tyre mund te jesh ti, nje tjeter prej tyre mund te jem une….)Megjitheate batalli i tregimit eshte hata fare.
    Duke pritur me padurim vijimin.

  5. avocados thotë:

    25 May 2008 @ 6:20 am

    i cant beleive i am saying that, por kjo pjese eshte shume shume e bukur. ate nervin e forte qe ke, e ke vene ne pune mahnitshem. vazhdoje…dhe urime.

  6. p.diddy thotë:

    25 May 2008 @ 6:42 am

    hmm - si dicka autobiografike duket kjo, presim klimaksin e historise, batalli merr pergjigjen e merituar ne fund, besoj.

  7. Nertila thotë:

    27 August 2008 @ 8:05 am

    O Laura, mire Batalli qe pervec forumeve, blogjerve tashme qe ka zbuluar dhe facebukun nuk ekziston gjethe fiku qe e kap, po ti c’u bere?
    Ps. aman te lutem mos u batallos dhe ti.

  8. Prenga thotë:

    27 August 2008 @ 11:38 am

    bukur Laura.

  9. artian thotë:

    27 August 2008 @ 12:22 pm

    Kur i doli llotaria Batallit, s’e zinin këmbët vend nga gëzimi.

    Kujt nuk i kane zene kembet nga gezimi per te shkuar ne Amerike,Laures gjithashtu.Nuk ka Laura nje ender te tille?, ndoshta jo si te Batallit.,por per tu bere paksa e vecante,e madhe, ndoshta nje ego per te bere gjera te medha ne Shqiperi,kur te kthehej.
    Pse s`dalin endrat,e ka fajin truri ose vendi ku ke lere.,qe nuk te ben si duhet per te qene i denje atje ku je.

  10. Roberta thotë:

    29 August 2008 @ 6:37 pm

    ec mer XYZ ke letersia, lene pulitiken.

  11. Arben thotë:

    29 August 2008 @ 9:45 pm

    oh sa e bukur kjo pjese.
    te lumte Laura !

  12. Zana thotë:

    29 August 2008 @ 10:36 pm

    Vrojtuese e holle Laura ketu.Kendshem…..

  13. Batalli thotë:

    1 September 2008 @ 11:00 am

    Po ec more XYZ-e,ec ketu. eja flasim bashk per gjera qe te shqetesojne ty.
    Ps: mos u mundo te vesh rregulla tek bar peshku. jo sepse je i ri ketu. ne boten virtuale nuk ka te rinj e te vjeter (dikush , i vjeter nderron nickun e behet i ri) por edhe vete adminat nuk e kane kete mundesi te pakten ate absolute.
    Ketu, ashtu si ne baret e tjere diskutohen problemet qe kane nji emrues te perbashket.
    njeri dhe kryesori eshte gjendja ne atdhe, mendime e opinione te gjithsecilit se si mund te permiresohet dhe sic mund ta kuptosh dhe vete nuk mund te mos permenden politikanet e pozites se pari si dhe alternativat.
    ps1: ne se Koth punon ne banke e ka deshire te diskutoje per marrdheniet qe ka me eproret, ashtu sic keshillon ti, kujt i intereson ?
    Ps-ja kryesore:Ç’dokush qe perpiqet te vendos rregulla neper kuvende me kujton D.Kishotin dhe mullinjte e eres.

    eja XYYZ-ë, eja :lol:

  14. kapedani thotë:

    1 September 2008 @ 11:10 am

    Kjo eshte ta vendosesh veten ne breket e tjetrit. Me siguri fillojne te kruarat. Aty poshte. Dic te hane. Me siguri nuk jane cimka, morra e pleshta. Eshte ndjesia fantazme e ish-organit.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com