Bastisja e Galerisë …
… Ministritë dhe Kryeministria zbukurohen me veprat e diktaturës
Admirina Peçi (Milosao)
Ajo rri e heshtur poshtë qiellit përvëlak të fundqershorit, nën një shtresë bezdisëse pluhuri. E heshtur si një statujë, sikurse është në të vërtetë. Vajza me fyell, apo siç e quajnë të gjithë statuja e kuqe e Kiço Krisikos, nuk e ka më fyellin. Ka vetëm një shenjë të bardhë, pasojë e një restaurimi skandaloz, bërë në ngut e sipër, të gishtit të thyer. “Bukuroshja” e skulptorit të njohur, i cili jeton e punon në Greqi që nga fillimi i viteve ’90-të, nuk ka shansin e përkujdesit as prej të zotit të saj, i cili ia besoi këtë vepër Galerisë Kombëtare të Arteve, para shumë vitesh. Me siguri është blerë për pak monedha, siç bliheshin gjithë veprat e artit në kohën e diktaturës. Jetoi për disa vite në bodrumet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Përjetoi një periudhë ekspozimi, në oborrin e kësaj galerie. Pastaj sërish në bodrum. Atje e kemi fotografuar rastësisht para pak vitesh. Atëkohë e kishte fyellin, i cili s’dihet ku ka humbur. Prej atëherë nuk kishim dëgjuar më për të deri në fund të dhjetorit të kaluar. Duket rruga e jetës së saj, ka ende plot dredha e copëza të trishtuara.
Në shtëpinë e re
Me 21 dhjetor 2007, statuja e kuqe e Kiço Krisikos, bashkë disa skulptura të tjera dhe një numër të madh tablosh, u morën me nxitim nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe zunë vend në një ambient të ri. Godina e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve e shndërruar në ambiente për Ministrinë e Turizmit dhe Kulturës, kishte nevojë për to. Një sallë në formën e një ekspozite-galerie, që ka marrë emrin e piktorit “Ibrahim Kodra”, një tjetër sallë, dedikuar artistëve për biseda, refleksione, debate dhe shkëmbim eksperiencash mes tyre, që mban emrin e mjeshtres së muzikës, Tefta Tashko Koço, tarraca e parë e emërtuar “Vëllezërit Lymier”, tarraca e dytë “Gjergj Fishta” si dhe zyrat e reja të kësaj ministrie ishin krejt të zhveshura. Me një “urdhër” direkt nga ministri Ylli Pango, për ditën e përurimit me 21 dhjetor, duheshin marrë me urgjencë nga fondi i Galerisë Kombëtare të arteve mbi 40 vepra arti. Qëllimi? Për të zbukuruar ambientet e reja të Ministrisë. Ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Genc Mulliqi, thotë se me këtë rast, ata të Ministrisë i morën këto vepra nga fondi i Galerisë me premtimin se do t’i kthenin shumë shpejt. “Në fakt, shqetësues është koncepti që ata kanë. E konsiderojnë Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si një kooperative të madhe, e cila ka disa brigada, në rastin tonë teatrot, galeria, muzetë, etj, prej të cilave mund të marrin ç’të duan…”. Kësisoj, statuja e kuqe bashkë me 40 veprat e tjera zunë qoshet e paracaktuara në shtëpinë e re të Ministrisë së Kulturës. Disa prej tyre u ekspozuan për pak kohë, e mandej u depozituan diku, mbase në ndonjë magazinë të Ministrisë. Të tjerat mbetën të varura në mur. Ndërsa statuja e Kiço Krisikos me dy simotra të saj që prej asaj dite, shëllehen nën diell, mbulohen nga pluhuri i rrugës pranë dhe “shpresojnë” të mos i shkrepet ndonjë të shkari të vërtisë që nga rruga, ndonjë gurë e t’i bëjë copë e thërrime…
Historitë përsëriten
Ky ishte vetëm një prolog. Sepse, kjo historia e kooperativës si një paralelizëm që na sjell ish-drejtori Genc Mulli, nuk e ka fillesën te ky rast. Në të vërtetë dalja e veprave nga Galeria Kombëtare e Arteve është një histori që ka nisur që nga vitet ’80-të. Në të shumtën e rasteve kanë qenë veprat më përfaqësuese dhe me vlera të mëdha për historinë e artit në Shqipëri dhe shumë prej tyre kanë humbur. Janë zhdukur.
“Tradita negative e nxjerrjes së veprave nga fondi i Galerisë ka nisur që nga vitet 1985-‘86 kur për nevoja të ndryshme shtetërore hapej fondi, zgjidheshin veprat dhe ekspozoheshin si element dekoracioni të vilave të pritjes, godinave qeveritare, zyrave të funksionarëve të lartë të asaj kohe. Fatkeqësisht, kjo situatë vazhdoi edhe pas viteve ’90-të. Unë si drejtori i Galerisë së Arteve e quaj jo normale…”. Rubens Shima, drejtori aktual i Galerisë Kombëtare të Arteve e thotë këtë me një lloj proteste. “Ekziston një ligj ku mbështetet lëvizja e veprave, por pavarësisht se qenka një klauzolë, që e miraton dhe dikush ka të drejtën e firmës, daljen e veprave nuk e konsideroj normale në dy aspekte. Së pari, veprat e një muzeu nuk mund të lëvizin dhe s’janë elementë ekspozues as të zyrave të pushtetarëve, as të ambienteve pritëse. Kjo mendësi e trashëguar nga sistemi komunist vazhdon e pandryshueshme dhe me të njëjtat ritme e presion ndaj Galerisë Kombëtare që në vitet ’90-të e deri më tani. Asnjë qeveri nuk i ka thënë “stop” këtij fenomeni. Të gjitha e kanë shfrytëzuar për të ekspozuar zyrat e tyre, vilat e pritjes, godinat e parlamentit ose të tjera. Mjafton të shtrish dorën te Galeria Kombëtare dhe mund të marrësh piktura sa të duash dhe kur të duash. Por kjo nuk është aspak korrekte…”
Një rast tjetër që bëri jehonë për këtë problem ishte vizita njëditore e presidentit amerikan Xhorxh Bush në qershorin e 2007.
Në kryeministri ndihej varfëria artistike. Mureve të godinës i nevojiteshin disa vepra nga më përfaqësueset e artit shqiptar. Vendi ku mund të shtrinin duart ishte i njëjti, Galeria Kombëtare e Arteve. Sipas kërkesës së kryeministrisë, u duheshin të nxirrnin për mjediset e tyre shumë piktura. Drejtuesit e Galerisë, pa asnjë lloj rezistence dërguan atje një koleksion prej 22 veprash arti. U nënshkrua një kontratë njëvjeçare për mbajtjen e tyre në ambientet e kryeministrisë. Por pas vizitës së bujshme të Bushit, dhe ngutit e emergjencave për përgatitje si në kohët e liderëve komuniste, gjithçka u harrua. Veprat duhet të jenë ende në muret e kryeministrisë. Një vit më parë, pas marrjes së këtij koleksioni veprash, ish-drejtori i Galerisë Kombëtare, Genc Mulliqi, konstatoi se ishin më shumë se 150 vepra të Galerisë të shpërndara që nga Presidenca, Kryeministria dhe Ministria e Kulturës. Veprat e epokës së shkuar
Sipas Rubens Shimës, institucionet shtetërore e kanë të domosdoshme të krijojnë fondet e tyre për blerjen e veprave të artit. Ata duhet të kenë koleksionet e tyre. “Sepse nuk është logjike që vepra, të cilat dikur janë bërë me një subjekt dhe qëllim të caktuar, qoftë dhe ato historike dhe patriotike që unë i quaj pikturë folklorike të bëra gjatë kohës së realizmit socialist, sot të zbukurojnë ambientet e godinave shtetërore qeveritare. Këto vepra janë prodhuar në një kontekst të caktuar dhe kanë një përmbajtje ideologjike të caktuar, pavarësisht se në të ka figura historike. Mund të jetë një Ismail Qemal në po të njëjtin pozicion dhe vendosje si figura e Enver Hoxhës. Vetëm portretet ndryshojnë. Ideologjia është e njëjtë”.
Sipas Shimës, nuk është aspak pozitive për imazhin e çdo lloj qeverie që pas tyre të ketë piktura të bëra në këtë kohë. Shima propozon vepra të reja, të realizuara nga artistë bashkëkohorë, të cilat ministritë mund t’i blejnë nga komuniteti i artistëve, duke veçuar çdo vit nga një shumë të vogël prej buxheteve që ministritë kanë. “Meqë e dashkan kaq shumë artin dhe pikturën, të kthehen në promotor të blerjes së veprave të artit. Duhet të krijohet kjo lloj mendësie. Është e domosdoshme, çtensionon Galerinë e Arteve dhe ndihmon komunitetin të blejë veprat e artistëve të rëndësishëm sot dhe ndikon në impaktin e imazhit të ri”, - thotë Shima.
“Mbi ne ushtrohet presion”
Ligji aktual duket nuk është i favorshëm për këtë institucion. Siç e pohojnë edhe drejtuesit paraardhës, të galerisë, në ligj, mund të gjenden plot klauzola përmes të cilave mund të manovrohet lehtë. Dhe problemi më i madh nuk është marrja e këtyre veprave arti, por mirëmbajtja e tyre, dhe kthimi sërish në fondin e Galerisë, ku të jenë nën vëzhgimin e ekspertëve dhe të jenë të ekspozueshme për publikun. Rubens Shima dhe tre-katër paraardhësit e tij ngulmojnë te ndryshimi i mendësisë së gabuar që ekziston prej kaq viteve. Shima thotë se “në rastet kur e jep një vepër arti në një institucion për ta ekspozuar, qëllon që dikush bie në dashuri me atë vepër dhe nuk ta kthen më. Është e kotë ngritja e grupeve si nga ana ime edhe e drejtorëve para meje, për t’i mbikëqyrur, apo për ta ndaluar këtë fenomen. Presioni është i madh. Nëse vjen një urdhër që ti do të zbukurosh X godinë, askush nuk mund t’i thotë jo, përderisa ekziston një kuadër ligjor”.
Veprat e dëmtuara
Gëzim Qendro, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në periudhën 1997-2003 prej vitesh ka dalë kundër shfrytëzimit të veprave të fondit si aksesorë zbukurimi në institucione të ndryshme shtetërore. Por më shumë konsideron fatale mundësinë zero për t’i mbajtur nën mbikëqyrje këto vepra me grupe specialistësh, që të mos dëmtohen nga kushtet e ekspozimit. “Problemi më i madh që ne hasëm gjatë kësaj periudhe nuk kishte të bënte vetëm me faktin e kalimit të këtyre veprave në institucione të ndryshme. Përveçse ekspozoheshin në kushte të papërshtatshme dhe jo në ruajtjen e specialistëve, këto institucione nuk pranonin që grupe specialistësh nga galeria të hynin në ambientet e tyre për të parë dëmtimet e mundshme të këtyre veprave. Kjo ndodhte pavarësisht faktit që në kontratë ishte e përcaktuar qartë”. Qendro ka rrëfyer pak muaj më parë një rast konkret. “Na ka ndodhur në periudhën 2000-2001, në Presidencë. Bëhej fjalë për një vepër të Vangjush Mios. Na kishin sinjalizuar që kjo vepër po pësonte dëmtime dhe rënie të bojës. Për këtë fakt, administrata qe kontaktuar disa herë për të parë gjendjen fizike të kësaj vepre dhe ata asnjëherë nuk lejuan trupën të hynte për të bërë verifikimet e nevojshme”.
Dy momente të vështira
Drejtori aktual i GKA-së, Rubens Shima thotë se “ka vepra të kthyera, por edhe vepra që nuk dihet se ku janë. Shumicën e tyre ne e dimë se ku ndodhen, disa janë në Parlament, në Kryeministri apo vilat e pritjes. Ne kemi trashëguar lista që nga vitet ‘86, të vilave të pritjes, të autorëve të rëndësishëm të realizmit socialist, por edhe atij realist, përfshi edhe Vangjush Mion, por vilat e pritjes tashmë janë mbyllur, janë privatizuar, shkatërruar, kanë kaluar ‘97-ën dhe nuk ka më gjurmë të këtyre veprave. Dhe e gjitha kjo ka ndodhur për faj të këtij ligji që nuk duan ta ndryshojnë”, - thotë Rubens Shima.
Ndërsa ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Gëzim Qendro përmend dy raste nga më flagrantet kur veprat janë zhdukur nga institucionet ku ekspozoheshin. “Një situatë e tillë ka ndodhur edhe në ’97-ën. Disa piktura ishin zhdukur dhe nuk u gjetën më kurrë. Për këtë arsye u detyruam të bënim inventare, të cilat vërtetuan se këto vepra nuk gjendeshin më në këto institucione. Nuk u mor vesh asnjëherë fati i tyre, nëse u dogjën apo u shkatërruan. Një fushatë tjetër shkatërrimesh ndaj veprave të artit ka ndodhur në vitet ’90-91, të cilat shpeshherë kanë qenë edhe të qëllimta”, - thotë Qendro, duke theksuar se gjithsesi, jo të gjitha kanë qenë vepra të fondit të Galerisë së Arteve.
30 June 2008 @ 4:07 pm
Po, pse jo. Arti dikur i sherbente pushtetit. Kjo eshte e vetmja trashegemi qe kemi.