Barazimi me Shqipërinë, Stoiçkov jep dorëheqjen
Altin Latifi
Gazeta Shqiptare
11/04/07
Një barazim me Shqipërinë të kushton vendin e punës, sidomos kur bëhet fjalë për një skuadër si Bullgaria. Ka ndodhur kështu me trajnerin e përfaqësueses së këtij vendi, Hristo Stoiçkov, i cili dje ka bërë të ditur largimin e tij nga posti i përfaqësueses bullgare, pas atij barazimi zhgënjyes në shifrat 0-0 të arritur më 28 mars në “Vasil Levski” të Sofjes. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti i Federatës Bullgare, Borislav Mihailov, sipas të cilit trajneri ka dhënë dorëheqjen së bashku me ndihmësin e tij, Dimitar Dimitrov. “Ne e pranuam dorëheqjen e trajnerit Stoiçkov dhe të ndihmësit të tij Dimitrov”, - tha Mihailov dje. Në fakt, ish-fituesi i Topit të Artë u kritikua ashpër nga mediat bullgare dhe nga tifozët e këtij vendi, pas rezultatit 0-0 ndaj kombëtares shqiptare të Oto Bariç. Ky barazim e ka vënë në pikëpyetje kualifikimin e Bullgarisë për në Euro 2008, pasi kjo përfaqësuese është në vendin e tretë në grupin G, 5 pikë më pas se Holanda dhe 3 nga Rumania. 25 mijë tifozët bullgarë të pranishëm në “Vasil Levski” në ndeshjen me kuqezinjtë, thirrën në kor “Dorëheqje! Dorëheqje!”, ndërsa tekniku u shpreh se nuk kishte ndërmend ta bënte këtë. Por, në shtyp kritikat vazhduar pa reshtur, deri në vendimin e djeshëm të ish-futbollistit të Barcelonës për t’u larguar së bashku me ndihmësin e tij. Sipas presidentit të Federatës, Mihailov, Komiteti Ekzekutiv i Federatës do të mblidhet në datën 25 prill për të vendosur për trajnerin e ri.
Stoiçkov
Hristo Stoiçkov e mori drejtimin e përfaqësueses bullgare pas largimit të Plamen Markov, pas Europianit 2004. Ai shihej si njeriu ideal për të çuar ekipin ballkanas drejt rezultateve të mira që ishin arritur në Botërorin “USA ‘94″, por pavarësisht aftësive, ish-fituesi i “Topit të Artë” vazhdonte të kishte probleme me karakterin, gjë që e bëri disa herë personazh të polemikave në publik me lojtarë, si Berbatov apo Stilian Petrov. Pas barazimit me Shqipërinë dy javë më parë, trajneri u largua drejt Spanjës, për t’i shpëtuar kritikave pafund të mediave apo drejtuesve të Komitetit Ekzekutiv të Federatës. Megjithatë, ish-lojtari i Barcelonës dhe i Parmës duket se në Gadishullin Iberik ka gjetur edhe skuadrën e tij të re, që do të jetë Selta Vigo, e ndodhur në një pozicion kritik në renditjen e Primerës. Klubi spanjoll ka shkarkuar dje teknikun Fernando Vaskez dhe drejtori sportiv i këtij klubit, Feliks Karnero ka thënë se pasuesi i tij do të jetë pikërisht Stoiçkov. “Po, Stoiçkov është alternativa jonë”, - tha Karnero. Selta Vigo u mposht 4-2 në ndeshjen e fundjavës ndaj Reekreativo Huelvës dhe tani rrezikon të bjerë nga kategoria.


11 April 2007 @ 12:35 pm
Ky eshte çmimi i hidhur i arrogances.
12 April 2007 @ 1:50 pm
Koke bullgari!