Banorët e Gërdecit: Po na vjedhin lavatriçet
Gazeta shqiptare
Të prekurit nga tragjedia e Gërdecit kanë ende nevojë për ndihma. Para dyerve të magazinave ku ndodhen ndihmat e ardhura për ta vazhdojnë të qëndrojnë me dhjetra njerëz. Banorët e zonave të prekura shprehen se pranë magazinave u kalon pjesa më e madhe e ditës por në fund ata kthehen duarbosh.
Akuzat
Banorët akuzojnë menaxhuesit e ndihmave për korrupsion dhe mosndarje të rregullt të tyre. Të revoltuar, ata thonë që në këto magazina kanë hyrë makina nga më të ndryshmet, janë mbushur plot me mall e janë larguar pa ditur se ku. Shahe Hoxha thotë që ka mbi 10 ditë që rri me orë të tëra përpara dyerve të magazinës, por deri tani nuk ka përfituar asgjë. “Hasimi që merret me ndarjen e ndihmave sapo më tha që në magazinë nuk ka asgjë tjetër përveç disa çadrave të ushtrisë dhe fasuleve. Unë e di shumë mirë që këtu janë shkarkuar maune me elektroshtëpiake, paisje hidrosanitare, veshje, ushqime kurse ne nuk kemi marrë asgjë”, thotë ajo. Gjithashtu, banorët thonë se edhe ata që kanë marrë ndihmë, nuk kanë marrë më shumë se nga 2 kg vaj dhe makarona kurse pjesa tjetër, përfshirë këtu paisjet elektoshtëpiake si televizorë, frigoriferë, lavatriçe etj si dhe paisjet hidrosanitare janë shitur ose janë ndarë me mik. Ndërkohë që disa banorë ankohen për ndalimin e procesit të shpërndarjes së ndihmave, disa të tjerë dolën nga magazina me kuti të mëdha në duar dhe i ngarkuan ato në një makinë private. Shahe Hoxha e pa gjithë këtë skenë e dëshpëruar…
Bashkia
Hasim Selmani, shef i shërbimeve publike pranë bashkisë Vorë shprehet se situata e emergjencës ka mbaruar dhe se ata tashmë nuk kanë të drejtë të ndajnë asnjë ndihmë. “Në emergjencën e kemi mbyllur që me datë 15 prill dhe nuk kemi të drejtë të ndajmë më ndihma. Me këtë proces tashmë merret Kryqi i Kuq si dhe donatorë dhe organizata të tjera humanitare” thotë ai. Selmani thotë se banorët që vazhdojnë e presin pas dyerve të magazinave i kanë marrë një herë ndihmat që u takojnë dhe se thjesht humbasin kohë duke qëndruar aty. Ai gjithashtu thekson se në këto magazina nuk kanë ardhur kurrë paisje elektoshtëpiake. “Dua të sqaroj se paisje elektroshtëpiake këtu nuk kanë ardhur asnjëherë dhe se zërat që qarkullojnë për një gjë të tillë janë thjesht thashetheme. Aktualisht, në magazina ka disa paisje hidrosanitare që kanë ardhur nga TMK-ja e Kosovës dhe ato do të ndahen sapo banorët të kenë nevojë, sepse duhet të kuptojmë se procesi i rindërtimit të shtëpive ende s’ka arritur deri në fazën e vendosjes së këtyre paisjeve”, vazhdon ai. Akuzat e banorëve që në magazina kanë ardhur paisje elektroshtëpiake dhe se ato nuk janë shpërndarë i hedh poshtë edhe kryetari i Bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili. “Me ndihmat nuk ka ardhur as edhe një paisje elektroshtëpiake. Ndihmat kanë konsistuar vetëm në ushqime dhe veshmbathje”, thotë Ismaili. Ndërkohë, Hasim Selmani shprehet se gjatë fazës së emergjencës e cila është mbyllur më 15 prill janë ndarë rreth 160 ton ushqime, veshmbathje, çadra ushtrie për sterhim etj. Të gjitha këto ndihma janë dhuruar nga donatorë të ndryshëm si Kryqi i Kuq, Komuniteti Mysliman, Kisha Autoqefale, nga Kosova si dhe Maqedonia.
Gërdeci i rrënuar, vetëm 5 banesa në rikonstruksion
Rrugët e fshatit Gërdec pak kanë ndryshuar që nga ai shpërthim i fuqishëm i ndodhur dy muaj më parë. Fshati është thuajse i pabanuar. Teksa ecën në rrugët e përbaltura, për shkak të shiut të një dite më parë të bie një fshat i pajetë, ku mbizotëron një qetësi thuajse e frikshme. Vetëm katër apo pesë janë banesat në të cilat po punohet për t’i rikonstruktuar ato. Banorët thonë se kjo vonesë për të rregulluar shtëpitë e dëmtuara vjen si shkak i mosmarrjes në kohë të dëmshpërblimit që i takon. “Ne kemi kërkuar një rivlerësim të dytë pasi nuk ishim dakort me shumën e llogaritur më parë. Nuk e dimë se kur do t’i marrim ato para. Këto pak punime që kemi filluar të bëjmë, i kemi nisur me para borxh”, thotë Shpëtim Hasa, një banor i Gërdecit. Megjithatë, duket se shkaku i kësaj heshtjeje që mbizotëron në fshatin që duhet të ishte një kantier ndërtimi, nuk është vetëm mungesa e parave. Gëzim Aliu thotë se një pjesë e banorëve kanë frikë që t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre serish në Gërdec. “Edhe ata që i kanë marrë paratë nga qeveria kanë frikë të rindërtojnë sërish këtu. Unë po e rindërtoj shtëpinë time, e megjithatë kam ende frikë, edhe pse është pak larg nga zona e shpërthimit”, thotë ai. Në rrugët e fshatit, të cilat janë të mbuluara nga mbeturinat inerte, vazhdojnë të qarkullojnë makinat e ushtrisë ndërsa trau që është pranë kraterit të shpërthimit të bën me dije se ky vend është ende zonë ushtarake.


15 May 2008 @ 2:35 pm
sak gje po he

ja te blejne nga keto lavatricet