Autobusi i linjës dhe Shqipëria

Duket si Pazari i Gjos’. Njerëzit qëndrojnë mes dy skajeve, fatorino-shofer, ca hyjnë, ca dalin, përplasen, autobusi tejmbushet me trupa dhe frymë. Njerëz nga shtresa të ndryshme që i presin punët e përditshme jashtë asaj vorbulle duhmash. Me një colpo (ky është stil për të ngjeshur njerëzit) nisemi sërish. Duhet të kemi parasysh që çdo nisje, ndalim, shoqërohet me shkelje këmbësh, futje duarsh dhe goditje me brryla ku si përfundim të duhet ta fikësh zemërimin si cigare në lëkurën tënde.

Është mëngjes dhe je veç një gjurmë ëndrrash. Je qytetar i tyre dhe zbret të bëhesh qytetar i Shqipërisë. Dhe pret autobuzin e linjës. Ai pritet të shfaqet nga një grykë mitike e asfaltuar e të ndalë në këtë stacion të mjerë pa tabelë, i sapo populluar nga shqiptarë të lagjes sime. Të gjithë me sy nga gryka përshpirten: “eja, mos u vono, qofsh me vende të lira, me ajër, pa erë, nejse ti eja, mos u vono…” Ja ku erdhi si mirazh. Ndalon si për inat, jo ku duhet por ku ti teket Atij. Të gjithë e njohin është Xakja shoferi më miop i linjës. Çlirohet ajër dhe nga tre, hapen dy porta, njëra për shtresën e ulët, tjetra për të mesmen dhe sigurisht porta e derës së parë mbetet e mbyllur, e rezervuar për shtresën e lartë sipas klasifikimit social të Xakes.

Hipin njerëzit pa ndonjë rregull; po ku të shkosh kur vetë fatorino si shuk me tule ka zënë hapësirën! “Bileta, abone, bileta, abone” dëgjohet nga goja e tij që nxjerr rrathë duhani. I jap lekët dhe i shpëtoj paq sqetullës së tij. Mor pse me tule këta fatorino, pse fëmijë ndonjëherë, pse? Fytyra e fatorinos freskohet vetëm nga kontakti me 300 lekëshin dhe urren të gjithë të abonuarit e kësaj bote.

- Sa vonoheni dreqi ta hajë – dëgjohet një plak.

- Jam privat bëj çtë dua merr taksi po deshe.

- S’keni faj ju erdhët nga…

- Ec xhaxhi ec para, para

Pasqyra e Xakes është syri gjithëpamës i një pushteti absolut dhe unë jam qytetar i nënshtruar në këtë autobuz, në këtë Shqipëri, i ngjeshur mes njerëzve të tjerë.Vendoset paqja, nja dy-tre frena për të afruar njerëzit para dhe autobuzi niset. Stacioni pasardhës është 100 metra larg, sipas një studimi të specialistëve të linjës dhe udhëzimeve të integrimit. Çështë ky model i çuditshëm vallë? Përsëri frena dhe ndjej fatorinon që ngrihet disa oktavë në veshin tim të djathtë: “Ecni para, para,para (Para partizanë!) dhe për çudi të angazhimit tim për të ecur, asnjë nuk tutet, në shenjë hakmarrje kjo ndaj komisarit të batalionit të autobuzave.Ndërkohë, shoferi është ngritur kërcënues nga vendi i tij dhe grish njerëzit me të bërtitura. Duket si Pazari i Gjos’. Njerëzit qëndrojnë mes dy skajeve, fatorino-shofer, ca hyjnë, ca dalin, përplasen, autobusi tejmbushet me trupa dhe frymë. Njerëz nga shtresa të ndryshme që i presin punët e përditshme jashtë asaj vorbulle duhmash. Me një colpo (ky është stil për të ngjeshur njerëzit) nisemi sërish. Duhet të kemi parasysh që çdo nisje, ndalim, shoqërohet me shkelje këmbësh, futje duarsh dhe goditje me brryla ku si përfundim të duhet ta fikësh zemërimin si cigare në lëkurën tënde. Stacioni tjetër është më larg, bile më larg se ç’duhet të jetë (gjithëpo sipas specialistëve).

Koha deri në mbërritje më lejon të meditoj mbi çështjen e integrimit, një bisedë televizive që e kisha ndjekur në mbrëmje, atë integrimin fluturak që tani i jam qepur me autobuzin e linjës. I gëzohem gjetjes. Më ngushëllon në këtë situatë qesharake ku jam futur, i shukur mes një plaku të bëshëm të cilit i ndjej frymëmarrjen dhe duhmën dhe një goxha vajze që unë me mirësjellje e ruaj si kristali. Me që ra fjala vajzat dhe pleqtë duhet të them një zot i ruajtë kur vënë këmbën në autobuz.Ecim ngadalë, ka trafik. Stacioni po afron dhe shoh një luzmë njerëzish që presin aty të braktisur nga autobuzi paraardhës me pak shpresë se ky që po vjen i merr dhe i çon. Duhet të përgatitem për një ngjeshje të mirë, akrobacinë e radhës. Afrohemi, unë kërcas dhëmbët, shtyj anash … kur fatorino ushton “ec Xake mos ndalo…” Përvidhemi në pluhur. Shoh njerëzit në stacion, nëpunësit, punëtorët, privatët, katundarët, shkollarët dhe përjetoj një ndjesi ambige.Më vjen keq dhe mirë. Ata u vonuan, por pak kohë i shpëtuan këtij farë autobuzi, këtij farë integrimi.Tjetri është stacioni ku duhet të zbres. Qëndron ndanë një ure historike, ndërtuar për kalimtarë. Zbres dhe kaloj mbi urën e gurtë të Tabakëve, i përdhosur si të gjithë bashkëudhëtarët e mi. Është ajo “g”-ja në fjalën integrim që mi grryen mendimet!

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

23 Komente

  1. njera thotë:

    3 August 2008 @ 12:02 pm

    Boll te hyjme ne NATO, pa kujt duhet sistemi i transportit? Kujt i duhet respekti ndaj dinjitetit te qytetarit? Kujt i plas per rregullin, pastertine dhe edukaten qe karakterizon cdo vend te BE-se ku pretendojme te hyjme?

  2. flokenaja thotë:

    3 August 2008 @ 2:18 pm

    Ata u vonuan, por pak kohë i shpëtuan këtij farë autobuzi, këtij farë integrimi.

    I ke thene te gjitha me kete fjali.

  3. flokenaja thotë:

    3 August 2008 @ 2:39 pm

    Eshte me te vertete kaq i goditur ky shkrim…
    E lexova dy here… pertej problemeve qe percon, stili nuk eshte aspak gazetaresk… do qendronte me mire tek letersia…

  4. edrus thotë:

    3 August 2008 @ 2:50 pm

    Është ajo “g”-ja në fjalën inte(g)rim që mi grryen mendimet!

  5. emigrant thotë:

    3 August 2008 @ 3:14 pm

    Edrus, e kupton qe kemi sindromin e autobuzit ne rang kombetar? Asgje nuk paska ndyshuar nga atehere qe e di ti… Mor po asgje, them! Nis nga ky pershkrim. Ja, me thuaj, i sati shkrim eshte ky qe te flet per autobuzet?

    Ti e di qe une jam i fandaksur mbas ketij elementi! Po te them nje te vogel, meqe ishe “i dishrum per i cik argetim” ;) Isha ne autobuz (ne kohe te monizmit) me nje njeriun tim, “rob zoti”, qe vinte nga nje rreth i vogel jugor (jo Skrapari, te betohem) per vizite. Ulemi. Vjen nje plake aty afer. Ngrihem me i liru venin. Me shef gjithe habi. “Uëëë… sa të edukuar jeni ju nga Tirana”, thotë. “Atje te ne, s’ta liron njeri vendin, sikur të “ngaç këmbën”… ” :P Me ngeli ne men kjo “te ngaç kemben”…. Qe shoqerohet, ece e merre vesh me vargjet “këto nuset nuk na bëjnë/ qaj nëno, qaj moj ënë….” tani ne ven te nuses, vej cer te dush, Ed-o, autobuz, qeverri, cigare, zgjidh vet mooo.

    PS Ho t’pelqeu? Ene mos ma ngacmo mo W. se krym e ke dhe ti mo… ne k’tu i themi “dab-ja” ose “deb-ja” W-se tone, po ky eshte tjeter muhabet dhe natyrisht, nuk lidhet me kurrfare autobuzi.
    Me c’nigjova dje per nje krim ne Kanada, ne nje autobuz Greyhound ne Manitoba, ato rraka-zhdrrakat tona me tu duk lule, mer…

  6. lexuese thotë:

    3 August 2008 @ 4:36 pm

    i dashur emigrant, edhe une e lexova ate rastin e papare ne Kanda. keto raste jane shume te rralla, dhe psikopatet jane njelloj gjithandej. prandaj eshte nje krahasim i gabuar ai i rastit ne autobuzin Greyhound me problemet me te pergjithshme shoqerore (e kulturore–futjen e duarve, shkeljet e kembeve, inatet) ne transportin shqiptar.

  7. ajo thotë:

    3 August 2008 @ 6:13 pm

    ke bere nje pershkrim mese te sakte, mua me duhet te udhetoj perdite me autobuse dhe me njerez qe te lene gjithmone pershtypje te keqe
    Kur do te qyteterohemi dhe ne shqiptaret more amani…………!????

  8. Noglobal thotë:

    3 August 2008 @ 6:13 pm

    Mos u habisni me ngadalesine e sherbimit ne transportin urban. Fundi i fundit, duhet ta dini se ato qe vodhen monopolin e sherbimit urban ne bashkepronesi me kryetarin e Bashkis jon t’gjith kokra e katunarit. Shkurt s’osht e mundur. Nji katunar qi menagjon transportin urban.

  9. xhibi thotë:

    3 August 2008 @ 6:38 pm

    xheke, shkrim i bukur dhe i arritur. Do citoja ndonje shprehje simbolike qe me pelqeu, po duke e lexuar e pashe qe kishte shume te tilla dhe e lashe. Ke arritur te nderthuresh bukur krizen, humorin, metaforat, dhe rrjedh shkrimi si vete tragjikomedia e ’sindromit te autobuzit’, sic e perkufizoi emigranti. Kjo sindrome vertet qe eshte si etalon per shume gjera tek ne. Ndonjehere mund te jetosh ne nje vend per nje kohe te gjate dhe te mos e kesh idene se si ndihen dhe jetojne vendasit, se je turist dhe nuk perballesh shume me jetet e tyre. Ndonjehere nje fragment i shkurter eshte teper domethenes per te kuptuar.

    Tek ne, nese nje turist do hipte ne nje linje urbani ne mengjes ne Tirane, ato 20 minuta kohe do ishin shume domethenese qe ai te kuptonte jeten e shqiptareve. :D

  10. deni thotë:

    3 August 2008 @ 7:08 pm

    Une per vete udhetoj me shume me linjen e Tiranes se Re qe ne fakt me duket edhe si me dinjitozja nder linjat e tiranes, por prape, ne mengjes ecin me 15 km/h e te ngrihen nervat sa zbret ne stacionin tjeter per te mos i thene “hape deren” pas 20 metrash, ndersa ne darke kur ske nevoje per nxitim, rrezikon te zbresesh nga xhami.

  11. alidea thotë:

    3 August 2008 @ 9:24 pm

    Ehh..

    un i kam te numeruara heret kur mund te kem marre autobusin, kjo sepse me pelqen te ec, nuk e kam qejf autobusin (sidomos gjate veres) , si dhe banoj ne nje zone te Tiranes ku çdo gje e kam afer.
    Gjithsesi nje dite do shkoja te shihja xhaxhain tim qe ishte operuar, keshtu qe per hir te mamit tim morem autobusin. Ate dite bileta ishte rritur nga 20l ne 30l (dt 11 Qershor ne mos gaboj). Un vura re se disa pasagjere po rrudhnin fytyrat kur pane se ishte rritur çmimi, me erdhi keq per nje plake..doja tia paguaja bileten, por kisha frike se do ndihej e fyer…
    Tek tuk pashe ndonje reagim te pasagjereve, dhe shoferi nuk pertonte te mllaciste ca fraza boshe.
    Por ne nje ndalese , ndodh ajo qe vertet nuk e prisja. Fatorinoja del dhe ulet per shtate qejfe tek lokali qe ishte aty, e veshtroja teksa pagoi, si dhe njekohesisht ne ate moment reagova dhe une: SI eshte e mundur qe papergjegjesia juaj te shkoje deri ketu , iu drejtova shoferit,-mire biletat qe i keni rritur me 50% por te pakten te keni nje minimum pergjegjesie per sherbimin qe supozohet te ofroni!!
    Kishin kaluar 5minuta, dhe fatorinoja po na shikonte nga jashte, sikur priste qe ne pasagjeret te humbisnim durimin, nderkohe shoferi me thote- po desheme zdryp , jepi , nuk japim llogari ne , jemi private ketu e more vesh??

    Kisha hapur kameren time dixhitale , dhe te gjitha shprehjet qe ai tha i filmova..nderkohe vjen dhe fatorinoja me nje zgerdheshje qe theksohej me shume nga dhembet e zverdhur (nuk besoj se ky njeri e njifte objektin qe quhet furçe dhembesh).
    Si perfundim arritem nga qendra (ku banoj) tek spitali ne krye te 40 minutave..mu neverit aq shume ajo qe pashe, sa ne kthim preferova te ec ne kembe ..ajo qe me neveriti akoma me shume ishte pajtimi i pasagjereve te tjere me kete mizerie sherbim transporti.

  12. berberi thotë:

    3 August 2008 @ 10:14 pm

    Tamam tamam titulli i ketij shkrimi duhej te ishte : “Shqiperia eshte katandisur si autobuzi i linjes”. Sata ecen avazh dhe Shqiperia gjithashtu. Sata qelbet ere djerse dhe Shqiperia qelbet nga plehrat dhe pluhurat. Sata thote jam privat dhe boj cfare te dua, dhe Shqiperia privatizohet (coptohet) pa nje plan, dhe copezat adoptohen sipas tekave te pronareve te tyre pa kurfare plani dhe detyrimi publik. Drejtuesit e sates (fatorino) ben si te kete qef gjate punes, ashtu si drejtuesit e shtetit me postin zyrtar. Njerzit shtyhen dhe vriten per te hipur ne autobuz, ashtu si banoret e fshatrava te larget e te varfer qe emigrojne per nje jete me te mire duke u turrur te pushtojne toka prane qendrave te medha urbane.

  13. losttext thotë:

    3 August 2008 @ 10:50 pm

    “duhet ta fikësh zemërimin si cigare në lëkurën tënde.”

    `nuff said

  14. karkaxhualli thotë:

    4 August 2008 @ 10:00 am

    bukur.
    ne fakt nga me te mirat ne kete forum.

  15. Blendi Salaj thotë:

    5 August 2008 @ 2:08 am

    Eshte vertete shkrim shume i mire ky, mua me ka bere pershtypje te vecante, jo vetem qe eshte i sakte ne problemet qe ekspozon por eshte i shkruar mire gjithashtu. Me pelqeu sesi propozon qe problemet e rendomta te perditshmerise jane kthyer ne eufemizma te problemeve me te medha.

  16. Dori thotë:

    5 August 2008 @ 3:14 am

    Sa për krahasim, nga qyteti ku kam përdorur autobuzin më shumë këtu në Amerikë:

    - Në përgjithësi janë në orar, por ka qëlluar disa herë kur ka qenë me vonesë (më e shumta 30-40 min se atëherë vjen tjetri).
    - Në përgjithësi njerëzit nuk mbajnë erë, ciniku: këndej lahen më shpesh, shfajësuesi: andej ecet më shumë dhe s’ka kondicioner
    - Në përgjithësi nuk para mbushen shumë, por ka qëlluar që është mbushur shumë dhe s’ka ndaluar për njerëz të tjerë (por ka thirrur autobuz tjetër që të vijë t’i marri).
    - Fatorino dhe shoferi janë një, lekët/biletat/abonet merren në hyrje, çdo njeri numërohet.
    - Ndonjëherë qëllon që shoferi ndalon për pushim siç përmend alidea (njerëz janë, ndonjëherë kanë nevoja personale ose blejnë ndonjë pije, për këtë s’i ve faj por është e bezdisshme) ose kur ndërrojnë turnin.
    - Siç thotë Deni, varet nga linjat (jo shoferi por njerëzit që e frekuentojnë).
    - Ndalesa si për hypje (mjafton të të shohi që pret) si për zbritje (mjafton të japësh sinjalin) bëhet tek çdo kryqëzim.
    -Kanë filluar të vendosin kamera (se për çfarë s’e di por unë s’e kam qejf big brother-in).
    -Ka shoferë që janë më të sjellshëm se të tjerë, por më pak të sjellshmit vetëm sa janë më të rreptë për rregullat (p.sh. nëse harron abonenë edhe pse të ka parë çdo ditë s’të lejon të hypësh).

    Unë ama s’arrij të kuptoj pse janë aq skandal në Shqipëri. Përdersa mbushen plot do të thotë që ka biznes më të mirë. Të shtohen autobuzat dhe të vilen më shumë lekë. S’e kuptoj këtë përbuzje ndaj mirësjelljes. Pse kaq e vështirë qenka të marrësh në punë fatorino apo shofera të sjellshëm? Të papunë ka sa të duash.

  17. flokenaja thotë:

    5 August 2008 @ 1:46 pm

    Kur te kalon ai fatorino i piste, qull ne djerse dhe te fshin djersen e piset, pas kurrizit si pa gje te keq,te vjen te qash me oi….Nuk mund t’u bleje shoqeria per te cilen punojne nje uniforme ketyre? Sa per larjen duhet vendosur ndonje ligj pershembull : uji i ngrohte te jete falas… por sec kam nje mendje qe perseri ai do prese te shtunen…ehhhh

  18. Blendi Salaj thotë:

    5 August 2008 @ 5:18 pm

    flokenaja, une hypa ne urban pas 12 vjetesh ne qershor. Makinen e kisha ne shtepi po nuk ma mbante ta ngas neper Tirane se ose do beja ndonje karambol ose ndonje sherr kot me robt…kur isha vetem barisja ne kembe, distancat e Tiranes jane sidoqofte piciruke ne krahasim me keto qe pershkojme ketej cdo dite…por ate mengjes urbani me ndaloi mu te kembet, dhe si ves i vjeter qe te rikthehet, e mora…Unaze…stacioni i pare pas Vasil Shantos eshte tek Pallatet 1 maji - autobuzi ishte vetem ndonja 60% i mbushur, por ajer s’kishte, ere djerse, tharti…ato dritaret te hapura vetem pakez fare ne maje, zgjatesha te merrja fryme atje. Autobuzi me avash, une me siklet, nejse se nuk po e zgjas, pash qamet! Mbas asaj eksperience jam i gatshem ta marr ne kembe nga Kinostudio der te 21shi po u desh, e ne autobuz nuk kam per te hyp…

  19. EH thotë:

    5 August 2008 @ 5:20 pm

    ….nuk te beri pershtypje fatorinoja (tape qe me 9h te mengjesit) qe shtynte njerzit ….??? :D

  20. eizo thotë:

    5 August 2008 @ 5:46 pm

    se mos ja veni fajin edvin mafjosit per keto gjendje asociale te autobusave ne tirane se ju mori e mira …..
    sepse ai e ka bere tenderin pra i ka futur parate ne xhep

  21. sorge thotë:

    5 August 2008 @ 6:49 pm

    eizo, kur keni qene i ri , keni patur perdorur nji togfjalesh te cilin deri sa dola ne pension nuk e deshifrova dot ( ruci-puci-thuci nuci, etj )
    Ps:kete e keni shume te thjeshte. edvin eshte edi rama ! :lol:

  22. flokenaja thotë:

    6 August 2008 @ 1:18 pm

    Blendi Salaj :
    flokenaja, une hypa ne urban pas 12 vjetesh ne qershor. Unaze…stacioni i pare pas Vasil Shantos eshte tek Pallatet 1 maji - autobuzi ishte vetem ndonja 60% i mbushur, por ajer s’kishte, ere djerse, tharti…ato dritaret te hapura vetem pakez fare ne maje, zgjatesha te merrja fryme atje. Autobuzi me avash, une me siklet, nejse se nuk po e zgjas, pash qamet!

    Mendimi im blendi, eshte se nje shtet te pakten nga aparenca nga keto duhet te dallohet: nga fatorino me uniforme ne autobuz, nga ushtari te garda qe ka nje uniforme dinjitoze,( dhe jo zhele ne trup) nga koshat e rregullt te pleherave, nga punonjesi i administrates qe te jep nje buzeqeshje etike (dhe nuk te sheh sikur te ka zene duke vjedhur ne kopeshti ).

  23. Seferi thotë:

    6 August 2008 @ 4:02 pm

    Ngjan si nje realitet i perditshem i tille eshte po shkrimi ka qellim tjeter
    qe dhe pse kemi kaq vjet demokraci dhe pse ka kaluar ne sistemin privat serisht e njejta avari. pritje te gjata , te tejmbushur,pluhur, era djerse,
    serish ka ngelur i njeti sherbim i shemtuar urban , serish une dhe pse paguaj 300 lek te vjetra per 300 metra un serish shtyhem , plurosem , zhubrosem , kam mundesi te vidhem nga turma njerezish qe jane ne autobuz,serish une jam i detyruar te pres sa te mbaroj birren apo dopjon qe ja ka porositur fatorino shoferit ( me leket e vjedhura nga udhetaret).
    Kam qe ne 1993 qe nuk ulem ne nej sedilje autobuzi ( shumica e rasteve ka ndodhur sepse njohim edukaten qytetare, respektin per me te vjetrin , po pse valle duhet ta bej respektin ne nje sherbim urban ku secili paguan leket e tij, pse mos te ulem normal pse autobuzi mos te niset direkt po te pres gjysem ore per 3 stacione ??????

    pse ?????????????

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com