Artistët kundërshtojnë “reformën Pango”
Sot
Sindikata e Pavarur e Artistëve dhe punonjësve të Teatrit Kombëtar i dorëzoi dje zyrtarisht ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, dokumentin zyrtar që kundërshtonte projektin për reformën institucionale. Ashtu siç ishte lajmëruar, dje u zhvillua një takim në Teatrin Kombëtar mes sindikalistëve e artistëve, për të finalizuar dokumentin zyrtar që dje iu dorëzua ministrit. Që në datën 15 shkurt Ministri i Kulturës Ylli Pango do të shpallte reformën aq shumë të mediatizuar prej tij. Drafti ka shkuar në institucionet kulturore TK dhe TKOBAP që në datën 5 mars.Gjatë kësaj kohe nga Ministria e Kulturës ka qenë një heshtje e plotë, asnjë prononcim, ndërkohë që brenda institucioneve kulturore pati një kundërshtim në plan të gjerë. Së pari për debatin kur institucionet duhet të kthenin përgjigje, pasi nga Ministria e Kulturës ishte vendosur afati deri në datën 10 mars të cilën Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë e kundërshtoi këtë afat si të pamjaftueshëm, (ndërkohë që e diela dhe e shtuna ishin pushim). Drafti i reformës i shpërndarë në institucionet kulturore krijoi një reaksion të fuqishëm në komunitetin e artistëve, një kundërshtim i tij pothuajse 90 përqind të të gjithë draftit “anonim”. Por dje erdhi momenti që artistët të shprehen hapur dhe zyrtarisht kundër tij. Në fillim të dokumentit zyrtar artistët i kujtojnë ministrit Pango arritjet e sezonit të kaluar artistik, ndërkohë që shprehen se drafti i hartuar të kujton përpjekjen e disa viteve më parë për shkatërrimin e institucioneve artistike.“Jemi të detyruar të nënvizojmë edhe njëherë se rezultatet e sezonit të kaluar artistik të Teatrit Kombëtar kanë qenë më të lartat e17 viteve të fundit, si nga pikëpamja artistike, po ashtu edhe financiare. Kjo edhe falë zbatimit këtë vit të Ligjit për Artin Skenik hartuar nga artistë të shquar të artit dhe në bashkëpunim me specialistë nga MTKRS, i aprovuar nga parlamenti shqiptar në datë 3.10. 2006. Ndërkohë, akoma pa u implementuar plotësisht ky ligj, veçanërisht nga MTKRS, siç është rasti i moskrijimit të QKAS, si një detyrim i juaji, që nga shtatori i vitit 2007, grupi i punës i MTKRS?!, që ka hartuar projekt-draftin, kërkon në mënyrë abuzive dhe të paargumentuar mendimin e tij. Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë, me shqetësim të madh, ju paraqet peticionin e Sindikatës së Pavarur të Artistëve dhe Punonjësve të Teatrit Kombëtar, si më poshtë: Pas studimit dhe diskutimit të gjerë me punonjësit dhe artistët e Teatrit Kombëtar me qëllim nxjerrjen e konkluzioneve, mbi Draft- Reformën e paraqitur nga grupi i punës i MTKRS, rezultojmë që: ku material nuk është aspak konstruktiv, por imponues, cinik dhe me argumente të përciptë. Drafti të kujton përpjekjen e disa viteve më parë për shkatërrimin e institucioneve artistike të vendit, i cili mori përgjigjen merituar nga komuniteti i të gjithë artistëve. Njëherazi Sindikata e Pavarur e Artistëve dhe punonjësve të Teatrit Kombëtar, është kundër materialit të paraqitur nga i ashtuquajturi Grupi pune i MTKRS!?”, shkruhet në fillim të dokumentit zyrtar që tashmë është dërguar në MTKRS. Më tej ky dokument zyrtar vazhdon të shpjegojë se cilat janë pikat e këtij drafti që kundërshtohen. “Sindikata e Pavarur e Artistëve dhe punonjësve të Teatrit Kombëtar me indinjatë kërkon:1- Mos-amendimin e ligjit ekzistues, por përkundrazi të zbatohet ai në mënyrë korrekte dhe me përgjeshmëri nga të dyja palët. 2- Mos- amendimin e nenit 9 dhe nenit 10 të ligjit ekzistues, për shtimin e detyrimeve dhe zbehjen e kompetencave të titullarit të institucionit dhe në respekt të emërimit të kësaj figure artistike nga kryeministri. Këto ndryshime nuk do të cënonin aspak në rrugën e duhur për zgjidhjen e problemit, por do të rëndojë, çorodisë dhe do të krijojë situata në mosrespektimin e kompetencave ndërmjet titullarit të institucionit dhe Bordit Artistik, nisur kjo edhe nga eksperienca e mëparshme në këtë institucion. 3- Zgjedhjen e Bordit Artistik sipas ligjit në fuqi, por me ndryshimin që nga raporti i personaliteteve pjesëmarrësve në të të jetë 60% nga jashtë institucionit dhe 40 % personalitete brenda tij. Ky organizëm do të propozohet nga titullari, do të votëbesohet nga komuniteti i artistëve, dhe do të miratohet nga ministri i MTKRS në një kohë sa më të shpejtë. 5- Bashkërendimin e punës për rritjen dhe përmirësimin e aktivitetit kryesor të institucionit, dhe jo hartimin e projekt –ligjeve imponuese, të cilat sjellin një situatë aspak inkurajuese në krijimtarinë artistike, si:a) shkurtimi i numrit të artistëve të Teatrit Kombëtar!?, b) apo ndryshimet qesharake të kategorizimit të artistëve, për këto nuk jemi aspak dakord. 6- Sindikata e Pavarur e Artistëve të Teatrit Kombëtar së shpejti do ti paraqesë për miratim “Statusin e Artistit”, për të cilën kërkojmë mbështetjen tuaj. 7- Krijimin menjëherë të QKAS, jo vetëm si detyrim ligjor i MTKRS, por si organizëm që: do të nxiste e gjallëronte jetën teatrore kombëtare, shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve krijuese të brezave të artistëve, të shmangte praktikën abuzive të miratimit të projekteve nga ministri i MTKRS. 8- Sindikata e Artistëve dhe punonjësve të Teatrit Kombëtar është e vendosur të zbatojë ligjin nr. 9631, datë 30.10. 2006 “Kodi i Punës”, Kontratën Kolektive të punës, si shtyllat bazë të marrëdhënieve institucionale mes MTKRS dhe TK dhe Sindikatës së Pavarur. Nga ana tjetër ajo pret një bashkëpunim serioz, të përgjegjshëm nga MTKRS, pasi TK ky institucion unik, ka bërë ndër vite vetëm një kontratë: atë me kombin dhe spektatorin e vet”, përfundon dokumenti zyrtar për kundërshtimin e Draft-Reformës të hartuar nga MTKRS. Një material i tillë me kundërshtime të shumë pikave të draft-reformës në MTKRS ka shkuar edhe nga TKOBAP. Ndërkohë nga burime të ndryshme të këtyre institucioneve mësohet se janë mbledhur edhe firmat e artistëve në lidhje me kundërshtimin e draftit të “reformës Pango”. Ky problem do të ndiqet në vijim në të gjitha institucionet kulturore. Ndërkaq kundërshtimi i draft-reformës pritet të sjellë në ditët në vijim konflikte të tjera mes institucioneve kulturore dhe MTKRS.


Shkruaj një koment (login)