Arbitri rrëfen tmerrin: Më rrahën 4-5 veta

Altin Latifi

Gazeta Shqiptare

gjyqtari-kastrati.jpgNjë ditë pas goditjes së rëndë që mori në Berat, arbitri Agron Kastrati ka rrëfyer ngjarjen e ndodhur në mjediset e brendshme të stadiumit të këtij qyteti, në pushimin e ndeshjes mes Tomorit e Skënderbeut. Gjyqtari shkodran vazhdon të jetë në një gjendje të rëndë, i shtrirë në shtëpinë e tij dhe me një fasho pas veshit që dëshmon në mënyrë të qartë dhunën e ushtruar ndaj tij. 24 orë pas ngjarjes, gjendja e tij ka vazhduar të jetë e rëndë, ndërkohë që agresori, vëllai i presidentit të Tomorit, vazhdon të jetë në qeli. “Ndeshja nuk nisi si normalisht, por në 16.30 për shkak të mungesës së ambulancës”, e fillon rrëfimin e tij arbitri Kastrati. “Dukej që ishte një gjendje e tensionuar. Atëherë kur nuk pritej, miqtë realizuan një gol që e tensionoi akoma më shumë situatën. Në ato momente unë nxorra nga xhepi edhe kartonin e verdhë ndaj një futbollisti beratas, për protesta ndaj arbitrit. Ndeshja në atë mënyrë nuk mund të vazhdonte, por gjithsesi nuk e lashë”, shton gjyqtari nga Shkodra. Ndërkohë, momenti i dhunës së ushtruar ndaj tij ka qenë vërtetë i denjë për skenat e filmave horrorë. “Në pushim të ndeshjes, unë shkova në dhomat e zhveshjes i shoqëruar nga forcat e policisë. Kishte shumë policë të cilët më çuan në mjediset e brendshme të stadiumit, pasi ndryshe ishte e pamundur të kaloje me atë turmë të irrituar. Ishim duke qëndruar aty, ndërkohë që erdhën 4-5 persona, të cilët filluan të më godisnin. U shokova dhe ndjeva një dhimbje të madhe, sidomos në pjesën prapa veshit. Goditja nuk ka qenë thjeshtë një grusht, ose ka pasur dorezë hekuri ose ndonjë unazë”, shprehet Kastrati.

Ngjarja
Pasi u godit rëndë, arbitri rrëfen se u ka thënë mjekëve se nuk mund ta vazhdonte më ndeshjen në atë gjendje, kishte shumë dhimbje. “Në këto çaste, e mori situatën në dorë asistenti im Fatmir Lamaj, që pranoi të gjykonte. Nga Federata, shefi i arbitrave Sulejman Mema, na ka dhënë direktiva që ndeshja nuk duhet të vazhdonte më, duhej ndërprerë aty, por Lamaj insistoi. Unë në ato momente u shoqërova nga mjekët, ndërsa pas mbarimit të ndeshjes shkuam edhe për të bërë kallëzimin penal ndaj personave që më goditën”, rrëfen më tej arbitri Kastrati. Ndërkohë, nën akuzë ka përfunduar edhe policia. “Ata më shoqëruan për të thënë që ja po bëjmë detyrën, por në fakt nuk arrij të kuptoj se si mund të kalojë një person katër policë dhe të vijë të më gjuajë. Më vjen që më ndodh në Berat, pasi aty kam gjykuar disa herë dhe nuk kam patur probleme”, thotë Kastrati.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. akksidental thotë:

    30 April 2007 @ 8:54 pm

    ose shoqeroheni arbitrin me polica gjat gjith ndeshjes neper fushe, ose jepini mjete rrethanore per tu mbrojtur arbitrit… ndryshe ska si behet

  2. Kotherja thotë:

    30 April 2007 @ 9:20 pm

    akksidental,

    hudhi nje sy.

    http://youtube.com/watch?v=YPJ8vcosuZ4

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com