Ali Ahmeti; Maqedonia, shumë shpejt me president shqiptar

ARDIT BIDO

Gazeta Standard

Kur filloi të bëhej personalitet publik shumëpak kishte besim tek ai. Një person, që ngriti një formacion ushtarak të dyshimtë për nga madhësia, për t`i bënte ballë një ushtrie të organizuar. Por brenda pak muajsh, ai u gjend përpara qytetit të Shkupit dhe ishte aq afër sa të hynte ushtarakisht në kryeqytet. Sot, për Ali Ahmetin këto janë histori të së shkuarës, që do t`u hynë në punë historianëve dhe analistëve, të cilët do të arrijnë në konkluzionin e asaj lufte. Sot, Ali Ahmeti është kryetar i një force politike dhe lufton, në një mënyrë krejt tjetër, për të vënë në vendin e duhur të drejtat e qytetarëve shqiptar të Maqedonisë. E sipas tij, në këtë realitet të krijuar, Maqedonia shumë shpejt do të ketë një president, kryeministër, apo kryetar kuvendi shqiptar, ndonëse kjo nuk do të vijë nga lindshmëria e lartë e shqiptarëve, por nga proceset integruese të këtij shteti. Ai rrëfen për standard synimet e tij politike, që sipas Ahmetit, do të sjellin një realitet krejt të ri në shtetin maqedonas, jo nëpërmjet ndarjes, apo federalizmit të tij, por nëpërmjet integrimit të gjithë Ballkanit në strukturat euro-atlantike, që do të sillnin bashkim të të gjithë popujve të rajonit. Ahmeti është i sigurt që Marrëveshja e Ohrit e lënë shpesh herë pas dore do të implementohet, sepse sipas tij, nuk ka rrugëzgjidhje tjetër. Ndërkohë, që shpreh bindjen se shqiptarët e Maqedonisë brenda pak legjislaturave do të kenë më shumë se 30 deputetë. Gjithsesi, ai nuk ka lënë pa akuzuar edhe kundërshtarin e tij politik, Menduh Thaçin, duke e bërë përgjegjës për kasaphanën e zgjedhjeve të fundit në Maqedoni, siç e cilëson. Z. Ahmeti, cila është perspektiva e shqiptarëve në Maqedoni, tanimë që kanë një pozitë më të fuqishme në parlament, në krahasim me asamblenë e kaluar, pasi kanë një deputet më shumë? Shqiptarët në Maqedoni janë faktor i rëndësishëm, jo vetëm politik. Pas luftës së vitit 2001 statusi i shqiptarëve u avancua dhe me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, ne jemi element shtetformues. Pozicioni ynë në shtet nuk varet vetëm nga numri i mandateve. Po, e vërtetë është se pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit, shqiptarët kanë më shumë mandate se kurdo qoftë deri tani, fakt që edhe më e rrit peshën dhe relevancën tonë si faktor. Nëse ju nuk do të jeni pjesë e qeverisë së re Gruevski, cili do të jetë qëndrimi juaj? Shqiptarët në zgjedhjet e qershorit vendosën vetë se kush ka mandate t’i përfaqësojë dhe të vendos në emër të tyre. Përkundër dhunës së paparë gjatë fushatës parazgjedhore dhe ditës së votimit më 1 qershor, përkundër terrorit që ushtruan struktura të caktuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe bandave kriminale, shqiptarët dëshmuan se dinë ç’është demokracia, dinë ç’është konkurrenca dhe platforma politike dhe u përcaktuan për Bashkimin Demokratik për Integrim. Më 2006, ndodhi një padrejtësi dhe një poshtërim i vullnetit politik të shumicës së dytë në Maqedoni. Për shkak të asaj mospërfillje të vullnetit të shumicës shqiptare, Maqedonia për 18 muaj ishte në krizë të thellë politike. Duke qenë vend kandidat për anëtarësim në BE, ne morëm radhazi disa raporte negative na Komisioni evropian për përparimet e demokracisë në Maqedoni. Ndodhën shumë ngecje dhe dështime, prandaj as që pranoj të mendoj se do të përsëritet viti 2006 dhe të mos respektohet vullneti i shumicës së votuesve shqiptarë. Po në rast se do të jeni pjesë e qeverisë Gruevski, cilat do të jenë sfidat që do të zgjidhni për popullësinë shqiptare? Në zgjedhjet e qershorit, ne dolëm më platformë të qartë dhe populli na votoi. Objektivat tona në periudhën katërvjeçarë janë transparente: sjellja e Ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, rregullimi i statusit legal të ish-ushtarëve të UCK-së dhe familjeve të dëshmorëve, njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, heqja definitive e vizave me Shqipërinë, përparimi i marrëdhënieve me fqinjët, përfshi këtu edhe Greqinë etj. Natyrisht, prioritet yni mbetet marrja e ftesës për anëtarësim në NATO dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim ne BE. Shkaku i ngecjeve të mëdha që ndodhën pas vitit 2006 ne jemi koshient se këto objektiva janë edhe të vështira, por duke pasur parasysh përvojën tonë të suksesshme gjatë qeverisjes në periudhën 2002-2006, partneritetin që ndërtuam me miqtë tanë nga SHBA, BE dhe NATO, jam i bindur se edhe këtë sfidë do e tejkalojmë. Pse shqiptarët në Maqedoni kanë armiqësinë më të madhe ndërmjet tyre, duke e krahasuar me Shqipërinë dhe Kosovën, ku nuk kanë ndodhur incidente të tilla dhe rivaliteti I tillë mes partive kryesore? Që me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kreu i PDSH-së paralajmëroi kasaphanë ndër shqiptarë. Edhe monitoruesit ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR-it identifikuan zyrtarë të lartë të PDSH-së të implikuar në dhunë dhe incidente gjatë zgjedhjeve. Për fatin tonë të keq si shqiptarë, gjithë këto pamje dhe veprime të shëmtuara ndodhën vetëm në pjesën ku jetojnë shqiptarët, ndërsa atje ku garë bënin partitë maqedonase gjithçka shkonte për së mbari. Unë jam në opozitë dhe nuk kam kurrfarë instrumenti që të prish apo dhunojë procesin zgjedhor. Për dy muaj rresht njësitet policore ALFA dhe kriminelë ordinerë (shqiptarë) ushtronin dhunë dhe terror kundër anëtarëve dhe votuesve të BDI-së. Si pasojë e kësaj, ne patëm me dhjetëra shtabe të thyera dhe të mitraluara, me qindra e mijëra rekuizita të djegura e të shkatërruara zgjedhore (flamuj partiak, pankarta, banderola, mbishkrime etj.), me dhjetëra qytetarë të rrahur e të plagosur dhe çka është më e keqja, ditën e zgjedhjeve, më 1 qershor, neve na e plagosën rëndë kryetarin e degës së Çairit dhe u vra Naser Ajvazi, një djalë i ri nga Haraçina. Me të drejtë qytetarët e bëjnë pyetjen: si ka mundë si që sa herë PDSH-ja organizon zgjedhje në mesin e shqiptarëve ka dhunë, ka të plagosur dhe të vrarë? Si në vitin 2000 kur u vra i riu Fatmir Jakupi nga Kondova e Shkupit, edhe tash më 2008 në pushtet ishte PDSH-ja dhe në MPB ishin të njëjtët njerëz?!!! Këto pyetje bëjnë qytetarët dhe unë nuk kam si e mbuloj këtë përgjegjësi të krerëve të PDSH-së… Shqiptarët në Maqedoni kanë pasur gjithnjë e më shumë deputetë, 8 në vitin 1998, 25 në vitin 2002, 28 në vitin 2006 dhe 29 tani. Pse është ky trend, duke pasur parasysh që pjesëmarrja në votime e popullsisë shqiptare mbetet më e ulët se e maqedonasve? Është e vërtetë se shqiptarët në dy-tre zgjedhjet e fundit kanë më shumë deputetë se më parë. Madje, për kuriozitet, në zgjedhjet e këtij viti Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar më shumë mandate se sa kanë pasur të gjitha partitë shqiptare bashkë, të themi para dhjetë vitesh. Kjo mbase shpjegohet me rënien e numrit fiktiv të votuesve maqedonas dhe grupëzim e vullnetit politik të shqiptarëve. Sido qoftë mendoj se kjo tendencë do të rritet edhe më dhe në të ardhmen e afërt shqiptarët do të kalojnë edhe atë pragun magjik prej 30 deputetësh… Shqiptarët në Maqedoni kanë lindshmëri tre here më të lartë se maqedonasit. Marrë si shembull të dhënat e numërimit të popullsisë në vitin 2002, ku për shembull në komunën e Çairit me popullsi kryesisht shqiptare, 10% janë nga 0-4 vjeç dhe Kisela Vodën që edhe kjo ndodhet në Shkup, por që ka vetëm 4 për qind të popullsisë në këtë grupmoshë. Janë hedhur shpesh teza kryesisht nga qarqe antishqiptare se një ditë shqiptarët do të jenë shumicë në Maqedoni, si e parashikoni të ardhmen e këtij shteti në këtë kontekst dhe kur do kemi një kryeministër shqiptar? Më duhet të them se ka kështu paragjykime prej të cilave ne distancohemi dhe I vlerësojmë si antishqiptare dhe naziste që burojnë që nga koha e Garashaninit, Cubriloviçit e Andriçit. Shqiptarët e Maqedonisë të ardhmen e tyre nuk e ndërtojnë mbi bazën e natalitetit të diskutueshëm apo mbi numra dhe raporte. Ne jemi realitet në Maqedoni. Shqiptarët janë komuniteti i dytë më i madh në këtë shtet multietnik. Ne kemi pjesën tonë të të drejtave dhe të përgjegjësisë dhe në këtë konstelacion forcash shumë shpejt do të kemi situatë kur në Maqedoni do të ballafaqohemi me realitetin që presidenti i shtetit, kryeministri apo kryetari i parlamentit do të jetë shqiptar. Unë ketë e kam thënë edhe në fushatë, se pse ne kërkojmë që shqipja të jetë gjuhë zyrtare… Kjo edhe për faktin se nesër, kryetari apo kryeministri i vendit, natyrisht shqiptar, të mund të komunikojë me qytetarët e shtetit të vet në gjuhën e tij amtare… Dhe kjo do të ndodhë … Jemi 8 vjet larg Marrëveshjes së Ohrit. Duhet që para katër vjetësh të kishin përfunduar një sere ligjesh të rëndësishme, të cilat kanë mbetur pezull. A mendoni se duke mos u zbatuar kjo marrëveshje ka të ardhme tjetër Maqedonia përveç federalizimit? Dokumenti i cili ndërpreu luftën dhe evitoi përshkallëzimin e saj në konflikt ndëretnik, pra Marrëveshja paqësore e Ohrit pati një nismë jo gjithaq të mbarë. Që më 2001-shin implementimi i Marrëveshja e Ohrit filloi me tejkalime afatesh, prandaj edhe sot, tetë vjet pas nënshkrimit të saj, kemi ngecje, kemi vonesa dhe kemi pjesë të paimplementuara. Natyrisht, përgjegjësia për këtë bie mbi të gjithë ne dhe këtë duhet ta themi haptazi. Fati i Marrëveshjes paqësore të Ohrit është po ai si i të gjitha dokumenteve që arrihen me kompromis; të gjitha palët janë të pakënaqura, por edhe të lumtura për faktin që, megjithatë, u arrit një përfundim… Maqedonasit e përjetojnë si humbje, si shkelje të krenarisë dhe si nëpërkëmbje të shtetësisë e tjera paragjykime stereotipa… Shqiptarët nga ana e tyre mbase nuk janë krejtësisht të kënaqur, por nuk e fshehin faktin se me këtë dokument ata ndryshuan Kushtetutën, u bënë element shtetformues dhe krijuan kuadrin ligjor dhe kushtetues për të qenë të barabartë në shtetin e përbashkët… Edhe sot mendoj se shumë punë të mira janë bërë, por se ka edhe shumë për të bërë, prandaj perspektivën e Maqedonisë nuk e shoh në skenarë ndarjeje apo federalizimi por në integrimet rajonale dhe evroatlantike… Kjo zatën është edhe e ardhmja jonë si komb. Shqiptarët kanë shansin historik që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe të shpresojmë, pas anëtarësimit edhe të Maqedonisë, të gjithë bashkë, pa kufij e pa ndarje të jetojmë të bashkuar në familjen e madhe të popujve të bashkuar të Evropës. Ju keni qenë një ndër personazhet kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Atëherë sapo kishit dale nga një luftë, që dukej se ishte një fitore e madhe për UÇK-në dhe humbje e tmerrshme për ushtrinë maqedonase. Kishit deklaruar se mund të pushtonit Shkupin. Ishte e vërtetë, apo një presion për demoralizimin e ushtrisë maqedonase? Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka qenë formacioni më i organizuar dhe mi i përgatitur për luftë guerile, mbase në gjithë historinë e kryengritjeve popullore. Vërtet kemi qenë të aftë dhe të gatshëm të përmbushim çdo urdhër të Shtabit të përgjithshëm. Gjykoj se jetojmë në kohëra tjera dhe këto aspekte të pjesës më të lavdishme të historisë sonë t’ua lëmë specialistëve, studiuesve dhe instituteve, arkivave… Le të merren ata me trajtimin dhe hulumtimin e vërtetësisë së opinioneve të asaj dhe për atë kohë… 21/06/2008

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. Vlore1920 thotë:

    23 June 2008 @ 7:44 am

    U japim komandantin po te doni :)

  2. zotrules thotë:

    23 June 2008 @ 7:49 pm

    Ta marrin dhe Berishen po te duan e ta bejne Maqedonine rrush e kumbulla…

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com